` . Sulm me bombë në Somali, 17 të plagosur - TV SHENJA

Sulm me bombë në Somali, 17 të plagosur

Shtatëmbëdhjetë persona, përfshirë gjashtë shtetas turq, janë plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me autobombë në afërsi të kryeqytetit të Somalisë, Mogadishu, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve nga Ambasada e Turqisë në Mogadishu, gjashtë shtetasit turq, punonjës në një firmë ndërtimi nga Turqia, dhe 11 somalezë, janë plagosur nga sulmi terrorist në qytetin Afgooye në jugperëndim të Somalisë dhe janë shtruar për trajtim në spitalin Recep Tayyip Erdoğan në Somali.

Sulmi kishte në shënjestër kantierin e firmës turke të ndërtimit e cila ka marrë përsipër ndërtimin e rrugës Afgooye-Mogadishu.

Ministri i Shëndetësisë i Turqisë, Fahrettin Koca, më herët në Twitter tha se dy nga shtetasit turq të plagosur dhe katër shtetas të Somalisë janë në gjendje të rëndë.

Ministria e Jashtme turke dhe ajo e Mbrojtjes e dënuan sulmin, duke theksuar se Turqia do të vazhdojë të qëndrojë pranë Somalisë “mike dhe vëllazërore”.

Ende asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dyshohet se prapa shpërthimit qëndron organizata terroriste Al-Shabab, e cila edhe më herët ka kryer akte të ngjashme në rajon.

Dy shtetas turq kishin humbur jetën në sulmin e fuqishëm të 28 dhjetorit në Mogadishu, i cili shkaktoi mbi 80 të vdekur.

Organizata terroriste Al-Shabab në fillim te janarit haptazi kishte kërcënuar punonjësit e firmës turke që kanë marrë përsipër asfaltimin e rrugës Afgooye-Mogadishu.