Si hyri UDB-ja jugosllave brenda emigracionit politik shqiptar?!

Si hyri UDB-ja jugosllave brenda emigracionit politik shqiptar?!

Siç do të shohim, UDB-ja jugosllave, përmes mekanizmave të veta, arriti të fusë brenda kësaj organizate disa bashkëpunëtorë shumë të besueshëm, si: “Sllavni”, “Kalif”, “Karamboll”, “Xhebaj” etj., të cilët në koordinim dhe bashkëpunim të përhershëm me pjesëtarët e shërbimit në fjalë, arritën që brenda tre muajsh të krijojnë antagonizma aq të thella, midis kryetarit të OKRNDSH-së, Alinafi Hoxha, dhe sekretarit, Emin Fasliut, saqë ky i fundit pas 5 muajsh organizoi kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin u përjashtua Alinafi Hoxha nga organizata, duke e akuzuar atë se: “është bashkëpunëtor i UDB-së Jugosllave”. Rol të veçantë në shpartallimin e OKRNDSH-së luajtën dy bashkëpunëtorët e UDB-së: i pari mbante nofkën “Sllavni”, ndërsa i dyti “Kalif”.

Shkruan: Qerim LITA, SHKUP

Në fillim të vitit 1976, me nismën e dy udhëheqësve të Lidhjes Kosovare, Prof. Luan Gashit dhe hafiz Jusuf Azemit, u bë një përpjekje për krijimin e një platforme të vetme politike të mërgatës shqiptare, si në SHBA, ashtu edhe në shtetet e Europës Perëndimore. Lidhur me këtë nismë, burimet e UDB-së jugosllave, në mënyrë të vazhdueshme, informonin për vizitat e shpeshta të këtyre dy personaliteteve të shquara të nacionalizmës shqiptare në qendrat më të rëndësishme europiane: Bruksel, Paris, Kopenhagë, Kajzersllautern, Romë, Vjenë, Stokholm etj., ku siç vihej në dukje, krahas takimeve të rregullta me degët e Lidhjes Kosovare, mbanin takime të shumta me krerët më me ndikim të organizatave politike shqiptare në Europë, siç ishin: Abaz Ermenji, Vasil Antoni, Muharrem Bajraktari, Vebi Ibrahimi, Alinafi Hoxha, Ditar Kurteshi, Hasan Zhubi, Qazim Prodani, Emin Fasliu, Halim Selmani e shumë të tjerë. Natyrisht, qëllimi i këtyre takimeve ishte bashkërendimi i aktiviteteve të emigracionit politik shqiptar në SHBA me pjesën tjetër që vepronte në shtetet e Europës Perëndimore dhe në Republikën e Turqisë. Më 16 prill 1976, Sekretariati Federativ i Punëve të Jashtme të RSFJ-së njoftonte se emigracioni politik shqiptar në vendet europiane e tejoqeanike “bën përpjekje konstante” për bashkim dhe krijimin e një “qendre të vetme që do të udhëhiqte me aktivitetet e emigracionit për çlirimin e Kosovës”. Ndërkohë edhe UDB-ja jugosllave, më 7 maj 1976, informonte se në muajin prill të vitit 1976 në Bruksel ishte mbajtur një mbledhje me pjesëmarrje të përfaqësuesve të ONDSH-së, Lidhjes së Vardarit, Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Heroizmës Shqiptare, në të cilën pjesëmarrësit kishin sjellë konkluzione me përmbajtjen si vijon:

Vazhdimi i përpjekjeve dhe të iniciativave për krijimin e frontit të përbashkët të mbarë organizatave shqiptare në emigracion në luftën e përbashkët për Shqipërinë Etnike; dhënie të ndihmave gjithëpërfshirëse dhe të llojllojshme nga emigracioni, shqiptarëve që gjenden nën robërinë sllave e sllavo-ortodokse; qasja kah përgatitja për organizimin e demonstratave protestuese në Bruksel, Paris etj., lidhur me gjykimin e grupit patriotët shqiptar në Prishtinë”.

Po ky shërbim, më 3 tetor 1977, njoftonte për vizitën e Jusuf Azemit në Bruksel dhe takimet e tij me personalitetet drejtuese të organizatave politike shqiptare, si: Muharrem Bajraktari, Vebi Ibrahimi, Tosum Dollani, Gjergj Prifti, Shefki Xhelili, Halim Selmani e tjerë. Në këto takime, siç bëhet e ditur nga njoftimi i mësipërm, ishte arritur marrëveshje dhe pajtueshmëri e plotë për aktivitete dhe manifestime të përbashkëta të mbarë organizatave politike shqiptare në mërgim, kundër politikës jugosllave, të cilat: “do të përbëhen nga shkrime dhe dërgime të letrave, promemorieve dhe materialeve tjera deri te pjesëmarrësit e OSBE-së dhe personaliteteve tjera, si edhe organizimin e demonstratave në më shumë vende në mesin e të cilave edhe në Belgjikë”.

Kjo nismë, siç do të shohim në vazhdim, për fatin tonë të keq nuk do të realizohet, falë disa elementeve “shqipfolëse”, të cilët duke u thirrur në “emër të atdhetarizmit shqiptar”, fillimisht u përfshinë brenda organizatave politike shqiptare që vepronin në shtetet e Europës Perëndimore”, që më pas, përmes shpifjeve dhe trillimeve, arritën të mbjellin urrejtje e mosbesim tek krerët më të lartë të organizatave politike, deri në ato përmasa, saqë sollën deri te shpërbërja e së ekzistuarit të disave prej tyre. Shembull konkret është rasti i Organizatës Kosovare Revolucionare Nacional Demokratike Shqiptare – OKRNDSH, themelimi i së cilës erdhi në saje të bashkimit të tre organizatave politike shqiptare: Lidhja e Vardarit, me qendër në Marsejë – kryetar Alinafi Hoxha; Besëlidhja, përkatësisht Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, me qendër në Denzdorf të RF të Gjermanisë, me kryetar Emin Fasliun dhe “Ismail Qemali”, me qendër në Bruksel, që udhëhiqej nga atdhetari i mirënjohur shqiptar, Vebi Ibrahimi. Ky bashkim rrodhi pikërisht në saje të angazhimit të vazhdueshëm të drejtuesve të Lidhjes Kosovare, për unifikimin e aktiviteteve e të veprimtarisë së mërgatës shqiptare në botën e jashtme. Mirëpo, siç do të shohim, UDB-ja jugosllave, përmes mekanizmave të veta, arriti të fusë brenda kësaj organizate disa bashkëpunëtorë shumë të besueshëm, si: “Sllavni”, “Kalif”, “Karamboll”, “Xhebaj” etj., të cilët në koordinim dhe bashkëpunim të përhershëm me pjesëtarët e shërbimit në fjalë, arritën që brenda tre muajsh të krijojnë antagonizma aq të thella, midis kryetarit të OKRNDSH-së, Alinafi Hoxha, dhe sekretarit Emin Fasliut, saqë ky i fundit pas 5 muajsh organizoi kongres të jashtëzakonshëm, në të cilin Alinafi Hoxha u përjashtua nga organizata, duke e akuzuar atë se “është bashkëpunëtor i UDB-së Jugosllave”. Rol të veçantë në shpartallimin e OKRNDSH-së luajtën dy bashkëpunëtorët e UDB-së: i pari e mbante nofkën “Sllavni”, ndërsa i dyti “Kalif”.

Meqenëse në këtë numër të revistës “SHENJA” është paraparë të trajtohen krimet e komunizmit dhe dosjet e sigurimeve shtetërore të dy ish regjimeve komuniste, jugosllave dhe atë shqiptare, e ndjeva si detyrim që të shpalosi tre dokumente të ish UDB-së jugosllave, ku del sheshit roli i dy informatorëve të lartpërmendur jugosllavë (që të dy me origjinë shqiptare dhe të identifikuar nga autori i këtij shkrimi), jo vetëm në përçarjen e mërgatës politike shqiptare, por madje edhe në hasmërimin e skajshëm të saj. Interes të veçantë për lexuesit e “SHENJËS” dhe jo vetëm, paraqet dokumenti i tretë, i cili përbën një material të përgatitur enkas nga ana e oficerit të Shërbimit sekret të RS të Maqedonisë për në seminarin që Drejtoria e Sigurimit Shtetëror të RSFJ-së e kishte mbajtur më 16-17 prill 1979 në Beograd. Në të, oficeri i UDB-së maqedonase, bënë një përshkrim të detajuar se si ai dhe shërbimi maqedonas, përmes bashkëpunëtorit të tyre të besueshëm “Sllavni”, për një afat të shkurtë kohor, arritën jo vetëm ta shpartallojnë rrënjësisht Organizatën Kosovare Revolucionare Nacional Demokratike Shqiptare, por madje të krijojë një armiqësi të paparë midis kryetarit të organizatës, Alinafi Hoxha, dhe sekretarit, Emin Fasliu, ndërsa vet ai të ngelë “i pakomprometuar”.

 

* * *

 

Dok. nr. 1

Raport i bashkëpunëtorit “Sllavni” dërguar oficerit të sigurimit shtetëror (UDB) në Shkup

 

“Nr. 248

Shkup, 7 maj 1976

Bashkëpunëtori ‘Sllavni’ nga Belgjika, sipas marrëveshjes dhe në mënyrë konspirative, informon për një mbledhje të mbajtur më 8 prill 1976 në Bruksel, në të cilën përveç kryetarit të Organizatës Heroizma Shqiptare, Pjetër Nuo Gjonmarkaj, me vendbanim në Itali (emigrant nga RP e Shqipërisë, i moshës 50 vjeçare, profesor i albanologjisë në Universitetin e Padovës, i cili është zgjedhur për kryetar të Heroizmës Shqiptare në Kongresin I, të mbajtur në vitin 1973 në SHBA; ai zhvillon vizita të rregullta në punktet e emigracionit në vendet europiane e tejoqianike dhe merr pjesë në tubimet më të larta, duke insistuar në nevojën e bashkimit dhe veprimit të përbashkët të mbarë organizatave të emigracionit shqiptar për “çlirimin” e Kosovës – shënim i inspektorit të sigurimit), si përfaqësues të emigracionit shqiptar në këtë shtet kanë marrë pjesë: Hysen Shehu (Legaliteti), Ded Pjetri (Balli Kombëtar), Hasan Zhubi (Lidhja e Prizrenit), Vebi Ibrahimi (Organizata Nacional Demokratike Shqiptare), Pjetër Marku dhe Emrush Haliti.

Mbledhja është thirrur me iniciativë të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare në banesën e Vebi Ibrahimit, emigrant nga f. Uglarë – Gjilan, i cili i ka kryer edhe përgatitjet teknike, ndërsa mbledhjen e ka udhëhequr Pjetër Gjonmarkaj.

Krahas nevojës së intensifikimit të aktiviteteve të degëve të emigracionit në Belgjikë në mbledhje, më konkretisht janë shqyrtuar edhe çështjet si më poshtë:

– Vazhdimi i përpjekjeve dhe të iniciativave për krijimin e frontit të përbashkët të mbarë organizatave shqiptare në emigracion në luftën e përbashkët për “Shqipërinë e re Etnike”, që do ta përfshinte RP të Shqipërisë, krahinën e Çamërisë në Greqi, Kosovën dhe viset shqiptare nga RS e Maqedonisë;

– Dhënie të ndihmave gjithëpërfshirëse dhe të llojllojshme nga emigracioni, shqiptarëve që gjenden nën “robërinë sllave” e “sllavo-ortodokse’;

– Qasja e përgatitjes për organizimin e mitingut protestues në Bruksel, lidhur me gjykimin e grupit “patriotët shqiptarë” në Prishtinë. Manifestime të ngjashme nga emigracioni shqiptar janë parashikuar edhe në Paris (Francë).

Pjetër Gjonmarkaj, i cili e ka pasur fjalën kryesore në mbledhje, midis tjerash i ka njoftuar të pranishmit për qëndrimin e tij në SHBA (nga ku drejtpërsëdrejti ka udhëtuar në Belgjikë), ku ka theksuar se ajo ka qenë pjesë e aktiviteteve që i ka ndërmarrë për krijimin e frontit të vetëm të emigracionit shqiptar, e cila vetëm homogjene dhe e bashkuar mund të llogarisë në ndihmën e opinionin politik në botë.

Pjetër Gjonmarkaj nga Belgjika ka udhëtuar për Paris (11. 04. 1976) dhe përsëri është kthyer në Bruksel ku qëndroi deri më 16 prill k. v.

Bashkëpunëtori “Sllavni”, duke vepruar sipas instruksioneve, ka arritur gradualisht të lidhet me Vebi Ibrahimin, i cili mendon se e ka përfshirë në organizatë, ia mundësoi të marrë pjesë në mbledhje. Thellimin e mëtejshëm të pozitës së burimit dhe masat e llojllojshme që ndërmerren për pamundësinë e komprometimit eventual, së shpejti pritet të japin përgjigje në pyetjen se çfarë do të thotë Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (në Belgjikë dhe Suedi), forumet më të larta të tyre, sipas disa paralajmërimeve, drejtpërsëdrejti ta orientojnë kah Parisi ku gjendet qendra e Ballit Kombëtar.

Për shkak të përfshirjes më të përgjithshme dhe vlerësimit për gjendjen e punkteve të emigracionit në Belgjikë dhe Francë nga aspekti i misionit më të ri të Pjetër Gjonmarkajt, ndërsa me qëllim të zbulimit dhe pengimit me kohë të qëllimeve dhe përgatitjeve për ndërmarrjen e aksioneve konkrete armiqësore, krahas futjes më të plotë të burimeve tona kualitative studiohen mundësitë edhe për kontakte të drejtpërdrejta me bashkëpunëtorin “Sllavni” në vende të treta që, përveç tjerash, duhet të mundësojë, përveç funksionimit konspirativ, edhe në lidhjen ekspeditive”.

 

Dok nr. 2.

“Vështrim i UDB-së rreth kongresit të OKRNDSH-së shikuar nga aspekti i gjendjes më të re në punktin e asaj organizate në Belgjikë

 

Nr. 14

Shkup, 11 janar 1978

 

Bashkëpunëtori “Kalif”, i cili po qëndron në vend, i shtroi disa pikëpamje të veta lidhur me aktivitetin e punktit të Organizatës Kosovare Revolucionare Nacional Demokratike Shqiptare në Belgjikë, para dhe pas mbajtjes së “Kongresit”, si dhe dilemën rreth asaj se a duhej të paraqiteshin përfaqësuesit e këtij punkti në Denzdorf, që rrodhi si rezultat i prezencës sonë në këtë grupim të emigracionit.

Vendimi përfundimtar për të udhëtuar në Denzdorf u soll në prag të mbajtjes së Kongresit. Nga delegacioni i zgjedhur më parë, në përbërje: Vebi Ibrahimi, Halim Selmani, Adem Sulejmani, Zejnulla Halilovski, Shefki Xhelili, Ali Krasniqi dhe Asllan …., udhëtuan vetëm katër të parët, ndërsa Ali Krasniqi nga kufiri qe kthyer nga ana e policisë belge, për shkak se nuk posedonte dokument udhëtimi.

Nga Brukseli janë nisur më 25 nëntor 1977 me veturën e Vebi Ibrahimit. Në Denzdorf (26 nëntor) janë pritur nga Alinafi Hoxha, Emin Faslija dhe Hysen Çelaj. Shpenzimet për qëndrimin në Denzdorf çdo anëtar i ka paguar vetë (400 MGJ). Të gjithë pjesëmarrësit ishin të armatosur me revole, ndërsa 11 nga ata ishin të ngarkuar nga Emin Faslija dhe Alinafi Hoxha për sigurimin e objektit ku mbahej tubimi.

Pas mbarimit të Kongresit qe organizuar darkë dhe kremtimi i 28 Nëntorit – Dita e Flamurit Shqiptar, në të cilën nuk mori pjesë grupi i Belgjikës. Ata u kthyen prapa, të shoqëruar nga Alinafi Hoxha, i cili në Bruksel qëndroi dy ditë (te Vebi Ibrahimi dhe Zejnulla Halilovski).

“Kalifi” gjatë bisedës vuri në dukje se në mesin e anëtarëve në Bruksel tashmë disa muaj është e pranishme ndarja shumë e theksuar, mosbesimi, jotoleranca dhe dyshimi për simpati ndaj Jugosllavisë dhe bashkëpunimi me UDB-në, nga të cilët përjashtohen vetëm Vebi Ibrahimi dhe Halim Selmani, të cilët trajtohen si më të besuarit e organizatës. Në mënyrë të hapur u akuzuan Adem Sulejmani, Zejnulla Halilovski, Ali Krasniqi, Shefki Xhelili etj., për çka është sjell vendim me të cilën, anëtarëve ju ndalohet që vijnë privatisht në RSFJ.

Meqenëse grupimi në Bruksel konsiderohet si pjesë e Lidhjes së Vardarit, për tejkalimin e kësaj gjendje, ka intervenuar personalisht Alinafi Hoxha, nën udhëheqjen e të cilit në fillim të nëntorit vitin e kaluar është mbajtur mbledhje, e cila ka kaluar me debate dhe akuza të ndërsjella. Në mënyrë të veçantë është akuzuar Shefki Xhelili, i cili e ka poseduar çelësin e faksit postal, për atë se ka fotokopjuar dhe dërguar materiale në vend (Jugosllavi – v.j.) dhe se i ka fshehur tri letra të Hysen Tërpezës të dërguar nga RF e Gjermanisë deri te Vebi Ibrahimi dhe persona të tjerë. Për këtë shkak, në mbledhjen e njëjtë Shefki Xhelili është shkarkuar nga funksioni kryetar i organizatës, ndërsa me propozim të Alinafi Hoxhës për kryetar të përkohshëm është emëruar Zejnulla Halilovski.

Përkundër përpjekjeve të katërshes drejtuese për manifestimin e unitetit të anëtarëve, Kongresi i OKRNDSH-së, në fakt, ngeli vetëm një fasadë e gjendjes reale në të dhe kompromis i përkohshëm të antagonizmave dhe mostolerancës ekzistuese, që me intensitet të pazvogëluar edhe më tej është prezent në organizatë, për thellimin e së cilës veç tjerash është përqendruar edhe pesha e masave dhe e aktiviteteve të organizuara të shërbimit”.

 

Dok.nr. 3

“Material i përgatitur nga Sekretariati Republikan për Punë të Brendshme i RS të Maqedonisë, për nevojat e seminarit të specializuar të UDB-së, i mbajtur më 16 -27 prill 1979 në Beograd

BESUESHMËRI E RREPTË!

Shkup, prill 1979

 

Pjesëmarrja e bashkëpunëtorit “Sllavni” në përpunimin operativ ‘Vardar’

Siç është e ditur, në përbërje të Organizatës OKRNDSH, e themeluar në vitin 1977 në RF të Gjermanisë nga emigracioni dhe persona të kombësisë shqiptare me prejardhje nga vendi ynë, ka hyrë edhe grupi i njohur me emrin Lidhja e Vardarit, me seli në Marsejë – Francë, ndërsa themeluesi dhe udhëheqësi shumëvjeçar Reis Ali Hoxha, emigrant ekstrem nga rrethina e Gostivarit – RSM, në kreun udhëheqës të organizatës së re e ka marrë postin e kryetarit.

Nafi Xhabir Tahiri, në emigracion i njohur më mirë si “Reis Ali Hoxha”, “Alinafi Hoxha”, “Shop Albert”, “Hafuz” dhe “Robert”, ka emigruar në vitin 1956 në Itali, ku është përfshirë në Ballin Kombëtar dhe një periudhë ishte sekretar i degës. Pas shkuarjes në Marsejë, në vitin 1964 e themeloi Lidhjen e Vardarit – me modalitetin e Lidhjes së Prizrenit, me platformë të ngjashme politike, ku deri te bashkëngjitja me OKRNDSH-në, nën firmën e “sekretarit të përgjithshëm”, i kryen të gjitha detyrat udhëheqëse dhe për shumë vite zbaton veprimtari intensive subversivo-propaganduese dhe informativo-zbuluese ndaj RS të Maqedonisë dhe KSA të Kosovës, njëkohësisht duke u paraqitur si luftëtar i flaktë për përdorimin e metodave dhe aksioneve më të ashpra në veprimin e emigracionit armiqësor shqiptar ndaj vendit tonë.

Në periudhën e caktuar, deri në vitin 1970-të, duke shfrytëzuar më së shpeshti presionin dhe lidhjet me policinë franceze, arriti të përfitojë rreth 30 persona (emigrantë dhe individë me punë të përkohshme në botën e jashtme) nga territori i Francës, Austrisë dhe RF të Gjermanisë. Krahas veprimtarisë drejt vendit tonë (dërgimin e materialit propagandues dhe lidhjeve për grumbullimin e të dhënave të mbrojtjes-ushtarake në Maqedoninë Perëndimore), e intensifikon bashkëpunimin me emigracionin kroat, me organizatat të tjera të emigracionit shqiptar, veçmas me grupin Lidhja Shqiptare, e cila në të njëjtën periudhë, nën drejtimin e Halit Shehut (i biri i Mefail Zajazit – v.j.), emigrant nga Kërçova, nga territori i gjerë i Dyseldorfit – RF e Gjermanisë, vepron në pozitat e ngjashme, si edhe Lidhja e Vardarit – aktivitetin e saj e përqendron ndaj RSFJ.

Duhet të vëmë në dukje faktin se në “prosperitetin” më të madh të grupit, Reis Ali Hoxha nuk arriti që përreth vetes të krijojë bërthamë më të fuqishme të organizatës në Marsejë, porse në veprimtarinë armiqësore kryesisht mbështetej (këtë e bën edhe sot) në individë nga Parisi ose nga vendet të tjera të Europës Perëndimore. Krahas masave tona, për këtë gjithsesi se ka ndikuar edhe sjellja skajshmërisht brutale e Reis Ali Hoxhës në komunikimin e drejtpërdrejtë jo vetëm me njerëzit e tjerë, por edhe me familjarët e tij më të afërt (kryen kontrollime, ua merr dokumentet e udhëtimit, keqtrajton, janë të njohura rastet e lidhjeve dhe keqtrajtimeve individuale, krejt me qëllim të zbulimit të bashkëpunëtorëve të UDB-së), kështu që të gjithë ata me të cilët ka kontaktuar, veçmas punëtorët tanë, duke e parë se për çfarë njeriu bëhet fjalë, përpiqen të jenë larg tij dhe vendosen në viset tjera të Francës.

Sjelljet dhe veprimet e Reis Ali Hoxhës shkojnë drejt faktit se bëhet fjalë nëse jo për një personalitet i paparashikueshëm, atëherë me të meta të skajshme psikike, për çka, duke e pasur parasysh ekstremizmin e tij të skajshëm dhe fanatizmin fetar, Shërbimi i kushton kujdes të veçantë.

Me implementimin e masave të ndryshme operative dhe aksioneve të tjera brenda territorit të Francës dhe jashtë saj, si edhe me shpartallimin e grupit Lidhja Shqiptare në vitin 1971, me drejtuesin e së cilës, Reis Ali Hoxha pati lidhje ideologjike dhe personale, kryetari i Lidhjes së Vardarit, ngeli i vetmuar në Marsejë., ashtu që për një periudhë më të gjatë munguan tërësisht aktivitetet e organizuara (mbledhje, kremtime etj.), u ndërpre shtypja e materialit propagandues, përfitimi i anëtarëve të rinj dhe zvogëlimi drastik i intensitetit të veprimtarisë armiqësore ndaj vendit.

Në rrethana kur me masat tona u pamundësua ndikimi i tij në territoret e njohura, Reis Ali Hoxha, në situatën e re të krijuar, duke u mbështetur në mbështetësit dhe anëtarët e mëhershëm të grupit të tij jashtë Francës, e intensifikon veprimtarinë në krijimin e punkteve të tij të organizuara në disa vende tjera të Europës Perëndimore, gjë që drejtpërsëdrejti u manifestua me paraqitjen e degës së Lidhjes së Vardarit në Bruksel.

Së shpejti u identifikuan dy emigrantë me prejardhje nga KSA e Kosovës, si realizues të drejtpërdrejtë të qëllimit të Reis Ali Hoxhës, të cilët në tetor të atij viti morën pjesë në martesën e Leka Zogut në Madrid si të deleguar të kryetarit të Lidhjes së Vardarit.

Në bazë të hulumtimeve të kryera për situatën dhe të mundësive tona të shumta që i kemi në Belgjikë, është vendosur që Vebi Ibrahimit, i cili për një kohë relativisht të shkurtër u afirmua si udhëheqës dhe eksponent i zëshëm i Lidhjes së Vardarit në mesin e emigracionit në Bruksel, t’i plasohet bashkëpunëtori “Sllavni”, me qëllim që lidhja e tij me Reis Ali Hoxhën, për çka ai është i kyçur drejtpërsëdrejti në lëndën operative “Vardar”, që në kuadër të masave e të aktiviteteve operative të planifikuara e të organizuara, për t’iu kundërvënë veprimtarisë së “Lidhjes së Vardarit” dhe udhëheqësit të saj ekziston që nga viti 1967.

I përgatitur në mënyrë solide dhe i mbrojtur nga komprometimi eventual, “Sllavni” në fillim të vitit 1976 i realizoi kontaktet e para me Vebi Ibrahimin dhe e fitoi besimin e plotë që për një afat shumë të shkurtër i mundësoi të përfshihet në rrjedhat e qëllimeve dhe aktiviteteve të tij. Së shpejti i identifikoi të gjithë pjesëtarët e kësaj dege (12-15), e zbuloi mënyrën e mbajtjes së lidhjeve dhe përcjelljen e instruksioneve në relacionin Marsejë-Bruksel dhe e vlerësoi orientimin dhe intensitetin e veprimit në relacion me emigracionin tjetër shqiptar, qytetarët tanë me punë të përkohshme dhe ndaj vendit tonë.

I kënaqur me “punën dhe angazhimin” e tij, Vebi Ibrahimi, si mbështetësi i tij “intelektual’, ia rekomandon Reis Ali Hoxhës, me çka “Sllavni” fillimisht në mënyrë indirekte (përmes korrespodencës), ndërsa më vonë edhe drejtpërsëdrejti, vendos lidhje me kryetarin e Lidhjes së Vardarit. Duke u përqendruar në instruksionet tona dhe përshtatjen e sjelljes së tij me situatën konkrete, personalitetin dhe dijen e tij, “përkushtimin ndaj veprës së organizatës”, këshillimin dhe nxitjen me shkathtësi të krenarisë të Reis Ali Hoxhës, arriti ta përfitojë besimin, kështu që ai filloi të konsultohet me të edhe në mungesë të Vebi Ibrahimit.

Gjithnjë e më shumë duke i përforcuar pozicionet e veta në relacion me Vebi Ibrahimin, Reis Ali Hoxhën dhe me anëtarësinë në Belgjikë, në momentin e dhënë “Sllavni” drejtpërsëdrejti ose nëpërmjet personave të tjerë, në mënyrë shumë të shkathtë e fillon “lojën” e tij, e cila së shpejti rezulton me dukurinë e mospajtimeve, dyshimeve, urrejtjes personale, akuzave reciproke, madje edhe ballafaqimeve fizike në punktin e organizatës në Bruksel. Aksioni i tij dhe veprimi nga pozitat e tjera të shërbimit bëri që gjendja të ashpërsohet, të kryhen ndryshime të shpeshta në udhëheqësi e kështu me radhë, që në përmasa të mëdha e pamundësoi përpjekjen e Vebi Ibrahimit në planin e konsolidimit dhe intensifikimin e aktiviteteve armiqësore. Krahas kësaj, ai arrin të pasivizojë dhe përfitojë një numër personash të cilët në fazën e themelimit të degës dalloheshin për nga aktiviteti dhe “mbanin” poste të caktuara, njëkohësisht duke i shfrytëzuar edhe për thellimin e përçarjes dhe si informator të tij. Ai nxiti pakënaqësinë e anëtarësisë ndaj Vebi Ibrahimit dhe mbolli dyshimet e para ndërmjet tij dhe Reis Ali Hoxhës.

Me aktivitetin e tij, krahas pamundësimit të zgjerimit të punktit, kontribuoi që ai të mos pranohet nga shumica e organizatave të tjera të emigracionit shqiptar në Belgjikë, ndërsa me punën e mëtutjeshme, në disa raste, pengoi futjen e materialit propagandues në vend dhe ka meritë të konsiderueshme në eliminimin e qëllimit dhe përgatitjes së Vebi Ibrahimit për mbajtjen e demonstratave para ndërtesës së ambasadës jugosllave në Bruksel, me rastin e ditës së flamurit shqiptar në vitin 1976.

Gjithnjë deri te nënshkrimi i dokumentit për themelimin e OKRNDSH-së (në fillim të vitit 1977), veprimtaria e “Sllavnit” kryesisht qe përqendruar kah punkti në Bruksel dhe ai për shkaqe objektive nuk pati mundësi ta shfrytëzojë në mënyrë më racionale pozitën e krijuar në relacion me Reis Ali Hoxhën.

Mirëpo, së shpejti kjo situatë ndryshon. Duke krijuar dhe nxitur në mënyrë permanente përçarjen në punktin më të madh të organizatës së re në Bruksel, bashkëpunëtori krijon mundësi për paraqitjen e drejtpërdrejtë ndaj Reis Ali Hoxhës (mbledhje, kontakte private). Me veprimin e drejtpërdrejtë ndaj personalitetit të kryetarit të Lidhjes së Vardarit, thelloi mospajtimet ekzistuese në kreun e organizatës, veçmas ndërmjet Reis Ali Hoxhës, Emin Fasliut dhe Vebi Ibrahimit, që kjo të ruhet në gjendjen e përgjithshme të organizatës dhe kontribuoi që disa herë të shtyhet kongresi i paralajmëruar i bashkimit të OKRNDSH-së.

Përkundër asaj se në këtë drejtim pati suksese të mëdha, “Sllavni” nuk pati mundësi e as që është kërkuar nga ai që ta pamundësojë krijimin e OKRNDSH-së. Mirëpo, është e madhe merita e tij që koalicioni i disa grupeve ekzistuese të emigracionit nga fillimi të ballafaqohet me një sërë probleme e vështirësia të brendshme, ndërsa në “Kongresin” e mbajtur në nëntor të vitit 1977, punkti më i madh i organizatës në Bruksel të paraqitet ‘fuqi baruti’, eksplodimi i së cilës diç më vonë në mbledhjen plenare të OKRNDSH-së, shkaktoi ndarjen definitive të udhëheqjes qendrore dhe pamundësoi konsolidimin dhe veprimin e unifikuar të OKRNDSH-së deri më sot.

Ndarja e kreut të OKRNDSH-së rrodhi kryesisht si rezultat i paraqitjes ofensive të bashkëpunëtorit ‘Sllavni” në mbledhjen e parë plenare të kësaj organizate, që u mbajt në mars të vitit 1978 në Bruksel, kur i përmenduri, nga një regjistrues dhe informator i deriatëhershëm, me sukses futet në funksionin e përçarësit, që me paraqitjen e tij në plenum krijoi përçarje në organizatë dhe ndarje të ashpër brenda udhëheqjes në dy fraksione antagoniste, njëkohësisht duke iu shmangur komprometimit të vet.

Përçarja e krijuar dhe ashpërsimi i mëtejshëm i marrëdhënieve solli diferencimin e grupit përreth kryetarit Reis Ali Hoxha, i cili në përmasa të mëdha e ruajti ndikimin në pjesën e organizatës në Belgjikë (Bruksel), Francë (Paris dhe Marsejë) dhe Austri (Vjenë), ku së shpejti shuhet çfarëdo lloj forme e veprimtarisë armiqësore, ndërsa garnitura udhëheqëse për konsolidimin e vetvetes vepron në gjetjen e një strategjie të duhur për njollosjen dhe përjashtimin nga OKRNDSH-ja të fraksionit kundërshtar të “sekretarit të përgjithshëm”, Emin Faslisë.

Në këto rrethana të krijuara “Sllavni” dhe pozitat tjera tonat ende më drejtpërdrejti e bllokojnë Reis Ali Hoxhën, duke e nxitur atë si “udhëheqës” i OKRNDSH-së, gjë që e detyroi të përmendurin të angazhohet në tërësi për ballafaqim me “mbeturinat”, të tërhiqet nga plani organizativ, ndërsa ekstremizmi i tij i njohur në relacion me RSFJ-në të manifestohet shumë rrallë.

Me zhvillimin e marrëdhënieve të brendshme në OKRNDSH, në drejtimin që në përmasa të mëdha e orientoi edhe vetë, “Sllavni” bëhet mbështetësi më i afërt dhe i vetmi i Reis Ali Hoxhës, duke vepruar në kohë të fundit në drejtim të pamundësimit të paraqitjes së tij në “Kongresin e jashtëzakonshëm” të OKRNDSH-së të paralajmëruar për 14 dhe 15 prill këtë vit (1978-v.j) në Frankfurt. Veprimi i bashkëpunëtorit në këtë drejtim mundësoi ndërmarrjen e masave të tjera, kryesisht psikologjike dhe kombinime nga vendi dhe jashtë me Reis Ali Hoxhën, të cilat gjithashtu si instancë të fundit e kanë mosparaqitjen e tij në kongres.

Vlerësohet se në relacionet e deritanishme ndaj Reis Ali Hoxhës, punktit të “Lidhjes së Vardarit” në Bruksel dhe ndaj një pjese të OKRNDSH-së, “Sllavni” ka korrur rezultate të jashtëzakonshme, si nga kualitetet e tij personale, ashtu edhe për nga shkalla e lartë e bashkëpunimit dhe udhëheqjes operative, veçmas:

– bazat patriotike të angazhimit dhe të bashkëpunimit të tij flasin për një njeri i cili mbi të gjitha e do vendin e tij (Jugosllavinë –v.j.) dhe është i vetëdijshëm për punën dhe angazhimin e tij. Këtë e vë në dukje se gjendet në radhët e para të mbrojtjes së rregullimit shoqëror të vetëqeverisjes socialiste, që angazhimin e tij nuk e kushtëzon me çfarëdo lloj shpërblimi material ose të ndonjë natyre tjetër;

– mjedisi armiqësor që është dërguar i përshtatet aftësive të veta, mënyra e veprimit dhe përshtatja me aftësitë e mëhershme të “Sllavnit” ishin në nivelin e vëzhguesit periferik në relacion me punktin “Blloku Indipedent” në Belgjikë;

– edhe pse nuk është në radhët e intelektualëve të mëdhenj, posedon përgatitje shkollore dhe veti të tjera karakteristike që e veçojnë (në paraqitje dhe si personalitet) në mjedisin ku vepron si intelektual, që u imponohet disa udhëheqësve të OKRNDSH-së, veçmas Reis Ali Hoxhës;

– gjatë pjesës më të madhe të bashkëpunimit ka qenë shumë i suksesshëm si regjistrues e informator – të dhënat e tij gjithmonë kanë qenë të shkurta, në kohën e duhur, reale, pa glorifikime të çështjeve dhe, së bashku me njohuritë nga burimet e tjera të UDB-së së KSA të Kosovës dhe RS të Maqedonisë, në çdo moment e ruanin gjendjen reale në OKRNDSH-së, duke mundësuar veprime dhe masa të suksesshme të UDB-së;

– në mungesë të zgjidhjeve tjera, diç më vonë, pa një parapërgatitje të rëndësishme në këtë drejtim, është futur në funksionin e përçarësit, që gjithashtu e realizoi me shumë sukses, duke u përqendruar kryesisht në zgjuarsinë dhe aftësinë e tij për vlerësimin e zhvillimit konkret të situatës. Riorientimi i tij si përçarës përmbante elemente të rrezikut të lartë, por ai arriti t’i përballojë dhe të mbetet i pakomprometuar;

– gjatë tërë kohës së bashkëpunimit veçmas iu kushtua dhe ende i kushtohet vëmendje aftësimit të tij për tërë sistemin dhe mënyrën e mbajtjes së lidhjeve, ndërsa ndërmerren edhe masa të tjera me qëllim të mbrojtjes së tij fizike”.