` . Sulejmani: Kjo qeveri është anti-evropiane! - TV SHENJA

Sulejmani: Kjo qeveri është anti-evropiane!

Anëtari i kryesisë së partisë Alternativa, Driton Sulejmani, tha se BE është një union i shteteve të cilët ofrojnë perspektivë, vazhdimësi demokratike dhe vlera. Sipas tij, nëse analizohen këto, në Maqedoni ndodhin pikërisht e kundërta e atyre.

“Nuk mund ta fajësojmë BE-në për diçka që vet nuk jemi të sjellim sa i përket reformave. BE nuk do të donte ta kishte edhe një barë plus në radhët e veta, sikurse ka pasur raste të tilla. Nëse dëshirojmë seriozisht t’i qasemi anëtarësimit në BE, një kohë të gjatë ne kemi stagnim dhe nuk kemi filluar me procesin e reformave. Ne jo rastësisht e quajtëm këtë qeveri anti-evropaine”, u shpreh Sulejmani.

Ai tha po thuajse të gjitha politikat sa i përket qasjes në reforma janë të njëjta sikur në kohën e qeverisë VMRO-BDI.

“Janë bërë shumë veprime që mund të na i pengojnë rrugëtimin drejt BE-së. Për shembull ne si vend i cili e kemi mundësinë të lëvizim lirshëm në BE, doli skandali e mbi 200 pasaportave të falsifikuara për disa kriminelë. Dhe nuk është çudi se mund të marrim ndonjë sanksion për një lëshim të tillë”, u shpreh Sulejmani.

Sulejmani tha se vendi çalon në kriteret e kërkuara nga BE për anëtarësim në strukturat e saj. Sipas tij, këtu duhet përmendur gjyqësori ku dihet se çfarë procese gjyqësore ka këtu.

“Është shumë qartë e theksuar gjyqësia me standarde të dyfishta. Kur bëhet fjalë për një palë që është shqiptare vendimi ndryshon komplet kur bëhet fjalë për një palë maqedonase. Raste të tilla gjyqësore të montuara ka shumë. Edhe pas ardhjes së qeverisë së reformave që u quajt atëherë 2016, u premtua se do të shqyrtohen dhe ato raste po marrin epilogë të njëjta”, tha Sulejmani, duke shtuar se me gjyqësor të tillë jemi shumë vite larg BE-së.

Ai u ankua edhe për faktin se në Maqedoni sipas tij në vazhdimësi ka pasur vjedhje të zgjedhjeve.