` . Sulejmani: Non-paper-i nuk është incident diplomatik e politik - TV SHENJA

Sulejmani: Non-paper-i nuk është incident diplomatik e politik

“Shtetet etnike, në parim, janë më efikase dhe më funksionale, por është vështirë që sot, ashtu si në kohën e shekullit të nëntëmbëdhjetë të formohen shtete homogjene në aspektin dhe religjioz, qoftë për shkak të mobilitetit që paraqitet si rezultat i globalizimit, por më së shumti për shkak se shtetet që sot krijohen në Ballkan shumë gjatë kanë jetuar në një territor të përbashkët, ku kufijtë etnikë nuk janë përputhur me përbërjen etnike. Sot sado që një shtet mund të jetë i madh, nuk mund të jetë aq i madh sa tërë një popull ta ketë brenda kufijve të vet. Për më tepër, madhësia e një populli sot nuk matet me territorin që e kontrollon, por shumë më tepër me nivelin e zhvillimit tekniko-teknologjik dhe inovacionet që i prodhon. Vetëm inovacioni është trashëgimi që sot zbulohet, kurse gjenerata e ardhshme e gëzon. Ose, shumë më rëndësi është sa je i ngritur në lartësi, në vijën vertikale sesa sa je i shtrirë në hapësirë, në vijën horizontale.”, thotë Sulejmani.

Intervistoi: Ismail SINANI

Sfidat gjeopolitike të rajonit, Europës por edhe të gjithë globit, janë në fokus të kësaj interviste të zhvilluar me ekspertin e politikave ndërkombëtare, Rizvan Sulejmani. Non paper-ët e publikuar së fundit, ndonëse u hodhën poshtë nga shumë zyrtarë të shteteve europiane, megjithatë ngjallën tezën se “aty ku ka tym, ka edhe zjarr”. Rrjedhimisht, publikimi i atyre dokumenteve të pakonfirmuara e rikthyen kujtesën kolektive në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta të shekullit të kaluar, kur thuhej se “kufijtë nuk ndryshojnë” dhe se “zgjidhjen duhet kërkuar brenda shtetit”. Sulejmani ngre alarmin për nevojën e lartë që kanë shqiptarët për të qenë më syçelë karshi zhvillimeve të ndryshme në arenën ndërkombëtare. Po kështu ai paralajmëron edhe për zgjidhjet e mundshme rajonale, të cilat shqiptarët nuk duhet t’i zënë gafil, pasi në atë rast kostoja e optimizmit të verbër do të ishte shumë e lartë.

 

SHENJA: A janë non-paper-ët paralajmërim apo thjesht një kërcënim për “alternativat” e reja gjeopolitike që mund ta prekin rajonin nëse proceset (euro)integruese rajonale nuk zhvillohen sipas Marrëveshjes së Dejtonit apo edhe atyre që i dhanë fund luftës në Kosovë, por edhe në Maqedoni, tashmë të Veriut?

SULEJMANI: Sa janë paralajmërim e kërcënim, aq më shumë non-paper-ët janë pasojë e veprimeve të gabuara taktike të forcës kryesore dominuese në botë, si SHBA, dhe Europës në përpjekje për të vendosur paqe të përhershme në Ballkan pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Nga shpërbërja e ish Jugosllavisë dolën gjashtë shtete dhe “shtatë kryeqytete”, e kam fjalën për ish republikat e RSFJ-së dhe Kosovën, që në fillim nuk kishte një status qartë të definuar, krejt asimetrike sa i përket numrit popullatës, potencialit ekonomik e, sigurisht, ushtarak e diplomatik, por edhe me përbërje etnike heterogjene, ku veçanërisht shquhen Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, por edhe Mali i Zi e Kosova. Në rrethanat të tilla si parim për ruajtjen e paqes u pranua parimi i integrimit në Bashkimin Europian që duhej të ndihmojë sa në zgjerimin e tregut, aq edhe në tejkalimin problemeve socio-ekonomike. Në këtë rast u vendos një rregull i pashkruar që shtetet para integrimit duhej të demilitarizohen ose të heqin dorë nga ushtritë tradicionale me kapacitete për luftëra ofensive, për t’u bërë kështu pjesë e mbrojtjes së përbashkët me anëtarësim në NATO.

Në këtë kontekst, gabimi i parë u bë kur militantizmi serb dhe ambiciet serbomadhe u mundën, por nuk u çrrënjosën. Gjegjësisht, Millosheviqi u largua nga skena politike, por jo edhe “milloshevizmi”. Kjo nënkupton se Serbia u mund ushtarakisht, por ajo nuk u pushtua, gjë që bëri që nacionalizmi dhe idetë hegjemone të mbeten gjallë.

Gabimi i dytë, sipas gjykimit tonë, ishte kur qeveria Obama, në përpjekje për t’i rikuperuar marrëdhëniet me Serbinë, në shenjë shfajësimi për angazhimin e Amerikës për intervenimin e NATO-s në Kosovë, hoqi dorë nga dy kushtet e vendosura paraprakisht ndaj Serbisë për anëtarësim në BE: pranimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin në NATO. Gjatë vizitës së Bajdenit në Beograd, në vitin 2009, në kapacitetin e zëvendëspresidentit, ai do të deklarojë se Serbia duhet të jetë vend udhëheqëse e Ballkanit.

Me këtë u rrënua parimi bazë për paqe në Ballkan përmes integrimit, që sipas shikimit tim ishte një gabim i pariparueshëm për stabilitetin afatgjatë të Ballkanit. Si pasojë, edhe pse Serbia formalisht u deklarua neutrale, ajo nuk hoqi dorë nga ideja e forcës kryesore në Ballkan dhe vazhdoi të armatoset me armë nga Rusia, por jo vetëm. Vitin e fundit ajo e ka rritur buxhetin ushtarak mbi 40%, duke çuar në total në më shumë se 1.3 miliardë euro, me çka u thelluan disparitetet sa u përket kapaciteteve ushtarake ndërmjet vendeve që përmblidhen me termin “Ballkani Perëndimor”.

Ndërkohë në botë, e në veçanti në Europë, për një kohë të shkurtër ndodhën tre “nyje kyçe historike”, që u përcollën me të ashtuquajturin “shkathim konstruktiv”, që nënkupton tronditje të strukturave ekzistuese politike të BE-së për të krijuar hapësirë për ngritjen e situatave të reja. Goditja e parë ishte kriza financiare e vitit 2008, që në Europë u ndje nga viti 2009, pastaj erdhi kriza me refugjatët, që u ndikua nga “pranvera arabe” dhe, veçanërisht, me luftën qytetare në Siri, e cila eskaloi me largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian dhe, së fundmi, kriza me korona-virusin, pasojat e së cilës kanë filluar të shihen. Si pasojë e angazhimit të kësaj organizate me punët e brendshme interesimi për regjionin u zvogëlua dhe bashkë me të edhe fondet që duhej t’i ndihmonin ekonomitë e këtyre vendeve, si edhe reformat në funksion të forcimit të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut. Hapësira e liruar shumë shpejt u mbush me elita politike të korruptuara, që me qëllim të ruajtjes së pushtetit pranuan ndihma dhe kredi pa kushte prej Rusisë dhe Kinës. Kjo, për pasojë, pati dy efekte: së pari e rriti ndikimin e këtyre vendeve jo vetëm në planin ekonomik, por shumë më tepër në atë politik e gjeostrategjik dhe, së dyti, u thellua hendeku ndërmjet shteteve të regjionit dhe Europës, por mbi të gjitha ashtu u rrënua shteti i së drejtës, që si pasojë pati politizimin e pushtetit gjyqësor dhe ngushtimin e lirisë së shprehjes, me çka u rrënjosën pushtete autoritare, kjo në dëm të demokracisë dhe lirive individuale e kolektive.

Për të kamufluar gjithë krimin, ata vazhdonin të mbanin gojën plot me integrime, që elitave politike të shteteve të Bashkimit Europian me tavolinat plot me probleme të brendshme, u shkonte për shtati. Një koincident interesi ose një tregti joparimore, që mund të përshkruhet si “siguri për hajni”. “Neve jua garantojmë juve (europianëve) sigurinë, kurse juve imbyllni sytë për hajninë.” Kështu, drejtësia e demokracia u bënë pazar për sigurinë, sado që ajo ishte e përkohshme dhe me kosto të lartë. Por, bëhej fjalë për blerje të kohës.

Në një situatë të konfuzionit në BE, Sara Belfeld, drejtore e programit në Këshillin e Gjermanisë për Marrëdhënie me Jashtë, sa i përket zgjerimit të BE-së, do të deklarojë: “Tani …., BE-ja do të jetë e preokupuar me vetveten më shumë se kurdoherë më parë. …. me debate a duhet të ketë më tepër apo më pak Europë”, Pastaj ajo do të parashikojë: “Nëse humben shanset reale për anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimorë, demokracia dhe paqja në tërë regjionin do të përjetojnë një dështim të rrezikshëm…”

Ardhmërinë e Ballkanit vi za vi integrimeve në kohën kur e analizojmë situatën më së miri mund të shihet nga një shkrim i Zhan Arno Derens, një historian dhe publicist. Ai do ta fillojë tekstin me paralajmërimin se do të donte të shkruajë “Bashkimi Europian e mban Ballkanin sikur litari e mban të varurin”, por pasi kishte marrë vesh se si ishte zhvilluar Samiti i Parisit i 4 korrikut të 2016-të, i liderëve të regjionit, ai do të deklarojë, “Ballkani është ai që e mban BE-në si litari që e mban të varurin”. Më tej ai shtron një pyetje sa cinike aq provokuese: “Kush ka më shumë dobi prej kësaj loje të rrejshme që u bë ‘procesi i integrimeve’?”. Por, më e bukura është përshkrimi që ua bën liderëve ballkanikë, si njerëz të korruptuar, autokratë e megalomanë, krejt të zbehtë, ngase frikoheshin se procesi i integrimeve ka përfunduar. Por, jo. Për çudi të tyre, Mogerini, Merkeli, Olani dhe të tjerët u thanë “fjalë të mira”, boshe dhe të pakuptimta. (Olan-i tani nuk është në pushtet – u zëvendësua nga Makroni, që shihej si perspektiva e një Europe të Re, por këto ditë ai është nën presion të hatashëm brenda vendit të vet me të ashtuquajturit “jelekverdhët”, një sinonim ky për vozitësit e kamionëve, që janë të detyruar ta mbajnë atë, një dukuri që sot po bëhet sinonim i të pakënaqurve, të margjinalizuarëve e ruralëve kudo nëpër qendrat europiane. Me këtë pozitat e Makronit le që dobësohen brenda vendit të vetë, por ato me të madhe e vënë në pikëpyetje vizionin e tij për Europën, aq më tepër kur partnerja e tij në Gjermani, zonja Merkel, u tërhoq prej udhëheqjes së partisë së saj, ashtu që shumë shpejt, më së shumti deri në fund të mandatit, tërhiqet edhe nga pozita e kryeministrit, kjo pas humbjeve të njëpasnjëshme që përjetoi në nivelet më të ulëta të pushtetit.)

Këto parashikime duket se u bën realitet. Ballkani ngec në integrime, kemi elita të korruptuara që vazhduan të qeverisin me shtetet e Ballkanit dhe, së fundi, dalin në sipërfaqe të gjitha dështimet. Kështu marrëveshjet që ishin përpiluar për funksionim të shteteve multietnike, si e Dejtonit, Rambujes ose e Marti Ahtisarit mbi parimin e integrimit, e humbën kuptimin ose u treguan tejet jofunksionale dhe me kosto shumë të lartë për funksionim. Si pasojë, në mungesë të strategjisë për realitetet e reja, nëse pak më me kujdes analizohen përmbajtja e non-paper-ëve, kështu vihen në lojë idetë klasike për ruajtjen e paqes në Ballkan përmes shteteve etnike.

 

SHENJA: A po del se multietniciteti ballkanik është projekt i dështuar apo përmes këtyre non-paper-ëve, duke i përdorë si kërcënim, po tentohet t’i jepet shtyrje kësaj ideje (euro)integruese për një periudhë më të gjatë kohore?

SULEJMANI: Shtetet multietnike, në parim, janë shtete të shtrenjta. Ekzistimi i tyre varet nga kostoja që ata duhet ta paguajnë për të funksionuar dhe prodhuar mirëqenie. Përderisa barra ia vlen qiranë, ia vlen të mbahen, por kur kostoja është e papërballueshme, vihet në lojë taksometria e eliminimit të dallimeve në vend të menaxhimit me dallimet. Kështu, pothuajse të gjitha format e eliminimit të dallimeve u vunë në sprovë gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë. Që prej shfarosjes e gjenocidit, si rasti i Bosnjës, pastrimit e dëbimit të një popullate, siç ishte rasti me Kosovën, që janë jonjerëzore dhe shumë të dhimbshme, sot në botën demokratike nuk pranohen. Ka mbetur vetëm edhe recesioni ose ndarja mbi vija etnike, për të cilat praktika ka treguar se nuk është më pak e dhimbshme, veçanërisht nëse vijat etnike nuk janë të definuara qartë, si në rastin e Maqedonisë së Veriut por edhe Bosnjës para konfliktit.

Kur shtetet multietnike kanë pakica që u përkasin shtet-kombeve me të cilat kufizohen dhe, për më tepër, kur me ta kufizohen dhe dallimi në nivel të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies ndërmjet shteteve thellohet, është për t’u pritur që të dominojnë forcat centrifugale, të largimit, për dallim prej forcave centripetale, që shtyjnë nga qendra. Nëse shtetet më të fuqishme kanë pretendime territoriale ose hegjemonike, këto forca nxiten dhe shërbejnë si katalizatorë për dezintegrim e destabilizim, me çka kostoja e funksionimit të tyre rritet. Në atë moment shtrohet pyetja se si duhet të organizohen ose riorganizohen shtetet, gjegjësisht a është përballueshme kostoja e mbajtjes bashkë të komuniteteve që nuk tolerohen?

Nëse e shikojmë zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit dhe të së drejtës në Maqedoninë e Veriu, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë, kjo la shumë për të dëshiruar. Bosnja pothuajse është shtet i paralizuar dhe jofunksional, me papunësi shumë të lartë, një vend që shquhet për korrupsion dhe nivel të ulët të zhvillimit ekonomik. Me këto parametra dhe me shumë probleme politike rruga për integrime në BE dhe NATO gati se i është e mbyllur për momentin. Serbët, si entitet i pranuar në nivel republike në kuadër të këtij shteti, me kërkesën e tyre për bashkim me Serbinë duken si një shpatë mbi kokë që në çdo moment pret shansin ta zhbëjë këtë shtet.

Kosova ka problem me funksionimin e drejtësisë, krimin e organizuar, e ka papunësinë ndoshta më të lartë në Europë, nuk arrin ta fitojë lojalitetin e serbëve përskaj faktit se në aspektin kushtetues ata i kanë të drejtat të garantuara si pak pakica jo vetëm në regjion, por edhe në Europë. Megjithatë, ky është shteti i vetëm që nuk e gëzon liberalizimin e vizave me BE-në e ku më të flitet për integrim, ngase ende pesë shtete të kësaj organizate nuk e kanë pranuar atë si shtet të pavarur. Nga ana tjetër, Serbia kërkon koncesione shtesë, pasi vazhdon ta mbajë nën kontroll pakicën serbe, që lë të kuptosh se është larg një shteti të konsoliduar.

Maqedonia e Veriut, viteve të fundit, ka një situatë paksa më të qetë në marrëdhëniet ndëretnike, por ka shumë probleme me fqinjët, që ia pengojnë rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian edhe pse me shumë kompromise arriti të bëhet anëtare e NATO-s. Nga ana tjetër, parametrat ekonomikë janë larg atyre që garantojnë një zhvillim më të shpejtë dhe mirëqenie për qytetarët. Për tridhjetë vjet pavarësi mesatarisht ka 2.8% rritje të BPV-së, që nënkupton se me këtë shkallë të zhvillimit do t’i duhen më shumë se shtatëdhjetë vjet për të arritur një standard mesatarë europian. Për më tepër, asnjë ekspert nuk parasheh zhvillim më të lartë se 4.5-5%, që nënkupton se edhe sikur të tejkalohet kriza ekonomike momentale me korona-virusin, që parashihet të kthehet në nivelin e vitit 2019 tek në vitin 2023, një të riu të moshës tetëmbëdhjetë vjeç do t’i duhet t’i arrijë të nëntëdhjetat për të gëzuar një standard europian. Këto parashikime përafërsisht vlejnë edhe për Kosovën dhe Bosnjën.

Nëse kemi parasysh këtë që u tha, lehtë mund të nxirret konstatimi se non-paper-i nuk është incident diplomatik e politik ose vetëm një presion e shtytje për integrim më të shpejtë, por shumë më tepër ka bazë serioze për të besuar se është pasojë e më tepër kalkulimeve dhe parashikimeve për (mos)funksionimin e këtyre shteteve.

 

SHENJA: Pse tash e tridhjetë vjet pas fillimit të shpartallimit të Jugosllavisë dhe kur po duket në horizont zgjidhja e nyjës së quajtur Kosovë po rihapet tema për ndryshimin e kufijve?

SULEJMANI: Nuk mund të pajtohem se në horizont shihet një zgjidhje për Kosovën. Më tepër jam i prirë të shoh një mungesë ideje ose vizioni, pse jo edhe konfuzion se si të dilet prej një qorrsokaku në të cilin është futur ky proces. Ideja për korrigjim kufijsh, këmbim territori ose edhe demarkacion me ndryshime minimale, sido që të quhej ajo, u hodh poshtë jo vetëm nga disa shtete të Europës, veçanërisht Gjermania, por edhe prej vetë kosovarëve pa ofruar ndonjë alternativë serioze, përveç status quos. Për më tepër, ideatori i kësaj ideje, ish presidenti Hashim Thaçi, me një pjesë të madhe të kryesisë së UÇK-s akuzohet për krime gjatë dhe pas luftës, por edhe vrasje me paramendim të kundërshtarëve politikë. Sado që kundërshtarët politik këtë nuk e shohin si gjykim të UÇK-së, por të individëve dhe shkelësve të ligjeve, megjithatë kur gjykohet udhëheqësi politik dhe njerëzit e shtabit qendror të kësaj ushtrie, nuk mund të mos mbetet edhe një njoll për UÇK-në, që një ditë edhe të keqpërdoret dhe ri-kualifikohet e gjithë rezistenca e armatosur për çlirimin e Kosovës. Drejtuesit aktualë, kur ishin në opozitë sikur e dëshironin këtë, por sot kur e kanë pushtetin në dorë duken të habitur dhe pa ide. Albin Kurti e “këmbeu” kauzën origjinale për pushtet. Përderisa kishte kauzë, “bashkim kombëtar para integrimit europian” ai nuk fitonte më shumë se 17-18% të votave, që nuk ia garantonin pushtetin. Me qëllim që të vijë në pushtet, ai e zgjeroi gamën e votuesve, nga nacionalistë tek kosovaro-centrikët dhe euro-centrikët, por mbi gjitha anti-thaçistët dhe anti-ramistët, që ishin sinonim për ndryshimin e kufijve. Me këtë i “humbi” ose e dëmtoi deri në pamundësi për riparim një ide pa ofruar një tjetër. Por, mbi gjitha, tronditi edhe raportet me SHBA-në, bile edhe me Shqipërinë e Turqinë edhe pse nuk e siguroi as Brukselin e as Berlinin për aleat. Sot nuk e dimë nëse kryeministri Kurti ka një numër telefoni të ndonjë udhëheqësi botëror ku mund të drejtohet për ndihmë në rast rreziku nga Serbia.

Nga ana tjetër Serbia çdo ditë e më tepër fuqizohet ekonomikisht, diplomatikisht dhe ushtarakisht, kurse së fundmi paraqitet edhe si shpëtimtarja e kosovarëve me rastin e vaksinimit kundër korona-virusit. Shumë kosovarë sot i keni nëpër qytetet e Serbisë së Jugut që presin radhë për vaksinim në vend se atë ta kërkojnë në Tiranë ose diku tjetër. Me këso pozicione të rrënuara të gjitha opsionet janë të hapura, por nuk ka në horizont asnjë të mirë ose diçka në favor të shqiptarëve.

Gjermania ofron integrimin rajonal, të njohur si “minishengen”, që në shikim të parë duket joshës në aspektin politik, nëse do të mund të pajtoheshin shqiptarët dhe serbët, pra jo Kosova dhe Serbia e as Shqipëria dhe Serbia. Kur e them këtë, e kam parasysh se shqiptarëve dhe serbëve u përputhen interesat pothuajse në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, andaj një pajtim i mundshëm ndërmjet këtyre dy popujve, por i menduar mirë dhe me strategji, mund t’i nxjerrë në sipërfaqe përparësitë komparative të shqiptarëve. Këtu mund të llogariten dalja në det, aleancat dhe partneriteti strategjik me tre shtete ku dominojnë tre konfesionet kryesore monoteiste, që gjejnë hapësirë në gjirin e popullit shqiptar (Greqi, Itali, Turqi) mund ta amortizojë tendencën për hegjemoni serbe në regjion. Por, kjo nuk mjafton. Nëse asimetria në zhvillimin tekniko-teknologjik, që është në favor të serbëve, nuk parandalohet me strategji adekuate, ajo mund të krijojë hapësirë për një hegjemoni ekonomike, pse jo edhe dominim të Serbisë në regjion.

Duke marrë parasysh se as ky opsion nuk është mirëpritur, prapë pa ofruar alternativë, përveç asaj retorike boshe “integrimi i shqiptarëve është integrimi europian”, që për momentin duket utopi, të tjerët marrin iniciativë. Deficiti në ide kreative dhe alternativave që do të shpie kah realizimi i një vizioni dhe ideje të qartë për pozitën e shqiptarëve në regjion lë hapësirë të qarkullojnë ide nga më të ndryshmet, që gatuhen në kuzhina jashtëshqiptare. Prandaj dëgjojmë jo vetëm ide për ndryshim kufijsh, por edhe për një status special për 99 vjetët e ardhshëm të Kosovës nën Serbi. Me një fjalë, sipas shikimit tonë, nuk shohim zgjidhje në horizont, por mjegull ku ujku kërkon prenë.

Mos të harrojmë se politika ndërkombëtare i ka dy rregulla: e para se nuk ka rregulla dhe e dyta se nuk ka moral. Nuk ka miqësi të përhershme, nuk ka armiqësi të përhershme, por ka interesa të përhershme. Retorika “partneri ynë strategjik, miku ynë i përhershëm, dashuria e përhershme për këtë ose atë popull” janë flluska që kur luhet me letrat e real-politikës nuk çojnë peshë. Politika është pragmatike dhe shpesh e mira nuk përputhet me të drejtën dhe as e drejta nuk është gjithmonë e mirë. Duket se shqiptarët këtë e kanë harruar, andaj sot sillen si të habitur dhe pa orientim.

 

SHENJA: Krijimi i Serbisë etnike, Kroacisë etnike dhe Shqipërisë etnike a sjellë paqe afatgjate apo rindezje konfliktesh? Apo, a është gjithë rajoni viktimë e nevojës për ta ruajtur Bosnjën ashtu siç është?

SULEJMANI: Shtetet etnike, në parim, janë më efikase dhe më funksionale, por është vështirë që sot, ashtu si në kohën e shekullit të nëntëmbëdhjetë të formohen shtete homogjene në aspektin dhe religjioz, qoftë për shkak të mobilitetit që paraqitet si rezultat i globalizimit, por më së shumti për shkak se shtetet që sot krijohen në Ballkan shumë gjatë kanë jetuar në një territor të përbashkët, ku kufijtë etnikë nuk janë përputhur me përbërjen etnike. Sot sado që një shtet mund të jetë i madh, nuk mund të jetë aq i madh sa tërë një popull ta ketë brenda kufijve të vet. Për më tepër, madhësia e një populli sot nuk matet me territorin që e kontrollon, por shumë më tepër me nivelin e zhvillimit tekniko-teknologjik dhe inovacionet që i prodhon. Vetëm inovacioni është trashëgimi që sot zbulohet, kurse gjenerata e ardhshme e gëzon. Ose, shumë më rëndësi është sa je i ngritur në lartësi, në vijën vertikale sesa sa je i shtrirë në hapësirë, në vijën horizontale.

Bosnja është një specifikë në vete dhe nuk mund ta imagjinoj një shtet ishull me boshnjak mysliman pa dalje në deti. Ajo, në vend se ta zgjidhë një konflikt, do të mund të shndërrohej në pikë konfrontimi jo vetëm në kuptimin etnik, por edhe religjioz e në konflikt civilizimesh. Një ndarje e tillë, që paraqitet në disa non-paper-ë ma sjellë ndërmend Berlinin Lindor të Luftës së Ftohtë që një vit të tërë furnizohej prej ajri. Kjo e imponoi formimin e NATO-s si një aleancë ushtarake transatlantike, që sipas Sekretarit të parë Gjeneral të kësaj organizate kishte për qëllim “America in, Russia out, Germany down”, ndërsa më vonë si kundërpërgjigje doli Pakti i Varshavës. Kështu ndarja etnike në këtë vend do të kishte qenë më tepër një polarizim shtesë sesa një zgjidhje afatgjate. Nga ky këndvështrim rezulton se nëse ndarja mbi baza etnike në vendet tjera është problem, në rastin e Bosnjës ajo është më tepër se një problem, në mos burim i problemeve. Por, në politikë asnjëherë nuk thuhet “asnjëherë”. Çdo gjë është e mundur. Të shpresojmë se çfarëdo që të jetë zgjidhja, ajo të jetë e menaxhueshme dhe pa dhunë.

 

SHENJA: Duke u nisur nga fakti se as Bashkimi Europian nuk është më ai që ishte dikur me Solanën si shef të diplomacisë, Rusia nuk është më ajo e Jelcinit, Kina nuk është më ai shteti që “incidentalisht” mund t’i sulmohet ambasada me raketa, SHBA-ja nuk është më fuqia e viteve të ’90-ta, Turqia dhe Gjermania nuk janë më shtete të heshtura, që vetëm shikojnë se çfarë po ndodhë, si mund të zgjidhet “nyja ballkanike”, si do të bëhet(j) balancimi i këtyre forcave në këtë pjesë të globit?

SULEJMANI: Bashkimi Europian është një fenomen në vete. Ai është një elefant ekonomik dhe një xhuxhë në arenën globale. BE-ja flet për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, por jo për politikë vetëm të jashtme, e ku më unike. Që të mund të vlerësosh se çka është politikë unike e BE-së dhe çka e përbashkët, është po aq vështirë sa ta ndash ujin prej kripës në detin e njelmët. Duhet të kihet parasysh se në një ujë të tillë rriten edhe balenat edhe peshkaqenë, që ushqehen me peshq të vegjël. Por, kjo nuk do të thotë se në të nuk ka ambient edhe për peshq të vegjël, bile shumë të bukur, nëse ata e kanë mësuar artin e ambientimit dhe mbijetesës. Sa i përket ambientit tonë politik, në rrethana të këtilla politika e jashtme europiane lë përshtypjen e një orkestre të çorientuar, ku dominon zëri i një ose dy instrumenteve dhe jo një harmoni muzikore

Në aspektin global, rendi botëror pothuajse nuk ekziston, ndërsa kur nuk ekziston rendi, vjen në shprehje fuqia ekonomike, ushtarake e tekniko-teknologjike. Rendi botëror aktual duket më tepër si menaxhim me kaosin, ku bëhen rreshtime e rirreshtime mbi parimet civilizuese të Hantingtonit. Sfida e politikanëve të Ballkanit, veçanërisht e shqiptarëve, është se si do të pozicionohen ata, si pikë-takim apo si pikë-konfrontim. Për momentin ata janë në udhëkryq. Udhëkryqi për pesimistët është sinonim për njeri të humbur, kurse për optimistët mundësi për më tepër zgjedhje. Qëndrimi i politikanëve të Kosovës, Malit të Zi, Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut është i të humburit, kurse Serbia dhe Shqipëria mbajnë një qëndrim optimist. Ata nuk kanë hequr dorë prej konceptit të zgjidhjes së “nyjës ballkanike” përmes integrimeve, por me të madhe izhvillojnë alternativat e tyre, duke u munduar t’i nxjerrin në pah përparësitë komparative. Njëra, Serbia, luan shah sa me Perëndimin, por më shumë me Rusinë, kurse tjetra, Shqipëria, luan në më tepër tabela dhe bën përpjekje të pozicionohet në qendër. Serbia tenton ta materializojë kompaktësinë territoriale, etnike dhe religjioze, duke u shtirur si mbrojtja kryesore e Perëndimit nga Lindja islame, kurse tjera zgjeron numrin e aleatëve sa në Lindje, po aq në Perëndim, por edhe përtej Oqeanit Atlantik, për t’u shndërruar në pikëtakim, ku besimet monoteiste mund të jetojnë në paqe dhe harmoni.

Përderisa Vuçiqi kërkon anëtarësim në BE, por jo edhe në NATO, dhe nuk la pa përmendur miqësinë historike me Rusinë, Rama për partner strategjik në regjion e shpall Greqinë, Italinë e Turqinë dhe, mbi të gjitha, Amerikën, por pa anashkaluar as Gjermaninë e Francën. Nëse i pari, Vuçiqi, tenton ta materializoj pozitën qendrore në regjion, i dyti, Rama, bën përpjekje ta rrisë peshën strategjike të Shqipërisë si mbrojtëse e ngushticës së Otrantos. Me fjalë të tjera, ngadalë, por me siguri, koncepti i paqes në Ballkan, përmes integrimeve, po zëvendësohet me konceptin e qendrave hegjemone të vendosjes.

Për momentin ka një përpjekje për largimin e ndikimit rus në regjion dhe për largimin e oktopodit të tij, që shtrihen në strukturat e sigurisë, por edhe të biznesit dhe politikës. Si pikënisje paraqitet Shqipëria, ku jo vetëm se publikisht ish kryeministri Sali Berisha u shpall si person i padëshiruar në SHBA, as vetëm pse ambasadorja amerikane në Shkup paralajmëroi se ky është fillimi, që mund të shtrihet edhe në Maqedoninë e Veriut, por shumë më tepër përmes dëbimit të agjentëve të kamufluar në diplomatë pothuajse në të gjitha vendet e regjionit.

Loja zhvillohet në thënien e njohur “ec me drejtësinë përpara, por mprehe shpatën”. Zhvillohen procese politiko-diplomatike, por në prapaskenë në regjion zhvillohet edhe stërvitja më e madhe ushtarake e kryesuar nga Amerika që nga Lufta e Dytë Botërore. Ky është vetëm fillimi. E se ku do të mbarojë, këtë nuk e dimë. Por, e dimë se NATO dhe BE e kanë shpallë zyrtarisht Rusinë për armike, kurse Kinën për rrezik. Fati i regjionit dhe “nyjës ballkanike” varet nga kjo lojë gjeopolitike, ku ndërmjet shumë lojtarëve të mëdhenj globalë, si SHBA-ja, Kina e Rusia, ka edhe lojtarë regjional, por edhe të vegjël, si Rama e Vuçiqi. A do t’i hanë peshqit e mëdhenj të vegjlit apo ata do të adaptohen në rrethanat e reja gjeopolitike, kjo pritet të shihet.

 

SHENJA: A ka qenë politika e zgjerimit e BE-së, në vitet e fundit apo në dekadën e fundit, më shumë blerje e kohës dhe mashtrim apo politikë e gabuar e BE-së? A mund të jetë non-paper-i, i cili po qarkullon ditëve të fundit, letër lakmusi për politikat e dështuara të zgjerimit të BE-së apo hapje e një kapitulli të ri në qasjen e BE-së ndaj Ballkanit?

SULEJMANI: Siç edhe thamë, ideja e madhe e Bashkimit Europian, e cila mosbesimin dhe frikën, që i kishte rrënjët në shumë lufta, që u zhvilluan ndërmjet kombeve, shteteve e sekteve religjioze, që u zhvilluan në kontinent, përmes dallimeve komplementare në sinergji, arriti t’i kanalizojë përmes një model organizimi sui-generis, që nuk mund të definohet as si shtet, e as si organizatë multilaterale. Kjo prodhoi paqe e stabilitet, por mbi gjitha mirëqenie, zhvillim ekonomik e tekniko teknologjik. E bukura e kësaj ngrehine ishte se u shpërblye me çmimin Nobel. Jo se në rrugëtimin e vet nuk pati sfida dhe ngritje e rënie, por qarkullon një e thënë jo shumë e argumentuar teoretikisht, se kurdoherë që BE-ja ka pasur kriza, ajo në vend të degradimit, ka përjetuar integrimin. Kështu ka ndodhë gjatë Luftës së Ftohtë, pas rënies së Murit të Berlinit, e deri tek zgjerimi i madh me shtetet e ish bllokut sovjetik. Ajo u tregua shumë e shkathtë me “fuqinë e butë”, por kur kishte nevojë për “fuqi të fortë”, si në rastin e zhbërjes së ish Jugosllavisë, ajo dështoi.

Megjithatë, problemet serioze fillojnë pas të ashtuquajturit “globalizimi i tretë”, që lidhet me vitin 2000 ose, më saktë, me vitin 2001. Globalizimi i tretë nxori në pah fuqi të reja globale, në fillim ekonomike, por pastaj edhe ushtarake e, së fundmi, edhe koncepte të reja politike.

Dy nyjat e para historike që i përmendëm, si kriza e financiare e 2008-tës dhe ajo e refugjatëve të viteve 2014-të, nxorën në pah dobësi në menaxhimin e demokracive liberale kundrejt atyre iliberale të Kinës, Rusisë dhe Turqisë, të cilat u treguan shumë më efikase në menaxhimin e tyre. Për një moment dukej se Europa kthehej në Mesjetë me muret me gjemba, që disa shtete veçmas filluan t’i ngrenë për t’u mbrojtur nga refugjatët.

Kjo i tronditi thellë themelet e demokracisë liberale, që u reflektua edhe me daljen e Britanisë së Madhe nga kjo organizatë. Veprimi ishte një shok, që shumë keq u përjetua dhe mundësoi që forcat izolacioniste, konstitucionaliste e nacionaliste të forcohen dhe ta vënë në pikëpyetje jo vetëm zgjerimin, por vetë funksionimin e BE-së, bile me paralajmërime se edhe shtete të tjera do të kërkojnë largimin nga kjo organizatë. Sigurisht, në këso situata forcave universaliste, liberale dhe integriste iu ngushtua hapësira për veprim, e ku më të kërkojnë zgjerim me shtete e Ballkanit. Në këso situate status-quo-ja, që do të do ta ruante iluzionin, qoftë edhe të rremë, për integrim të shpejtë të vendeve të regjionit, ishte solucioni më i mirë i mundshëm. Kur ajo dukej se këndellej, e përjetoj goditjen e dytë – atë të pandemisë, e cila – për hir të së vërtetës – u menaxhua shumë keq nga Komisioni Europian, por edhe nga vetë shtetet anëtare.

Suksesi i Britanisë së Madhe, tanimë e dalë nga BE-ja, që e zbuloi vaksinën dhe tregoi efikasitet më të madh në vaksinim, edhe pse u sulmua nga një mutacion i këtij virusi, ishte argument shumë i madh për nacionalistët, exet-tistët, për të argumentuar se shtete nacionale janë shumë më efikas në menaxhim me krizat.

Përderisa BE-ja luftonte që të sigurojë vaksinat, shtetet e Ballkanit mbetën në mëshirën e Kinës dhe Rusisë, gjë u shfrytëzua shumë mirë nga ato. Përderisa komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në regjion sillte nga pesë mijë vaksina, ushtria kineze ia dhuronte ministrit të Mbrojtjes së një vendi anëtar të NATO-s njëqind mijë vaksina. Çka mund të pritet në këso rrethana? Kuptohet vetëm non-paper-a, që direkt ose indirekt ofrojnë zgjidhje etnike. Po, non-paper-at janë letër lakmusi së paku që dëshmon për paaftësinë e BE-së në menaxhimin me epideminë.

Se a do të realizohen këto ide, kjo shumë më tepër varet nga shtete e BE-së dhe SHBA-ja, si mbrojtëse të demokracisë liberale. Apo, edhe ato do të rrëmbehen nga forcat izolacioniste, autoritare dhe iliberale, që nuk janë të pakta në Europë? Amerika, me ardhjen e Bajdenit, duket se për një moment i dëboi nga pushteti me humbje në zgjedhje njerëzit e Trampit, i shquar si izolacionisti më i madh, por trampizmi ende është gjallë. Për momentin zyrtarët europianë e mohojnë ndarjen mbi vija etnike, por nëpër tavolinat diplomatike dhe institucionet për studime politike dhe gjeopolitike ato qarkullojnë.

Për hir të së vërtetës, kjo nuk është ide e re ose opsion që nuk e njeh teoria dhe praktika politike. Unë vet personalisht që në vitin 2008, në shkrimet e mia, kisha paralajmëruar se nëse procesi integrues për shtetet e Ballkanit vonohet, kurse shtete multietnike si Maqedonia, Kosova e Bosnja tregohen jofunksionale, në tavolinë do të gjenden opsione të reja. Atëherë i kisha paraparë tre skenarë të mundshëm, që sot përfliten nga diplomatë dhe politikanë seriozë, si: një – ndarja e shteteve mbi baza etnike; dy – tendencat për hegjemoni serbomadhe në Ballkan dhe tre – marrëveshje serbo-shqiptarë, që unë e kisha quajtur “Albo-Serbi”. Këto qëndrime i kam përsëritur edhe në vitin 2012 dhe 2013, bile kisha përmendur se vendimi për ndarjen e Kosovës ka ra, por është çështje menaxhimi si të realizohet. Atëherë kisha tërhequr vërejtjen se ajo nuk do të quhet ndarje dhe se pyetja është nëse do të ndodhë me atrofi të pjesës veriore apo me kirurgji. Sot mbetem në të njëjtin qëndrim, por pyetja tanimë shtrohet a do të bëhet “me fytyrë” apo “pa fytyrë”. Këtu “me fytyrë” nënkuptoj opsionet që përmendeshin nga ish presidenti Thaçi, me korrigjim kufijsh, që nënkupton një pjesë e Luginës ose vetëm disa fshatra t’i bashkëngjiten Kosovës për llogari të tre komunave me shumicë serbe, Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku dhe Leposaviqi. Me fjalë tjera, ndarje pa kompensim serioz, por pa u nënçmuar Kosova, me arsyetimin se diçka megjithatë është kompensuar.

Sa për Bosnjën siç ceka, është një operacion tejet i komplikuar dhe nuk e kam pasur temë shqyrtimi në shkrimet e mia. Sa i përket Maqedonisë së Veriut, mendoj se do të bëhet çmos të mbetet, pasi këtu problemi nuk është bilateral, por multiratelar. Ndarja nuk do të ishte maqedono-shqiptare, por në lojë do të hidheshin gjithë fqinjët, gjë që do ta involvonte edhe Rusinë e Turqinë, ndërsa kuptohet se nuk do mbeteshin duarkryq as shtetet kryesore të Europës, si Gjermania, Franca e Italia, po pse jo edhe Amerika.

 

SHENJA: A i bie kjo se “Europa e butë” nuk po arrin ta zgjidhë asnjë problem të rëndësishëm gjeopolitik, duke e lënë të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor në ambis?

SULEJMANI: Europa, sado e “butë” të jetë ,nuk do të kishte dashtë ta shohë Ballkanin në ambis si fqinj të parë të saj. Ballkani, sado që është ose perceptohet ndryshe nga Europa, ai është pjesë e saj. Nuk mund të jetë dikush i lumtur kur del nga shtëpia dhe përballet me një gropë, aq më pak të jetë indiferent kur digjet një banesë në ndërtesën që ai jeton. Djegia edhe e një banese e rrezikon gjithë ndërtesën. Andaj Bashkimi Europian do të mbetet shumë i interesuar për situatën në Ballkanin Perëndimor, edhe sikur atë ta shohë vetëm si fqinj dhe jo si pjesë të tij. Gjegjësisht, sido që procesi të zhvillohet, ai do të jetë aktor aktiv në krijimin e një perspektive sa më stabile dhe pa mundësi të mos mbetet gjenerator krize. Fundja, historia ka përdëftuar se diku 7 lufta kanë filluar në Ballkan, që e kanë involvuar tërë Europën. Mendoj se leksioni është marrë.

 

SHENJA: Ndërkohë në rrafshin lokal, duke e parë se në krye të Shqipërisë tashmë qëndron një kryeministër i fuqishëm, si Edi Rama, në Kosovë në krye të shtetit gjendet Albin Kurti, po ashtu i zgjedhur me gjysmën e votave të shqiptarëve, në Serbi e kemi Vuçiqin, i cili paraqet autoritet të pakontestuar, si mund të shfrytëzohet kjo energji politike për t’i zgjidhur problemet historike shqiptaro- serbe?

SULEJMANI: Po, është e vërtetë se këto tre shtete kanë udhëheqës politik me bazë të gjerë legjitimiteti, që është një lloj treguesi se edhe mund të marrin vendime të rënda për shkak të popullaritetit që gëzojnë. Por, pyetja është se a do ta shfrytëzojnë atë për të mbetur sa ma gjatë në pushtet pa bërë asgjë apo do ta vendosin në funksion të marrjes së vendimeve të rëndësishme, që mund të jenë historike dhe që mund t’u kushtojnë edhe humbjen e pushtetit. Për momentin duhet ndjekur veprimet e Albin Kurtit, që është një aktor i ri që u tregua shumë i aftë në opozitë, por që nuk ka eksperiencë në pushtet. Loja ka filluar të luhet, por në këtë moment duket se është në provim pranues.

 

SHENJA: Gjithashtu, si e shihni qasjen e Ramës karshi Bashës, të cilin në mënyrë të vazhdueshme e fton që të bëhet pjesë e asaj që ai e quan Shqipëri të re? Çfarë nënkupton kjo? A është kjo një tendencë për të ndërtuar një “dorë të fuqishme” përballë proceseve gjeopolitike apo thjesht bëhet fjalë për motive të politikave të brendshme?

SULEJMANI: Thirrja për bashkëpunim ose bashkërenditje të punëve me Bashën nga Rama u dëgjua edhe gjatë fushatës zgjedhore, por edhe menjëherë pas komunikimit të rezultateve, bile pa asnjë kusht. Por “pa asnjë kusht” megjithatë në vete fsheh një kusht – distancimin ose largimin nga çiti Berisha-Meta. Gjatë fushatës, nga kritikët, ajo u interpretua si një trik parazgjedhor, kurse pas fushatës si një kurth që i bëhet Bashës. Por, pas deklarimit të Sekretarit Amerikan Blinken për rastin Berisha, bëhet e qartë se megjithatë në këtë apel të Ramës fshihet diçka më e madhe. Lëmshi vetëm sa ka filluar të zgjidhet. Ta shohim se çka do të pjellë.

 

SHENJA: Në një intervistë dhënë për TV të Maqedonisë së Veriut, ju keni thënë se “Maqedonia e Veriut” vështirë të mbijetojë. Çfarë është shpjegimi juaj për këtë? Më saktë, derisa kemi një qeveri me shumicë të brishtë, një problem që rri pezull me Bullgarinë – që ka bllokuar hapjen e negociatave, një rënie ekonomike dhe një krim dhe korrupsion në rritje, por edhe një “luftë të ftohtë” ndëretnike, si mund të reflektohet ky non-paper në këtë shtet?

SULEJMANI: Kur kam fol për atë, kam pasur parasysh parametrat e dobët ekonomikë në tre dekadat e pavarësisë, si edhe mungesën e vizionit për pozicionim më të mirë gjeopolitik, në mënyrë që të vijnë në shprehje përparësitë komparative të të qenurit në qendër dhe shtet multietnik e multikonfesional. Maqedonia e Veriut nuk mund ta ndryshojë as gjeografinë e as historinë, por vetëm kuptimin dhe interpretimin mund ta vë në funksion të konstelacioneve ekonomike e gjeopolitike momentale. Maqedonia e Veriut është e parapërcaktuar të jetë qendra, qendra e Ballkanit, por jo ishull i izoluar ose udhëkryq ku përplasen civilizimet. Duke qenë dygjuhësore, pse jo edhe shumëgjuhësore, ajo në aspektin ekonomik mund të bëhet një “call centar” që i lidhë të gjithë shtete e regjionit dhe me gjerë. Maqedonia e Veriut nuk është e parapërcaktuar ta korrigjojë historinë, por ta shfrytëzojë atë për të nxjerr mësim për të ardhmen. Maqedonasit dhe shqiptarët nuk duhet të qajnë mbi fatin se historia, politika ose natyra i ka përcaktuar të jetojnë bashkë, por dallimet duhet t’i festojnë, duke i përdorur si përparësi komparative. Fatkeqësisht, këtë përparësi pak ose aspak nuk e shohin vendimmarrësit politikë. Në vend se të harxhohet energjia se si ta shfrytëzojnë këtë realitet, ata mundohen si ta ndryshojnë atë. Rregulla e artë në menaxhim është se “gjërat që nuk ndryshohen, menaxhohen”. Çmimi i mosndjekjes së këtij parimi është stagnimi në ekonomi, ikja e trurit më vital nga vendi dhe në vend të integrimeve, ta fitojmë getoizimin. Nëse edhe më tutje harxhohet energji në këtë drejtim, nuk i dihet çfarë erëra do të fryjnë në të ardhmen. Është koha t’i trokasim mendjes, se Zoti asnjërin apriori nuk e ka dënuar ose favorizuar. Çdonjëri ka vokacion, thirrje për çka është sjellë në tokë. Nëse i përgjigjet asaj, ka ardhmëri. Nëse jo, paguan çmim ose edhe dënim. Vokacioni i Maqedonisë së Veriut është të jetë qendra, të promovojë dhe kultivojë dallimet kulturore e religjioze, ngase atë e ka prodhimin më të mirë për eksport në kohën kur një model për funksionimin e saj në kohën e globalizmit dhe mobilitetit njerëzor kërkohet në Europë e më gjerë si buka e kripa dikur.