Spektakël golash në Turqi, Ballkani arrin fitore historike ndaj Sivasspor

Spektakël golash në Turqi, Ballkani arrin fitore historike ndaj Sivasspor

Ballkani arriti një fitore historike në Turqi teksa përballë Sivasspor regjistroi fitoren e parë në grupet e Conference League duke triumfuar me rezultatin 3-4. Në fakt, skuadra e trajnerit Ilir Daja e nisi sfidën në malore duke pësuar pa u mbushur një minutë lojë teksa u ndëshkuan në sekondën e 33-të nga Ulvestad.

Megjithatë, ekipi kampion i Kosovës rekuperoi shokun e momentit të parë dhe me kalimin e minutave morën frenat e lojës në dorë për të mbërritur tek minuta e 20-të kur Thaqi realizoi një supergol nga distance. Goli i dha zemër Ballkanit që në minutën e 31-të përmbysi shifrat pas një aksioni model të finalizuar në fund nga Potoku. Me shifrat 1-2 u mbyll pjesa e parë ndërsa në fraksionin e dytë, për të besuarit e Dajës ishte një dramë e vërtetë.

Në fakt, u duk sikur ndeshja po shkonte në drejtimin e duhur pas golit të Korenicës, por vendasit nuk u dorëzuan dhe në minutën e 75-të, Erdogan shkurtoi diferencat. Ishte po i njëjti autor që në të 91-tën barazoi rezultatin, e megjithatë, dy minuta më pas Ballkani kapi kundërshtarët në kundërsulm teksa Krasniqi i dhuroi suksesin historik të tijve. Pas kësaj ndeshje, Ballkani shkon në kuotën e katër pikëve në grup dhe mban vendin e dytë duke shpresuar për një kualifikim të mundshëm në fazën e ardhshme.