Super debutimi i Ten Hag, United shkatërron me “poker” golash Liverpool-in

Super debutimi i Ten Hag, United shkatërron me “poker” golash Liverpool-in

“I paarritshëm” mund të konsiderohet debutimi i Ten Hag në krye të Manchester United, ndërsa ka fituar bindshëm me rezultatin 4-0 ndaj Liverpool-it të Jurgen Klopp, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Bangkok.

Një pjesë e parë e dominuar e gjitha nga “Djajtë e Kuq”, të cilët jo vetëm morën avantazhin, por edhe vendosën një rezultat të thellë në këtë fraksion.

Ishte Jadon Sancho ai që gjeti rrugën drejt rrjetës i pari, duke shënuar në minutën e 12’ dhe duke i dhënë avantazhin ekipit të tij.

Më pas në minutën e 30’ Fred dyfishoi rezultatin për ekipin e Ten Hag dhe u dhuroi më shumë siguri “Djajve të Kuq”.
Teksa në minutën e 33’ ishte Anthony Martial ai që do të shënonte në portën e “The Reds”, duke e mbyllur këtë 45-minutësh me rezultatin 3-0.

Pjesa e dytë e miqësores do të ishte më e qetë dhe do të duhej minuta e 76’, kur gjatë një kundërsulmi, Facundo Pellistri gjeti rrugën drejt rrjetës dhe shënoi për Manchester United, duke realizuar “poker” golash dhe duke vulosur rezultatin 4-0.

Ndërkohë, vlen të theksohet se Cristiano Ronaldo nuk ka qenë prezent në këtë përballje, duke i shtuar akoma më shumë zërat e largimit të portugezit nga “Djajtë e Kuq”.