` . Tifozët e Man. City-t mërziten me Guardiolën: Mendo vetëm të stërvitësh ekipin - TV SHENJA

Tifozët e Man. City-t mërziten me Guardiolën: Mendo vetëm të stërvitësh ekipin

Manchester City ka nisur në mënyrë perfekte sezonin, pasi ka fituar 7 nga 9 ndeshjet zyrtare dhe ka shënuar plot 7 gola në sfidën e parë në grupet e Champions League ndaj Leipzig, megjithatë atmosfera nuk duket e qetë.

Shkak për të trazuar ambientin, është bërë një deklaratë e trajnerit Pep Guardiola, i cili u ankua për praninë e tifozërisë në shkallët e stadiumit “Etihad”, teksa u shpreh se dëshiron ta shohë impiantin gjithmonë plot.

Megjithatë tifozëria e “Sky blues” reagoi zyrtarisht nëpërmjet Kevin Parker, sekretarit të përgjithshëm të klubit zyrtar të tifozëve, i cili i quajti të befasishme dhe të pavenda deklaratat e Guardiolës, teksa nuk ngurroi të citojë edhe shifra.

“Deklarata e trajnerit Guardiola ishte e befasishme dhe njëkohësisht e padrejtë, pasi mund të shërbejë si një burim talljeje nga ana e tifozërive kundërshtare. Për më tepër, ne kemi një stadium me kapacitet prej 55 mijë tifozësh dhe kemi një mesatare me 51 mijë tifozë për ndeshje. Ishim të paktë vetëm ndaj Leipzig, rreth 39 mijë, pasi ishte e zbrazur tribuna e tifozërisë mike. Ndaj i themi Guardiolës që para se të merret me mesazhe të tilla, të përqendrohet të bëjë punën e tij, stërvitjen e ekipit”, deklaroi ndër të tjera Parker.

Nga ana tjetër trajneri spanjoll tha se nuk ka ndërmend të kërkojë falje për deklaratën e tij dhe theksoi sërish se dëshira e tij është që ta shohë “Etihad Stadium” gjithmonë të mbushur plot në mbështetje të ekipit.