` . Sovraniteti popullor dhe vetëvendosja - TV SHENJA

Sovraniteti popullor dhe vetëvendosja

Kombi, si bashkësi kohore e shumë brezave njerëzore, shfaqet si zgjidhje e paradoksit të përcaktimit të shtrirjes së popullit. Nëse populli shtrihet deri aty ku mbarojnë kufijtë e shtetit, pra del që shteti është përcaktues i popullit, atëherë si mundet populli (parashtetëror) ta ketë themeluar shtetin?

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

I

 

Sipas konceptimit të sovranitetit popullor, “populli” nuk është vetëm tërësia konkrete e qytetarëve të tanishëm, por edhe njësia abstrakte që përbëhet nga brezat e shkuar, të tashëm e ata që do të vijnë. Në këtë mënyrë krijohet përfytyrimi i “dy trupave të popullit”, sepse trupit të qytetarëve që marrin pjesë në institucionet publike i shtohet përfytyrimi i një bashkësie historike parashtetërore. Sovraniteti i popullit, sipas përfytyrimit të dytë, që mund ta quajmë sovraniteti i kombit për ta dalluar nga trupi i qytetarëve, shprehet përmes krijimit të shtetit dhe të kushtetutës dhe, në parim, është i papërcjellshëm te përfaqësuesit. Ndërsa populli konkret, bashkësia e qytetarëve të tanishëm, me anë të përfaqësuesve të votuar, i ushtron vetëm ato pushtete që ia lejon kushtetuta në fuqi. Kushtetutat dhe ligjet e shteteve përmbajnë klauzola që parashikojnë sovranitetin popullor, si p.sh. ato që mbrojnë integritetin territorial dhe vazhdimësinë e shtetit, por gjithashtu varet edhe nga vetëdija dhe vullneti i përfaqësuesve të qytetarëve që të sillen edhe si përfaqësues të kombit, që do të thotë se mbi interesat e llogaritjet vetjake, por edhe mbi ato të votuesve të tyre të vendosin ato që ata janë në gjendje t’i shquajnë si interesa të pakohë të kombit dhe atdheut. Nëse përfaqësuesit e qytetarëve nuk e kanë këtë vetëdije kombëtare, atëherë ligjet nuk arrijnë dot ta mbrojnë as integritetin territorial të shtetit dhe as interesat kombëtare. Prandaj, ushtrimi i demokracisë parlamentare kërkon përgjegjësi të madhe si nga përfaqësuesit, por më shumë nga zgjedhësit që i votojnë të parët.

Një popull me vetëdije të lartë kombëtare kërkon edhe me një lloj intuite kolektive, pikërisht ata përfaqësues, ligjvënës dhe qeveritarë që mbrojnë jo vetëm interesat afatshkurtra, por edhe që dinë të marrin vendime që burojnë nga historia e popullit dhe që i shërbejnë ardhmërisë së tij. Një popull që voton vetëm për interesa afatshkurtra, shpejt e shikon veten më të varfëruar, më të nëpërkëmbur dhe në një tërheqje të vazhdueshme përballë sulmit të armiqve. Demokracia në thelb është një procedurë për t’i zgjedhur ata që ushtrojnë sovranitetin, asgjë më shumë. Për shembull, në Shqipëri dhe Kosovë ka ligje shumë të mira që i rregullojnë procedurat e delimitimit kufitar me shtetet fqinje, mirëpo ato ndihmojnë ata vendim-marrës që e kanë vullnetin ta mbrojnë integritetin territorial dhe interesat kombëtare. Nëse kryeministra si Ramush Haradinaj dhe shumica e deputetëve në Kosovë, ose Sali Berisha e Edi Rama dhe shumicat e deputetëve që kanë pasur pas vetes në Shqipëri, llogarisin se nga dhënia e mbi 8,000 hektarëve Malit të Zi dhe hapësirës detare Greqisë nuk do të mbajnë përgjegjësi ligjore, por do të kenë veçse përfitime, atëherë qartazi kemi dështuar në ngritjen e institucioneve shtetërore e demokratike dhe nuk kemi asnjë garanci që veprime të dëmshme për ne si qytetarë dhe për kombin nuk do të përsëriten. Në të vërtetë, ne po shohim se si rendi kushtetues po na zhbëhet para syve: në Kosovë Hoti dhe shpura e politikës së vjetër po e ringjall Zajednicën, të cilën e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, në Shqipëri Rama dhe Basha po e ringjallin delitimimin e dëmshëm të detit, të cilin po ashtu Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë.

 

II

 

Kombi, si bashkësi kohore e shumë brezave njerëzore, shfaqet si zgjidhje e paradoksit të përcaktimit të shtrirjes së popullit. Nëse populli shtrihet deri aty ku mbarojnë kufijtë e shtetit, pra del që shteti është përcaktues i popullit, atëherë si mundet populli (parashtetëror) ta ketë themeluar shtetin? Pra, përkufizimi i popullit/kombit duhet të jetë patjetër edhe jopolitik duke qenë politik dhe këtu hyn në lojë nacionalizmi, i cili e përkufizon kombin duke iu referuar një kulture dhe një historie të veçantë. Për ta bërë të qartë me një shembull, le të marrim tekstin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, që përbëhet nga një fjali e vetme: “Pas fjalëvet që tha z. Kryetar IsmailKemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Në këtë fjali nënkuptohet se Shqipëria dhe shqiptarët kanë ekzistuar si edhe para aktit të themelimit të shtetit shqiptar. Shqiptarët nuk e kanë humbur sovranitetin gjatë sundimit osman dhe pavarësia nga perandoria po shpallet in extremis, ngaqë po kërcënohet ekzistenca e tyre si shqiptarë. Delegatët, edhe pse të kufizuar në hapësirë e kohë, po veprojnë me një zë, si shqiptues të sovranitetit të kombit, diçka që i kapërcen ata vetë, ngaqë efektet e aktit të tyre supozohet se janë të pakthyeshme. Shqipëria “e mosvarme” e anulon paraprakisht çdo akt tjetër në të ardhmen, që mund ta shpallë “të varme”, d.m.th. të robëruar e josovrane. Nëse diçka e tillë ndodh, ajo konsiderohet si jolegjitime, populli nuk e humbet sovranitetin e tij gjatë kohës kur shteti është i pushtuar dhe ka të drejtë ta rithemelojë sërish kontratën politike me veten. Karl Shmit, një nga teoricienët më të njohur të së drejtës kushtetuese, thotë se edhe pas krijimit të shtetit, populli/kombi mbetet “njësi amorfe por formuese” (gjer. Formlos Formende), sepse ai mund ta ripohojë sërish vullnetin politik me anë të miratimit të kushtetutave të reja.

Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë mund të vërehen dy përfytyrimet e popullit që cekëm më lart. Në nenin 2, pikat 1 dhe 2, thuhet: “Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti”. Këtu bëhet fjalë për popullin konkret, qytetarët që jetojnë në territorin e republikës. Ndërsa përfytyrimi abstrakt i popullit është ai i parathënies: “Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen”. Dimensioni kohor e barazon popullin me kombin. Ky koncept del edhe në nenin 8/1: “Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”. Pra, kombi ka jetë të pavarur nga shteti, i paraprin dhe është edhe jashtë tij; është shteti ai që ka detyrë t’i mbrojë të drejtat e kombit, të pjesës brenda kufijve dhe të asaj të mbetur jashtë. Në rastin e shteteve shumëkombëshe, shkrirja në një e dy trupave të popullit është e pamundur dhe kjo pasqyrohet edhe në kushtetuta. Për shembull, formula e sovranitetit popullor në Republikën e Maqedonisë së Veriut është kjo: “Në Republikën e Maqedonisë së Veriut sovraniteti buron nga qytetarët dhe u takon qytetarëve”. Qëllimisht është theksuar përfytyrimi i parë i popullit, në mënyrë që të shmangen kundërshtitë mbi përcaktimin historik e kulturor të popullit. Maqedonia e Veriut është shteti ku po vihet në provë bashkëjetesa e një kombi tejshtetëror (shqiptarët) me një komb nënshtetëror (maqedonasit).

Sovraniteti kombëtar është nyja që e lidh kombin me shtetin: ai, në njërin krah, e kombëtarizon politikën, duke bërë që populli, si autoriteti i fundmë në një shtet, ta përfytyrojë veten si një bashkësi e fatit; në krahun tjetër, ai e politizon kombin, sepse i bën ata njerëz që janë të lidhur nga kultura ta mendojnë bashkësinë e tyre si politike. Në rast se nuk kanë një shtet të tyrin, ata “zgjohen” dhe nisin ta kërkojnë si një të drejtë të mohuar, edhe për faktin se tashmë ata e konsiderojnë si jolegjitim sundimin e huaj mbi ta dhe mbi territorin që pretendojnë se u përket atyre. Nuk ka rëndësi nëse sundimtarët e huaj sillen mirë ose keq me kombin në fjalë; ata duhet të mos sundojnë më mbi të. Ernest Gellneri e ka vërejtur mjaft mirë që ideja e sovranitetit kombëtar ndodhet në bërthamën e ideologjisë së nacionalizmit. Ai shkruan: “Nacionalizmi në thelb është parim politik i cili konsideron që njësia politike dhe ajo kombëtare duhet të përputhen… Ka mënyra të shumta me të cilat mund të shkelet parimi nacionalist… Mirëpo, është një trajtë e veçantë e shkeljes së parimit nacionalist ndaj së cilës ndjenja nacionaliste është posaçërisht e ndjeshme: nëse sundimtarët e njësisë politike i takojnë një kombi tjetër nga ai të cilit i takon shumica e të sunduarve, kjo për nacionalistët është një shkelje posaçërisht e padurueshme e korrektësisë politike. Kjo mund të ndodhë ose përmes përfshirjes së territorit kombëtar në ndonjë perandori më të madhe, ose përmes mbizotërimit lokal të ndonjë grupi të huaj” (Kombet dhe nacionalizmi, Prishtinë, 2009, f. 27). Shteti kombëtar mbetet ende mbizotërues, sepse kryen dy funksione themelore: (1) ofron sigurinë e nevojshme për zhvillimin e çdolloj veprimtarie tjetër njerëzore dhe (2) ai legjitimon demokracinë. Për të dyja funksione ende nuk duket se ka alternativa të besueshme në horizont. Për sa i përket demokracisë, ajo nuk mund të bëjë pa vetëvendosjen.

 

III

 

Vetëvendosja është ana tjetër e sovranitetit popullor dhe ka të bëjë më të drejtën e një populli/komb për të vendosur për fatin e vet politik. Nëse deri para Luftës së Dytë Botërore flitej për parimin e vetëvendosjes së popujve, pas Luftës së Dytë Botërore dokumentet themeluese të rendit ndërkombëtar sanksionuan të drejtën e vetëvendosjes së popujve. Neni 1 i OKB-së thotë se qëllimi i saj është “të zhvillojë marrëdhënie miqësore midis kombeve, të bazuara në respektimin e parimit të të drejtave të barabarta dhe të vetëvendosjes së popujve”. Kurse në Paktin Ndërkombëtar mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të vitit 1966 thuhet se “të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e vet politik dhe vijojnë lirisht zhvillimin e vet ekonomik, social e kulturor”. Ky nen u hartua për të bërë të mundur njohjen ndërkombëtare të shteteve të rinj paskolonialë. Mirëpo, meqenëse vetëvendosja e popujve është tashmë një e drejtë dhe në dokumentet themelore ndërkombëtare kjo e drejtë nuk kufizohet shprehimisht vetëm për kolonitë formale, lëvizje nacionaliste e çlirimtare anembanë botës kanë kërkuar që popujve përkatës t’u njihet e drejta e vetëvendosjes, deri në shkëputje prej shtetit ekzistues.

Çështja që ndodhet në thelb të idesë së vetëvendosjes së popujve është përcaktimi i “popullit”. Me fjalë të tjera, kush ka të drejtë të vetëvendosë? A është shteti përcaktues i popullit (qytetaria) apo kultura e historia e tij (kombi)? Gjatë shpërbërjes së federatës së Jugosllavisë, iu dha përparësi shtetit: qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës u konsideruan popull kur atyre iu njoh e drejta e vetëvendosjes për t’u shkëputur nga Jugosllavia, edhe pse ata kulturalisht e historikisht identifikoheshin me tre kombe. Përfaqësuesit e Republikës së Kosovës nuk u pranuan në Konferencën e Dejtonit, sepse elita komuniste e Jugosllavisë shqiptarët i kishte përkufizuar si kombësi, pra si bashkësi që nuk mund të ishte sovrane. Mirëpo ishin vetë përfaqësuesit politikë shqiptarë që u detyruan ta braktisnin idenë e vetëvendosjes popullore. Në kushtet e spastrimit etnik që po ndërmerrte makineria ushtarake e Serbisë në vitet 1998-1999, delegacioni shqiptar në Konferencën e Rambujesë, në mënyrë që të merrte mbështetje ndërkombëtare humanitare, nënshkroi zhbërjen e republikës së parë të Kosovës, e cila ishte miratuar me referendum popullor dhe pranoi sovranitetin e Jugosllavisë dhe administrimin e përkohshëm ndërkombëtar.

Në vitin 2008 pavarësia e Republikës së Kosovës u njoh sui generis, pra pa marrë në konsideratë se çfarë kriteresh për njohje ishin përdorur për republikat e tjera të Jugosllavisë, pa iu referuar të drejtës për vetëvendosje të popujve, në mënyrë që ky rast të mos vlente si precedent. Këtë e shpjegoi në atë kohë sekretarja e Shtetit e SHBA, Kondoliza Rajs: “Ndërthurja e pazakontë e faktorëve në situatën e Kosovës – përfshirë kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë, historinë e spastrimit etnik dhe krimet kundër civilëve në Kosovë, si edhe periudhën e zgjatur të administrimit nga OKB-ja – nuk gjenden askund tjetër, prandaj e bëjnë Kosovën një rast të veçantë. Kosova nuk mund të shihet si precedent për asnjë situatë tjetër në botën e sotme”. (cit. te M. Fabry, “The Contemporary Practice of State Recognition: Kosovo, South Ossetia, Abkhazia, and Their Aftermath”, Nationalities Papers, 2012, nr. 40 [5], f. 666). Ky arsyetim nuk u pranua nga Rusia. Presidenti Vladimir Putin, në vitin 2007, tha “nuk ka asgjë që na sugjeron se rasti i Kosovës është i ndryshëm prej atij të Osetisë së Jugut, Abkazisë apo Transdnistrisë” (cit. po aty: 667). Një vit më vonë, Rusia i njohu zyrtarisht republikat separatiste në territorin e Gjeorgjisë, duke cituar precedentin e Kosovës. Në vitin 2014 presidenti Putin e justifikoi njohjen e pavarësisë së Krimesë dhe bashkimin e mëpasshëm me Rusinë, duke iu referuar, veç të tjerash, edhe precedentit të pavarësisë së Kosovës. Sigurisht që diplomacia ruse e ekzagjeron ngjashmërinë dhe i minimizon dallimet midis dy rasteve, sepse në Krime nuk ka pasur spastrim etnik dhe as dhunë sistematike e terror kundër civilëve; pavarësia e Kosovës u shpall pasi u provua të arrihej një zgjidhje dypalëshe gjatë bisedimeve disavjeçare të ndërmjetësuara nga OKB-ja, ndërsa në Krime ndërhyrja ruse ishte e vetmuar dhe e njëanshme, pra jashtë normave ndërkombëtare për raste të tilla. Gjithsesi fakti mbetet që sovraniteti dhe vetëvendosja do të jenë në këtë shekull kryefjala e përplasjeve të mëdha gjeopolitike në Euroazi e më gjerë.