` . Skanderbegu: - Si janë, prá Shqyptarët e Shqypnija? - TV-SHENJA

Skanderbegu: – Si janë, prá Shqyptarët e Shqypnija?

Shkruan: Enis SULSTAROVA

 Klika kundër sovranitetit: Javët e fundit ngjarjet politike në Kosovë kanë qenë të ethshme. Ndërmjet situatës së jashtëzakonshme, të shkaktuar nga pandemia dhe duke përfituar prej saj, klika e politikanëve të vjetër u bë bashkë për ta rrëzuar qeverinë Kurti dhe për ta zëvendësuar me një qeveri të koalicionit të gjerë, në kundërshtim të plotë me kushtetutën ahtisariane, që tagrin e formimit të qeverisë ia njeh forcës ose koalicionit që del i pari në zgjedhje. Nëse qeveria nuk formohet nga fituesi, atëherë sërish shkohet në zgjedhje dhe kështu është vepruar më parë, por klika e komanduar nga presidenti Thaçi këtë radhë dëshiron të veprojë ndryshe. Ajo po kërkon medoemos ta çojë në vend porosinë e Grenellit, emisarit të presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, për heqjen e masave të reciprocitetit tregtar me Serbinë, të vëna nga qeveria Kurti pas anulimit të tarifës së njëanshme. Ky hap do ta bëjë Serbinë që të pranojë të ulet në tryezën e bisedimeve me Kosovën, nga e cila, siç po thuhet, do të dalë një marrëveshje përfundimtare midis dy shteteve. Klika po përpiqet që me dominimin e numrit të deputetëve të saj në Kuvend të shmangë Kurtin nga tryeza e bisedimeve dhe, ç’është më e rëndësishmja, ta shtrembërojë vullnetit politik të popullit të Kosovës, i cili votoi më së shumti për dy subjekte – Lëvizja Vetëvendosje! dhe Lidhja Demokratike – që premtuan vendosjen e reciprocitetit në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë.

Kjo klikë e këtyre politikanëve, që kanë qenë kryeministra të Kosovës (me përjashtim të Limajt), e udhëhequr nga presidenti Thaçi, kanë formuar krahun “pro-amerikan” dhe po e akuzojnë Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje! si “kundëramerikanë”, sikurse e kanë akuzuar edhe më parë. Nuk është hera e parë që ata janë mbledhur në strehën e amerikanizmit dhe sa herë kjo ka ndodhur në të kaluarën, po aq herë shteti i Kosovës ka humbur territor dhe shkallë të sovranitetit: kjo klikë e ka votuar demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, ka miratuar Gjykatën Speciale për krimet e luftës së UÇK-së, ka miratuar Zajednicën dhe tani po kërkon t’ia hapë rrugën planit Vuçiç-Thaçi për ndarje të Kosovës. Ata po flasin për shkëmbime territoriale, por deri tani kemi dëgjuar vetëm se ç’pjesë të Kosovës duan t’ia japin Serbisë, se gjoja paskëshkan qenë “dhuratë” e Rankoviqit. Në Kosovë nuk kemi çarje lidhur me Amerikën, por çarje midis politikës së re sovraniste, të përfaqësuar nga Lëvizja Vetëndosje! dhe Vjosa Osmani, në njërin krah, dhe klikës së politikanëve hajdutë, në krahun tjetër. Klika nuk mund të jetë sovraniste, sepse është pasuruar duke e përvetësuar pronën dhe paranë publike, siç po shihet qartë nga shkarkimet e bordeve drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore. Klika nuk mund të jetë sovraniste, sepse të gjitha vendimet e përmendura më sipër, që i ka miratuar në Kuvend në emër të popullit, në të vërtetë do të rrëzoheshin po të shtroheshin në referendume. Këtë e treguan 200,000 firmat e mbledhura për ta kundërshtuar demarkacionin e kufirit shtetëror me Malin e Zi. Këtë po e tregojnë sondazhet e fundit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje! del fituese e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Prandaj klika e refuzon demokracinë dhe parapëlqen ta shkelë kushtetutën.

Sa herë që kjo klikë e ish-kryeministrave (dhe e një ish-kandidati për kryeministër) është tubuar për të marrë vendime që binin ndesh me sovranitetin dhe vullnetin popullor, asaj i është dashur të justifikohet me trysninë ndërkombëtare dhe ka lozur me frikën që e kanë shqiptarët prej shpërfilljes nga Amerika dhe Perëndimi. Si një popull i vogël, që shpeshherë ka vuajtur në mënyrë tragjike prej mungesës së aleatëve të fuqishëm, shqiptarët janë dhe do t’i jenë përherë mirënjohës Amerikës dhe NATO-s për ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999, sikurse e dinë shumë mirë se në vitin 2008 shpallja e pavarësisë së Kosovës u mbështet sidomos nga Amerika dhe shtetet perëndimore. Për rrjedhojë, te shqiptarët natyrshëm është përhapur besimi se pa ndihmën e Amerikës dhe të shteteve perëndimore, Kosova nuk do të mundte të çlirohej dhe të shpallej shtet i pavarur. Krahas ndjesisë se ne i detyrohemi Amerikës e Perëndimit, është e përhapur edhe frika se mos ata na shpërfillin dhe na lënë sërish të përballemi të vetëm me një Serbi të trimëruar nga aleanca e çimentuar me Rusinë. Pra, klika e ka shfrytëzuar sidomos frikën se mos humbasim aleancën me Amerikën për t’i ikur përgjegjësisë për dëmet që vendimet e gabuara ia kanë sjellë Kosovës. Zajednica u miratua gjoja si marrëveshje e sponsorizuar nga Brukseli, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por Thaçi nuk u vu para përgjegjësisë pse kishte pranuar pika të një marrëveshjeje ndërkombëtare që binin ndesh me kushtetutën. Në rastin e Gjykatës Speciale, trysnia nga Perëndimi ishte rezultat i perceptimit se prokuroria dhe gjykatat në Kosovë kishin dështuar në gjetjen dhe dënimin e fajtorëve të shumë krimeve që kishin ndodhur gjatë dhe pas luftës. Gjykata Speciale është diskriminuese, sepse vepron vetëm në rastin e të dyshuarve që kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, por jo për krimet e kryera nga strukturat shtetërore dhe paraushtarake të Serbisë. Gjithashtu, mekanizmi për themelimin e saj u vu në veprim pas botimit të raportit famëkeq të Dik Martit, që përmbante gënjeshtra dhe shpifje të rënda për UÇK-në në tërësi. Në vend që t’i adresonte këto probleme lidhur me mandatin e Gjykatës dhe të niste reformimin e institucioneve të drejtësisë në vend, klika nxiti deputetët në Kuvend që ta miratonin ngushtimin e sovraniteti të Kosovës. Për të marrë miratimin e deputetëve për marrëveshjen e demarkacionit kufitar me Malin e Zi, klika përdori mashtrimin se gjoja shpërblimi që do të jepte Perëndimi do të ishte liberalizimi i vizave. Liberalizimi i vizave nuk ka ndodhur deri tani, por Thaçi, Mustafa dhe Haradinaj nuk kanë dhënë llogari për humbjen e territorit. Edhe tani po veprojnë me të njëjtën mënyrë: po thonë që më mirë ta dorëzojmë fatin e Kosovës në duart e Trampit dhe Grenellit sesa Amerika të na lërë vetëm. Klika po shantazhon, kur në fakt e shantazhuar është ajo vetë, për shkak të krimeve, vjedhjeve dhe mashtrimeve që ka në kurriz. Pjesëtarët e klikës janë të gatshëm të japin gjithçka që nuk është e tyrja që ta shpëtojnë veten dhe pasuritë private nga drejtësia. Fryma me të cilën ata duan të shkojnë në bisedime është se Kosova duhet t’i japë diçka Serbisë në këmbim për njohjen. Me fjalë të tjera, nuk paska qenë e mjaftueshme heqja dorë nga republika në Rambuje, as komunat me shumicë serbe, as ekstraterritorialiteti i kishave e manastireve ortodokse, as Zajednica, as Komuna e Mitrovicës Veriore, as multietniciteti, as ulëset e dedikuara në Kuvend për pakicat, as heshtja 20-vjeçare për spastrimin etnik, vrasjet, plagosjet, përdhunimet, shkatërrimet e Serbisë, por u dashka dhënë përsëri. Kosova duhet të japë, Serbia duhet të marrë territore e të amnistohet për krimet e saj, në mënyrë që klika të mbretërojë e qetë në krye të një minishteti kosovar. Po pse e meritoka Esat Pasha akuzën e tradhtarit e këta jo?

Kosova për veten dhe me Amerikën: Para një shekulli patriotët e diasporës shqiptare i propozonin Amerikës që ta shpallte Shqipërinë protektorat, në mënyrë që ajo të shpëtonte prej copëtimit të miratuar në Traktatin e Fshehtë të Londrës. Shqipëria nuk ekzistonte më si shtet dhe shtetet fituese e kishin ndarë në zona pushtimi. Në këto kushte, patriotët shpresonin se protektorati amerikan do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për shqiptarët, sepse Amerika ishte e fuqi e painteresuar për t’u zgjeruar me troje shqiptare dhe presidenti Uillson kishte shpallur 14 pikat e tij, në mes të të cilave ishte edhe e drejta e popujve për vetëvendosje. Gjithashtu, protektorati ishte një mekanizëm që aleatët po e përdornin për t’i administruar territoret e pushtuara të Perandorisë Osmane dhe nënkuptonte një formë të kujdestarisë së përkohshme dhe jo aneksim të përhershëm ose koloni. Klika e ish-kryeministrave (edhe njëherë, Limaj ka qenë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e vitit 2019), po kërkon që de facto Kosova të sillet si protektorat amerikan dhe t’ia besojë Grenellit një rol më të madh se sa ndërmjetësimin e bisedimeve me Serbinë. Edhe Grenelli duket se po vepron më shumë se ndërmjetës përderisa po përpiqet ta caktojë se cili do të jetë kryeministri që do ta përfaqësojë Kosovën në bisedime. Ndërkohë që Serbia ka gati kërkesat e saj për ricopëtim të Kosovës dhe futje të duarve në pasuritë e saj, klika po mendon që, me ndihmën e Amerikës, t’ia shkëpusë njohjen formale.

A është e nevojshme që Kosova të sillet si protektorat faktik amerikan? As nuk mund të krahasohet gjendja e tanishme e Kosovës me atë të Shqipërisë së vitit 1919, për të cilët patriotët e diasporës kërkonin protektoratin amerikanë. Juridikisht, Kosova është shtet sovran i njohur nga mbi 100 shtete, disa prej të cilëve janë ndër më të fuqishmit. Kjo do të thotë se kufijtë ekzistues së Kosovës janë të njohur ndërkombëtarisht dhe mund të ndryshohen vetëm me pëlqimin e saj. Këtë Serbia e di, prandaj e kushtëzon njohjen me ndryshime territoriale. Meqenëse neve si komb shqiptar na intereson edhe fati i Luginës së Preshevës, nëse shkëmbime të mundshme territoriale do të duhet të bëhen vetëm pas njohjes nga Serbia dhe në fund të një procesi të gjatë, ku do të marrin pjesë edhe bashkësitë që preken nga ky shkëmbim dhe që me të drejtë kanë nevojë për skema kompensimi. Sigurisht që Kosova nuk do të kishte asnjë interes që të shkëmbente territor me pasuri natyrore e vlera të krijuara nga dora e njeriut ose që ka rëndësi strategjike. Pra, ky është një operacion delikat që kërkon mirëbesim nga të dyja vendet, diçka për të cilën në situatën e tanishme nuk ekziston. Dhe, nuk ka për të ekzistuar nëse nuk ka vullnet të Serbisë për t’i adresuar krimet dhe dëmet shtetërore që i ka shkaktuar në Kosovë.

Dialogu, që të dalë me sukses për Kosovën, nevojitet një klimë të favorshme ndërkombëtare. Kosova nuk ka nevojë për ndërmjetësimin e Amerikës, por për mbështetjen amerikane dhe perëndimore ndaj dyshes Serbi-Rusi. Grenelli po garanton vetëm mbështetje për klikën, por jo edhe për interesat e Kosovës. Ai nuk garanton as unitetin e Perëndimit pas Kosovës, sikurse e garantuan treshja Klinton-Ollbrajt-Bleir më 1999 dhe Bushi më 2008. Ka një çarje serioze midis Amerikës dhe Bashkimit Evropian, te e cila ka dhënë ndihmesë edhe Grenelli në funksionin e ambasadorit në Gjermani. Në Evropën e sotme shkëmbimet territoriale shihen me shqetësim, edhe kur bëhen me miratimin e palëve, prandaj Kosovës i intereson ta shtyjë dialogun me Serbinë deri kur të jetë e sigurt se argumentet e saj gjejnë miratim në kancelaritë perëndimore. Vendosja e reciprocitetit me Serbinë nuk ka ngjallur mospajtim në Evropë dhe as te diplomatët e kongresmenët amerikanë, që tradicionalisht kanë qenë pranë shqiptarëve, por Grenelli po kërkon që Kosova ta tërheqë mbrapsht, ndërkohë që shprehja “Fair and reciprocal trade” nuk është e Kurtit, por e Trampit. Sigurisht që Grenelli e di se pas reciprocitetit Vuçiqi nuk vjen në tryezën e bisedimeve dhe marrëveshja e shpejtë nuk realizohet. Prej klikës së politikanëve të vjetër ai nuk kërkon asgjë më pak se sa të shpërfillin sovranitetin e Kosovës që të mos lëndohet sedra e Vuçiqit.

Shtetet sovrane ndërtojnë marrëdhënie reciprociteti mes tyre, që të tregojnë se formalisht janë të barabartë, pavarësisht nga fuqia reale mes tyre, që i bën të pabarabartë dhe i shtyn drejt aleancave. Nëse nuk kërkon reciprocitet, ke hequr dorë nga sovraniteti dhe pranon te trajtohesh si jolegjitim. Si jolegjitim nuk mund të kërkosh aleanca, por tutelë. Ngutja e Grenellit dhe ndërhyrja në proceset demokratike në Kosovë paralajmëron veç një dobësim të pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Këtë po e thonë hapur diplomatë, kongresmenë e politikanë amerikanë. Duhet kuptuar se në administratën e Trampit ka zyrtarë që dikur ishin skeptikë për ndërhyrjen e NATO-s dhe pavarësinë së Kosovës. Një nga paralajmërimet e tyre ishte se Kosova e pavarur do të bëhej barrë për Amerikën. Pas pavarësisë, klika që sundoi Kosovën u soll pikërisht siç do të donin skeptikët amerikanë e evropianë, siç do të donin Serbia dhe Rusia, duke u dhënë argumente për ta quajtur Kosovën një shtet të dështuar. Tani skeptikët rreth Trampit duan ta heqin barrën e Kosovës dhe këtë ta paraqesin si një fitore të bujshme të presidentit amerikan në politikën e jashtme, përpara se të nisë fushata për rizgjedhjen e tij.

Skeptikët në politikën e jashtme amerikane e kanë kuptuar sinjalin që populli i Kosovës dha më 6 tetor 2019, prandaj po ia kërkojnë shërbimet e fundit klikës së politikanëve të vjetër, që do të jenë me pasoja të rënda për Kosovën, për faktin e thjeshtë që kërkesat e Serbisë po gjejnë mirëkuptim në Shtëpinë e Bardhë. Tani duhet të këmbëngulim akoma më shumë te vullneti popullor për ndryshim të qeverisjes në Kosovë dhe te nevoja për mbështetje nga Amerika. Qeveria e Albin Kurtit, gjatë javëve të fundit, është përqendruar në luftën kundër korrupsionit dhe kapjes së shtetit dhe në luftën kundër pandemisë. Ajo e kërkon mbështetjen e jashtme si qeveri e përgjegjshme, e jo si qeveritë e mëparshme që mbështetjen amerikane për Kosovën e interpretonin si leje për t’u sjellë si uzurpatorë me popullin e tyre. Prandaj dhe këmbëngulja jonë në demokraci, vullnetin popullor dhe kushtetutshmërinë do të dëgjohet patjetër në Amerikë, në çerdhen e demokracisë. Që ta meritojmë aleancën me Amerikën dhe që ajo mos ta shohë mbështetjen që ua jep shqiptarëve si barrë apo lëmoshë, na duhet të ndërtojmë shtete funksionale dhe të kemi qeverisje demokratike e të përgjegjshme në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut.