Tensionet me Kinën, Tajvani zgjat periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Tensionet me Kinën, Tajvani zgjat periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak

Tajvani do të zgjasë periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, ka thënë presidentja Tsai Ing-wen.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, vendimi vjen mes tensioneve në rritje me Kinën, e cila pretendon ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, presidentja Tsai njoftoi plane të reja për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit në rast të një sulmi nga Pekini.

Presidentja Tsai tha se rekrutët do t’i nënshtrohen gjithashtu trajnimeve më intensive, duke huazuar disa elementë nga SHBA dhe ushtri të tjera të përparuara.

Ajo shtoi se sistemi aktual i mbrojtjes së ishullit ishte i pamjaftueshëm për të përballuar agresionin e mundshëm nga Kina, e cila ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të përparuara në botë.

Ushtria tajvaneze është tkurrur që nga fillimi i viteve 1990, kur të gjithë burrat mbi moshën 18 vjeç ishin të detyruar të shërbenin në ushtri deri në tre vjet.

Gjatë dekadave më pas, shërbimi u shkurtua në një vit e 10 muaj përpara se të reduktohej më tej në katër muaj.

Rregulli i ri hyn në fuqi në janar 2024 – në të njëjtin muaj që Tajvani do të zgjedhë presidentin e ardhshëm.

“Ky është një vendim jashtëzakonisht i vështirë, por si presidente, si kreu i forcave ushtarake, është detyra ime e pashmangshme të mbroj interesat kombëtare dhe mënyrën tonë të jetesës demokratike”, ka thënë më tej Tsai.

“Askush nuk dëshiron luftë, Tajvani dhe tajvanezët njëjtë, dhe komuniteti ndërkombëtar njëjtë”, tha ajo, duke shtuar se “agresioni ushtarak i Kinës është bërë gjithnjë e më i dukshëm pas stërvitjeve të saj në gusht”.

Tensionet midis Taipeit dhe Pekinit u rritën në gusht pas një vizite në ishull nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi.

Pekini u përgjigj duke zhvilluar stërvitjet e tij më të mëdha ushtarake ndonjëherë në detet rreth Tajvanit.

Dhe Taipei i quajti stërvitjet “shumë provokuese”.

Në tetor, presidenti kinez Xi Jinping nuk përjashtoi përdorimin e forcës me Tajvanin në fjalimin e tij të hapjes në Kongresin e Partisë Komuniste në Pekin.