` . Skicë për portret: Shtëpia Botuese ‘Logos-A’ – pasqyrë ku shihet fytyra e Adnan Ismailit - TV SHENJA

Skicë për portret: Shtëpia Botuese ‘Logos-A’ – pasqyrë ku shihet fytyra e Adnan Ismailit

Jo tani por qëmoti është dëshmuar se autorët e veprave të mëdha, se mirëbërësit dhe misionarët, se ata  që e begatojnë një shoqëri, ata që të tjerëve ua dhurojnë më të vlefshmen që kanë pa kërkuar asgjë si kundërvlerë, veprojnë në heshtje, se i përkushtohen punës e jo zhurmës që e shoqëron rrugëtimin  e tyre jetësorë. Dhe jo tani, por që nga e shkuara dihet se të vlefshmin nuk bëjnë vepra të mira për ta madhëruar veten, por pse ashtu ia dalin të jetojnë në paqe me vetveten, pse e dinë se vetëm ashtu mund ta arsyetosh jetën dhe pse e kanë kuptuar se e vlefshmja në ty nuk vlen asgjë nëse atë nuk e harxhon duke ua dhuruar të tjerëve.

Pa dyshim se pronari i Shtëpisë Botuese ‘Logos-A’, Adnani Islmaili i takon llojit njerëzorë që është në ‘zhdukje’, që më së miri e kanë kuptuar se ka shumë mënyra si mund t’i gënjesh të tjerët se je më shumë seç dukesh, por ka vetëm një mundësi të jetosh në paqe me vetveten – duke u treguar më pak seç je. Dhe mbase andaj ai i shmang paraqitjet publike, dhe ulet në rreshtin e fundit edhe kur shtëpia e tij botuese promovon ndonjë  libër të sapobotuar, e ku më ‘pronar’ të duket cilido tjetër, se sa vet ai që e themeloi këtë shtëpi botuese dhe tërë jetën ia përkushtoi veprimtarisë botuese dhe librit.

Të merresh me veprimtarinë botuese në Maqedoni është thuajse njësoj sikur të kultivosh trëndafila në mes të shkretëtirës. Atë Adnan Ismaili e dinte që nga dita kur e themeloi Sh.B. ‘Logos-A’, që në vitin 1991, pra që në fillim të dekadës së fundit të shekullit të njëzet, kur edhe më keq se sot, Maqedonia shtetformohej sipas formulave të ish Jugosllavisë, që do të thotë se kulturën dhe artin shqiptarë, apo thuajse çdo gjë afirmative shqiptare, e konsideronte si të dëmshme të rrezikshme për shtetin.

Dhe kështu, që nga themelimi i saj, e madje edhe sot, Shtëpia Botuese ‘Logos-A’ ishte nënë mbikëqyrjen dhe në shënjestër të ‘rojtarëve’ policor të stabilitetit të shtetit. Pra që nga themelimi, kjo shtëpi botuese dhe pronari i saj, duhej të përballeshin e ta fitonin betejën më të vështirë, që nuk kishte të bëjë vetëm me mbijetesën materiale, por edhe me institucionet shtetërore që atë, pra Shtëpinë Botuese “Logos – A” donin ta zhbënin, duke e llogaritur si një “fole” armiqësore që e destabilizon shtetin, si diçka që duhej të luftohej me të gjitha mjetet.

Dhe lufta e pushtetarëve kundër librit në gjuhën shqipe ishte e ashpër, ajo mbështetej mbi përvojën disa dekadeshe jugosllave, kur lexuesi shqiptarë mund t’i lexonte vetëm autorët  e vëllezërve sllav dhe kur libri shqip nuk ishte nëpër raftet, por kalbej i mbyllur nëpër bodrumet e bibliotekave. Dhe mbase edhe cilido tjetër edhe do dorëzohej, por Adnan Ismaili nuk ishte cilido tjetër, por njeri që e dinte se nëse heq dorë nga idealet dhe ëndrrave jetësore, atëherë edhe nuk ke pse jeton.

Andaj ai nuk u dorëzua as në vitin 1998, kur njësitet speciale e rrethuan SH.B. “Logos-A”, e kur thuajse nuk kishe adresë ku të ankoheshe e të kërkoje mbrojtje. Ai nuk dorëzohet as sot, kur jo vetëm qarqet qëllimkëqija maqedonase, por edhe pushtetarë shqiptarë, në vend që ta luftojnë krimin politik dhe t’ua kontrollojnë pasurinë politikanëve që pasurohen brenda natës, shpesh herë i bëjnë kontrolle shantazhuse financiare SH. B. ‘Logos-A’.

Po pra, beteja kundër kësaj shtëpie botuese nuk është ndalur thuajse asnjëherë dhe ajo zgjatë edhe sot e kësaj dite, edhe atë në një Maqedoni të cilën kush arriti e plaçkiti dhe e varfëroi, pra në një shtet ku nuk është dënuar thuajse asnjë politikan hajdut apo narkodilerë, por ku jo njëherë, është matur në kandar libri i autorëve shqiptarë që vjen nga Shqipëria për në panairet e Shkupit, apo ai që nga Maqedonia shkon në panairet e Tiranës apo të Prishtinës.

Sidoqoftë, Adnan Ismaili sot edhe mund të ndjehet si luftëtarë që ka marrë shumë plagë, por mbi të gjitha edhe si luftëtar që i ka fituar gjitha betejat, që i ka mposhtur gjithë ata që donin t’ia vrisnin ëndrrën. Ai sot mund të numërojë me qindra tituj që ka botuar shtëpia e tij botuese ‘Logos –A’, siç mund të thotë që për librin në gjuhën shqipe ka bërë më shumë se ministria e  kulturës e Maqedonisë gjatë gjithë vitet e deritanishme. Siç mund të thotë mburrshëm se shtëpia e tij botuese, bibliotekave të trojeve shqiptare, u ka shpërnda aq libra falas sa nuk kanë dhuruar të gjitha shtetet e pavarura të shqiptarëve.

Adnan Ismaili – University of Tetova

Por ai nuk thotë asgjë vetë lëvduese as në kafene mes shokëve, e lë më publikisht. Mbase i përmbahet parimit se mirësia e bërë për arsye vetëlëvduese është gënjeshtare, siç janë të rrejshme ato lulet prej plastike. Të vetmen që ka ‘pranuar’ publikisht është se libri është dashuria e tij e madhe dhe se kurrë nuk do e tradhtojë këtë dashuri. Dhe andaj me të drejtë është thënë se emri i drejtorit të Shtëpisë Botuese “Logos-A” në Shkup, se emri i prof. dr. Adnan Ismaili, në gjeografinë shqiptare është sinonim i dashurisë ndaj librit.

Adnan Ismaili përndryshe bartë edhe titullin e doktorit të shkencave dhe është edhe shef i Katedrës së Filologjisë Orientale në Universitetin e Tetovës. Ai është edhe autor i disa veprave dhe artikujve shkencorë, por megjithatë, ajo që e përcakton profilin e tij në letërnjoftimin personal është dhe mbetet Shtëpia Botuese “Logos-A”, e që sot renditet ndër më të suksesshmet në hapësirat shqiptare.

Por, duke jetuar në mjedis ku të falen të gjitha mëkatet, përpos atij të pafalshmit – suksesin, për Adnan Ismailin janë thënë shumë trillime diskualifikuese. Në të vërtet qarqet antishqiptare atij kurrë nuk ia falin veprimtarit e dikurshme ‘destruktive’, si për shembull sjelljen e ndihmave për Kosovën, përderisa ajo vuante nën thundrat serbe, apo dërgimin e luftëtarëve të plagosur të UÇK-së në mjekim në Turqi.

Dhe përderisa dihet pse qarqet antishqiptare Adnan Ismailin e konsiderojnë për armik të shtetit, kurrë nuk u bë e ditur se çka ishte ajo ‘destruktivja’ që u pengonte disa qarqeve shqiptare, apo që e shihnin te ai. Ku ta dish, ndoshta u pengonte pse SH.B: ‘Logos-A’ botonte kompletin e Sami Frashërit dhe të shumë rilindësve të tjerë që kishin vepruar gjatë Perandorisë Osmane. Apo pse, përpos titujve të autorëve shqiptarë, Shtëpia Botuese ‘Logos-A’ i begatonte bibliotekat shqiptare edhe me vepra që kishin të bëjnë me vlerat dhe filozofin islame.

INTERVISTË| Adnan Ismaili: Duke e shpërndarë librin, të gjithë bëhemi të pasur

Por sido qoftë, Adnan Ismaili mbetet atë që ishte gjithmonë – veprimtar dhe misionar, bamirës dhe atdhetar, i cili vepron dhe kontribuon për popullin e vet pa zhurmën vetëlëvduese dhe i cili e jeton ëndrrën e vet. Pra Adnan Ismaili shpërfaq portretin e një veprimtari që çdo gjë ia ka përkushtuar librit, artit dhe kulturës së popullit të vet, ndërkaq Shtëpia Botuese ‘Logos-A’ është pasqyra ku shihet fytyra e tij, ku shihet portreti i misionarit që kurrë nuk e tradhton idealin e vet jetësor./sakte.net