` . Skenarë apo dëshira për zgjidhjen e lëmshit ballkanik - TV SHENJA

Skenarë apo dëshira për zgjidhjen e lëmshit ballkanik

Ajo që mund të konstatohet është se të tri skenarët e formësuar si non-paper-ë vijnë nga qendra të ndryshme të vendosjes, që kanë interes të paraqiten si palë e tretë në zgjidhjen e lëmshit ballkanik. Është pak e besueshme se një palë e painteresuar për epilogun e kontesteve ballkanike të dalë me propozime pa autor. Non-paper-i është i dobishëm sidomos në negociatat shumëpalëshe, pasi palës së tretë (asaj ndërmjetësuese) i jep një mundësi të prezantojë një ide për diskutim pa marrë përgjegjësi për të. Problemi Prishtinë-Beograd, në thelb, është shumëpalësh pasi implikon edhe shtetet tjera ballkanike, njëjtë si shtetësia e Maqedonisë së Veriut ose edhe e Bosnjë e Hercegovinës. Lëmshi ballkanik është shumëpalësh dhe shumë-ndërmjetës në të njëjtën kohë.

Shkruan: Xhelal NEZIRI, Tetovë

Problemet në Ballkan duket se po i lodhin edhe fuqitë e mëdha. Hapja e temave për zgjidhjen e nyjave shekullore të Ballkanit nëpërmjet non-paper-ëve e ka shqetësuar opinionin europian dhe botëror. Në këto dokumente jozyrtare, megjithatë, ka plane dhe propozime se si të paqësohet ky rajon problematik. Në këto dokumente ka edhe ide që deri para disa vitesh ishin tabu në komunikimet diplomatike – ndryshimin e kufijve dhe krijimin e shteteve etnike.

 

Lodhja nga Ballkani

 

Mosmarrëveshjet midis popujve të Ballkanit, që kanë rrënjë që nga fillimi i shekullit të 20-të, nuk mund të tejkalohen as pas më shumë se një shekulli. Projekti i europianizimit të Ballkanit u bllokua seriozisht në 6 vendet e fundit, që përbëjnë të ashtuquajturin Ballkan Perëndimor. Hyrja në Bashkimin Europian (BE) e Sllovenisë (2004), Bullgarisë dhe Rumanisë (2005), si dhe e Kroacisë (2013), dha shpresë për vendet e tjera aspirante, por jo të mjaftueshme për të bërë kompromise për çështjet e hapura. Maqedonia e Veriut, për tri dekada, pati një kontest të hapur me Greqinë për emrin e shtetit, ndërsa tani është në kulmin e përplasjes me Bullgarinë për rrënjët ose identitetin e etnisë (popullit) maqedonas, kurse në të ardhmen mund të ballafaqohet edhe me veton e Serbisë për Kishën Ortodokse Maqedonase. Edhe pse që nga viti 2005 e ka marrë statusin kandidat për anëtarësim, vendi nuk ka mundur t’i nisë negociatat për shkak të bllokadave nga fqinjët që nga 2009, kur mori rekomandimin e parë të Komisionit Europian (KE). Serbia më 2009 e ka fituar statusin e vendit kandidat, kurse në vitin 2014 i ka filluar negociatat për anëtarësim. Deri tash i ka hapur 16 nga 35 kapituj, kurse më i rëndë duket të jetë i fundit – normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Kjo e bën Serbinë kandidat më serioz që e para nga gjashtë vendet ballkanase të integrohet në BE, gjë që parashikohet të ndodhë në vitin 2025. Një skenar i tillë do të thotë bllokadë jo vetëm me Maqedoninë, shkaku i kishës, por edhe për Malin e Zi për shkak të identitetit të ri etno-nacionalist malazias (kisha, gjuha, historia e veçantë), si dhe për Bosnjën e Hercegovinën shkaku i Republika Sërpskës (njësi konstituive e federatës). Çështja e Kosovës është një tjetër motiv për bllokada eventuale të Beogradit jo vetëm ndaj Prishtinës, por edhe ndaj Tiranës. Pra, parashikimi është se integrimi pjesë-pjesë i Ballkanit Perëndimor, në fakt, do t’i thellonte edhe më shumë ndasitë midis popujve në këtë rajon, ndërsa duhet ta bëjë të kundërtën – pajtimin dhe ndërtimin e perspektivës së përbashkët europiane. Një pritje e tillë bëhet edhe më reale kur merret parasysh se pengesat më të mëdha për Maqedoninë e Veriut, si vend kandidat i parë nga rajoni, erdhën pikërisht nga anëtarë të BE-së – Greqia dhe Bullgaria, të cilat e shfrytëzuan pozitën e të qenit brenda BE-së dhe të konsensusit si mekanizëm të vendimmarrjes në këtë union. Një gjë të njëjtë kishte bërë edhe Sllovenia në raport me Kroacinë, të cilën e kishte kushtëzuar me nënshkrimin e një marrëveshjeje për kufirin detar midis dy vendeve në Adriatik.

Vendet anëtare të BE-së shohin sukses në çdo zgjerim, por lodhja nga përgatitja e anëtarëve të rinj për t’u bërë pjesë e familjes duket se është e pranishme. Problemet që paraqiten me sundimin e shtetit ligjor me anëtaret nga Europa Lindore dhe korrupsionin në Rumani e Bullgari kanë bërë që opinioni në gjashtë vendet (Inner Six), që përbëjnë bërthamën e BE-së, të kundërshtojë forcat politike që angazhohen për zgjerim. Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda gjithnjë e më shumë shfaqin rezerva për zgjerimin, kjo shkaku i pamundësisë së vendeve të rajonit që t’i përqafojnë vlerat e njëmendta europiane (dinjitet njerëzor, liri, demokraci, barabarësi, shtet ligjor dhe të drejta të njeriut), si dhe t’i arrijnë standardet bazike, të njohura si Kritere të Kopenhagës (politike, ekonomike, legjislative).

Serbinë e armiqësuar me të gjithë fqinjët nuk mund ta bindin ta njohë Kosovën, Shqipërinë nuk mund ta shkëpusin nga krimi i organizuar, Bosnjën nuk mund ta bëjnë shtet funksional, Malin e Zi nuk mund ta stabilizojnë shkaku i ndikimit serb, kurse Maqedoninë e Veriut nuk mund ta shpëtojnë nga darët e historisë, të cilat janë në duart e fqinjëve të saj. Fryma europiane, që u mundua të instalohej, nuk po prodhon rezultate. Edhe status quo-ja, ndërkohë, nuk shihet si zgjidhje.

A mund të shkohet në zgjidhje më të guximshme për Ballkanin? Kush i përpilon dhe i shtron në tavolinat e qendrave të vendosjes non-paper-ët e diskutueshëm?

 

“Pala e tretë” dhe idetë si non-paper-ë

 

Nuk mund të thuhet me saktësi kush janë autorët e non-paper-ëve të fundit, të cilët dhanë tri ide të ndryshme: i pari propozoi një ndryshim kufijsh për krijimin e shteteve etno-nacionale, duke fshirë nga harta shtetet shumetnike; i dyti propozoi zgjidhje të problemit Prishtinë-Beograd nëpërmjet një lloj avancimi të Marrëveshjes së Brukselit, duke paraparë një autonomi me kompetenca ekzekutive për serbët etnikë në Kosovë; dhe i treti – kthimin e Kosovës si pjesë e Serbisë me një status të garantuar për 99 vjet, njëjtë siç është rasti i Hong Kongut në raport me Kinën.

Ideja për korrigjimin e kufijve, si mundësi për zgjidhjen e çështjes Prishtinë-Beograd u tha se erdhi nga administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, por asnjëherë nuk u konfirmua nga Uashingtoni. Zyrtarisht u tha se “do të pranohej çdo marrëveshje që do ta arrijnë dy shtetet”. Ky qëndrim, në fakt, nuk përjashtonte as idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi, me të cilin tre komuna në veri të Kosovës do t’i bashkoheshin Serbisë, kurse një pjesë e Luginës së Preshevës – Kosovës. Kishte spekulime se kjo ide vjen nga qeveria sllovene, e udhëhequr nga djathtisti Janez Jansha, i cili kishte raporte të ngushta me Trumpin dhe administratën e tij.

Ideja e Bashkësisë së Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive është një pozicion evropian, pasi ajo u konkretizua në marrëveshjen e arritur në Bruksel në 2013. Ajo u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pasi parashihte kompetenca ekzekutive për këtë entitet të ri brenda shtetit. Non-paper-i i dytë ishte i ngjashëm me këtë marrëveshje, e cila është rikthyer në tavolinën e dialogut në Bruksel, por edhe në Uashington pas zgjedhjes së Joe Biden-it për president të SHBA.

Ideja e kthimit të Kosovës në Serbi, duke iu siguruar një status konstituiv në një federatë të mundshme apo në një formulë “një shtet – dy sisteme” është e përafërt me pozicionin e Rusisë. Federata Ruse është e konstituar nga 85 njësi federative, nga të cilat 22 janë republika, por të gjitha janë nën kontroll të plotë nga Moska.

Non-paper-i definohet si ide për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve që nuk janë zyrtare ose që nuk kanë autor. Ky term është relativisht i ri dhe ka filluar të përdoret pas Luftës së Dytë Botërore, më konkretisht në vitet e ‘70-ta. Dallimi midis dokumentit zyrtar (paper) dhe atij jozyrtar (non-paper) është se te i pari kemi një propozues që e merr autorësinë dhe e mbron qëndrimin, kurse tek i dyti kemi një ide pa autor dhe debat pa palë. Para Luftës së Dytë Botërore, në marrëdhëniet ndërkombëtare, është njohur si “aide-mémoire” (kujtesë ndihmëse), e cila ka paraqitur një marrëveshje të propozuar ose teksti negociues, që ka qarkulluar jozyrtarisht midis delegacioneve për diskutim, pa e angazhuar delegacionin propozues si palë. Ky lloj dokumenti nuk ka pasur asnjë burim, titull ose atribuim të identifikuar.

Ka raste kur non-paperi ka edhe autor. I tillë ishte ai i Francës në vitin 2019, kur e shpalosi planin për revidimin e metodologjisë për procesin e pranimit të anëtarëve të rinj në BE. Një vit më pas, ky non-paper u bë realitet pasi mori dritë jeshile nga Këshilli i BE-së.

Në raportet diplomatike non-paper-i është përdorur shpesh, sidomos në vitet e fundit, kur dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare është shtuar. Një non-paper ka nënkuptuar një dokument me pika, që propozojnë zgjidhjen e një problemi, por që nuk ka vulë ose nënshkrim zyrtar. Në këtë mënyrë shtetet propozuese i kanë ikur përgjegjësisë nëse idetë e ndjeshme të atij dokumenti do të publikoheshin në media.

Ajo që mund të konstatohet është se të tri skenarët vijnë në formë nga qendra të ndryshme të vendosjes, që kanë interes të paraqiten si palë e tretë në zgjidhjen e lëmshit ballkanik. Është pak e besueshme se një palë e painteresuar për epilogun e kontesteve ballkanike të dalë me propozime pa autor. Non-paper-i është i dobishëm sidomos në negociatat shumëpalëshe, pasi palës së tretë (asaj ndërmjetësuese) i jep një mundësi të prezantojë një ide për diskutim pa marrë përgjegjësi për të. Problemi Prishtinë-Beograd, në thelb, është shumëpalësh pasi implikon edhe shtetet tjera ballkanike, njëjtë si shtetësia e Maqedonisë së Veriut ose edhe e Bosnjë e Hercegovinës. Lëmshi ballkanik është shumëpalësh dhe shumë-ndërmjetës në të njëjtën kohë. Në një ambient të këtillë kompleks non-paper-ët bëhen veçanërisht të rëndësishëm kur duhet të diskutohen çështjet e ndjeshme ose kur palët pse ndërmjetësit duan t’i mbajnë opsionet e tyre të hapura dhe ta shmangin mbylljen e tyre në një pozicion fillestar negociues.