Shtyhet sërish seanca për ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Shtyhet sërish seanca për ndryshimet kushtetuese (VIDEO)

Vazhdon të zvarritet procedura e ndryshimeve kushtetuese. Në fazën e fundit të ndryshimeve kushtetuese vazhdojnë kalkulimet për mbledhjen e 80 votave të nevojshme për ndryshimin e kushtetutës. Debati që duhej të fillojë që nga dita e djeshme disa herë është prolonguar. Seanca plenare e caktuar për sot në mesditë, fillimisht u prolongua për orët e pasdites, ndërsa më vonë e njejta u caktua për nesër në mesditë. Mbetet e paqartë se kush do të ofrojë mbështetje për ndryshimet kushtetuese dhe ku po ngec procesi. Në këtë debat nuk marrin pjesë deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit “për Maqedoni më të mirë”, ndërsa marrin pjesë deputetët e përjashtuar nga ky koalicion, për shkak se votuan pro nevojës për ndryshime kushtetuese më 19 tetor të vitit të kaluar.

Nga ana tjetër kundërshtuesit e Marrëveshjes së Prespës vazhdojnë të protestojnë para Kuvendit të Maqedonisë, duke kërkuar që këto ndryshime të mos kalojnë. Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski së bashku me deputetët e VMRO-DPMNE-së i’u bashkangjit edhe sot protestës së organizuar nga Lëvizja ”Tvrdokorni” dhe “Maqedonia bllokon”. Ai në fjalimin e tij përsëriti edhe njëherë se VMRO-DPMNE  nuk do të ofrojë mbështetje për ndryshimet kushtetuese duke theksuar se do të bëjë gjithçka që ta pengojë këtë proces.

Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së: Marrëveshja është e dëmshme dhe unë nuk do t’u premtoj sikurse ai gjithçka, por mund të ju premtoj se VMRO-DPMNE dhe unë personalisht do të bëjmë gjithçka që kemi fuqi që kjo marrëveshje të mos ndodh.  Ky do të jetë angazhimi im dhe unë këtë çështje do ta hap në secilin rast.

Faza e fundit e ndryshimeve kushtetuese ka filluar dje dhe deri më tani i vetmi që ka mbajtur fjalim në foltoren e Kuvendit ishte Kryeministri Zoran Zaev, pas çka në seancën e djeshme, kryeparlamentari Talat Xhaferi e ndërpreu seancën, me arsyetimin se deputetëve do të duhej t’u shpërndahet stenogrami i fjalimit të tij. Debati për ndryshimet kushtetuese pritet të përfundojë më 15 janar dhe nëse ndryshimet kushtetuese marrin votat e nevojshme ndryshon Kushtetuta dhe së bashku me të edhe emri i shtetit.

Pas miratimit në Kuvendin e Maqedonisë, topi kalon në parlamentin grek ku duhet të bëhet ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës dhe nënshkrimi i protokollit për anëtarësimin e vendit në NATO si dhe hapjen e negociatave me BE-në.

Ajnur Bafqari /SHENJA/