Tajvani e zgjat shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Tajvani e zgjat shërbimin e detyrueshëm ushtarak

Tajvani do ta zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, ka bërë të ditur presidentja, Tsai Ing-wen.

Vendimi vjen mes tensioneve në rritje me Kinën, e cila pretendon ishullin e vetëqeverisur si territorin e saj, raportoi BBC-ja.

Duke folur në një konferencë për shtyp të martën, presidentja Tsai njoftoi plane të reja për të forcuar mbrojtjen e Tajvanit në rast të një sulmi nga Pekini.

“Paqja nuk do të bjerë nga qielli. Tajvani është në vijën e parë të zgjerimit autoritar”, ka thënë ajo.

Presidentja Tsai tha se rekrutët do t’i nënshtrohen gjithashtu trajnimeve më intensive, duke huazuar disa elementë nga SHBA-ja dhe ushtri të tjera të përparuara. Ajo shtoi se sistemi aktual i mbrojtjes së ishullit ishte i pamjaftueshëm për të përballuar agresionin nga Kina, e cila ka një nga ushtritë më të mëdha dhe më të përparuara në botë.

Ushtria tajvaneze është tkurrur që nga fillimi i viteve 1990, kur të gjithë burrat mbi moshën 18 vjeç ishin të detyruar të shërbenin në ushtri deri në tre vjet. Gjatë dekadave të ardhshme, shërbimi u shkurtua në një vit e 10 muaj përpara se të reduktohej më tej në katër muaj. Rregulli i ri hyn në fuqi në janar 2024 – në të njëjtin muaj që Tajvani do të zgjedhë presidentin e ardhshëm.