Sky News: Rusia i dha Iranit armë perëndimore dhe 140 milionë euro para në dorë për dronët kamikaz

Sky News: Rusia i dha Iranit armë perëndimore dhe 140 milionë euro para në dorë për dronët kamikaz

Një aeroplan ushtarak rus transportoi fshehurazi para dhe tre modele të armëve në aeroportin e Teheranit në gusht, raketat anti-tank prodhim britanik NLAW, raketat anti-tank prodhim amerikan Javelin dhe ato kundërajrore Stinger, raporton Sky News.

Armët e dërguara nga Rusia në Iran ishin pjesë e një ngarkese me pajisje ushtarake britanike dhe amerikane, që “ranë në duart e Rusisë” dhe ishin të destinuara për ushtrinë ukrainase, thotë një burim konfidencial, transmeton Telegrafi.

Burimi thekson se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), tani mund të studiojë dhe kopjojë teknologjinë perëndimore.

“Ata ndoshta do të përdorin inxhinieri të kundërt për t’i përdorur ato armë në luftërat e ardhshme,” tha burimi.

Në këmbim, Irani i dha Rusisë më shumë se 160 dronë, duke përfshirë 100 dronë Shahed-136, tha burimi.

Këta dronë janë quajtur “dronë kamikaz” sepse shpërthejnë në përplasje. Burimi thotë se në ditët e fundit, Teherani dhe Moska ranë dakord për një marrëveshje tjetër për dronët, me vlerë 200 milionë euro.

“Kjo do të thotë se një tjetër dërgesë e dronëve nga Irani është gati të ndodhë,” tha ai.

Forcat ushtarake të Vladimir Putinit kanë sulmuar gjithnjë e më shumë Ukrainën me dronë kohët e fundit. Kjo, përveç sulmeve tashmë standarde me raketa, i lejoi ata të synonin pikat kryesore të furnizimit me energji elektrike dhe ujë në të gjithë Ukrainën, madje edhe në Kiev.

Breshëritë e raketave kanë vrarë shumë civilë, kanë shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë dhe kanë alarmuar mbrojtjen ajrore të Ukrainës, e cila tani përdor raketa të shtrenjta kundërajrore dhe kundër dronëve shumë më të lirë të Iranit.

Justin Bronk, studiues në Institutin Royal United Services në Londër, thotë se dronët e Iranit janë bërë çelësi për përparimin e Rusisë.

“Nëse Irani nuk do të kishte dorëzuar Shahedët, sulmet ruse në infrastrukturën e energjisë elektrike dhe ujit të Ukrainës do të kishin qenë dukshëm më pak efektive”, tha ai. /