Sot vazhdon seanca parlamentare për propozimin francez

Sot vazhdon seanca parlamentare për propozimin francez

Në Kuvend dje filloi debati për Informacionin për përmbajtjen e Propozim-kornizës negociuese për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të vendit me Bashkimin Evropian, me fjalimin e kryeministrit Dimitar Kovaçevski, i cili porositi se ky propozim evropian për zhbllokimin e procesit tonë të integrimeve evropiane dhe fillimin e bisedimeve të vendit me BE-në në mënyrë të vërtetë i pasqyron pozicionet tona të definuara. Paraprakisht, në paraqitjen para deputetëve, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen theksoi se me pranimin e propozimit vendi do të bëjë edhe një hap drejt BE-së dhe se tani është momenti që të vazhdojmë përpara “drejt të ardhmes sonë të përbashkët në BE me Maqedoninë e Veriut si anëtare e plotfuqishme”.

Kryeministri Kovaçevski para deputetëve porositi se me propozimin e ofruar, gjuha maqedonase qartë precizohet si gjuhë unike, e njohur dhe e pranuar për Bashkimin Evropian.

“Kjo është ajo që e kërkuam. ADN-ja jonë nacionale, gjuha maqedonase, të jetë gjuhë zyrtare dhe e vetme oficiale. Po, me propozimin evropian, i tërë procesi i negociatave tona, të gjitha miliona faqet në vitet që pasojnë, përfundimisht me Aktin për anëtarësim të barabartë, do të shkruhen në gjuhën maqedonase. Në gjuhën maqedonase do të flitet zyrtarisht edhe në Bruksel dhe në të gjitha kryeqytetet evropiane. Kjo është e arritura më e madhe, suksesi më i rëndësishëm”, theksoi kryeministri.
Ai potencoi se të gjitha çështjet bilaterale nuk janë pjesë e Kornizës negociuese me Brukselin dhe ajo është e liruar nga lloji i tillë i çështjeve dhe me propozimin evropian, definohet mbajtja e Konferencës së parë ndërqeveritare menjëherë.

“Morëm përfundimisht, pas 17 viteve pritje, dhe shumë paralajmërimeve, dhe shumë zhgënjimeve pas tyre, fillim zyrtar të negociatave me takim të tërë Qeverisë me Komisionin Evropian. Me të gjitha nishanet dhe standardet. E ajo është, deputetë të nderuar, e vërteta e vetme në këtë stuhi të manipulimeve, spekulimeve, lajmeve të rrejshme dhe dëmeve të qëllimshme dhe të paqëllimshme dhe krijim të krizës dhe destabilizimit të shtetit. propozimit të këtillë, i cili plotësisht i pasqyron interesat tona shtetërore dhe linjat e kuqe, unë, Qeveria dhe Presidenti i shtetit, i thashë dhe i thamë PO”, potencoi Kovaçevski.

Ai theksoi se edhe deri më tani kemi pasur vendime të vështira, por të nevojshme dhe kur kemi miratuar Marrëveshjen e Ohrit dhe të Prespës dhe pas tyre shteti mbijetoi, nuk u shemb, nuk u nda, por përkundrazi u bashkua me NATO-n.

“Duke pranuar propozimin evropian, Kornizën Negociuese dhe konkluzionet e Kuvendit, ne mbetemi në rrugën e vetme, për të cilën askush nuk ka ofruar alternativë për më shumë se 30 vjet. Në mënyrë shumë domethënëse, ne po fillojmë të ecim shpejt dhe të ndryshojmë vendin, përmes procesit të negociatave”, shtoi Kovaçevski.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Fon der Lajen në fjalimin para deputetëve porositi se sot është këtu sepse Evropa na pret dhe shpreson se do të bëjmë edhe një hap drejt Bashkimit Evropian si anëtare e plotfuqishme.

“Shteti juaj, është kandidat që të bëhet vend anëtar i BE-së që nga viti 2005, ndërsa shumë nga ju këtu dhe shumë të tjerë që mungojnë, keni punuar shumë që të bëheni anëtare e BE-së, por tani të gjithë, siç tha, duhet të shikojmë përpara dhe të punojmë bashkë në rrugën që ju dërgon në BE”, theksoi Fon der Lajen.

Ajo theksoi se nuk ka dyshim se gjuha maqedonase është gjuha juaj dhe ne plotësisht e respektojmë këtë. “Prandaj në propozimin e rishikuar qëndron gjuha maqedonase pa kualifikim nga BE-ja. Parimi i vetëidentifikimit është veçanërisht i rëndësishëm për secilin prej nesh. Mund të konsideroni tek unë si kryetare e KE-së se do të siguroj që procesi i inkuadrimit t’i respektojë rreptësisht parimet dhe standardet evropiane”, theksoi Fon der Lajen.

Kryetarja e Komisionit Evropian theksoi se me pranimin e hapit të parë nga propozimi i rishikuar francez tashmë javën e ardhshme është i mundur fillimi i bisedimeve për anëtarësim.

“Të gjithë jeni të vetëdijshëm dhe të njoftuar me këtë propozim të rishikuar. I mbron interesat e juaja dhe i merr parasysh hallet e të gjitha palëve. Jini të sigurt se KE gjithnjë ishte afër këtij shteti, në anën tuaj dhe vazhdon të qëndrojë në anën tuaj”, porositi Fon der Lajen.

Në diskutimin në Kuvend pas fjalimit të kryeministrit, gjatë të cilit deputetët e VMRO-DPMNE-së bënë zhurmë me vuvulza, bori dhe bilbila që të mos dëgjoheshin ato që tha dhe mbanin pankarta “tradhtarë të popullit”, “gjuha dhe identiteti”, “populli thotë jo, vetëdijësohuni”, deputetët e opozitës porositën se nuk do të lejojnë “të hapet dhe të ndryshohet Kushtetuta” dhe akuzuan se propozimi i propozuar ndërhyn me gjuhën, identitetin dhe historinë dhe bëhet “bullgarizim”. Deputetët në pushtet u përgjigjën se “të gjitha gënjeshtrat dhe manipulimet” e VMRO-DPMNE-së kanë rënë në ujë dhe partia duhet t’u kërkojë falje qytetarëve për përhapjen e “gënjeshtrave dhe mjegullnajave”.

Pas fjalimit të Fon der Lajen, në një konferencë për media, lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, deklaroi se partia ka tri dilema nga fjalimi i saj. Sipas tij, dilema e parë është nëse negociatat do të fillojnë menjëherë pas mbajtjes së konferencës ndërqeveritare apo pas ndryshimit të Kushtetutës.

“Dilema e dytë është çështja për historinë. U përmend, tha ai, se nuk do të flasim për historinë, por këtë nuk e thotë neni 14 nga dokumenti i njejtë. Neni 14 thotë tërësisht të kundërtën, e ajo është se këto ditë do të nënshkruhet dokumenti që do të quhet Protokoll dhe në të do të flitet për gjithçka, vetëm jo për sundim të së drejtës, luftës me korrupsionin dhe krimin, ekonomi më të mirë dhe shëndetësi, arsim më kompetitiv. Do të flasim për mesjetën, për shekujt e 18 dhe 19, të kujt ishin Goceja dhe Dameja, e kujt ishte Kryengritja e Ilindenit etj. Që do të thotë se sipas nenit 14 dhe Protokollit, të cilin askush në opinionin e Maqedonisë nuk e ka parë, as nuk e ka lexuar përmbajtjen e tij, do të flasim për gjithçka, vetëm jo për të ardhmen. Do të flasim për probleme nga e kaluara, përkatësisht se si në shekullin 21 të asimilohet gjuha maqedonase dhe të shkatërrohet identiteti maqedonas”, tha lideri i VMRO-DPMNE-së.

Dilema e tretë është deklarata hyrëse – neni 3, ku, si tha Mickoski, qëndron qartë se Korniza negociuese do të përkthehet në gjuhën maqedonase, por pala bullgare do të japë deklaratë të njëanshme se si e sheh gjuhën maqedonase. “Në nenin 3 qartë qëndron se do të kemi deklaratë unilaterale nga fqinji ynë lindor se gjuha maqedonase me siguri është ndonjë version i gjuhës bullgare”, tha Mickoski në konferencë për shtyp.

Në lidhje me seancën parlamentare për propozim-kornizës negociuese foli edhe komisioneri evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë së Mirë, Oliver Varheji, i cili u shpreh se sytë dhe veshët e BE-së janë drejtuar drejt vendit.

“Sytë dhe veshët tanë janë të drejtuar nga Shkupi dhe duhet të kemi një debat demokratik. Ju e patë që Fon der Lajen dha një kontribut të drejtpërdrejtë. Le të zhvillohet debati dhe pastaj le të shprehim qëndrimet tona, tha ai.

Rama, nga ana e tij, shfyqi shpresën se rezultati i debatit në Kuvendin tonë “do të jetë pozitiv”, paralajmëroi se nëse nuk hapen negociatat për Shqipërinë, të nesërmen do të kërkojë “ndarje nga çështja maqedonase-bullgare”. “Uroj që Kuvendi i Maqedonisë së Veriut t’i hapë rrugën propozimit të Francës dhe të dy vendeve për të hyrë në negociata”, deklaroi Rama.

Presidenti Stevo Pendarovski para seancës parlamentare në takim me Fon der Lajen tha se pranimi i propozimit francez do të mundësojë zhbllokimin e integrimeve evropiane dhe hapjen e fazës së parë të negociatave për anëtarësim, që do të jetë një impuls pozitiv për procesi i reformës dhe progresi i vendit.

Mbledhja kuvendore vazhdon sot me debatin për Informacionin për përmbajtjen e Propozim-kornizës negociuese për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të vendit me Bashkimin Evropian, ndërsa para Kuvendit përsëri janë paralajmëruar protesta kundër propozimit francez.

Sipas zëvendëskryemnistit për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, nëse mbështetet ky “propozim francez” i reviduar, negociatat për vendin për anëtarësim në BE do të fillojnë që javën e ardhshme, me organizim të konferencës ndërqeveritare, me të cilën do të fillojë procesi i skriningut.

“Skriningu është një fazë fillestare dhe e domosdoshme e secilës prej negociatave. Ajo që për ne është me rëndësi është se nuk do të ketë kushtëzime shtesë nga Bullgaria, përveç kësaj që tashmë e kemi pranuar, e ajo është ndryshimi i Kushtetutës për shkak të futjes së komunitetit bullgar në Kushtetutë. Dhe kur kjo të ndodhë, automatikisht negociatat vazhdojnë edhe sipas kapitujve edhe në pjesët e tjera”, deklaroi Mariçiq për “Blumberg Adria”.

Ai shtoi se në cilën do formë të negociatave me Bashkimin Evropian, nëse do të jemi të detyruar të bëjmë çfarëdo lloj lëshimesh në pjesën e gjuhës dhe identitetit, ne mund t’i braktisim ato negociata në mënyrë legjitime, sepse ajo nuk është pjesë e procesit të Bashkimit Evropian.

“Askush nuk duhet të shqetësohet, të ketë shqetësim se është e mundur të bëhet ndonjë asimilim. Identiteti ynë është i konfirmuar, i garantuar, e mbajmë në vete çdo ditë, dhe nuk ekziston proces që mund ta anulojë atë”, potencoi Mariçiq.

Në intervistë për Kanal 5, ai theksoi se kompromisi në propozim-konrizësn negociuese është shumë i thjeshtë – garanci për gjuhën dhe identitetin maqedonas dhe fillimin e negociatave, nga njëra anë, dhe përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutë, nga ana tjetër. “Ky është një kompromis që ne po e bëjmë për hatrin tonë, jo për hir të Bullgarisë, jo për hir të askujt tjetër”,deklaroi Mariçiq, duke shtuar se në propozimin nuk ka asnjë pikë që e mohon gjuhën tonë.

Ambasadorja amerikane Kejt Meri Bërnz në intervistë për MIA-n deklaroi se Uashingtoni gjithmonë e ka mbështetur anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, por se anëtarësimi i vendit në bllokun evropian është bisedë të cilën duhet ta zhvillojnë Shkupi dhe Unioni.

“Qëndrimi ynë është shumë i qartë, vlerësimi ynë është se propozimi mbron interesin e Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit. Ky është mendimi ynë dhe i ekspertëve tanë. Protokolli dypalësh për të cilin po flisni duket se është shkrirë disi në këto dy procese. Duhet të ketë një marrëveshje dypalëshe mes Shkupit dhe Sofjes. Dëgjuam disa gjëra që përplaseshin. Mendoj se kjo është pjesë e konfuzionit, që përmendët se opinioni nuk është i sigurt se si do të jenë ato diskutime. Do të ketë diskutime të veçanta dhe mendojmë se ato çështje duhet të zgjidhen në bazë dypalëshe dhe këtë e kemi thënë që në fillim. Sigurisht, jo vetëm për hyrjen në BE, por edhe për stabilitetin tuaj afatgjatë, është e rëndësishme t’i zgjidhni ato çështje”, theksoi Bërnz.