` . Shtyhet rikthimi në ring i Mike Tyson, ndeshja ndaj Roy Jones Jr do mbahet në nëntor - TV SHENJA

Shtyhet rikthimi në ring i Mike Tyson, ndeshja ndaj Roy Jones Jr do mbahet në nëntor

Shtyhet rikthimi në ring i veteranit amerikan Mike Tyson. Dueli ndërmjet boksierit të famshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe bashkëkombësit të tij Roy Jones Jr. u shty për në muajin nëntor, kështu që të pasionuarit e këtij sporti do të duhet të presin edhe për disa muaj të tjerë për të parë të ndeshet një ndër boksierët më të mëdhenj të historisë.

54-vjeçari nga Brooklyn nuk ngjitet në ring që nga 11 qershori i vitit 2005, kur “Maiku i hekurt” u mund në “MCI Center” në Washington DC nga irlandezi Kevin McBride, megjithëse për hir të së vërtetës Mike Tyson u ngjit gjithashtu në ring edhe një vit më pas, në një ndeshje ekzibicioni me vetëm katër raunde, me boksierin nga Distrikti i Columbias Corey Sanders. Roy Jones Jr dhe Mike Tyson kanë rënë dakord për t’u ndeshur ndërmjet tyre, në një duel me 8 raunde gjithsej.

Fillimisht ky takim ishte programuar për t’u mbajtur më datë 12 shtator në një ndeshje ekzibicioni në Los Angeles, madje ishte parashikuar që kjo sfidë të transmetohej me pagesë. Palët kanë arritur një marrëveshje për ta zhvilluar takimin sërish në Kaliforni, në Los Angles dy ditë pas “festës së falënderimeve”, që siç e kërkon tradita në Shtetet e Bashkuara përkon pikërisht me të enjten e fundit të muajit nëntor. Pra ky duel do të mbahet në fundjavë, vetëm dy ditë pas “Thanksgiving”, më saktë më datë 28 nëntor.

Mike Tyson e justifikoi shtyrjen e takimit duke deklaruar se një ndryshim i tillë u bë enkas për t’u dhënë mundësi më shumë njerëzve për të ndjekur rikthimin më të bujshëm në historinë e këtij sporti. U fol shumë për një rindeshje të Tyson-it me rivalin e tij të vjetër Evander Holyfield që u tërhoq përfundimisht në vitin 2014, sidoqoftë me sa u kuptua më vonë palët nuk gjetën gjuhën e përbashkët, kështu që stafi i tij zhvendosi vëmendjen drejt “Captain Hook”, që nuk ngjitet në ring prej një periudhe kohe prej më shumë se dy vjet e gjysmë.

“Iron Mike” mbushi 54 vjeç në fundin e muajit qershor dhe bilanci i tij në boksin profesionist është 50 fitore dhe 6 humbje, në 58 ndeshje gjithsej, 44 prej të cilave me knockout. Mike Tyson ka pësuar 3 humbje në 4 sfidat e fundit, me Lennox Lewis, Danny Williams dhe Kevin McBride. Në vitin e largët 1986 kur ishte vetëm 20 vjeç “kid dynamite” u shpall kampioni më i ri i botës në historinë e këtij sporti, për peshat e rënda, teksa mposhti me knockout xhamajkanin Trevor Berbick.

Disfatën e parë në karrierë Tysoni e pësoi në vitin 1990 në Tokio, në ndeshjen e veçantë me amerikanin tjetër Buster Douglas, ndërkohë të paharrueshme do të mbeten edhe dy sfidat e famshme me “the real deal” në Nevada, respektivisht në vitet 1996 e 1997 të cilat “Maiku i hekurt” i humbi me kundërshtarin e tij më të egër Evander Holyfield, fillimisht me knockout në raundin e 11, ndërsa duelin tjetër Tysoni u skualifikua pasi kafshoi në vesh veteranin nga Georgia. Në krahun tjetër Roy Jones Jr ka patur një karrierë të pasur, të mbushur me suksese dhe në lidhje me sfidën e tij të ardhshme “Superman”-i deklaroi se do të jetë njësoj sikur të ndeshet Davidi me Golian.

51-vjeçari nga Florida ka qenë kampion i padiskutueshëm në kohën e tij në peshat 72.5, 76 dhe 79 kilogram, ndërsa më pas ka fituar tituj edhe në peshën “Cruiser” deri 91 kg në versionin IBO, ndërsa në vitin 2003 Roy Jones Jr. bëri realitet ëndrrën e tij për t’u kurorëzuar si kampion bote në peshat e rënda, teksa mposhti amerikanin tjetër John Ruiz në Nevada. Roy Jones Jr ka fituar 12 nga 13 sfidat e fundit dhe ka një bilanc të përgjithshëm me 66 fitore e 9 humbje, në 75 takime që ka zhvilluar gjithsej në boksin profesionist, e 47 prej atyre triumfeve janë siguruar me knock out.

Ndeshja e fundit e “Superman”-it është zhvilluar në Florida në 8 shkurtin e vitit 2018, ndaj boksierit tjetër nga Shtetet e Bashkuara Scott Sigmon dhe u fitua me vendim unanim, ndërsa suksesin e fundit Mike Tyson e ka regjistruar në Memphis, në Tenneessee në vitin 2003, kur mundi me “knock out” bashkëkombësin e tij Clifford Etienne.