Stoltenberg: Ndihmat ushtarake përcaktuese për negociatat e Kievit me Moskën

Stoltenberg: Ndihmat ushtarake përcaktuese për negociatat e Kievit me Moskën
FILE PHOTO: NATO Secretary General Jens Stoltenberg speaks as he attends a meeting with Canada's Prime Minister Justin Trudeau during a NATO summit, at the Alliance's headquarters in Brussels, Belgium, June 14, 2021. Stephanie Lecocq/Pool via REUTERS/File Photo

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli sot mbi rëndësinë e ndihmave ushtarake për Ukrainën. Ai tha se mbështetja për Kievin është jetike për arritjen e një rezultati të pranueshëm dhe fundin e luftës me Rusinë.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy iu drejtua kombit me rastin e Ditës së Dinjitetit dhe Lirisë. Ai u shpreh i bindur se populli ukrainas do të arrijë të triumfojë në luftën kundër Rusisë dhe se një ditë ukrainasit do të festojnë fitoren në një tubim në sheshin e pavarësisë në Kiev.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha sot se ndihmat ushtarake për Ukrainën janë përcaktuese në rezultatin e negociatave të mundshme me Rusinë me synimin për t’i dhënë fund luftës.

“Është e rëndësishme mënyra se si zhvillohen negociatat. Ne duhet të kuptojmë se kjo luftë ka shumë mundësi që të përfundojë dikur në një tryezë bisedimesh. Por ne gjithashtu e dimë se rezultati i negociatave varet nga forca e vendit në fushën e betejës”, tha zoti Stoltenberg në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Madrid.

Sipas zotit Stoltenberg mënyra për të siguruar rezultatin më të mirë për Ukrainën si “një komb sovran, i pavarur dhe demokratik në Evropë” është vazhdimi i mbështetjes ushtarake për vendin.

Ndërkohë Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe Zonja e Parë, Olena Zelenska shënuan Ditën e Dinjitetit dhe Lirisë, duke nderuar sakrificën e popullit ukrainas që nga fillimi i sulmit rus.
Në një fjalim drejtuar kombit, zoti Zelenskyy vlerësoi të gjithë ata që kanë kontribuuar pavarësisht rrezikut nga sulmet e shpeshta me raketa për gati nëntë muaj.

“Mund të ngelemi pa para, pa gaz, pa ujë të ngrohtë, pa drita, por jo pa liri”, tha ai nga pallati presidencial në Kiev.

Dita e Dinjitetit dhe Lirisë është dita që përkujton protestat pro-Bashkimit Evropian të viteve 2013-2014, që njihet si revolucioni i Majdanit për dinjitet, dhe revolucionin portokalli të vitit 2004. Në të dyja rastet, protestat u shoqëruan me rrëzim të qeverisë së Ukrainës.

Videoja e fjalimit të zotit Zelenskyy përfshinte pjesë nga përvjetori i kaluar, kur situata në vend ishte shumë më ndryshe.

“Çfarë ka ndryshuar që para një viti? Shumëçka. Toka jonë është bombarduar. Në qytete e fshatra ka postblloqe dhe pengesa kundër tankeve. Rrugët tona janë më të errëta. Shtëpitë tona janë më të ftohta”, tha zoti Zleenskyy.

“Ka shumë ndryshime, por nuk arritën të ndryshojnë gjënë më të rëndësishme. Sepse ajo nuk ndodhet jashtë, por brenda nesh në zemrat tona. Ajo ngelet e pandryshuar. Prandaj ne do t’u bëjmë ballë”, shtoi ai.

Zoti Zelenskyy tha se një ditë në të ardhmen ukrainasit do të mblidhen në sheshin qëndror të Pavarësisë në Kiev për të festuar fitoren e Ukrainës dhe paqen në të gjithë vendin. /VOA/