Stuhia ‘Pabuk’ godet Tajlandën në kulmin e sezonit turistik

Stuhia ‘Pabuk’ godet Tajlandën në kulmin e sezonit turistik

Stuhia tropikale “Pabuk” ka nisur të godasë Tajlandën jugore me shi dhe erë, në atë që pritet të jetë stuhia më e keqe që do të godasë rajonin në 30 vite.

Stuhia u përplas fillimisht në brigjet e Tajlandës në orën 12:45 me atë lokale, në krahinën e Nakhon Si Thammarat. Ajo pritet të lëvizë nëpër Tajlandën jugore, duke goditur disa pika të njohura turistike.

Mijëra njerëz janë larguar nga Koh Samui, Koh Tao dhe ishujt Koh Phangan, të gjitha këto perla turistike të vendit. Turistët e bllokuar në Koh Samui i kanë thënë BBC-së se rreshjet e shiut në ishull janë të fuqishme, të shoqëruara me erë dhe dallgë të rënda.

Njerëzit gjithashtu thonë se u është rekomanduar të qëndrojnë në shtëpi pas orës 16:00 deri të shtunën në mëngjes.

Ndërsa stuhitë janë të zakonshme në Gjirin e Tajlandës në këtë kohë të vitit, “Pabuk” mendohet të jetë më e keqja në dekada që godet gjatë kulmit të sezonit turistik.

Në të kaluarën, stuhitë tropikale kanë vrarë qindra njerëz, por autoritetet thonë se janë të përgatitur mirë dhe të aftë për t’u përballur me stuhitë e pritura me dallgë deri në pesë metra.

Departamenti meteorologjik i Tajlandës tha se stuhia do të ndikonte në jug të vendit për ditët e ardhshme dhe se “reshjet e përhapura dhe rrëketë e rrëmbyeshme janë të mundshme në pjesën më të madhe”.

“Njerëzit duhet të ruhen nga kushtet e rënda që shkaktojnë rrjedhjet e pyjeve dhe përmbytjet e shpejta”, paralajmëruan autoritetet.

Stuhia ka të ngjarë të dobësohet pasi kalon nga Gjiri i Tajlandës në Detin Andaman, por turistët po paralajmërohen gjithashtu për t’u përgatitur për shi të rëndë, det të trazuar dhe rrëshqitje të tokës.