Spanjë, në vjeshtë fillon aplikimi i dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19

Spanjë, në vjeshtë fillon aplikimi i dozës së katërt të vaksinës kundër COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë së Spanjës, Carolina Darias tha se në vjeshtë do të fillojë aplikimi i dozës se katërt të vaksinës kundër COVID-19 për të gjithë popullatën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në një televizion spanjoll, Darias tha se është marrë vendimi që për të gjithë popullatën të aplikohet doza e katërt e vaksinës kundër COVID-19 dhe pavarësisht se nuk është caktuar ende një datë është parashikuar që vaksinimet të fillojnë në vjeshtë.

Vaksinat e reja thuhet se janë në përputhje me nënvariantet e Omicron BA.4 dhe BA.5 të cilat aktualisht përkojnë me 45 për qind të rasteve të COVID-19 të cilat regjistrohen në Spanjë.

Që nga fillimi i pandemisë e deri më tani në Spanjë numri i rasteve ka arritur në 12.515.127 ndërsa në 7 ditët e fundit nga virusi janë prekur 35.088 persona.

Aktualisht në spitale vazhdojnë trajtimin 6.763 pacientë, 342 prej të cilëve janë në kujdes intensiv.

Në Spanjë, 92 për qind e popullsisë mbi 70-vjeç që përbën 75 për qind të atyre që kanë humbur jetën nga COVID-19, kishin përfunduar procesin e vaksinimit me dozën e tretë.

Në vend 93 për qind e popullsisë mbi 12-vjeç janë vaksinuar me të paktën dy doza.