` . Tetova respekton orën policore, policët në nivel profesional (VIDEO) - TV-SHENJA

Tetova respekton orën policore, policët në nivel profesional (VIDEO)

Qyteti i Tetovës i boshatisur si kurrë më parë. Rrugë të zbrazura, me prezencë vetëm të patrullave dhe pikave të kontrollit policor. Përveç tyre, në qytet vëreheshin ekipe të ndërmarrjes komunale dhe institucioneve kompetente që merreshin me pastrimin dhe dizenfektimin e disa rrugëve.

Gjatë një vozitje të ekipit të Televizionit Shenja natën e së mërkurës, pas hyrjes në fuqi të orës policore, nëpër rrugët e këtij qyteti nuk vëreheshin automjete që shkelnin ndalesën. Që në hyrje të qytetit ekipi u ndalua nga pika e parë e kontrollit ku u legjjitimua nga pjestarë të policisë të cilët përveç rregullave profesionale ju përmbaheshin edhe masave për mbrojtje nga koronavirusi.

Të pajisur me doreza dhe maskë mbrojtëse, pjestarët e SPB – Tetovë legjitimuan dhe kontrolluan lejen e ekipit për punë pas orës policore. Më pas një kontroll të ngjashëm realizuan edhe një pikë tjetër policore në brendësi të qytetit.

Sjellja dhe pajisja ishte e njëjtë. Ekipi i dytë informoi qendrën policore dhe kolegët e tjerë se ekipi dhe automjeti konkret do të kryejnë inçizim në qytet dhe pas kësaj ekipi ynë nuk u ndalua më nga asnjë patrullë e radhës. Policët vëreheshin të stacionuar në hyrjet dhe daljet e qytetit, ndërsa në brendësi patrullonin vetura të policisë. Prezenca e policisë ishte e shtuar, ndërsa gjatë lëvizjes së ekipit tonë nuk u vërejt ndonjë incident ose shkelje e theksuar e ndalesës për qarkullim.

Arben Zeqiri /SHENJA/