“Sot duhet të nisnim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, Borrell shpreh keqardhjen për veton bullgare

“Sot duhet të nisnim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, Borrell shpreh keqardhjen për veton bullgare

Sot nuk është një ditë e mirë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por ka ende shpresë. Kështu ka deklaruar përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell, i cili akuzoi Bullgarinë për veton në negociatat e anëtarësimit të këtyre dy vendeve.

“Ne nuk jemi aty ku duhet të jemi në Ballkan. Sot duhet të nisnim negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nuk mund të mos e fsheh keqardhjen time. Por ka ende shpresë. Nuk e di se çfarë mund të bëjë parlamenti në Bullgari, por nuk duket se po shkon mirë. Ne do të duhet të përpiqemi të zgjidhim situatën dhe kjo tregon se unanimiteti është një problem, nuk mund të vazhdojmë me një vend që bllokon gjithçka. Sot nuk është një ditë e mirë”, u shpreh Borrel në një deklaratë të shkurtër.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama e quajti të turpshme që një vend i NATO-s si “Bullgaria po mban peng dy vende të tjera të NATO-s në mes të një lufte në oborrin tonë dhe që 26 vende të tjera qëndrojnë të palëvizshme dhe të pafuqishme”.

Në samitin e sotëm në Bruksel pritet t’i jepet statusi i vendit kandidat Ukrainës dhe Moldavisë.