“Te Barcelona nuk i vlerësojnë ata që bënë historinë”, Alves: Ja theksova se nuk jam më 20-vjeç!

“Te Barcelona nuk i vlerësojnë ata që bënë historinë”, Alves: Ja theksova se nuk jam më 20-vjeç!

Historia gjithnjë ka tendencën të përsëritet dhe duket se kjo është ajo çfarë ka ndodhur edhe me Dani Alves. Ashtu si në eksperiencën e parë me Barcelonën, braziliani ka mbetur i pakënaqur me mënyrën se si klubi i “tregoi derën”. Alves kërkonte edhe një “dorë” nga blaugranat dhe tekniku Xavi Hernandes duke qenë se nëse do të ishte pjesë e Barcelonës, atëherë pjesëmarrja e tij në Kampionatin Botëror me Brazilin dukej e sigurt.

Tashmë, gjithçka është vendosur në pikëpyetje teksa Alves ende nuk ka siguruar një skuadër për sezonin e ardhshëm. Në një intervistë për The Guardian, 39-vjeçari shprehet se i është mirënjohës Barcelonës për mundësinë e dhënë, por nga ana tjetër thekson se nuk mund të pajtohet me mënyrën si drejtuesit e klubit menaxhuan largimin e tij.

“Nuk ika me trishtim, përkundrazi u lumturova shumë për rikthimin te Barcelona. E ëndërroja atë moment për pesë vite, por e vetmja që nuk më pëlqeu është mënyra se si drejtuesit e klubit menaxhuan situatën time. Unë ja sqarova atyre se nuk isha më 20-vjeç, por duket se Barcelonës nuk i interesojnë personat që kanë bërë histori në klub. Megjithatë, unë i mbetem mirënjohës Xavit dhe presidentit. Skuadrës i duhet të ndryshojë mentalitetin, është krejtësisht diçka tjetër nga ajo që kemi lënë ne veteranët.

E ardhmja? Po studioj mundësitë, e di që të gjithë flasin për moshën time. Por, tani kam eksperiencë që nuk e kisha më parë dhe tani dua të shkoj në një klub ku kërkohet të fitohet.

Botërori? Askush nuk luan se është mik i trajnerit. Tite nuk është budall, ai merr lojtarë që ju beson dhe për të cilët ka nevojë. Unë punoj prej kohësh me Tite dhe kemi një raport shumë të bukur. Kërcimi i fundit? Do të kërcej kur të pensionohem, tashmë mendoj ende të luaj. Unë tani do të nis një kapitull të ri në jetë”, u shpreh Alves.