Solskjaeri synon të bëhet menaxher i përhershëm i Unitedit

Solskjaeri synon të bëhet menaxher i përhershëm i Unitedit

Menaxheri i përkohshëm i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer ka thënë se nuk dëshiron ta lë rolin në klub edhe pas përfundimit të kontratës së tij.

Ish-sulmuesi i Unitedit u emërua menaxher i përkohshëm pas shkarkimit të Jose Mourinhos në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Me fitoren 2 me 0 ndaj Newcastlet të mërkurën mbrëma, Solskjaer bëhet trajneri i dytë në histori të klubit që siguron katër fitore në katër ndeshjet e para. Këtë më parë e ka bërë vetëm Sir Matt Busby në vitin 1946.

Kur është pyetur nëse do të largohet në muajin maj, Soskjaer u përgjigj: “Nuk dua”.

45-vjeçari mori pozitën e menaxherit pasi Molde i dha leje për të kaluar në Manchester, edhe pse norvegjezët thanë se vetëm e kanë “huazuar” Solskjaerin dhe se presin që të kthehet në rolin që e kishte.

Kur barazoi rekordin e Busbyt, që fitoi pesë tituj të ligës si menaxher i Unitedit, Solskjaer ka thënë: “Kjo do të jetë në libra, por nuk po e mendoj fare”.

“Po mendoj për ndeshjen e radhës sepse nëse fitoni katër ndeshje, mund të fitoni edhe katër ndeshje tjera me këtë klub. Kjo është sfida. Ky është standardi që e kemi mësuar këtu”, ka thënë norvegjezi.