Spiunazhi turistik rus hedh dritë mbi ndikimin e ri në Ballkan

Spiunazhi turistik rus hedh dritë mbi ndikimin e ri në Ballkan

Misionet klandestine ruse, pavarësisht luftës në Ukrainë, do të jenë më të shpeshta deri më 2030 dhe më vonë. Ngjarja në Gramsh na jep mundësi të mësojmë më shumë se si rusët janë shtrirë në jug të rajonit për një kohë të gjatë dhe si inteligjenca ruse, bashkë me grupet diversantë, mund t’i sulmojë vendet e Ballkanit Perëndimor pa asnjë problem.

Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington

Dy dekadat e fundit të antagonizmit rus në Europën Lindore shpërthyen me një luftë të përgjakshme në Ukrainë. Vite të tëra Rusia e Putinit dhe Medvedevit ledhatoi shumë shtete dhe liderë, duke filluar nga Budapesti, Beogradi e deri në Shkup, me shpresën për të siguruar partnerë për zbatimin e politikave të manipulimit. Me shumë lehtësi, Moska arriti të mbajë pas vetes rajonin e Ballkanit – nën tymin e konflikteve të ngrira, gjendje e cila vazhdon edhe sot me kërcënimet e Serbisë, për të vazhduar zgjerimin territorial në Bosnjë dhe në Kosovën Veriore. Disa shenja tregojnë se Serbia, bashkë me Rusinë, janë të interesuara që kjo pjesë e Ballkanit t’i shërbejë Moskës si nyjë strategjike e trazirave kundër Perëndimit dhe me shpresën për të vendosur në të ardhmen sisteme raketore ruse. Nga ana tjetër, duket e pakuptimtë se si shtetet me popullsi të përzier etnike dhe fetare arrijnë të mbajnë balancën ndërmjet Moskës, BE-së dhe SHBA-së. Rast specifik, përveç Serbisë, është edhe Maqedonia e Veriut, e cila edhe pse është anëtare e NATO-s, pjesa maqedone e popullsisë vazhdon ta ëndërrojë Putinin dhe vëllazërinë ortodokse.

 

Serbia dhe Rusia nuk e ndryshojnë qasjen

Absurditeti bëhet më i madh kur dihet se popullata maqedone ushqehet nga fondet amerikane dhe të shteteve të BE-së, ndërsa pa pasur nevojë vazhdon ta dashurojë “Botën serbe” dhe ta mbështet fshehurazi procesin e “denazifikimit” të Ukrainës, me mundësi që kjo atmosferë të shpërndahet edhe në Ballkanin Perëndimor. Gjendja është e njëjtë gjithashtu në Serbi, e cila hapur me vite ka sfiduar dhe vazhdon të tallet me Uashingtonin dhe Brukselin. As vërejtjet e ambasadorit amerikan në Serbi, Kristofer Hill, dhe lavdërimet e tij ndaj presidentit Vuçiq nuk kanë ndikuar në ndryshimin e qasjes së politikës së jashtme dhe të sigurisë serbe. Dhe, as më pak në uljen e kontratave të kompanive serbe me ato ruse, izraelite dhe kineze. Tash e tutje, Uashingtonit nuk i mbeten shumë opsione, mirëpo vendosja e sanksioneve as që shihet si mënyrë shtrëngimi kundër Beogradit, por realisht SHBA-ja nuk mund ta durojë këtë gjendje “neutrale” të Serbisë. Një zgjidhje që mund të duket pak larg, por që mund të sjellë rezultate, është propozimi “Ligji për Demokraci dhe Përparim në Ballkanin Perëndimor” nga Kongresi Amerikan, i cili parashikon një sërë masash për të parandaluar ndikimin rus dhe kinez në Ballkan dhe një paketë ndihmash me afro katër miliardë dollarë. Ajo që mbetet e paqartë është mënyra e shpërndarjes së dollarëve amerikanë dhe drojës së derdhjes së mjeteve financiare të taksapagueseve amerikanë në gojën e keqpërdorueseve qeveritarë, të klaneve partiake dhe medias së lidhur ngushtë me politikën. Këtë gjë duhet ta kenë parasysh Departamenti i Shtetit dhe agjencitë e tjera të zhvillimit ndërkombëtar amerikan, si një rast i mirë për të pasur sukses “Plani Mini-Marshall” në Ballkan.

Vazhdimi i lojës serbo-ruse në Ballkan ka lënë pa gjumë shumë senatorë amerikanë dhe vëzhgues. Rusia dhe planet e përbashkëta me Serbinë janë një ndër shqetësimet e Kongresit Amerikan. Aktualisht, as NATO, as SHBA-ja dhe as organizatat e tjera të rëndësishme nuk kanë ndonjë strategji ose “contigency plans” në mbrojtje të shteteve të Ballkanit Perëndimor nga një sulm ruso-serb, këtu kryesisht serb, i mbështetur nga elementë rusë të spiunazhit dhe sulm kibernetik. Shtetet anëtare të NATO-s mbështeten në Nenin 5 të “Traktatit të Uashingtonit”, megjithëse në një skenar të tillë, kur lufta do të ishte e përgjithshme në Europë dhe në Ballkan, fitues nuk do të ketë. Një aventurë të tillë, pavarësisht luftimeve rreth centraleve bërthamore të Ukrainës, vështirë se do ta dëshmojmë tani për tani. Megjithatë, në rajonin e Ballkanit nuk përjashtohet mundësia e konflikteve të vogla dhe të izoluara, sa për të plotësuar objektivat, qoftë të “Botës serbe” ose procesit të “denazifikimit” rus. Ndërkohë, udhëheqja ruso-serbe ka investuar gjithnjë e më shumë në përhapjen e propagandës, e cila është e lirë dhe jo e kushtueshme për Rusinë dhe Serbinë. Mediat e Beogradit kanë shkruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon likuidimin e serbëve. Gjithashtu në tabloidët serbë, Putini vazhdon të mbetet në faqet e para, pa përjashtuar këtu retorikën e Vuçiqit rreth raporteve me Kosovën dhe krizën e fundit në veri.

Përveç kësaj, mobilizimi i vullnetarëve lokalë dhe atyre nga jashtë Ballkanit mbetet një sfidë tjetër për Bosnjën dhe Kosovën, pa përjashtuar këtu edhe Maqedoninë e Veriut. Është raportuar se njësi ruse veprojnë në Moldavi, por nuk ka asnjë informacion nëse formacione të tilla paramilitare ruso-serbe, me përbërje çeçene mbështeten po nga Serbia në Ballkan. Kriza në veri të Kosovës dhe fati i bisedimeve në Bruksel do të jetë vendimtar nëse Rusia, bashkë me Serbinë, do të bëhen më aktive dhe do t’i ndryshojnë metodat e veprimit. Aktualisht, ndikimi rus është i dukshëm në fushën e propagandës, pra të mbushjes së mendjeve të qytetarëve sllavë në Ballkan se Rusia është duke e fituar luftën në Ukrainë dhe, pa dyshim, në mbajtjen gjallë të vëllazërisë ortodokse rajonale. Kisha ortodokse, pavarësisht dallimeve, e ka rolin e saj dhe është vërtetuar se ky institucion fetar është bërë pjesë e politikave shtetërore ruso-serbe dhe bazë e shërbimeve sekrete. Në këtë drejtim, se propaganda ruso-serbe nuk është vetëm një teori konspirative, e vërteton njoftimi se “Universiteti Shtetëror i Moskës” ofron program specializimi në luftën hibride. Ndërkohë, me sulmin e spiunëve rusë në uzinën ushtarake të Gramshit në Shqipëri, taktikat hibride ruse dhe, sidomos, ajo e veprimit klandestin nuk kanë marrë fund, as në Europën Perëndimore, Lindore dhe as më pak në Ballkan.

 

Misionet klandestine ruse deri më 2030

Misionet klandestine ruse, pavarësisht luftës në Ukrainë, do të jenë më të shpeshta deri më 2030 dhe më vonë. Ngjarja në Gramsh na jep mundësi të mësojmë më shumë se si rusët janë shtrirë në jug të rajonit për një kohë të gjatë dhe si inteligjenca ruse, bashkë me grupet diversantë, mund t’i sulmojë vendet e Ballkanit Perëndimor pa asnjë problem. Spiunët rusë dhe serbë, të mbuluar qoftë si diplomatë, analistë, gazetarë dhe turistë, do të mbeten sfida e re për organet e sigurisë të shteteve ballkanike. Për këtë gjë, përkundër sanksioneve ndërkombëtare, qeveritë e Ballkanit Perëndimor shumë pak kanë bërë. Tash e tutje duhet të ballafaqohen me pasojat e spiunazhit dhe të sulmeve të papritura ruse. Dhe, jo vetëm kaq. Sulmi në Gramsh është një alarm për Ballkanin dhe NATO-n, bashkë me SHBA-të, se si do të duket dekada me Rusinë dhe një Serbi e cila e dëshiron veriun e Kosovës, Bosnjën, të mbajë lidhje të forta me Moskën dhe Pekinin dhe, në fund, të vazhdojë të marrë fonde nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pozicioni serb, kinse netutral, pas sulmit në Shqipëri do të bëhet më i qartë për Uashingtonin zyrtarë dhe mund të shkojë në dobi të Kosovës në ndërtimin e një strategjie më të fortë bisedimesh, e cila me gjasë të ndikojë në ndryshimin e mendimit të SHBA-së ndaj procesit të bisedimeve në Bruksel dhe marrëveshjes së re serbo-kosovare. Për sa i përket propagandës së disa mediave shqiptare në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, ka media që duke e akuzuar qeveritë legjitime atje, me qëllim po nxisin debate që shkojnë në anë të Rusisë dhe Serbisë. Ndërkaq, për fat të keq, në hapësirën shqiptare, narracioni proserb dhe, deri diku, promaqedonas do të vazhdojë të jetë i pranishëm.