Ten Hag “shkarkon” CR7: Sjellje e papranueshme!

Ten Hag “shkarkon” CR7: Sjellje e papranueshme!

Raporti mes Cristiano Ronaldos dhe Manchester United arrin minimumin historik. Fiks një vit pas rikthimit te “Djajtë e kuq” dhe 3 ditë para mbylljes së merkatos, futbollisti portugez po përjeton një verë jo normale edhe për sa i përket sjelljes. Gjatë miqësores së fundit me Rayo Vallecano, në të cilën luajti vetëm në pjesën e parë, Ronaldo u largua nga stadiumi pas pushimit të ndeshjes, pa pritur fundin.

Një veprim që ka irrituar së tepërmi trajnerin Erik ten Hag. “Ishte një sjellje e papranueshme, – komentoi tekniku duke shtuar, – jemi një skuadër dhe të gjithë duhet të qëndrojmë deri në fundin e ndeshjes“.

Që Ronaldo nuk ka ndër mend të qëndrojë tek United , kjo tani dihet, por për momentin të gjitha tentativat e agjentit të tij për t’i gjetur një skuadër që luan në Champions League, (motiv ky për të cilin do të largohet nga United), kanë dështuar!

Shuma e lartë financiare që duhet paguar për një lojtar të madh, por në fund të karrierës, sidomos në një momenti ku arkat e shumë klubeve vuajnë janë arsyet që Ronaldo nuk po gjen dot një skuadër.

Sjellja e tij pas zëvendësimit në sfidën me Rayo Vallecano, duket se shënon një pikë thyerje edhe me trajnerin dhe klubin, me trajnerin e ri që nuk e ka pritur aspak mirë duke deklaruar: “Sigurisht që nuk do të pranoj sjellje të tilla“.