Studentët refuzojnë vendimet e qeverisë, u rikthehen protestave

Studentët kanë refuzuar vendimet e qeverisë për të plotësuar pjesën më të madhe të kërkesave të tyre. Ndonëse ekzekutivi vendosi të plotësojë shumë kërkesa dhe të bëjë lëshime të tjera, për studentët kjo është e pamjaftueshme. Për këtë arsye ditën e djeshme ata u janë rikthyer protestave, mbas tre jave pushim për shkak të festave të fundvitit. Me banderola nëpër duar, studentët kanë marshuar nga fakultetet e tyre në drejtim të Kryeministrisë. Por para se të nisnin marshimin, të rinjtë kyçën dyert e disa fakulteteve, përfshirë këtu edhe atë të Universitetit Politeknik, i cili u mbyll me gozhdë. Studentët paralajmëruan se nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre, ata do të dalin në grevë urie. Gjithashtu kanë kërkuar nga kryeministri plotësim të pikave sa më shpejt pasi po rrezikojnë të humbasin vitin akademik.