Sot duhet të fillojë gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Sot duhet të fillojë gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Për sot në Gjykatën themelore në Tetovë është caktuar përpjekja e katërt për të filluar gjykimi për zjarrin në spitalin modular të Tetovës që ndodhi më 8 shtator të vitit të kaluar, me ç’rast 14 njerëz humbën jetën, ndërkaq pati edhe dhjetëra të lënduar.

Gjykatësi, Jordan Velkovski më 8 nëntor gjykimin e shtyu për më 7 dhjetor në orën 10:00, sepse njëri prej të akuzuarve nuk kishte avokat mbrojtës. Gjykatësi informoi se nëse nuk siguron avokat për herën e ardhshme, do të duhet të fillojë seanca kryesore edhe pa praninë e mbrojtësit të të akuzuarit.

Pas hetimit dhjetëmujor, fillimi i gjykimit ishte caktuar për më 6 shtator 2022, më pas është shtyrë për më 14 tetor për shkak të mungesës së dy të akuzuarve. Më 14 tetor ishte shtyrë për më 8 nëntor për shkak se dy të akuzuarit nuk kishin avokatë.

Të akuzuar janë drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi, si dhe mjeku Boban Buçeski dhe Spitali klinik i Tetovës si subjekt juridik.

Prokuroria e Tetovës i akuzoi dy drejtorët Florin Besimi dhe Artan Etemi për vepër penale – vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme dhe mjekun Boban Buçevski për vepër penale – mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë, përderisa subjektin juridik, IPSH Spitali klinik Tetovë për vepra penale – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë.

Deri tek gjykimi erdhi pasi që më 27 korrik Prokuroria parashtroi lëndë akuzuese nga Gjykata themelore Tetovë. Prokuroria dhjetë muaj zhvilloi hetim në të cilin analizat profesionale dhe ekspertizat u bënë nga MPB, Fakulteti teknologjik, elektroinxhinierë dhe ekspertë-hetues nga policia federale e Gjermanisë për kriminalistikë.

Në tetor të vitit 2021 pas ekspertizës së MPB-së, Prokuroria informoi se zjarri në spitalin modular u krijua si pasojë e kabllos së djegur, në të cilën ishin të kyçur aparati-defibrilator për reanimacion, karrikuesi i celularit dhe një pajisje tjetër, informoi prokuroria.

Dy drejtorët e atëhershëm të spitalit të Tetovës parashtruan dorëheqje, por mbetën në funksion deri në ristrukturimin e Qeverisë.

Para dy ditëve filloi edhe mënjanimi i mbetjeve nga spitlia i djegur modular.