` . Terrori, arkiva dhe biopolitika e komunizmit - TV SHENJA

Terrori, arkiva dhe biopolitika e komunizmit

Sabiha Kasimati disa herë kishte qenë e para dhe e vetmja grua mes burrash: studentja e parë e diplomuar në Liceun e Korçës ose, më vonë, biologia e parë në Shqipëri. Edhe në vdekje e në varrin e përbashkët ishte e vetmja grua krahas 21 burrave. Kasimati ishte një shkencëtare e dalluar e brezit të saj: para se të vritej, ajo kishte përfunduar studimin e parë për peshqit e ujërave të kripura dhe të ëmbla të Shqipërisë.

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Më 19 shkurt 1951 u hodh një pako dinamit në oborrin e Legatës Sovjetike në Tiranë. Shpërthimi shkaktoi pak dëme materiale, por tronditi udhëheqjen e lartë të PPSH-së. Më 20 shkurt, gjatë plenumit të Komitetit Qendror që po mbahej ato ditë, Enver Hoxha u deklaron të pranishmëve se ngjarja “do të ish 100 mijë herë më e rëndë edhe sikur të na kishin bërë neve atentat… ky është akti i parë terrorist që po na ngjet këtu në Shqipëri”. Ishte goditur përfaqësia diplomatike e shtetit të parë dhe më të fuqishëm komunist në botë, që në atë kohë ishte garantuesi i regjimeve komuniste në Evropën Lindore. Disa orë më vonë, në mbledhjen e Byrosë Politike për këtë çështje, Mehmet Shehu, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, shprehet po njëlloj: “Ky nuk është një aksion i thjeshtë, por një ngjarje politike e kalibrit të madh, bile më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. Autorët e hedhjes së dinamitit ende nuk diheshin, por Shehu i propozon Byrosë që “të marrim masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi”. Bëhej fjalë për një fushatë terrori në shkallë të gjerë ndaj atyre që Partia i konsideronte armiq, paçka se nuk kishin asnjë lidhje me ngjarjen. Mehmet Shehu flet hapur: “Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë… Ne duhet terrorit t’i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakort, veprojmë që sonte”. Kjo do të bëhej për t’i treguar Bashkimit Sovjetik dhe personalisht Stalinit besnikërinë e komunistëve shqiptarë. Shehu propozon që Byroja t’i dërgojë një telegram Stalinit, ku të tregohej mbi hedhjen e dinamitit dhe mbi masat jashtë-ligjore të shtypjes së “reaksionit”, që dëshmonin se “luftën kundra armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë akoma me ashpërsi”. Byroja njëzëri miratoi masat e propozuara dhe ingranazhi i terrorit u vu në lëvizje. Në Tiranë, në datat 20-23 shkurt, Ministria e Punëve të Brendshme arrestoi rreth 170 persona nga listat e përgatitura më parë nga Sigurimi i Shtetit, prej të cilëve 22 veta u ekzekutuan në mesnatën e 26-27 shkurtit dhe u groposën në një varr të përbashkëte të pashënuar afër Urës së Beshirit. Asnjëri prej tyre nuk u akuzua për hedhjen e dinamitit në Legatën Sovjetike, ngjarje të cilën regjimi e mbajti të fshehur sa mundi. Ai që hodhi dinamitin në Legatën Sovjetike ishte Hysen Llulla, në bashkëpunim me Qazim Laçin. Ata ishin anëtarë të organizatave të fshehta Grupi i Rezistencës e Bashkimi Kombëtar, që kanë vepruar në vitet 1949-1951, por që ishin infiltruar qysh herët nga agjentët e Sigurimit. Hysen Llulla u vra gjatë arrestimit, ndërsa Qazim Laçi u arrestua, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua, së bashku me pjesëtarë të tjerë të organizatës, më 28 dhjetor 1951.

Për valën e terrorit të shkurtit 1951 ka pasur vazhdimisht vëmendje publike pas rënies së komunizmit. Ngjarja është rindërtuar në hollësi përmes dokumenteve arkivore në dy studime, Bombë në Legatën Sovjetike me autor Uran Butkën (Tiranë, ASD, 2008) dhe Dinamiti në Legatën Sovjetike me autor Kastriot Dervishin (Tiranë, Sh.B. 55, 2018). Nga këta libra janë marrë të dhënat për këtë artikull, që po botohet me rastin e 70-vjetorit të masakrës së 26-27 shkurtit 1951). Vrasja e jashtëligjshme e 22 qytetarëve dhe terrorizimi i dhjetëra të tjerëve, shumë prej të cilëve vijuan të përndiqeshin nga regjimi, pa bërë asnjë krim, ishte hakmarrja e verbër e pushtetit komunist ndaj një akti të veçuar terrorist, por pa viktima dhe që në histori u shënua më shumë si një gjest i dëshpëruar për t’i dhënë një goditje simbolike komunizmit. Ky përvjetor na shtyn drejt reflektimit dhe parashtrimit të disa supozimeve mbi funksionimin e terrorizmit shtetëror në Shqipëri, parë brenda kuadrit të historisë së totalitarizmit komunist në Evropë.

 

Terrori

 

Dihet se terrorizmi është një nga përbërësit e totalitarizmit. Terrorizmi i aparatit partiako-shtetëror maskohet pas ligjeve dhe dispozitave në fuqi, që bazohen mbi “parimin e diktaturës së proletariatit”. Kështu, “ligjshmëria socialiste” është velloja juridike që mbulon shkeljet sistematike të të drejtave të qytetarit dhe të njeriut, të cilat janë formuluar përgjatë shekujve si mbrojtje e lirisë individuale dhe kolektive ndaj arbitraritetit të dhunës shtetërore. Në shtetet komuniste terrori prej dhunës shtetërore është njëri ndër mjetet për të formuar shoqërinë e përsosur, që do të shënonte fundin e historisë. Vërtet shoqëria komuniste përfytyrohet si e çliruar prej dhunës së njeriut ndaj njeriut, por deri në realizimin e plotë të saj është i domosdoshëm ushtrimi i terrorit kundër “armiqve” që pengojnë marshimin e revolucionit. Revolucioni i përhershëm e mban shoqërinë në një gjendje lufte civile, që justifikon madje edhe pezullimin e ligjshmërisë socialiste atëherë kur kjo masë gjykohet e nevojshme për të ruajtur rendin socialist. Kur Mehmet Shehu, në kapacitetin e anëtarit të Byrosë Politike, thoshte se duhej zbatuar terrori jashtë ligjeve në fuqi, ai faktikisht po kërkonte miratimin kolegjial për të vepruar përtej kufizimeve ligjore që ai kishte si ministër i Punëve të Brendshme. Midis terrorit ligjor dhe atij jashtëligjor, ai kërkonte të vepronte i dyti, sepse hedhjen e dinamitit në Legatën Sovjetike nuk e shihte thjesht si një akt kundër rendit ligjor në fuqi, rivendosja e të cilit do të kërkonte dënimin e fajtorëve, por edhe si një sakrilegj ndaj komunizmit botëror dhe kulteve të tij. Në telegramin e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit shkruhej se shpërthimi “u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë… ju kërkojmë ndjesë Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi se do t’ia lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne” (cit. te Visar Zhiti, Kartela të realizmit të dënuar, Tiranë, Uegen, 2020, f. 280). Akti i hedhjes së dinamitit kishte qëlluar kultin e Bashkimit Sovjetik në Shqipëri, ia kishte zbehur aureolën, duke e treguar të cenueshëm. Për Byronë Politike, rivendosja e shenjtërisë së kultit kërkonte flijime të menjëhershme (në mënyrë që jetët e marra të pastronin përdhosjen, që i ishte bërë atij) dhe vendimi i saj i komunikohej kryepriftit të komunizmit, Stalinit.

Juristi Karl Shmit [Carl Schmitt] e ka përkufizuar thukët sovranin si “ai që vendos për përjashtimin”. Me fjalë të tjera, sovran është personi ose institucioni që vendos se për një rast të dhënë ligji pezullohet dhe se zbatohen masa të jashtëzakonshme që nuk parashikohen në dispozitat në fuqi. Masakra e 26-27 shkurtit 1951 na tregon qartë se në Shqipërinë komuniste sovraniteti i vërtetë ndodhej i përqendruar te Byroja Politike e Partisë së Punës, e cila vendoste se kush do të jetonte dhe kush do të vdiste. Në këtë rast kemi të bëjmë me një intensifikim të terrorit komunist, përkohësisht të çliruar nga pengesat e dispozitave që rregullojnë zbatimin e tij rutinë mbi popullatën. Mirëpo, sovranit herët a vonë i duhet t’i japë fund gjendjes së jashtëzakonshme, i duhet ta rivendosë “normalitetin”, ta rikthejë terrorin në brazdën e ligjit, në mënyrë që shoqëria të funksionojë si e tillë në përditshmëri, edhe në qoftë se përditshmëria është e përshkuar nga “fryma revolucionare”. Kështu mund të shpjegohet paradoksi që në ato ditë dimri të vitit 1951, kur Byroja i jep dorë të lirë terrorit, ajo ngutet për ta veshur me ligjshmëri atë. Në datën 26 shkurt 1951 Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin nr. 1223 “Mbi ndjekjen dhe shikimin e veprimtarisë së organizatave terroriste dhe të akteve terroriste kundër punonjësve të pushtetit popullor dhe të organizatave politike e shoqërore të Republikës Popullore të Shqipërisë”. Nenet e dekretit përcaktonin se i gjithë procesi, nga hetimi te ekzekutimi, duhej të zgjaste brenda 10 ditëve, akuza për terrorizëm i bëhej e ditur të pandehurit një ditë para daljes në gjyq, gjyqi bëhej pa pjesëmarrjen e palëve, rekurs nuk mund të ushtrohej dhe dënimi kapital ekzekutohej menjëherë pas gjyqit. Dekreti duket se është kopje e një ligji që vetë Stalini e hartoi menjëherë pas atentatit fatal ndaj Sergej Kirovit në vitin 1934, udhëheqësit të degës së Partisë në Leningrad. Dekreti shqiptar, me gjasë, është sugjeruar prej sovjetikëve, me të cilët udhëheqësit shqiptarë do të jenë këshilluar gjatë atyre ditëve. Dekreti anulonte në mënyrë flagrante edhe të drejtat që kushtetuta e asaj kohe ua garantonte në letër qytetarëve. Megjithatë, ky dekret nuk u përdor për rastin në fjalë, sepse aktakuza kolektive e prokurorit për spiunazh, pjesëmarrje në organizatë terroriste dhe propagandim për rrëzim të pushtetit popullor bazohej mbi një ligj të vitit 1946. Në të vërtetë, 22 viktimat nuk iu nënshtruan hetimit dhe procesit të rregullt gjyqësor. Pas masakrës, familjet e të vrarëve u dëbuan menjëherë nga Tirana.

 

Arkiva

 

Listat e arrestimeve ishin të gatshme kur ndodhi shpërthimi në Legatën Sovjetike. Ato ishin përgatitur më parë nga Sigurimi i Shtetit, në funksion të luftës klasore që regjimi komunist kishte zhvilluar që nga viti 1944. Lista e parë përmbante emrat e “agjentëve të të huajve”, pra të atyre personave që Sigurimi mendonte se punonin për agjenturat e huaja. Për t’u futur në këtë listë mjaftonte që të ishe lindur jashtë kufijve shtetërore, të kishe studiuar jashtë shtetit ose të mbaje kontakte me legatat e shteteve të tjera. Lista e dytë përbëhej nga persona që mbikëqyreshin për lidhje me organizatat “tradhtare”, si Balli Kombëtar e Legaliteti, që i përkisnin klasës së pronarëve, tregtarëve e intelektualëve dhe që shprehnin kundërshtim ndaj regjimit komunist. Lista e tretë ishte ajo e “sabotatorëve”, e përbërë nga specialistë të fushave të ndryshme të ekonomisë, të cilët dyshoheshin se sabotonin arritjet e socializmit. Sipas Kastriot Dervishit, listat për arrestimet u përpiluan nga arkiva e të dhënave që Sigurimi mblidhte për spastrimin e aparatit shtetëror nga persona që cilësoheshin si armiq ose të dyshimtë, ngaqë ata mund të kishin qenë zyrtarë gjatë kohës së mbretërisë dhe gjatë luftës ose vetëm e vetëm sepse u përkisnin klasave shoqërore që socializmi i kishte paracaktuar për shpërbërje. Spastrimi i aparatit shtetëror dhe arrestimet e zyrtarëve dhe të “sabotatorëve” tashmë kishin filluar në fund të vitit 1950 dhe do të vazhdonin edhe pas hedhjes së dinamitit në Legatën Sovjetike. Ekzekutimet dhe dënimet me burg vijuan të jepeshin nga procese gjyqësore politike gjatë viteve 1951-1953.

Regjimet komuniste kanë krijuar arkiva të tëra me të dhëna mbi qytetarët e tyre, të cilët detyroheshin të merrnin pjesë në procesin e vjeljes së të dhënave përmes autobiografive që dorëzonin në zyrat e shtetit e të Partisë. Sipas dosjeve individuale, ku përshkruhej origjina familjare, rrethi shoqëror dhe sjellja e tyre, ata ndaheshin në klasa e kategori të përcaktuara më parë nga doktrina marksiste-leniniste (p.sh. “fshatar i varfër”, “familje e lidhur me pushtetin” ose “tregtar i madh”, “kulak”, “oportunist”, “trockist” etj.) Në Shqipëri pushteti shqyrtonte jo vetëm klasën shoqërore, por edhe qëndrimet politike që personi dhe familjarët e tij kishin mbajtur para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Trajektorja e jetës së secilit shqyrtohej në raport me trajektoren e historisë së lëvizjes komuniste, që mbahej si rruga e drejtë dhe e vërtetë. Arkiva njerëzore kishte shumë rëndësi për të identifikuar individët që do të eliminoheshin ose dënoheshin me raste të ndryshme, siç e provon edhe masakra e 26-27 shkurtit 1951. Edhe pse kanë zbatuar vrasjet në masë, regjimet komuniste, ndryshe nga ai nazist, nuk synonin asgjësimin total të një grupi të caktuar, por eliminimin e atyre që, për shkak të biografisë familjare dhe sjelljes së tyre në të kaluarën, konsideroheshin si të pakorrigjueshëm. Për këtë arsye, caktimi i atyre personave të arrestuar, që do të eliminoheshin fizikisht ose do të vuanin afate të gjata burgimi, duhej bërë nga udhëheqja më e lartë e Partisë. Nëse çifutët eliminoheshin në masë prej nazistëve, pa qenë nevoja që të merrej mendimi i udhëheqësve të lartë për individë të caktuar, në rastin e dënimeve të dhëna nga regjimet komuniste nevojitej që çështja e secilit të arrestuar të shihej veçmas, sipas të dhënave që përmbante dosja e tij.

Në listat e të arrestuarve pas hedhjes së dinamitit në Legatën Sovjetike jepen të përmbledhura disa karakteristika për secilin prej tyre, të nxjerra nga dosjet personale, kryesisht përkatësia klasore, lidhjet e dyshuara agjenturore ose veprimtaria gjoja sabotuese ose agjitatore kundër regjimit komunist. Disa prej atyre, që ishin shënuar për ekzekutim, cilësoheshin si armiq të rrezikshëm të pushtetit. Kështu, për Fadil Dizdarin karakteristika ishte “armik i pushtetit tonë”, Gafur Jegeni quhej “altoparlant i armikut”, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati kishin përcaktimin si “armik i betuar i pushtetit”, Qemal Kasoruho për regjimin ishte “element shumë i rrezikshëm”, ndërsa Myftar Jegeni përshkruhej si “element me rrezikshmëri shoqërore”. Sigurisht që nuk mund t’i dimë kurrë plotësisht motivet e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut dhe të të tjerëve që kanë marrë pjesë në përzgjedhjen për ekzekutim pikërisht të këtyre personave. Me gjasë, Enver Hoxha ka shtuar në listën e ekzekutimit Sabiha Kasimatin, Manush Peshkëpinë, Qemal Kasoruhon dhe ReizSelfon, që ishin nga zona e Gjirokastrës dhe që ai i njihte personalisht, madje emri i Reiz Selfos nuk ka figuruar në listat paraprake të Sigurimit. Por, ajo që dimë me siguri është se përpara se të ndodhte ngjarja në Legatën Sovjetike, emrat e këtyre personave, në dosjet përkatëse të Sigurimit, ishin vulosur si elementë të papajtueshëm me pushtetin komunist dhe, rrjedhimisht, të pakorrigjueshëm.

 

Biopolitika

 

Sabiha Kasimati disa herë kishte qenë e para dhe e vetmja grua mes burrash: studentja e parë e diplomuar në Liceun e Korçës ose, më vonë, biologia e parë në Shqipëri. Edhe në vdekje e në varrin e përbashkët ishte e vetmja grua krahas 21 burrave. Kasimati ishte një shkencëtare e dalluar e brezit të saj: para se të vritej, ajo kishte përfunduar studimin e parë për peshqit e ujërave të kripura dhe të ëmbla të Shqipërisë. Bashkë me të “u vra” edhe puna e saj: studimi i parë mbi peshqit e Shqipërisë do të botohej më vonë, me bashkautorësinë e një shkencëtari rus dhe dy kolegëve të tij shqiptarë. Kasimati e njihte mirë diktatorin shqiptar dhe thuhet se ka pasur guximin që ta kritikonte në sy për vrasjet e shumë intelektualëve në proceset e montuara politike të pasluftës. Në përkujtimet publike që u bëhen 22 të vrarëve të asaj nate, Sabiha Kasimati ka marrë vëmendjen më të madhe. Edhe sot ne pyesim se përse duhej që ajo të vritej bashkë me të tjerët? Asnjeri prej tyre nuk ishte fajtor dhe nuk e meritonte të vritej, por me gjithë mizorinë e aktit, a mund të kursehej të paktën ajo, si grua që ishte? Në një kohë kur vetë shteti nxiste kërkimet shkencore në fusha me interes të madh ekonomik, siç ishte fauna ujore, si mund të vritej një shkencëtare pararojë, e cila paçka kufizimeve, mungesave e pengesave, po kryente studime të thelluara dhe në të ardhmen do të edukonte breza të tërë shkencëtarësh? Po roli model i SabihaKasimatit në emancipimin e vajzave e grave shqiptare, çështje së cilës regjimi i jepte rëndësi të veçantë? A mund të shpërdorohej kaq lehtë një kapital i tillë njerëzor?

A i kanë ngritur këto pyetje ata që vunë një kryq bri emrit të saj në listën e Sigurimit? Çfarë vlere i jepte Byroja Politike një jete njerëzore në çastin kur ajo vendoste për fundin e saj, pa ndihmën apo ndërmjetësimin e një dispozite ligjore? Në njërin krah kemi rrethin e ngushtë të udhëheqësve që vendosnin për jetën/vdekjen e secilit prej emrave në listë dhe në krahun tjetër kemi jetët njerëzore që ishin objekt i dhunës. Duke huazuar terminologjinë e Valter Benjaminit [WalterBenjamin], filozofi Xhorxhio Agamben [Giorgio Agamben] jetën që i nënshtrohet pushtetit sovran e quan “jetë të zhveshur”, sepse i janë hequr të gjitha tiparet pozitive që e lidhin me një ekzistencë politiko-shoqërore, me “jetën e shenjtë” të një bashkësie të idealizuar. Në gjendjen e përhershme të jashtëzakonshme të totalitarizmave komuniste, e cila maskohej nën tisin e “ligjshmërisë socialiste”, kurdoherë ekzistonte rreziku që jetët e qytetarëve të shndërroheshin në jetë të zhveshura. Askush nuk ishte imun, përfshirë udhëheqësit më të lartë të Partisë.

Politika e jetës ose biopolitika është ruajtja dhe kultivimi i jetës në një trajtë të dobishme e të vlefshme, parë nga një këndvështrim i caktuar politik. Regjime të ndryshme politike kanë arsyetimet e tyre të biopolitikës. Sipas Sergei Prozorovit, biopolitika liberale ndërhyn në shoqëri aq sa duhet për të siguruar e rregulluar funksionimin e saj të brendshëm dhe supozon se shoqëria duhet të vijojë të mbetet ajo që është edhe pas ndërhyrjes. Karakteristikë e biopolitikës naziste është strukturimi i rreptë i shoqërisë sipas biologjisë – njerëzit që kanë gjenet e duhura duhet të ruhen, të tjerët duhet të eliminohen. Ndërsa variantet liberale dhe naziste idealizojnë një trajtë të caktuar të jetës që ekziston, biopolitika komuniste kërkon t’i japë jetë një përfytyrimi të një shoqërie tërësisht të re. Komunistët në pushtet u përpoqën të krijojnë një shoqëri industriale e moderne të ndryshme, nga ajo kapitaliste, ku vendin e ndarjes klasore ta zinte barazia e plotë midis njerëzve. Ndërkohë që huazuan shumëçka prej shoqërisë “së vjetër”, synimin e kishin për ta kapërcyer atë në çdo aspekt. Jo veta që ishte, por jeta që do të bëhej ia vlente të ruhej. Siç shkruan Prozorovi, “biopolitika socialiste premton një ‘jetë të re”, por nuk ia premton ‘jetës së vjetër’ dhe përfaqësuesve të saj, të cilët janë plotësisht të ekspozuar ndaj fuqisë së transcendencës, e cila merr trajtën empirike të mohimit ekzistencial… Popullata sovjetike përfundon së qeni objekt i të gjitha trajtave të mundshme të ndërhyrjes negative: konfiskimi i pasurisë, shpërngulja e detyruar, mbyllja në kampe, uria e planifikuar dhe likuidimi ose si ‘klasë’ ose si ‘armik i popullit’” (The Biopolitics of Stalinism, Edinburgh University Press, 2016, f. 119).

Vrasjet masive në shtetet e sunduara nga komunistët ishin pjesë e projektit të ndërtimit të socializmit dhe jo shkarje “staliniste” prej tij. Në procesin e shndërrimit revolucionar të të gjithë shoqërisë, parimisht nuk ka asgjë që meriton të ruhet në vetvete. Jo vetëm që asgjësohen klasat “e vjetra”, por asgjësohen edhe jetët e atyre që fillimisht janë planifikuar për t’u shndërruar në jetë të dobishme për shoqërinë. Intelektualët, punëtorët e fshatarët, deri edhe anëtarët e Partisë, nuk janë më pak të terrorizuar prej “pushtetit popullor”. Ekzekutimi i Sabiha Kasimatit tregon se pushteti shënjestronte sidomos ata që nuk i nënshtroheshin plotësisht realitetit të ri dhe që nxirrnin në pah gënjeshtrën në themel të tij. Prandaj, i njëjti pushtet që SabihaKasimatin e emëroi në institucionin më të lartë shkencor të kohës dhe i besoi studime me vlerë të madhe për zhvillimin e ekonomisë socialiste, po i njëjti nuk ngurroi aspak ta asgjësojë në rastin e parë që iu dha për të ndërmarrë vrasje masive.