` . Skenarët e hapur për formimin e qeverisë - TV SHENJA

Skenarët e hapur për formimin e qeverisë

Nisur nga retorika parazgjedhore, arritja e marrëveshjes midis LSDM-së dhe BDI-së për qeveri duket e paarritshme. Zaevi, madje, edhe në shqip iu drejtua qytetarëve, duke thënë “BDI në opozitë, pse jo?!” LSDM-ja, nëse refuzon bashkëpunimin me BDI-në, zgjidhjen do ta kërkojë tek opozita shqiptare dhe tek Menduh Thaçi, që bëjnë së bashku 59 deputetë, plus dy deputetë të opozitës maqedonase.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 15 korrik përfunduan me epilog në kuptimin e rezultatit, i cili hëpërhë të shpie nga skenarët e mundësisë reale deri tek opsioni pesimist mbi formimin e qeverisë. Nga ana tjetër, fakti që jemi në pandeminë e virusit Covid 19, nuk lë shumë hapësirë se partitë politike do ta kenë luksin që të organizojnë edhe një palë zgjedhjesh të parakohshme, edhe pse teorikisht nuk duhet përjashtuar kjo mundësi.

Skenari 1: Qeveria LSDM – BDI!

Nisur nga aspekti i numrave dhe rrjedhimisht edhe legjitimitetit politik demokratik që buron nga vota dhe vullneti i popullit, qeverinë do ta formonin LSDM dhe BDI. Aritmetika e rezultateve zgjedhore e thotë qartë: 46 plus 15 sigurojnë 61 deputetë. Edhe pse në kushte të një sistemi politik me demokraci të brishtë, siç është ky i Maqedonisë së Veriut, edhe këto zgjedhje dëshmuan se partitë (sidomos në pushtet) vështirë se mund të sigurojnë legjitimitet të pastër, të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm, ngase përdorin metoda të ndryshme për të manipuluar verdiktin zgjedhor, sidomos para ditës së zgjedhjeve!

Por, edhe sikur ky legjitimitet të jetë i pakontestueshëm nga opozita shqiptare, vallë mund ta formojnë qeverinë socialdemokratët dhe integristët? Nisur nga retorika parazgjedhore, arritja e marrëveshjes për qeveri duket e pamundur. Zaevi, madje, edhe në shqip në një tubim iu drejtua qytetarëve duke thënë “BDI në opozitë, pse jo?!” Duke dashur ta amortizojë deklarimin në një bisedë private, e cila u plasua në publik, se nuk ka menduar se “Shqiptarët vlejnë pesë para” u shpreh qartë se ka menduar për partinë e Ahmetit. “BDI nuk vlen pesë pare në tregun e votave. Ky është qëndrimi im sot, ishte qëndrimi im edhe atëherë, në kohën kur u incizua biseda e publikuar sot”, shpjegonte Zaevi në Facebook. Qëndrim pak i fortë, pse jo edhe radikal, sado që është thënë në ethet e fushatës parazgjedhore. Në ofensivën e tij kundër LSDM-së, pas deklaratës së Zaevit, Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, është shprehur se “Nuk mund të them se Zaevi do të jetë kryeministër, pasi ai do të jetë Naser Zyberi”. Mjaftueshëm që hendeku midis dy partnerëve qeveritarë të thellohet edhe më shumë.

Në anën tjetër, BDI-ja në këto zgjedhje parlamentare e fitoi vullnetin e popullit shqiptar me parullën “Koha për kryeministrin e parë shqiptar”, andaj pjesëmarrja e saj në një qeveri me kryeministër tjetër, pra me Zoran Zaevin e jo me Naser Zyberin, do ta rrisë pezmin dhe mllefin e votuesve shqiptarë, që votuan për këtë ide dhe “tërheqja taktike” nga e njëjta do të ishte mashtrim i madh politik. Nuk do ta kapërdijnë aq lehtë, sidomos votuesit e papërcaktuar, të cilët dhanë votën jo për BDI-në, por për idenë për kryeministrin e parë shqiptar, një ide që për veshin e çdo shqiptari tingëllon bukur. Por, vetë Zaev, lideri i LSDM-së, ka qenë i prerë se nuk do të negociojë me BDI-në nëse kushti është kryeministri shqiptar, sepse ai do të jetë mandatori për formimin e qeverisë së re. Zaevi nuk e ka mbyllur shtegun për kryeministër shqiptar në të ardhmen nga radhët e LSDM-së.

Kur të gjithë menduan se BDI-ja do të këmbëngul se “Tash është koha për kryeministrin e parë shqiptar”, përmes Bujar Osmanit në TV Telma dhe Teuta Arifit në TV 24, ajo doli me idenë se BDI-ja ka tri vija të kuqe për formimin e qeverisë: Marrëveshjen e Ohrit, Marrëveshjen e Prespës dhe Marrëveshjen me Bullgarinë. Vetëm mund të paramendohet rezultati i BDI-së nëse në zgjedhje do të dilte me idenë se kërkon vota për realizimin e Marrëveshjes me Bullgarinë e jo me idenë që i sublimon synimet për status më të mirë të shqiptarëve përmes pozicioneve shtetërore, e që u strumbulluan tek thënia “Unë besoj kryeministrin e parë shqiptar”.

Bujar Osmani e përjashtoi edhe mundësinë e shumëpritur nga disa aktivistë të BDI-së që Zaevi të shkojë në Reçicë, tek selia e BDI-së dhe të lutet për mbështetje! Duke shmangur edhe variantin e kundërt, që edhe BDI-ja të shkojë në selinë “Bihaçka”, Osmani parapëlqen që negociatat të zhvillohen në Kuvend. Qëndrim legjitim, kuptohet, nëse vjen deri te nisja e negociatave mes LSDM-së dhe BDI-së.

Në politikë ka edhe reterime, por mosfutja në negociata me LSDM-në me këtë ide do të shkaktojë pakënaqësi të mëdha në strukturat partiake dhe tek të gjithë ata që e votuan BDI-në dhe që me gjithë mend e kishin realizimin e idesë. Zhgënjimi është më i madh kur pritja është e madhe!

Tentimi për relativizimin e idesë së kryeministrit shihet qartë edhe tek hedhja e topit tek opozita shqiptare. Eksponentë të BDI-së mundohen me çdo kusht ta bindin publikun se këtë ide e minon në veçanti lideri i opozitës shqiptare, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i cili në një intervistë televizive e kishte parashikuar këtë strategji të partisë së Ahmetit, e cila “kur nuk mund të realizojë një ide, e fajëson opozitën shqiptare|. Koalicioni midis Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës është shprehur i gatshëm, madje, që të vë në dispozicion 12 deputetët që kryeministër të zgjidhet mandatori i BDI-së, por për këtë nevojitet marrja e mandatit nga presidenti.

Nisur nga konstelacionet mes dy forcave politike, LSDM dhe BDI, ky skenar duket i pamundur, ndërsa këtë konstatim e përforcon edhe qëndrimi i qartë i Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës se nuk kanë ndër mend as të bisedojnë për një koalicion qeveritar së bashku me BDI-në. Edhe pse skenari i parë duke i parealizueshëm, nuk duhet harruar atë që e kam shkruar shpesh, hiç më larg se në tekstin e numrit të kaluar të revistës “Shenja”, se në politikë nuk ka emocione, por vetëm interesa. Ndërsa interesi është i përjetshëm! Pra, teorikisht gjithçka është e mundur!

Skenari 2: Qeveria LSDM- AA-PDSH dhe deputetë të opozitës maqedonase

Nëse skenari i parë, që është matematikisht i realizueshëm, dështon, atëherë imponohen zgjidhje tjera. Nëse LSDM-ja refuzon bashkëpunim me BDI-në, atëherë zgjidhjen duhet ta kërkojë tek opozita shqiptare dhe tek Menduh Thaçi i PDSH-së, që së bashku bëjnë 59 deputetë (46+12+1). Për të arritur tek 61-shi i famshëm, nevojiten edhe dy deputetë, duke e shndërruar politikën në statistikë mandatesh dhe duke shpresuar se programi qeveritar do t’i integrojë platformat politike të subjekteve pjesëmarrëse në qeveri. Dy deputetët spekulohet që të katapultohen ose “importohen” nga opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja, pasi në mesin e 44 deputetëve dy janë të Partisë Socialiste dhe një i Partisë GROM të Stevçe Jakimovskit, parti këto ose, më mirë thënë, liderë që në historinë pluraliste njihen për zigzaget e tyre politike. Lideri i forcës së re parlamentare LEVICA (E majta), Dimitar Apasiev, një subjekt me retorikë fashiste dhe antiperëndimore, por që shënon dita ditës ngritje politike, deklaroi se posedon informacione, madje i ka emrat dhe mbiemrat e 5 deputetëve të koalicionit të partisë së Mickovskit, të cilëve u ofrohen para dhe shumë privilegje të tjera për ta votuar qeverinë e re të Zaevit, duke e çuar BDI-në në opozitë. Kjo do të shkaktonte reagime të shumta nga BDI-ja, e cila do të thirrej në parimin e legjitimitetit “fituesi me fituesin”, edhe pse vetë ajo në 2016 e shkeli këtë parim, duke bërë koalicion me LSDM-në, edhe pse nuk ishte partia fituese në bllokun elektoral maqedonas.

Indikative është se edhe një gazetar i njohur, Branko Geroski, përmes një kolumne, hodhi tezën se tentohet të blihen deputetë, duke shtuar se ky veprim është antidemokratik dhe antievropian, që është përgjigje ndaj qëndrimeve të LSDM-së se dëshiron të krijojë qeveri proevropiane dhe demokratike. Zaevi nuk e ka pohuar e as nuk ka mohuar këtë variant, pasi ka vendosur që pas zgjedhjeve, deri më 2 gusht, t’i japë vetes pushim dhe me këtë të lë hapësirë për spekulime. Jorastësisht LSDM-ja, në një ndër komunikatat e fundit, kërkoi që qeverisë së re, siç e quan “progresive”, t’i bashkëngjiten të gjithë deputetët e Kuvendit. Zaevi ka dëshmuar se është mjeshtër i rritjes së numrit të deputetëve, pasi nga 49 sa kishte partia e tij, arriti të krijojë shumicë parlamentare prej 80 deputetësh, kuptohet duke përfshirë të gjithë deputetët shqiptarë, pasi bëhej fjalë për interes madhor, siç ishte anëtarësimi në NATO, por edhe më befasuese ishte se pjesë e shumicës së madhe ishin edhe tetë deputetë të VMRO-DPMNE -së. Ndërkaq për qeverinë e re i duhen vetëm dy!

SKENARI 3: Qeveria VMRO-BDI (LEVICA OSE BESA)

Nëse dështon plani i Zaevit, qoftë me BDI-në ose me opozitën shqiptare, një ndër opsionet është formimi i qeverisë së re, e drejtuar nga VMRO-DPMNE-ja. Kjo do të thotë se Mickovski, si lider i VMRO-DPMNE-së, pasi ka marrë mbështetjen e organeve të partisë, edhe pse humbës i zgjedhjeve, do të tentojë të formojë shumicë parlamentare. Për të arritur në cak, ai duhet të lëshojë pe dhe të pranojë kryeministrin shqiptar në versionin 2+2, me atë që dy vite do të ishin për VMRO-DPMNE-në dhe dy për BDI-në. Por, Mickovskit ia shkurtoi shpresat vetë BDI-ja, përmes Artan Grubit, shef i kabinetit të kreut të BDI-së, i cili e përjashtoi partinë Levica nga të gjitha kombinimet e mundshme për formimin e qeverisë së, kjo për shkak të retorikës së saj anti-NATO dhe qëndrimit që ka kjo parti ndaj Kosovës. Pa deputetët e Levicës, VMRO-DPMNE-ja nuk mund të formojë qeverinë. Atëherë varianti i fundit dhe i vetëm për VMRO-DPMNE-në mbetet që të gjejë mbështetje tek deputetët e Lëvizjes BESA, të cilët janë katër në numër, por që gjatë zgjedhjeve ishin në bashkëpunim me LSDM-në e Zaevit në kuadër të koalicionit “Mundemi”. Prandaj kalimi i tyre tek shumica parlamentare e VMRO-DPMNE-së, qoftë edhe nëse pranohet kryeministri shqiptar, duket mision i pamundur, madje tani për tani ngel vetëm teorik.

SKENARI 4: Qeveria e pakicës BDI-VMRO-DPMNE

Një opsion tjetër teorik është edhe ai që BDI-ja të marrë mbështetje nga VMRO-DPMNE-ja për kryeministrin shqiptar dhe të kërkojë mbështetje nga deputetët shqiptarë, të cilët natyrisht se do t’i jepnin mbështetje me votë, por pa marrë pjesë në qeveri, e cila praktikisht do të ishte e pakicës, meqë do të kishte 59 vota, ngase votat e opozitës shqiptare do të ishin vetëm për zgjedhjen e qeverisë me kryeministër shqiptar.

Skenarët tjerë në lojë janë edhe: qeveria e zgjeruar politike ose e shpëtimit kombëtar dhe qeveria e ekspertëve, që duken vetëm hipotetike dhe, siç po shihet nga qëndrimet e partive ndaj dy skenarëve për dalje nga kriza, duket se nuk mund të jetësohen.