` . Tejshko gjërat që ta kuptosh shpirtin… - TV SHENJA

Tejshko gjërat që ta kuptosh shpirtin…

Filozofia e mistikës islame, e cila i kushton shumë rëndësi gjendjes së ekzaltuar të personit (agjërimi i detyrueshëm dhe lutja gjatë krijimit), gjithashtu ndikoi në filozofinë e artit të Kandinsky-t; gjendja shpirtërore, e pastruar e krijuesit, është, në të dyja rastet, pika themelore e fillimit të krijimit artistik ose fetar.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

 

Vasily (Wassily) Kandinsky (1866-1944) është një piktor rus, mësues dhe teoricien i artit, i cili si një nga artistët e parë për ta eksploruar artin joprezentues në vitin 1910 krijoi veprën e parë tërësisht abstrakte në artin modern Unë ose Abstragim. Ai njihet si krijuesi i artit abstrakt dhe babai i ekspresionizmit abstrakt.

Në esenë e tij të titulluar Mbi shpirtëroren në Art (botuar në 1912), Kandinsky diskuton artistin dhe krijimin: artisti, thotë ai, mund të krijojë artin e vërtetë vetëm nga “nevoja e brendshme”, duke lëvizur në mënyrë piramidale, drejt majës (krijimi si një proces shpirtëror). Artisti është si një urtar që qëndron i vetëm në majë të një piramide dhe prej andej e krijon atë që e zbulon për botën përreth tij nga ajo pozitë, ndërsa shikon të ardhmen. Veprat e tij, vetëm në këtë mënyrë, mund ta “tërheqin” soditësin (nga ajo që është thurur në vepër dhe kjo është dridhja shpirtërore e artistit) në një nivel më të lartë dhe këtu ekziston përgjigjja për kuptimin e artit: pra, ta shpirtërojmë njeriun. Rezonanca e brendshme midis soditësit dhe veprës flet për “efikasitetin” e artit.

Diku tjetër ai i paraqet teoritë e tij rreth lidhjes midis ngjyrës, ndjenjës, tingullit dhe formës. Kështu, për shembull, ngjyra e verdhë është ekscentrike, ndërsa e zeza përfaqëson mbylljen, fundin, heshtjen dhe është dinamikë koncentrike; e verdha na duket se po afrohet dhe e kaltra po tërhiqet; rrethi prodhon qetësinë më të madhe dhe përfaqëson shpirtin njerëzor etj.

Zhvillimi i tij në të kuptuarit dhe krijimin e artit sigurisht u ndikua nga filozofia mistike e mesjetës në Andaluzi. Disa nga veprat e tij në një fazë kalimtare, nga ajo konkrete tek ajo abstrakte, përshkruajnë tema të mistikës islame.

Sigurisht, filozofia e mistikës islame, e cila i kushton shumë rëndësi gjendjes së ekzaltuar të personit (agjërimi i detyrueshëm dhe lutja gjatë krijimit), gjithashtu ndikoi në filozofinë e artit të Kandinsky-t; gjendja shpirtërore, e pastruar e krijuesit, është, në të dyja rastet, pika themelore e fillimit të krijimit artistik ose fetar.

Midis viteve 1908 dhe 1912 Kandinsky shkroi 38 poezi abstrakte në prozë, të cilat i ilustroi në prerje druri. Ato janë mbledhur në një koleksion të quajtur “Tinguj”, sepse vetë këngët luajnë më shumë me zë sesa me kuptim. Në poezinë e Goethes, thotë Jean Arp-i, lexuesit i mësohet poetikisht se njerëzimi duhet të vdesë dhe pastaj të transformohet. Nga ana tjetër, Kandinsky vë përballë lexuesit një imazh që vdes dhe vetë-transformohet, një frazë që vdes dhe vetë-transformohet, një ëndërr që vdes dhe vetë-transformohet. Poezitë e Kandinsky-t e shpallin zbrazëtinë e fenomeneve dhe arsyes.

Shpirtit që zgjohet, pohon Kandinsky, i bën përshtypje akoma fort ai deti (i botëkuptimeve materialiste). Vetëm një dritë e zbehtë, si një pikë e vetmuar, dridhet në një rreth të madh të zi. Kjo dritë e zbehtë është vetëm një parandjenjë, të cilën shpirti, në mungesë të guximit, nuk e sheh, duke dyshuar mos vallë është kjo dritë – një ëndërr, ndërsa rrethi i zi – realitet. Ai gjithashtu i bashkëngjitet mendimit të mistikës islame, veçanërisht asaj të Andaluzisë, të udhëhequr nga Ibn Arabiu, se njerëzit me përvojën afër vdekjes, janë të sigurt për një gjë: kjo botë është vetëm një hije dhe Burimi ynë, bota e dritës, është një realitet i vërtetë. Është e nevojshme të çdehemi nga dehja me materien, ta mprehim shikimin, ta përqendrojmë vizionin që ta kuptojmë këtë. Veprat me të cilat ne rezonojmë «e largojnë shpirtin nga trashja. Ato e mbajnë atë në një lartësi të caktuar, si një kunj që i mban telat e një instrumenti muzikor.”

Një artist, varësisht nga ajo se çfarë lloj personi është, ka dridhjen e tij. Në mënyrë të vetëdijshme ose të pavetëdijshme ai e bart atë në punën e tij dhe e frymëzon shpirtin e tij. Soditësit mund ta pëlqejnë ose jo punën, në varësi të asaj se si ka ndikuar ajo vepër tek soditësi, d.m.th. si “e ka ndier ai vetë veprën”. Varësisht nga ajo se vepra ka bërë jehonë tek ai apo jo, d.m.th. a janë vepra, artisti dhe soditësi në të njëjtën gjatësi vale? Që shpirti të mos bëhet i vrazhdë, të bjerë edhe më thellë në botën e materies (duke e parë atë si të vetmin të fundëm), i duhet arti për ta ngritur atë. Kemi nevojë për artistë si urtarë (dhe Kandinsky ishte i lidhur me njërin prej tyre), të cilët do të na zgjojnë, të na e kujtojnë natyrën tonë të vërtetë (shpirtërore).

Artisti duhet të jetë i verbër ndaj formave “të njohura” ose “të panjohura”, i shurdhër ndaj mësimeve dhe dëshirave të kohës. Artist është vetëm ai që krijon nga zemra, nga brenda, i frymëzuar vetëm nga fryma e Burimit dhe jo nga fryma e botës dhe kohës. Artist nuk është ai që ndjek verbërisht modën dhe dëshiron të pëlqehet. ai ndjek zërin e brendshëm dhe thjesht dëshiron të përcjellë mesazhin përmes veprave të tij, për ta ngritur nivelin e cilësisë së jetës për të gjithë dhe kudo. Ai dëshiron të ndajë dashuri, e jo të dashurohet; ai dëshiron të inkurajojë, jo të inkurajohet; ai dëshiron që njerëzit ta njohin njëri-tjetrin, jo ta njohin atë. Artist është një person që ka hequr dorë nga vetja dhe jeton për të tjerët, për shpirtërimin.

Një vepër e vërtetë arti krijohet “nga një artist” në një mënyrë misterioze, enigmatike, mistike. E lirë nga artisti, vepra fiton një jetë të pavarur, bëhet një personalitet, një subjekt i pavarur shpirtëror që jeton dhe një jetë materialisht të vërtetë, e cila është qenie. Ajo zotëron forcë produktive, aktive. Merr pjesë në krijimin e një atmosfere shpirtërore.

Shpirti është i kaltër. Sa më e thellë e kaltra, aq më fortë e thërret njeriun në pafundësi, zgjon tek ai dëshirën për pastërti dhe, së fundmi, mbindjeshmëri. Thjesht, si ngjyra e qiellit, siç e imagjinojmë në tingullin e fjalës, kur themi “qiell”. E kaltra është një ngjyrë tipike qiellore. E kaltra e thellë zhvillon një element të paqes. Fundosja e saj në të zezë merr një aluzion të trishtimit njerëzor, bëhet një zhytje e pafund në gjendje serioze ku nuk ka fund dhe nuk mund të ketë fund.

Piktura është art dhe arti në përgjithësi nuk është një krijim i paqëllimtë i gjërave që zhduken në boshllëk, por një fuqi e qëllimshme që duhet t’i shërbejë zhvillimit dhe përsosjes së shpirtit njerëzor – lëvizjes së trekëndëshit. Ai është një gjuhë që në mënyrën e vet i flet shpirtit për gjërat, një gjuhë që është për shpirtin buka e përditshme, e ngrënshme vetëm në atë formë.

Ndërsa në periudhat kur shpirti shtanget dhe neglizhohet nga pikëpamjet materialiste, nga mosbesimi dhe aspiratat praktike që pasojnë nga materializmi, fillojnë të dëgjohen zërat se arti “i pastër” nuk u jepet njerëzve për qëllime të veçanta, por pa arsye, se arti ekziston vetëm për hir të artit (l’art pour l’art). Në një situatë të tillë artisti “duhet të përpiqet ta ndryshojë situatën, duke pranuar detyrën ndaj artit dhe ndaj vetvetes – duke mos e konsideruar veten zot të situatës, por një shërbëtor të qëllimeve më të larta, detyrimet e të cilit janë precize, të mëdha dhe të shenjta. Ai duhet të ushqehet, të zhytet në shpirtin e tij, ta ushqejë dhe ta zhvillojë atë, në mënyrë që të ketë diçka për të veshur me talentin e tij të jashtëm – të mos jetë si doreza e humbur e një dore të panjohur, lëvozhga e saj e zbrazët, e padobishme. Artisti duhet të ketë diçka për të thënë, sepse detyra më e madhe nuk është zotërimi i formës, por përshtatja e formës me përmbajtjen.

“Arti fillon atje ku mbaron natyra.” (kjo është arsyeja pse realizmi është antipodi i artit), me plot të drejtë do të konstatojë Oscar Wilde…