` . Themelimi i Gjykatës Speciale – vendim i pafalshëm historik - TV SHENJA

Themelimi i Gjykatës Speciale – vendim i pafalshëm historik

BE-ja dhe bashkësia e gjerë ndërkombëtare nuk kanë pasur shumë të drejtë dhe as bazament të fortë juridik për formimin e kësaj biçim gjykate, ngase që të dy këto formacione të apostrofuara më sipër, madje edhe EULEX-i, deri më tani e kanë pasur ingerencën dhe fuqinë e plotë ekzekutive vendimmarrëse në gjyqësinë dhe drejtësinë kosovare. Por, për hir të së vërtetës – duhet theksuar drejtësisht këtu – se as shteti dhe as drejtësia me gjyqësinë (gjyqtarët e prokurorët e caktuar) kosovare, realisht dhe objektivisht, deri tash nuk kanë bërë sa dhe si duhet për fuqizimin dhe efikasitetin e sundimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në Kosovë”, thotë Mazllum Baraliu.

Intervistoi: Ditar KABASHI

Themelimi i Gjykatës Speciale, e cila do të merret me krimet e supozuara të kryera gjatë luftës në Kosovë, gjithnjë bazuar në Raportin e Dick Marty-t, ka qenë jo vetëm vatër e polemikave në skenën politike të Kosovës, por edhe çështje me rëndësi jetike në sferën e teorisë dhe praktikës juridike. Statusi i posaçëm i Gjykatës Speciale dhe raporti i saj i pazakontë me organet gjyqësore të Republikës së Kosovës ka bartur një mori paqartësish dhe ka shkaktuar huti në publikun e gjerë.

Në kërkim të sqarimeve për disa dilema lidhur me Gjykatën Speciale, kemi realizuar një intervistë me Prof. dr. Mazllum Baraliun, jurist me përvojë të gjatë në konsolidimin e institucioneve të Kosovës. Në karrierën e vet, ndër tjerash, Baraliu njihet si profesor në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, rektor i parë i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, ish-kryeshef i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe autor i disa veprave profesionale, shkencore e artistike.

SHENJA: Që nga Raporti i Dick Marty-t më 2011 kishte indikacione nga ndërkombëtarët se Kosova duhej të inicionte themelimin e Gjykatës Speciale. Cilat janë shkaqet e vonesës së këtij procesi?

BARALIU: Po, kishte jo vetëm indikacione, por edhe tentativa dhe plane morbide të qarqeve të mirënjohura për dashakeqësi dhe destruktivitet të vazhdueshëm ndaj Kosovës, siç ishin para së gjithash qarqet e caktuara ruso-serbe, të cilat, në bashkërenditje me të tjerët, edhe i orkestruan të gjitha përgatitjet dhe veprimet deri në themelimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar ose, ndryshe, “Gjykatën Speciale të Kosovës” me seli në Hagë të Holandës.

Në respekt të lexuesve tuaj, ia vlen të evidentohet se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës u themeluan në bazë të një marrëveshjeje ndërkombëtare, të miratuar në Kuvendin e Kosovës, me amendamentimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në bazë të një Ligji Special.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, sipas Ligjit, e kanë selinë në Hagë të Holandës, kanë personel ndërkombëtar (asnjë nga Kosova nuk mund të punësohet aty), kanë gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, si dhe administratorë dhe hetues ndërkombëtarë.

Sipas Ligjit, Zyra e Prokurorit të Specializuar është një prokurori e ndërkombëtarizuar dhe zhvendosur në Hagë dhe të gjitha vendimet dhe emërimet, që ndërlidhen me Gjykatën, bëhen nga BE-ja.

Dhomat e Specializuara kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në Kosovë dhe, rrjedhimisht, kanë të drejtë të bëjnë transferimin e procedurave nga çdo gjykatë apo prokurori në Kosovë – te Dhomat e Specializuara – në çdo fazë të procedurës.

Përndryshe, vendimi i deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e Gjykatës Speciale një-etnike, për gjykimin e kinse krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të kinse ish-UÇK-së, krahas vendimit për tkurrjen e territorit të Kosovës – me Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi; nënshkrimi i Marrëveshjes në Bruksel për themelimin e Asociacionit – po ashtu në baza etnike të komunave me shumicë të banorëve të minoritetit serb – me çka në mënyrë kundërkushtetuese instalohet një nivel i tretë (inekzistent ligjërisht) ekzekutiv i pushtetit; pranimi me marrëveshje i vënies së acetriksit ose fusnotës për emërtimin ndërkombëtar të Kosovës, madje edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për legalitetin dhe legjitimitetin, si dhe përputhshmërinë e plotë të aktit të SHPALLJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS – me të drejtën ndërkombëtare, e ndonjë tjetër vendim, janë pa dyshim vendimet më të padrejta dhe më të pafalshme historike dhe shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, që ndërkohë – gjatë qeverisjeve diverse – janë marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe deputetët e tij.

Sa u përket shkaqeve dhe arsyeve eventuale, për vonesën e themelimit dhe funksionalizimit të kësaj gjykate, ato janë të shumta dhe jo sa duhet të njohura për publikun e gjerë. Mirëpo, ajo që mund të thuhet pa asnjë ngurrim është se faktori kryesor i cili ka ndikuar në vonesat totalisht të pajustifikueshme për një institucion të pretenduar që të jetë një modus operandi serioz dhe model, ndonëse i paprecedent në jurisprudencën ndërkombëtare, është fakti se edhe pas më shumë se pesë vjet që nga themelimi me ligj të veçantë, kjo gjykatë nuk ia doli të funksionalizohet dhe t aoperacionalizojë veprimtarinë e saj. Kjo është rrjedhojë e mospasjes ose, më mirë të themi, e mosgjetjes së fakteve, provave dhe dëshmive të mjaftueshme në terren.

Këtë më së miri mbase e argumenton deklarimi pa asnjë ekuivok i kryeprokurorit të parë, z. Wiliamson, i cili në konferencën e tij për shtyp pati deklaruar, ndër të tjera, se sa i përket akuzës kryesore për kinse trafikimin e organeve njerëzore dhe të ashtuquajturës “shtëpi e verdhë” etj., nuk kishin gjetur prova të mjaftuara as hetuesit e kësaj prokurorie.

Faktori i dytë kryesor i vonesës së fillimit efikas dhe efektiv të punës së kësaj gjykate do të mund të ishte burokracia evidente e mekanizmave të kësaj gjykate, ashtu siç jemi mësuar të shohim edhe të organet dhe organizmat e tjerë të BE- së.

SHENJA: A ka shkaktuar dualizëm në natyrën e Gjykatës Speciale funksionimi i saj në bazë të legjislacionit kosovar dhe njëkohësisht pavarësia e saj faktike nga autoritetet kosovare?

BARALIU: Dualizmi në interpretim të natyrës, strukturës organizative dhe funksionale dhe ingerencave – në kuptimin fare formal – mund të merret në konsideratë dhe të reflektohet në cilindo variant të konkluzionit fillestar. Por, në kuptimin faktik, real dhe jurisdiksional, kjo gjykatë – siç u potencua më sipër – është jashtë dhe mbi çdo pikëpërpjekje ose ndërlidhëse me sistemin tonë kushtetues dhe juridik.

Këtu qëndron edhe gabimi i Kuvendit dhe i qeverisë së atëhershme, që kanë votuar dhe themeluar një gjykatë surrogate, të pashembullt në analet e drejtësisë ndërkombëtare – ku në ligj thuhet e shkruhet se është gjykatë Kosove dhe se heton e gjykon – kinse në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës sonë, ndërsa në të vërtetë, siç thuhet e shkruhet edhe në ligj, është E NDËRKOMBËTARIZUAR, që i bie se është gjykatë ndërkombëtare, e cila fatkeqësisht është dizajnuar, që njëanshmërisht dhe ekskluzivisht do të hetojë dhe, eventualisht, gjykojë çlirimtarët njëetnikë dhe jo edhe gjenocidbërësit millosheviqianë të Serbo-Jugosllavisë.

Pra, nga sa u tha më lart, lidhur me këtë pyetje, rezulton se nominalisht dhe formalisht, kjo gjykatë konsiderohet si kosovare, ndërkohë që faktikisht, realisht dhe jurisdiksionalisht, ajo e tëra është puro e pavarur nga sistemi ynë kushtetues-juridik. Për më tepër, është edhe institucion gjyqësor supremativ madje. Ndërkaq, esencialisht, është gjykatë surrogate, mbinacionale dhe ndërkombëtare.

SHENJA: A mund të pohohet se me juridiksionin kushtetues që gëzon kjo gjykatë kemi të bëjmë me bartje të sovranitetit gjyqësor?

BARALIU: Patjetër, por jo vetëm bartje të sovranitetit gjyqësor. Sepse kjo gjykatë posedon edhe organizma të tjerë relevantë – deri në vitalitet, siç është për shembull edhe Dhoma Kushtetuese, etj. Pastaj, sipas dispozitave të nenit 3 par. 4, thuhet taksativisht se: ”ky ligj mbizotëron mbi çdo dispozitë kundërshtuese, të çfarëdo ligji ose rregulloreje tjetër.” Madje edhe qendrat e paraburgimit menaxhohen nga zyra administrative e gjykatës, ndërsa të dënuarit eventualë nuk sillen për të mbajtur burgjet e tyre në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës. Tutje, sipas dispozitave të nenit 4, par. 2. Dhomat e Specializuara mund të bëjnë marrëveshje ndërkombëtare me shtete, organizata ndërkombëtare dhe me subjekte të tjera, me qëllim të përmbushjes së mandatit të tyre, ndërsa sipas dispozitave të nenit 5 të Ligjit, Kosova e delegon autoritetin e saj ekzekutiv në Dhomat e Specializuara në pajtim me Ligjin 04/L-274. Pra, siç po shihet, Gjykata Speciale është sovranizuar (ajo që është ingerencë e shtetit të Kosovës) edhe me lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, gjë që është veçori dhe kompetencë e strukturave formacionale shtetërore në të drejtën ndërkombëtare.

SHENJA: Mospërfshirja e stafit vendor në Gjykatën Speciale a ndërlidhet me mosbesimin e ndërkombëtarëve në paanësinë/profesionalizmin e juristëve kosovarë apo më shumë ka karakter preventiv ndaj trysnive politike që mund t’u bëhen atyre?

BARALIU: Pikërisht mungesa e besimit në drejtësinë kosovare, nga ana e eksponentëve relevantë vendimmarrës ndërkombëtarë, ka ndikuar që Kosova, padrejtësisht dhe në mënyrë të pashembullt në historinë juridike botërore, të detyrohet të themelojë një gjykatë të tillë të padrejtë dhe skajshmërisht të dëmshme e me pasoja të pariparueshme për të.

BE-ja dhe bashkësia e gjerë ndërkombëtare nuk kanë pasur shumë të drejtë dhe as bazament të fortë juridik për formimin e kësaj biçim gjykate, ngase që të dy këto formacione të apostrofuara më sipër, madje edhe EULEX-i, deri më tani e kanë pasur ingerencën dhe fuqinë e plotë ekzekutive vendimmarrëse në gjyqësinë dhe drejtësinë kosovare. Por, për hir të së vërtetës – duhet theksuar drejtësisht këtu – se as shteti dhe as drejtësia me gjyqësinë (gjyqtarët e prokurorët e caktuar) kosovare, realisht dhe objektivisht, deri tash nuk kanë bërë sa dhe si duhet për fuqizimin dhe efikasitetin e sundimit të ligjit dhe të sistemit të drejtësisë në përgjithësi në Kosovë. Për më keq, segmente të konsiderueshme syresh edhe kanë abuzuar me sistemin deri në irracionalitet dhe papranueshmëri ekstreme.

SHENJA: Pse është përzgjedhur mundësia e krijimit të selisë jashtë territorit Kosovës?

BARALIU: Sepse edhe Gjykata Speciale me Prokurorinë dhe komponentët e tjera relevante institucionale të saj janë atje, sepse nuk janë të vendosura dhe as vepruese me kompetenca në Kosovë dhe sepse ajo Gjykatë, siç u tha tashmë, qartë e çiltër, realisht dhe objektivisht, është konstruksion juridik-ndërkombëtar. Pra, e vendosur në Hagë të Holandës.

Sidoqoftë, ndonëse formalisht, megjithatë në Ligj përmendet edhe një seli tjetër e Gjykatës Speciale në Prishtinë, por ne nuk kemi parë as kuptuar se në ç’vend është ajo, nëse nuk është në zyrat e misionit EULEX, i cili është i autorizuar që të kryejë punë dhe zbatojë autorizime të caktuara të Gjykatës Speciale në Hagë.

SHENJA: A ekziston rreziku që mandati i Gjykatës Speciale të përfundojë pa rezultate konkrete ngjashëm me misionet e mëparshme të udhëhequra nga organizmat ndërkombëtarë, duke lënë përsëri pikëpyetje në çështjen e ndjeshme të luftës?

BARALIU: Zakonisht, koha ka dëshmuar se gjykatat e kësaj natyre dhe të këtij profili edhe mund të jenë të ndikuara politikisht edhe mund të mos jenë efikase, as efektive e as objektive.

Le ta rikujtojnë lexuesit e juaj të nderuar rastin e gjykimit të Sllobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi. Gjykimi i tij kinse zgjati tre vjet dhe ai proces – si duket qëllimisht – është zvarritur në mënyrë që Serbia të mos dënohej si shtet për gjenocidet e kryera ndaj popujve të Ballkanit, veçanërisht ndaj boshnjakëve – në Srebrenicë dhe ndaj Kosovës – gjithandej territorit të saj.

Përndryshe, mandati i parë pesëvjeçar i kësaj Gjykate ka përfunduar, por ajo – jo vetëm që ende nuk e ka filluar punën e saj – por ia ka mohuar Kosovës edhe të drejtën edhe sovranitetin e saj që t’ia vazhdojë ose jo mandatin Gjykatës Speciale, kuptohet përmes Kuvendit të Republikës. Ajo, pra, unilateralisht dhe në prekje të sovranitetit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, vetvetes ia ka vazhduar mandatin.

Se a do ketë rezultate të prekshme e korrekte kjo gjykatë dhe nëse po – sa do të ketë – deri në përfundimin e mandatit të saj, kjo varet nga përgjegjësit e saj dhe nga zyrtarët e BE-së.

SHENJA: A mund të konsiderohet Gjykata Speciale si një mundësi për t’u vërtetuar përfundimisht pastërtia e luftës së UÇK-së, në analogji me proceset e mëparshme në Hagë ndaj disa ushtarakëve të lartë të UÇK-së, të cilët janë shpallur të pafajshëm?

BARALIU: Lipset potencuar këtu se, në radhë të parë, Gjykata e tillë është e destinuar jo për individë të UÇK-së, sepse të tillët komandantë pothuajse të të gjitha zonave tashmë nga kanë qenë para drejtësisë nacionale një ose më shumë herë – në Kosovë ose edhe para drejtësisë ndërkombëtare të pasqyruar përmes Tribunalit të ashtuquajtur të krimeve të luftës të kryera në ish-Jugosllavi – dhe qoftë në Kosovë ose në Hagë – ata kanë dalë të pafajshëm ose e kanë vuajtur dënimin e caktuar.

Përkundër problemeve, në kushte të një pranie të vazhdueshme ndërkombëtare – me kompetenca dhe autorizime totale ekzekutive – madje edhe të mentaliteteve menaxhuese të tipit të sulltanateve – nga UNMIK-u ose drejtësia kosovare shumë njerëz pjesëmarrës dhe/ose komandantë të UÇK-së janë dënuar në Kosovë. Mirëpo, nuk janë dënuar serbët kriminelë, që kanë vrarë, prerë, dhunuar e djegur mbi trembëdhjetëmijë civilë e ushtarë në Kosovë. Deri më tani vetëm pesë syresh janë dënuar në Kosovë; gjashtë nga njëzet të proceduar janë dënuar në Serbi, të gjithë kriminelë; mbi njëmijë deri tani të identifikuar jetojnë dhe qarkullojnë lirshëm, qoftë nëpër Kosovë qoftë nëpër Serbi, pa u trazuar nga askush dhe kaq.

Në një situatë lufte kur Serbia ka bërë gjenocid në Kosovë, ndërkaq Kosova ka qenë viktimë, kemi ardhur në situatë kur Kosovës i formohet një gjykatë e pashembullt – ndëshkuese – ndërkombëtare. Prandaj, jam paksa skeptik, se diçka që është nisur me tendencë dhe me qëllime të fundit ndaj Kosovës dhe popullit të saj, do të mund të përfundojë me ndonjë ”pastërti të luftës së UÇK-së”, ngase motivet, synimet dhe qëllimet e inspiruesve dhe realizuesve të kësaj krijese – le të më lejohet të them – janë më tepër politike, diskriminuese e diskredituese sesa pastruese. Sido që të jetë, pavarësisht epilogut të kësaj gjykate dhe rezultateve të saj, këtu nuk ka se çka të pastrohet, sepse lufta e UÇK-së ishte luftë e çiltër si kristali, luftë e popullit të Kosovës.

Nga ana tjetër, nëse drejtësia nuk qenka vënë në vend deri më tani, kurse drejtësinë në Kosovë për njëzet vjet me radhë e kishin pikërisht ato qarqe që bashkë me disa nga dinjitarët e bashkësisë ndërkombëtare dhe asaj evropiane filluan iniciativën për Gjykatën Speciale, përse mu ata, që për mbi njëzet vjet dhe për 100% e kanë pasur në dorë, nuk e vunë atë drejtësi në vend?!

SHENJA: Çfarë e pret skenën politike kosovare nëse pranohen aktakuzat dhe fillon procesi gjykues ndaj ish-figurave të rëndësishme të UÇK-së që tani mbajnë pozita të larta shtetërore në Republikën e Kosovës?

BARALIU: Kosova aktualisht është në një situatë të rëndë dhe në një gjendje jo të konsoliduar politike, sociale dhe gjithëshoqërore, pikërisht ashtu dhe e tillë çfarë ishte qe dy dekada qenësie dhe zhvillimi – në liri dhe më pas edhe në pavarësinë e saj.

Dy dekada dështim të një kaste politike të paformuar dhe jo të transformuar sa e si duhet. Një galeri politikanësh që as dinin as dëgjonin zërin dhe kërkesat e popullit të vet. Një strukturë e pastrukturuar e aq më pak e konsoliduar intelektualisht e demokratikisht, por maksimalisht e prirë për përfitime, abuzime dhe keqqeverisje – me metoda kuazi-medievale dështimi, deri në abandonim total të popullit dhe të shtetit, rrjedhimisht interesave të tyre.

Tani, pas gjimnastikave, thënë më së buti – aspak etike e morale politike – të eksponentëve tashmë të sprovuar me vite në këto farë lojërash, kombinimesh dhe kombinatorikash joparimore dhe pa dobi utilitare shoqërore, si dhe pas asaj komunikatës së pashembullt dhe jashtëprocedurale të po kësaj Gjykate, respektivisht të Prokurorisë së saj – për të cilën po flasim – është vështirë të predikohet dhe të parashikohet meteorologjikisht e ardhmja dhe lëvizjet e skemës politike në Kosovë.

Ajo që pa vështirësi mund të konstatohet dhe verifikohet është se në suaza të konstelacioneve politike gjeostrategjike rajonale dhe globale është e qartë se Kosova duhet të këndellet, të unifikohet dhe të veprojë esëll. Por, këtë nuk mund dhe as që duan ta bëjnë pluto dhe kleptokratët dhe as eksponentët medievalë të politikave, sjelljeve dhe qeverisjeve në vitin e njëzetë të shekullit të ri.

Pra, rrotacioni politik-brezor do të duhej t’i sjellë dhe mund t’ia sjellë Kosovës flladin pranveror të pritur e të dëshiruar me dekada e shekuj.

SHENJA: Cili mund të jetë ndikimi në politikat rajonale të konfirmimit eventual të aktakuzave kur edhe ish-pjesëtarë të UÇK-së në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginëtë Preshevës po intervistohen nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar?

BARALIU: Gjykata Speciale – ligjërisht dhe formalisht – është e proklamuar si gjykatë e Kosovës. Si e tillë, formalo-juridikisht ajo nuk ka as juridiksion dhe as kompetenca që të gjykojë qytetarë të shteteve të tjera, pra as të Maqedonisë së Veriut dhe gjithandej. Ajo, mbase, në cilësi të dëshmitarëve edhe mund të ftojë ndokënd, por jo më shumë se kaq. Ndaj edhe nuk ka asnjë arsye bindëse që veprimet e tilla, ndonëse të pabazuara dhe të panevojshme të gjykatës në fjalë, të kenë konotacione reflektuese në asnjë dimension në rajon.

SHENJA: Duke parë trendin negativ të njohjeve të shtetësisë së Kosovës, çfarë implikimesh mund të lindin në kursin gjeopolitik në rast se do të nisë gjykimi i personaliteteve të larta shtetërore?

BARALIU: Formimi i Gjykatës Speciale është dëm i madh për Kosovën dhe ishte e mbetet fitore spektakolare e Serbisë, Rusisë dhe armiqve të shqiptarëve gjithandej globit. Thamë në fill të fillit se themelimi i kësaj Gjykate – kundër vetvetes dhe në dëm të vetvetes – që e votuan deputetet shumicë të Kuvendit të Kosovës, përbën gabimin e pafalshëm të tyre dhe të kastës naive dhe të pamaturuar politike-qeveritare të kohës së themelimit.

Sidoqoftë, tani jemi ku jemi. Jemi në një situatë në të cilën Serbia ia ka dalë me shumë sukses dhe në disa fronte kundër nesh, duke përfshirë edhe formimin dhe funksionalizimin e kësaj krijese politike që para botës të shitet si viktimë, edhe pse është shtet agresor-gjenocidal ndaj Kosovës dhe popullit shumicë të saj.

Kjo është humbje dhe dëm i madh për Kosovën. Mirëpo, ne nuk duhet as të heshtim, as të ndalemi dhe as të sodisim. Duhet të këndellemi, të riorganizohemi, i madh e i vogël, t’i aktivizojmë dhe përkrahim elitat e reja, të ndershme dhe të arsimuara drejt që janë për shtet dhe kombdashëse. Pra, domosdo dhe aktualisht lipset që të unifikohemi e të mobilizohemi si një trup i vetëm dhe nëpër botë ta sqarojmë tragjedinë tonë gjenocidale të shkaktuar nga Serbia, gjendjen e tanishme, vlerat dhe meritat tona si shtet e si komb dhe të mos ndalemi fare dhe kurrë së punuari për shtet e për komb, të gjithë bashkërisht. Pra, jo vetëm kosovarët, por të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë, të kenë një qëndrim unik dhe një zë unik të një kombi të tërë unik për një kauzë unike, specifike, sepse për të gjithë shqiptarët aktualisht Kosova është interesi më strategjik gjeopolitik dhe, siç e quan e gjithë bota, “shembull dhe rast sui generis”.

SHENJA: Gjykimi eventual dënues ndaj ndonjërit ish-pjesëtar të UÇK-së a do të nënkuptojë para botës se fajtore për krime lufte është mbarë UÇK-ja?

BARALIU: E gjithë bota mbarë, për së paku një shekull e më shumë e ka parë, identifikuar dhe ditur se, fillimisht, Serbia ekspansioniste dhe hegjemoniste e, ndërkohë, më vonë, edhe ish-Jugosllavia e kanë okupuar, shkallmuar, shtypur dhe, vijimisht, masakruar në forma dhe raste të ndryshme popullin shqiptar të Kosovës dhe të trojeve etnike jashtë kufijve të asaj që quhet Shqipëri londineze. Të njëjtin model të represionit shtetëror dhe të shtypjes, Serbia dhe Jugosllavia e kanë vazhduar edhe më vonë – edhe para njëzet vitesh – për të përfunduar në vitin 1999 me shkaktimin e eksodit të mbi një milion shqiptarëve nga Kosova, me masakra dhe me shkatërrime të papara e të pariparueshme – deri në gjenocid dhe holokaust, të parë të pas Luftës së Dytë Botërore, që e bëri Kosovën martire.

Prandaj, përkundër përpjekjeve të caktuara – përndryshe të suksesshme të Serbisë – dhe përkundër gabimeve tona të shumta, pothuajse të vazhdueshme dhe të pafalshme, edhe si udhëheqje shtetërore edhe si individë, por edhe si shoqëri, lufta e UÇK-së dhe rezistenca e armatosur mbrojtëse-defanzive e saj, ka qenë e drejtë e domosdoshme, e pastër dhe epope heroike. Andaj, si të tillë, as atë dhe as luftëtarët e saj si tërësi nuk ka dhe as nuk mundet që t’i njollosë kurrkush dhe as t’ua mohojë çiltërsinë, drejtshmërinë e të bërit luftë çlirimtare e mbrojtëse dhe as sakrificën për liri e pavarësi të popullit të Kosovës.

Ndaj as “BIA”, as Serbia dhe as Rusia me aleatët e tyre nuk mund t’i vënë në peshojë e as në sprovë këto fakte, vlera, merita dhe këto të vërteta të pamohueshme historike.