Thirrja e Rexhep Mitrovicës drejtuar rinisë shqiptare

Thirrja e Rexhep Mitrovicës drejtuar rinisë shqiptare

Në seancën e parë të Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm u vendos që të amnistoheshin të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, ndërsa për të burgosurit joshqiptarë u formua një komision i posaçëm, të cilit iu dha kompetencë e plotë për vendimmarrje. Veç kësaj, në seancë u lëshua një “Thirrje”, me të cilën njoftohej mbarë kombi shqiptar se: “Simbas vendimit të Kuvendit për shpalljen e pamvarsisë, Komiteti Ekzekutiv provizor ka marrë në dorëzim drejtimin e punëve të shtetit deri në formimin e Qeverisë”.  Dy ditë  pas kësaj, në Prizren filloi me punë Kongresi i  “Lidhjes II të Prizrenit”.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Pas kapitullimit të Italisë fashiste (8 shtator 1943), në aspektin politik, Shqipëria ra nën kompetencë të të deleguarit për punë të jashtme për Juglindje, inxhinieri Herman Nojbaher. Ai, me udhëzimet e udhëheqjes së Rajhut, mbronte tezën se në Shqipëri nuk duhet të organizohet aparati administrativ gjerman, e as që Shqipëria të trajtohet si zonë pushtuese, por që formalisht t’i pranohet pavarësia dhe, në pushtetin e tyre, Shqipëria të mos e ketë statusin e aleatit të rajhut të tretë.

Për rrjedhojë, me nismën e disa intelektualëve dhe nacionalistëve nga mbarë trojet shqiptare, më 14 shtator 1943 në Tiranë u mbajt një kuvend, në të cilin u formua “Komiteti Ekzekutiv i Përkohshëm” dhe u  vendos të shpallet pavarësia e Shqipërisë. Kryetar i Komitetit u zgjodh Ibrahim Biçaku, ndërsa anëtarë Eqrem Telhaj, Vehbi Frashëri, Bedri Pejani, Mihal Zallari dhe Xhafer Deva.

Në seancën e parë të Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm u vendos që të amnistoheshin të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, pa marrë parasysh bindjet e tyre politike, ndërsa për të burgosurit joshqiptarë u formua një komision i posaçëm, të cilit iu dha kompetencë e plotë për vendimmarrje. Veç kësaj, në seancë u lëshua një “Thirrje”, me të cilën njoftohej mbarë kombi shqiptar se: “Simbas vendimit të Kuvendit për shpalljen e pamvarsisë, Komiteti Ekzekutiv provizor ka marrë në dorëzim drejtimin e punëve të shtetit deri në formimin e Qeverisë”.  Dy ditë  pas kësaj, në Prizren filloi me punë Kongresi i  “Lidhjes II të Prizrenit”. Ndër vendimet më të rëndësishme të Kongresit të “Lidhjes II të Prizrenit” ishin: “…Kërkesa për bashkim të përhershëm dhe të pazgjidhshëm të të gjitha krahinave të banueme qysh prej mija vjetsh prej popullsinash shqiptare. Zani i përgjithshëm i të gjithë delegatëve nalëson vullnetin e mbarë popullatës së këtyne krahinave, që zë vendin e një plebishiti populluer për kët bashkim. Prandaj kërkojmë shpalljen botnisht të këtij vullneti të shenjtë të banorëve të Kosovës, Dibrës dhe Strugës me Shqipninë; formimi i Komitetit Qendror me seli në Prizren. Komiteti Qendror të hapë degët e saj në të gjitha prefekturat, nënprefekturat dhe komunat të krahinave të Kosovës, Dibrës dhe Strugës, të cilat do të marrin përsipër organizimin ushtarak e politik të Kosovës; mbledhjen e të gjitha dokumentave historike, politike dhe diplomatike që forcojnë qënien shqiptare të Tokave të Lirueme, ashtu dhe ngjarjet dhe vuajtjet e pafund të banorëve të ktyne viseve në kohën e sundimit jugosllav si dokument në rasën e një paqeje të arthme…etj”.

Më 20 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar shfuqizoi vendimin e Asamblesë Kombëtare të datës 12 prill 1939, me çka u shpall i pavlefshëm “bashkimi i kunorës së Shqipnis me atë të Mbretnis Italiane” për arsye se siç theksohet në procesverbal “ajo nuk përfaqësonte vullnetin e lirë të popullit shqiptar”. Në po këtë seancë u vendos që deri në përfundim të luftës së përgjithshme pushtetet shtetërore në Shqipëri do të ushtrohen si më poshtë:

“1. Pushteti përmbarues ushtrohet prej Këshillit të Naltë të përbam prej katër vetave, të zgjedhun për herën e parë prej Kuvendit.

  1. Pushteti Legjislativ ushtrohet bashkërisht prej Këshillit të Naltë dhe Parlamentit, si mbas atributeve të caktueme në Statutin më datë 1-12-1928”.

Një ditë më vonë, përkatësisht më 21 tetor 1943, Kuvendi Kombëtar zgjodhi Këshillin e Naltë të Regjencës, në përbërje: Mehdi Frashëri, Fuad Dibra, Lef Nosi dhe Patër Anton Harapi. Ndërkohë, më 8 nëntor 1943 Qeveria e Rexhep Mitrovicës mori votëbesimin nga Kuvendi Kombëtar. Në kabinetin e Qeverisë Mitrovica u zgjodhën këto ministra: Dr. Rrok Kolaj ministër i Drejtësisë, Mehmet Konica, ministër i Punëve të Jashtme, Xhafer Deva, ministër i Punëve të Brendshme, Dr. Sokrat Dodbiba, ministër i Financave, Agr. Ago Agaj, ministër i Ekonomisë Kombëtare, Musa Gjylbegaj, ministër i Punëve Botërore, Dr. Eqerem Çabej, ministër i Arsimit, Qazim Bllaca, nënministër i Ekonomisë Kombëtare dhe Vehbi Frashëri, nënministër i Punëve të Jashtme. Pika kryesore e programit, siç theksoi Rexhep Mitrovica para deputetëve, ishte “mbrojtja e pamvarsisë së plotë dhe tansisë toksore Shqyptare si edhe ngulmimi për të qenë zot i vendeve shqyptare mbi të cilët kërkojmë respektimin e të drejtave ethnike dhe jetike të Kombit tonë”. Në vazhdim ai tha se Qeveria shqiptare do të “ndjekë nji politikë asnjanse me të gjitha Shtetet”, duke shpresuar se edhe shtetet tjera do t’i respektojnë të drejtat sovrane të kombit shqiptar, kufijtë e të cilit do të mbrohen nga një ushtri dhe xhandarmëri e riorganizuar.

“Asht bindja jonë, theksoi R. Mitrovica, se në këtë periudhë tronditëse të jetës sonë kombëtare, në vend të grindjeve për ideologjina ose parime politike, duhet të shpëtojmë popullin nga masakrimet eventuale qi mund t’i vijnë nga të tjerët, si ato të Bihorit; dhe të mprojmë me çdo sakrificë kufijtë t’ona ethnike që janë vaditun me gjakun e gjyshave e stërgjyshave t’onë. Këtë misjon të shenjtë do t’a plotsojë ushtrija e jonë e riorganizueme së cilës nuk do t’i lejohet, kurssesi, të mbytet në pellget e politikës, mbassi detyra e naltë e sajë asht rujtja  e kufijve shqiptare dhe çdo veprim tjetër me ngjyrë politike mund të quhet trathëti kundra Atdheut…”.

Një pjesë të fjalimit të tij, Mitrovica, ia kushtoi edhe pushtimit katërvjeçar të Shqipërisë nga ana e Italisë fashiste, ku ndër të tjera tha:

“...Të gjithë me mallëngim e mbajmë mend dhe me pshertim e kujtojmë se Shqipnija e vogël para datës së zezë së 7 prillit 1939, ishte nji Shtet sovran, nji Shtet vetëurdhënues. Kishte nji aparat shtetnuer të përsosun dhe në funksjonim të plotë, kishte ushtrinë dhe gjandarmërin e sajë të organizueme dhe disciplinueme që i kishin sigurue nji qetsi shembullore; kishte administratën e sajë që i drejtonte punët e veta si ma së miri; financat dhe doganat e saja i përgjigjeshin buxhetit modest të Shtetit. Me Ministrin e Punve të Jashtme ajo përfaqsohej në botën e qytetnueme dhe bante politikën e sajë si çdo shtet tjetër i lirë dhe sovran. Lufta e pa deklarueme por e ushtrueme në mëndyrën ma barbare e prishi këtë Shtet. Italija e pushtoi Shqipninë tue ia thye qindresën e vogël por heroike, që kjo bani, në shenjë protetstimi. Italija vinte në Shqipni jo për nji nevojë strategjije ushtarake, por mjerisht si kolonizatore…Veprimtarija që shvilloi kjo në Shqipni në këto katër vjetët e fundit nuk la të dyshojë as fshatarin ma të thjeshtë që sasht marrë me histori ose me politikë se Italija e vendosun në Shqipni s’pritte as përfundimin e luftës për t’a realizue andrrën e vet, andërr e shemtuet për ne. Për ta çfuqizue Shqipnin nga vet-mbrojtja i-a prishi ushtrinë, gjindarmërinë dhe policinë. Për të mos lanë nji shenjë eksistence të sovranitetit shqiptar, suprimoi Ministrin e P. Të Jashtme dhe mbylli përfaqsit shqiptare. Për ti dhanë nji grusht ndjenjës patriotike dhe kombëtare ndryshoi Flamurin kombëtar, tue e pagëzue me shenja robnije. Ndryshoi përshëndetjen, ndryshoi ushtrimin në shkollë. Çdo gja shqipe do t’u ndryshonte n’italishte. Për t’a vorfnue nji herë e mirë vendin rrëmbeu gjithë tregtin e madhe të Shqipnis dhe e monopolizoi në duert e italjanëve; për t’a çveshun pronarin dhe fshatarin vuni dorë mbi çifliqet qoftë private qoftë shtetnore…Bilanci i robnis ma se katër vjeçare mlidhet në pak fakte: me mija shqiptarë në mal, në burg ose niternim, në pushkatim ose në litar. Krejt Shqipnija e jugut dhe nji pjesë e madhe e Shqipnisë së mesme në zjarrmë. Me mija gra, fëmij të masakruem, lanë pa buk nëpër ullishte, nëpër pyje… Ajo që asht ma e vajtueshme dhe ma e paharrueshme për ne asht grindja që na la në mes vllaznish. Po konstatoni dhe Ju vetë se mbi këto gërmadha sot vendin e solidarsisë kombëtare kërkon t’a zajë mënija; vendin e ligjit dhuna; vendin e bashkimit dhe të bashkpunimit të vllaznëvet për t’u dalë zot interesavet të Kombit, vllavrasja…”.

                            Kuvendi Kombëtar, tetor-nëntor 1943

Është e rëndësishme të theksohet fakti se pas kapitullimit të Italisë, situata politike dhe e sigurisë në vend u përkeqësua edhe më shamë. Tërë kjo vinte si rrjedhojë e veprimtarisë antikombëtare të Partisë Komuniste të Shqipërisë, e cila siç është e njohur botërisht, ishte nën diktatin e plotë të tre misionarëve të Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të liderit të saj, Josip Broz Tito: Svetozar Vukmanoviq – Tempo, Millain Popoviq dhe Dushan Mugosha. I brengosur dhe i shqetësuar tej mase për fatin e kombit shqiptar, Rexhep Mitrovica e pa të nevojshme që me rastin  e festës më  të madhe kombëtare, 28 nëntori, ditës së flamurit dhe shpalljes së pavarësisë, të mbajë një fjalim në Radio Tirana, në të cilin ai e ftoi mbarë kombin shqiptar, veçanërisht rininë shqiptare, për bashkim dhe bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë Kombëtare Shqiptare, për ta shpëtuar Shqipërinë nga anarkia dhe kaosi. Dokumenti, i cili ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë (fondi 149), ka këtë përmbajtje:

* *  *

 “THIRRJE RINISË

(Fjalimi i mbajtur prej shk. Kryeministrit Rexhep Mitrovica nga Radio-Tirana më 28 Nëntor 1943)

Motra e Vllazën,

            Zgjodha ditën fatlume të rifitimit të liris kombëtare për tju folun juve luftëtarëve, dhe gjithë popullit pse kjo asht dita qi bashkon dhe vëllaznon, në frymën e paharrueshme të fitores, të gjithë Shqiptarët.

            Due tju ftoj, pra, të gjithë, vllazën shqiptarë, qi të mendoni thellë mbi nji të vërtetë të madhe: të mendoni se, në pragun e ngjarjeve të mëdha të periudhës s’afërme, përgjegjësina të randa do të na ngarkojë kjo gjendje anormale e Vendit.

            Në periudhën e shkurtën, qi kaluem prej shgatrrimit dhe largimit tushtrivet italjane, deri në formimin e qeveris së parë, të lirë dhe indipendente, çka pau ky Vend’i zi, çka psoi ky popull i mjerë, sa ndodhina të mëndershme, sa sheja të frigëshme na u paralajmuen, për rrokullisjen e madhe qi po na kërcnohet.

            Me veprimtarin e ushtrueme prej terroristave, na kemi pà mà të mirët midis nesh të bijnë prej plumbavet të tyne ase prej armëvet të ndonji të marri. Prej plumbavet të terroristavet na u vranë djelmt mâ të mirë qi, me inteligjencën, me karakterin, me guximin dhe auktoritetin e tyne, ishin të zott të përmblidhshin rreth tyne energjinat e shpërndame të Kombit, të qindrojshin dhe të ngadhnjejshin përmbi vështirsinat mâ të randa. Pamë fuqitë botore, drejtësinë të pritojë t’i kapi fajtorët e vërtetë, t’i dënojë ata qi kishin frymzue vrasjen. Në këto muejt e fundit pamë nëpunësit e administratave të ndryshme, armatura themelore e shoqnis s’onë, të sabotojë, të pezullojë sherbimet e interesit botuer dhe të rrezikojë Vendin në nji rrokullisje të përgjithëshme.

 Terrorizmi një sistem politiki një doktrine të huej

            Kemi pà njerëz terrët të shkojnë nëpër shtëpija të Ministravet dhe t’i vrasin, m’u në dhomë, pa mujt m’u kapë. Kemi pà njerëz t’armatosun midis ditës t’i shtrëngojnë nëpunësit qi të mos lajmojnë auktoritetin deri sa t’i shvishnin magazinat e nozullimevet. Kemi pà mësuesit e Shtetit, të ngarkuem me edukatën e kalamejvet, qi do të bahen nesër arbitrat e politikës së Shqipnis, pra Zott e Shqipnis, të përbuzin Atdheun, t’i shtyjnë ushtarët t’onë, dikur nxansit e tyne, të dezertojnë, të bashjkohen e të vllaznohen me anmikun kundra popullit, kundra vëllaut. Kemi ndigjue të parapëlqehet, në vend të hymnit të Flamurit, kanga e ndërkombëtares; të mbeten të shkujdesun kundrejt ngjarjeve si ajo e masakrimeve të bâme mbi mija shqiptarë dhe të mbyllen dyqanet për 4-5 të vramë komunistë. Kemi pà formimin e skuadrave dhe urdhnat e dhanuna prej tyne për pushkatimin e djelmënis atdhetare. Kemi pà shqiptarë t’u presin hundë e buzë shqiptarvet, punë qi âsht në kundërshtim me zakonet fisnike të Shqiptarit dhe nji importim nga zakonet mâ t’egra e të huejit.

            Terrorizmi ndër né, qi vashdoi muej e muej, nuk ishte, si shifet nga këto fakte, nji valë përshkuese qi ka mund të ngjajë aty këtu. Jo, ai ishte nji sistem politik, nji methudhë, zbatimi i nji doktrinës së huej.

            Shkurt, në vend të ligjës, sundoi grushti.

 Shenja keqësimi për tardhmen e Kombit

            Kur në nji regjim falimenton magjistratura dhe drejtësija bjerr kuptimin e misjonit të vet, qi âsht mâ i madhi e mâ bujari i të gjithëve; kur nënshtetasi nuk mundet me e mbështetë ma shpresën e tij mbi pavarsin e gjyqtarëve për të mprue të drejtën dhe për të gëzue drejtësin, atëherë çdo normë bjen poshtë, gjithëshka shkon mbrapsht. Asht rrenimi i krejt ndërtesës shoqnore. Në ndonji vend tjetër asnji fuqi njerzore nuk do të kishte mund me qindrue sikur të mos i mbështetej aprovimit të popullit, sikur të mos legjitimohej me anë të shërbimeve të bâme për té.

            Mungesa e njij sigurije të madhe si kjo e tashmja në Shqipni, e cila âsht edhe pa nji doktrinë, qi ta udhëheqë, pa frymë të përbashkët, pa besimin qi çimenton bashkimin e popullit, përkundrazi i ndamë në mënina politike dhe lufta klasash, tingllimi i orës fatale duket i sigurtë. Ndoshta shqiptarët janë mâ të mbramët qi shofin rreziqet e randa qi na kërcnojnë. Por të huejt sidomos ata qi kanë pà vendet e tyne ndër këso rrethanash, nuk na e mëshefin gravitetin e gjendjes, s’onë dhe frigen qi i u kall e ardhëshmja e jonë. Sot, gjendja duket e mjerueshme, pse fuqija qendrore duket se ka mbetun pa forcë, pa auktoritet, pra pa prestigj, ndërmjet dy rrymave të fuqishme kundërshtare, në grindje për trashigimin e fuqis.

 Pasojë e regjimit të mbrapshtë italjan

            Kush e ka fajin?

            Pakënaqësija qi mbretnon sot në Shqipni âsht prodhimi i regjimit të mbrapsht italjan. E Administrata dredhake e atij regjimi, shkaktoi humbjen e besimit të popullit në kryetarët dhe nelitën e tij, pse regjimi italjan, me dhelpnin e tij të njoftun mirë, përpiqej, në çdo mënyrë qi, fajet e tij, t’i a hidhte gjithmonë prisave të popullit t’onë, me qëllim qi të sillte nji përçarje të madhe midis tij dhe Prisave të tij e, mandej, nga grindja e popullit me prisat, të përfitonte ai vetë. Unë nuk dua t’a shtroj e t’a shqyrtoj tash pyetjen në se kjo mëni e popullit kundrejt prisave âsht ase nuk âsht me vend. Por âsht nji fakt i pamohueshëm se, as njerzit qi na qeverisën gjatë katër vjetve të regjimit italjan, as klasat drejtuese, nuk dijtën të kuptojnë, të zbërthejnë dhe të zotnojnë problemet e ndërlikueme qi rodhën prej atij regjimi. Prandej pakënaqësija e popullit muer përpjestime gjithnji mâ të mëdhaja dhe, turmat e tij, prej pakënaqësije u hodhën në dishprim, i cili, mâ në fund, u bâ i papërballueshëm dhe i shtyni të sulmojnë deri institutet e vendosuna. Fuqinat botore kapituluen përpara kryengritjes; elita, e shtrëngueme prej nji anarshije mendore, hoq dorë nga misjoni i vet, i a lëshoi vendin furtunës, pa kërkue as me i bâ ndonji farë qindrese.

            Nga kjo mungesë qindrese, natyrisht, përfituen partizanët. Ata banë, mâ parë, propagandën në Rini dhe kjo, pa mendue gjatë, e shtyme vétëm prej ndienjave, gaboi. U bâ agjenti njij politike të pathellueme. Të shumtë janë ata qi luftuen për popull e për vend me nji frymë të vërtetë atdhetarije dhe të pakët janë ata qi shfrytzuen forcat e tyne për hesapë t’ideologjisë komuniste.

 Me shtetin apo me anarkinë?

            Tash âsht koha të pyesim: a duem të jemi n’anën e Shtetit a po n’anën e anarshisë? Mos të përgjigjemi se nuk jemi as n’anën e njanit as n’anën e tjetrës. Atëherë do të shtypeshim midis njanit dhe tjetrës.

            Qeverija nuk âsht për nji parti ose për nji klasë. Ajo âsht për çdo parti e për çdo klasë. Ajo siguron të drejta të barabarta për të gjithë.

            Asht koha të zgjedhim: Rend e Rregull, auktoritet e drejtësi, ose anarshi, rrëmbim, grabitje dhe vrasje?

            Jemi përpara nji dileme të pathyeshme të çastit qi sundon fatin tonë, si enigma qi i u shtrue Oeudipit prej Sphinxit. Duhet t’a zbërthejmë ose të shdukemi.

            Fara e përçamjes s’onë, asht mirë t’a kuptojmë, nisi të shtrihet dhe të zgjanohet ndër né mbas ditës fatale të 7 Prillit të vjetit 1939. Fara e dasis s’onë u mbuell prej okupatorit italjan me anë intrigash, dredhinash, ngatresash dhe ideologjinash qi, për né, kishin qenë, deri atëherë, gati krejt të panjoftuna. Popullin t’onë të bashkuem e ndau dhe e përçau në grupe kundërshtare dhe sot, fryti i mundimeve t’atëhershme po duket qartas: fatkeqësija e madhe zotnon mbi gjithë Shqipnin pse Shqiptarët po vriten egërsisht ndërmjet vedi.

 Vëllavrasja: mjerim i kombit

            Asht nji mjerim i madh qi, në Shqipninë qi ka dijtë të jetë e bashkueme në çdo kohë rreziku, sot, në ditën mâ të madhe qi kà Kombi Shqiptar, në vend të lidhjes së ngushtë vllaznore, në vend të besës së mprojës sAtdheut prej çdo rrezikut, të mbretnojë çka nuk âsht për t’i a urue as anmikut… Vllavrasja. Po mjerisht sot, në vend të harés së kremtimit të përvjetorit t’Indipendencës, nga malet e fushat e lyeme me gjak, vijnë vajtime, ngrihen klithma dhe ndigjohen gjamë qi lajmojnë kobën mâ të madhe të historisë s’onë: Shqiptari po vret Shqiptarin.

            Kjo sâsht nji vllavrasje për të mirën e Vendit; por për shgatrimin e përjetëshem të popullit dhe të Vendit e për dobi të të huejvet.

            Zija e randë qi kà mbulue sot anë e kand horizontin e Shqipnis, shtrihet tmerrshëm mbi Berat, Durrës, Korçë, Dibër, Vlonë e Gjinokastër. Atje nanat e motrat tona, derdhin lot rrëkaj, qajnë e vajtojnë djelmt, vllaznit, burrat dhe prindët e tyne të vramë prej dorës shqiptarit.

            Sa dhimbë e madhe! Sa mjerim i thellë! Sa humbje e kobshme për Vendin tonë!

            Vllavrasjen, qi korr viktima për dit tash në Shqipni, nuk mundemi ta quejmë kryengritje, as nuk mund t’a krahasojmë me lëvizjet tjera revoljusonare qi kanë ndodhun në Shqipni, pse, ato lëvizje shquhen e dallohen për qëllimet e nalta qi i kanë frymëzue. Dihet mirë se kryengritjet e mëdhaja qi kanë ndodhun në Shqipni gjatë pushtimit ottoman, kishin për qëllim të fundit shpëtimin e Shqipnis nga robnija e huej. Kryefjala qi shprehte aspiratat e trimave t’onë, ajo qi tregonte zjarmin qi i hidhte në përpjekje për epopenat e përmenduna, ishte lakonike, po, por plot kuptim: Ja Vdekje Ja Liri.

            Herojt e atyne kryengritjeve, me këtë kryefjalë në buzë, në zemër dhe në shpirtë, luftuen dhe u vranë për t’i a mbërrijtun Ditës së madhnueshme qi kremtojmë na sot. Na përgjunjemi para kujtimit të mallëngjyeshëm të këtyne Dëshmorve të mëdhaj të Liris kombëtare. Ata, me vetmohimin e tyne, na lan nji shembull që duhet të jetë drita qi të na drejtojë neve trashiguesave të fitores së tyne. Të  vritemi vetëm për Shqipni dhe për të drejta të saja.

 Karakteristikat e lëvizjes

            Karakteristika e lëvizjes që na pruni gjendjen anarshike të sotshme, në fillim të luftës kundra pushtuesit italjan, ishte gati si e të gjitha kryengritjevet kombëtare: luftë për kushte kundra pushtuesit për ta shporrun prej tokës Shqiptare… Por, ky program veprimi, qi pasqyronte besnikisht vendimin e krejt Kombit t’onë, u shkëmbye, me intrigat dhe me gishtin e huej, në nji luftë ideologjike, u degjenerue në nji luftë klasash. Ma vonë, ky degjenerim mbërrini deri në bashkimin e Shqypes së lavdishme dy krenësh të Popullit Shqiptar me nji yllë të kuq të huej dhe, përshëndetjen burrnore t’onën, me grushtin e çuem kundra bashkimit të vllaznimit kombëtar.

            Po ajo lëvizje që ka sjellë anarshin e tashme, luftoi shpatat e Liktorit mbi Flamurin Kombëtar, Simbol i Lavdishëm i Luftarve për Liri. Këto impozime të pushtuesit nuk i duronte asnji shqiptar. Mirë po, po ata qi luftuen këto sheja timpozueme Simbolit t’onë, lejuen qi mbi Flamurin e Skanderbegut, të veheshin shêja të tjera, gjithashtu të hueja. Detyra e tyne ishte të mos i tolerojshin këto impozime qi, nën nji tjetër trajtë, i kishin luftue ata vetë. Ky tolerim cenoi ndienjat patriotike. E, Shqiptari, âsht ruejtës besnik i zakoneve dhe i traditave konservatore të mbajtuna me shekuj. Shqiptari, prandej âsht dhe mbetet atdhetar.

            Ky gabim fatal, si edhe aj i fillimit të luftës ideologjike, kallun ndër né me dredhi e mjeshtri të madhe prej të huejvet, i dha shkas hapjes së antagonizmit ndërmjet Shqiptarve, shkaktoi përçarjen dhe, ma në fund, vllavrasjen.

 Ka ardhë koha për ndreqjen e gabimeve

            Tash âsht koha qi gabimet të ndreqen.

            Asht koha që, gremina e hapun në mes nesh, ajo qi na ndau dhe qi me thellësinë e saj po thith Rininë tonë të pa rritun mirë, të mbushet, me çdo kusht, me çdo fli. Për këtë qëllim duhet të bindemi, pikë së parit, se anarshija e sodit nuk âsht në të mirë të popullit shqiptar. Asht bindja e plotë e jeme se gjendja kaotike qi mbretnon në Vendin t’onë, po i a shkurton jetën krejt popullit, po ene do t’a dënojë të vdesë, në qoftë se do të vazhdohet. Kjo politikë e madhe e Shqipnis së vogël, âsht gabim; pse, kah do qi t’i a mbajë fitorja, Fuqinat e Mëdhaja do të kërkojnë të na gjejnë si nji Shtet i rregullt dhe i rëndësishëm.

            Po të jetë se do të vashdojë anarshija e sotshme bashkë me paralizimin e çdo auktoriteti qeveritar, kush do tinteresohet për fatin e nji popullsije prej dy milion e pesqind mij frymësh qi do të mbetej në mes të katër udhëve, pa shtëpi, pa bukë, pa zjarm, pa dritë, e çveshun dhe e zbathun, dhe pa asnji shpresë për ditën e nesërme?

            A asht ninteresin e Shqipnis qi nji të tretën e popullit t’a lamë të vdesi kështu? A shpëton Shqipnija tue e zgjanue anarshinë në çdo kand t’Atdheut? A asht në dobi të popullit t’onë qi populli të mbetet në mëshirën e çdo njeriu qi kà mbi sup pushkën e qi me forcën e saj kërkon t’ushqehet në kurriz të katundarit? A i sigurojmë fshatarit nji jetë mâ të mirë, tue e detyrue qi të shgrehi pendën, të mos mbjell tokën dhe, ma në fund, t’i vejë zjarmin mos mbjelli tokën dhe, marrë malet?

            Në qoftë se nji grusht njerëz, qi kanë besimin e gabuem, se me terrorizëm, me vrasje e me presje, mund ta sundojnë vendin dhe se me grykën e kobures mund të pushojnë çdo zâ kundërshtimi, unë them se ata bajnë krimin mâ të madh mbasi faktet dhe ngjarjet e përditëshme na tregojnë se besimi i tyne nuk kà asnji themel.

            Duhet të dihet nji herë e për gjithmonë se, nji organizatë e ushtrueme prej nji pakice, e mbajtun me terrorizëm, nuk mundet ta sundojë vendin, ashtu si nuk kanë mund me sundue askund.

 Çna mëson eksperienca?

   Eksperjenca e kryengritjeve na provon se, sundimi me terrorizëm âsht sundimi mâ i mënimë. Pra i destinuem të shduket mbrenda pak kohe. Por, mjerisht, plagët e hapuna prej këtij regjimi tmerri, nuk mbyllen aq shpejt, se gjaku kërkon gjak dhe, tragjedija e këtij gjaku të derdhun nuk mbaron mbrenda njij afati të caktuem.

  Për të dokumentue fatalitetin e veprës së organizatës terroriste, e cila mundohet ta mbajë nën kthetrat e saj Vendin tonë, mjafton të kujtojmë bilancin përfundimtar të periudhës së shkueme: shgatrrimi dhe djegja e katundeve dhe e qyteteve… mjerimi i pashembëllt i popullsisë së pafajshme t’atyne vendeve, të mbetun për jetë pa strehë, pa bukë, pa asnji përkrahje… urrejtje pasjonale kundra njeni tjetrit dhe pushkatime, vrasje mizore në mënyrën mâ trathtare… shgatrrimi i plotë i elitës së vendit dhe marrja në qafë e djelmënisë së gabueshme.

            Po pse u banë të gjitha këto shëmtime, të gjitha këto fatkeqësina katastrofale?

            Për asgja pozitive. Për asgja shqiptare.

            Pikërisht kjo gjendje alarmuese dhe e padurueshme, na detyroi ti bindemi nevojës imperative të formimit të nji Qverije kombëtare, e cila, përpara Kombit dhe përpara historisë ka marrë barën e ran që të normalizojë gjendjen dhe të vendosë rend e rregull.

 Zotimi i dhanun Popullit do të realizohet

            Zotimin e madh qi i kemi bamë Popullit, me anën e programit t’onë, do të mundohemi t’a realizojmë, pse në tanësinë e veprimit t’onë, nuk kemi asnji qëllim tjetër përveç naltësimit t’Atdheut dhe t’adhedashunis.

            Prandej ndjekim parimin e pushimit të vllavrasjes dhe ate të sigurimit të bashkimit total të Kombit.

            Sot, kur po ju uroj përvjetorin e indipendencës sonë, un si Kryetar i Qeveris, po ju zotohem edhe nji herë se do të përpiqemi me të tana fuqinat qi Shqipnija të shpëtojë nga kaosi.

            Eksperjenca e dy javëve qeverimi më dha të kuptoj se Kombi nuk ka vendos të shuhet dhe se don të rrojë. Ja ky asht vendimi unanim i krejt Kombit. Un po e shqiptoj kët vendim edhe nemnin e shejtënis së kësaj dite të madhe. Po i bâj thirrje Rinis Shqiptare, Popullit, Fuqive t’Armatosuna Kombëptare, Ushtrisë, Gjindarmëris, nëpunsave tue u kërkue bashkimin dhe bashkëpunimin e përzemërt dhe të pakursyeshëm për t’a shpëtue Shqipninë nga anarshija, për t’a mëkëmbë e për të forcue Shtetin to’në të lirë qi porsa âsht ngjallun rishtas.

            Jam i sigurtë se thirrjes seme, qi buron nga nji patriotizëm e zjartë për shpëtimin dhe naltësimin e Kombit, për mprojtjen e të drejtave sovrane të Kombit, do t’i përgjigjen të gjithë.

            Me kët besim të patundun ju ftoj të brohorisim:

            Rnoftë Shqipnija Indipendente!

            Rnoftë Populli Shqiptar!

            U përjetësoftë kujtimi i Herojve të Kombit!”.

Foto: Rromir IMAMI