` . Stoltenberg: NATO-ja nuk është pjesë e konfliktit në Malësinë e Karabakut - TV SHENJA

Stoltenberg: NATO-ja nuk është pjesë e konfliktit në Malësinë e Karabakut

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se presidentit të Armenisë, Armen Sarkissian, i ka rikujtuar se aleanca ushtarake veri-atlantike nuk është palë në konfliktin e Malësisë së Karabakut, raporton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg dhe Sarkissian u adresuan një deklaratë për shtyp pas takimit të tyre në selinë e NATO-s në Bruksel.

Gjatë takimit është diskutuar situata në Malësinë e Karabakut, tha shefi i NATO-s.

“Unë i kujtova presidentit se NATO-ja nuk është pjesë e këtij konflikti. Azerbajxhani dhe Armenia janë partnerë të vlefshëm të NATO-s për më shumë se 25 vjet”, tha Stoltenberg.

Duke thënë se NATO-ja është e shqetësuar për shkeljen e armëpushimit, Stoltenberg theksoi rëndësinë e dhënies fund konflikteve, lehtësimin e vuajtjeve dhe gjetjen e një zgjidhjeje paqësore. Stoltenberg u bëri thirrje palëve të jenë të matura dhe t’i përmbahen armëpushimit, duke shprehur dëshirë që tensionet të ulen sa më shpejt të jetë e mundur.

“Shënjestrimi i civilëve është i papranueshëm dhe duhet të ndalet menjëherë. Të gjithë duhet të punojnë për një zgjidhje të qëndrueshme politike. Armenia dhe Azerbajxhani duhet t’i vazhdojnë negociatat”, deklaroi Stoltenberg.

Ai gjithashtu falënderoi Armeninë për kontributin e saj në misionet dhe operacionet e NATO-s, sikur ai në Afganistan.