` . Sonte superpërballja Inter - Roma - TV SHENJA

Sonte superpërballja Inter – Roma

E premtja vjen më e bukur me 4 sfida shumë interesante ngas 4 kampionate të ndryshme. Spikat padiskutim dueli i San Siros mes Interit dhe Romës, një sfidë mes dy skuadrave në formë të shkëlqyer që gjithmonë kanë dhuruar spektakël në ndeshjet mes tyre. Zikaltrit do të tentojnë me çdo kusht ta fitojnë këtë sfidë për të ruajtur kreun por edhe për të shpresuar te ndonjë fals i Juventusit në sfidën ndaj Lazios në kryeqytet për të krijuar një shkëputje më të madhe se një pikë nga bardhezinjtë. Conte do të mbështetet si gjithmonë te dyshja e frikshme sulmuese Lukaku-Lautaro Martinez por problemi i madh i trajnerit qëndron te mesfusha aty ku pas Sensit dhe Barellas ka humbur edhe Gagliardinin dhe i ka me pikatore lojtarët. Borja Valero pritet ta nisë si titullar ndërkohë që një opsion për këtë repart ku bëjnë pjesë edhe Brozovic e Vecino është edhe Asamoah i rikthyer nga dëmtimi. Fonseca në krahun tjetër përveç mungesave të konfirmuara të Cristantes, Kluivert dhe Pastores ka në dyshim Dzekon për shkak të një gjëndjeje gripale. Nëse boshnjaku nuk ia del më shumë sesa Kalinic vendin e tij në majën e sulmit mund ta marrë Zaniolo si një 9-sh fals. Interi vjen nga 5 fitore radhazi në Serie A, ndërkohë që Roma ka grumbulluar 12 pikë në 5 ndeshjet e fundit. Në 3 sfidat e fundit në San Siro, Interi nuk ka fituar asnjëherë me Romën që ka regjistruar një fitore dhe 2 barazime në 2 sezonet e fundit që zikaltrit kishin Spallettin në stol. Spektakli është i garantuar edhe në këtë sfidë.

Pas humbjes në duelin ndaj Barcelonës, Atletico e Madridit do të kërkojë sot në orën 21:00 në transfertën ndaj Villareal. Nëndetsja e verdhë po kalon një moment të vërtetë krize dhe fitorja nuk do të jetë një mision i lehtë për Los Colchoneros.

Në Eredivisie javën e nis Ajaxi që me mendjen te sfida e së martës në Champions ndaj Valencias do të presë në Johan Cruijff Arena, Willem 2, në një sfidë ku fitorja parashikohet thjeshtë një formalitet për skuadrën e ten Hag.