` . Statistët ballkanikë të Janshës - TV SHENJA

Statistët ballkanikë të Janshës

Idetë për Serbinë e Madhe, Shqipërinë e Madhe, një Kroaci disi më të madhe dhe shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, janë joreale, por paralajmëruese. Në politikë asgjë nuk është e rastësishme. Etno-nacionalistët europianë janë duke punuar në projektin e tyre okult.

Shkruan: Boshko JAKSHIQ, Beograd

Nëse dikush këtu mendon se koha e ndarjeve dhe luftërave është varrosur në arkivat e së kaluarës, do të shfaqet një i djathtë europian me idenë ogurzeza të një rikompozimi të ri të Ballkanit Perëndimor.

Nëse deri më tani konsiderohej se me pavarësinë e Kosovës është rrumbullakuar dhe ka përfunduar shpërbërja e ish Jugosllavisë, kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, është këtu për të porositur se procesi do të përfundojë vetëm me zhdukjen e “Jugosllavisë së Vogël”, Bosnjë e Hercegovinës, letrës-lakmus të marrëdhënieve në rajon.

Ish-strategu i pavarësisë sllovene, tani hartograf me ambicie që në lojën e re të madhe ballkanike aktorëve në terren t’ua caktojë rolin e statistëve, hutoi shumë njerëz me “non-paperin” e tij, me një dokument jozyrtar për ndarjen paqësore të BeH-së dhe me tezën se tensionet në rajon do të zgjidhen përmes përcaktimit të kufijve, madje të gjashtë shteteve – Serbisë, Kroacisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Rajoni u ngrit në këmbë ndaj idesë për formimin e Serbisë së Madhe, Shqipërisë së Madhe dhe të një Kroacie disi më të madhe. Kryeministri slloven, me siklet, e mohoi se përmes kanaleve sekrete i ishte drejtuar BE-së.

Shërbimi për media i presidentit të Këshillit Europian, Sharll Mishell, së pari e konfirmoi se në shkurt e ka pranuar një “non-paper”, por më pas, me shpejtësi, e mohoi një gjë të atillë.

Gjendjen konfuze e ndërpreu portali slloven në një formë të pacensuruar, përmes publikimit të faksimilit të një dokumenti, në të cilin Jansha – dhe kush e di se kush tjetër – ofron vizionin e zgjidhjes për situatën në rajon.

Titulli i dokumentit është “Ballkani Perëndimor – rruga përpara”. Pika e parë, “Situata”, thekson se problemi kryesor i rajonit janë “çështjet e pazgjidhura nacionale të serbëve, shqiptarëve dhe kroatëve dhe shton se në rrethanat aktuale është pothuajse e pamundur të imagjinohet perspektiva europiane e Serbisë dhe Kosovës, ndërsa anëtarësimi i Bosnjë e Hercegovinës në BE plotësisht është përjashtuar.

Pika e dytë ofron “Zgjidhje”: Bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, duke u ofruar një status të veçantë serbëve në veriun e Kosovës sipas modelit të Tirolit të Jugut në Itali; dhe bashkëngjitjen e një pjese të madhe të Republika Sërpskës në kuadër të Serbisë, me të cilën Beogradi të binte dakord për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.

Çështja nacionale kroate do të zgjidhej ose duke ia bashkëngjitur kantonet me shumicë kroate në BeH Kroacisë ose duke iu ofruar status të veçantë pjesëve kroate të Bosnjë e Hercegovinës, gjithashtu sipas modelit të Tirolit të Jugut.

Boshnjakët fitojnë shtet të pavarur, të cilit me zemërgjerësi do t’i lejohej korridor drejt ujërave ndërkombëtare të Adriatikut, të cilin do ta garantonte NATO. Pastaj në referendum do të zgjidhnin midis ardhmërisë në BE apo jo në BE (ardhmëri turke).

BE-ja, së bashku me nismat e tjera rajonale, do të fillonte një agjendë gjithëpërfshirëse ekonomike, pra do të përshpejtohej anëtarësimi në BE dhe NATO.

Pika e tretë “Hapat” konstaton se “në heshtje” duhet të konfirmohet mundësia e realizimit të programit (në rrjedhë), të aktivizohet pika e parë në nivelin ndërkombëtar (në rrjedhë) dhe të krijohet një program komunikimi. Nëse “shumica e aktorëve” bien dakord, do të thotë jo të gjithë, atëherë BE-ja e merr përsipër edhe zyrtarizmin e nismës.

Pas vizatimit të kufijve qëndron ideja e vjetër që shtetet multietnike janë burim konstant i konflikteve dhe se vetëm shtetet  etnikisht të pastra mund të garantojnë siguri.

Një koncept të këtillë nacionalist, i zgjeruar me dëshirën për një Europë të pastër të krishtere, tanimë për vite me radhë janë duke e promovuar ultra-djathtistët e disponuar euroskeptikë, antiemigrantë dhe islamofobë, të cilët kohëve të fundit themeluan një aleancë: kryeministrat e Hungarisë dhe Polonisë dhe udhëheqësi i Ligës Italiane. Pritet vetëm Jansha, Partia Demokratike Sllovene konservatore e të cilit akuzohet se nga Sllovenia bëri një shoqëri autoritare.

Do të jetë e nevojshme që në ato qarqe t’i kërkojmë ata të cilët e inkurajuan kryeministrin slloven për ta hartuar “non-paperin”, duke llogaritur edhe mbështetjen e bashkëmendimtarëve të tij nëpër Ballkanin Perëndimor. Vallë, a është gjithë kjo një përpjekje për riorganizimin e të djathtës europiane pas ardhjes së Xho Bajdenit në pushtet?

Plani është shpërblim i paralajmëruar për nacionalistët serbë, kroatë dhe shqiptarë, kështu që është e qartë se kjo më së tepërmi i shqetësoi boshnjakët, të cilët do të reduktoheshin në një shtet shumë të ngushtë mysliman.

Se vërtet diçka rrotullohej prapa kodrës dhe se “non-paperi” i Janshës nuk duhet të jetë befasi aq e madhe – qoftë si një balon provë ose përgatitje analitike e terrenit – mund të kuptohet qartë edhe nga fakti se anëtari kroat i Presidencës së BeH, Zheljko Komshiq, kohëve të fundit zbuloi detaje të bisedimeve midis tre anëtarëve të kryesisë me presidentin slloven, Borut Pahor, në Sarajevë.

Në një bisedë joformale – që vërtet nuk përfaqëson pozicionet zyrtare të Sllovenisë dhe BE-së – Pahor u tha atyre se në Europë gjithnjë e më tepër dëgjohen zëra për faktin se “shpërbërjen e Jugosllavisë duhet përfunduar”. Pastaj i pyeti: “A mund ju të ndaheni në mënyrë të qetë në BeH”?

Komshiqi gjithashtu tha se ai dhe anëtari boshnjak i presidencës, Shefik Xhaferoviq, thanë se ndarja paqësore nuk ishte e mundur, ndërsa anëtari serb, Millorad Dodik – i përqendruar në pozicionin e tij se duhet insistuar në një dialog për ndarjen paqësore – kishte mendim të kundërt.

Kështu Jansha i aktivizoi kujtimet e kohërave kur Sllobodan Millosheviqi dhe Franjo Tugjmani e ëndërronin ndarjen e Bosnjës.

Aleksandar Vuçiqi thotë se “nuk e ka idenë se për çfarë bëhet fjalë”, por ai ndjen rrezikun që Dodiku e tërheq atë në një lojë të rrezikshme. “Kujdesin e madh” të parë ai e zëvendësoi me një konstatim të qartë: “Nuk mund të pajtohem me bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë; medoemos ta respektoj integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”.

Mbështetja e fortë në mbrojtje të sovranitetit ndaj Kosovës për një rrjedhë të këtillë është më e butë kur duhet të mbrohet integriteti territorial i Bosnjë e Hercegovinës. Gjithë kësaj i hedh një hije koha kur Vuçiqi dhe Hashim Thaçi biseduan për shkëmbimin e territoreve – në kundërshtim me parimin e paprekshmërisë së kufijve. Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, u shpreh me mesazhin “larg duart nga Bosnjë e Hercegovina!”, por nuk e zbuti zemërimin të cilin Sarajeva nuk e fsheh për shkak të “paternalizmit kroat dhe imperializmit mezi të maskuar”. Edi Rama është i paqartë.

Jansha konfirmon se “Sllovenia seriozisht kërkon zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe për perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”. A do të thotë kjo një paralajmërim i ndryshimit të kursit të Lubjanës, pasi që Sllovenia me 1 korrik do ta marrë presidencën e BE-së, në kohën kur nëpër Europë, jo vetëm te e djathta, është duke u ringjallur ideja për “përfundimin e shpërbërjes së Jugosllavisë”?

Pavarësisht nga fakti që Këshilli i Europës, i cili në vitin 2008 u pozicionua qartë kundër ndryshimeve të kufijve dhe tani hesht, përmbajtja e vërtetë ose e tërthortë e “non-paperit” nuk ka asnjë shans për t’u realizuar. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë që Bosnja të bëhet viktimë e shfaqjes së Janshës. Në BE shumica vlerësojnë se rivendosja e kufijve do të ishte casus belli  i llogarive me pasoja të paparashikueshme për sigurinë europiane.

Idetë për Serbinë e Madhe, Shqipërinë e Madhe, një Kroaci disi më të madhe dhe shpërbërjen e Bosnje e Hercegovinës, janë joreale, por paralajmëruese. Në politikë asgjë nuk është e rastësishme. Etno-nacionalistët europianë janë duke punuar në projektin e tyre okult. (Politika.rs)