` . Shtohen protestat për vdekjen e George Floyd në kryeqytetet evropiane - TV SHENJA

Shtohen protestat për vdekjen e George Floyd në kryeqytetet evropiane

Mijëra njerëz dolën në rrugë nëpër qytetet kryesore të Evropës këtë javë, duke përfshirë Londrën, Amsterdamin dhe Stokholmin, me thirrje për t’i dhënë fund brutalitetit të policisë dhe racizmit, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestat shpërthyen për vdekjen e George Floyd, afro-amerikanit të paarmatosur që vdiq më 25 maj pas torturave nga një oficer i bardhë i policisë në shtetin amerikan Minesota.

Fjalët e tij të fundit ishin “Nuk mund të marr frymë”, i cili u bë slogani i protestave në mbarë botën.

BE tha se ishte “shokuar dhe tmerruar” nga vrasja e George Floyd, vdekja e të cilit paraqet një shpërdorim të pushtetit, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, të martën një konferencë shtypi.

Turmat në të gjithë Evropën brohorisnin, “Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Rëndësi” dhe “Nuk mund të marr frymë”, duke kërkuar drejtësi dhe paqe.

– Londër

Mijëra njerëz u mblodhën të mërkurën pasdite në Hyde Park, në Londrën qendrore përpara se të marshonin drejt jugut nëpër qytet, duke protestuar kundër vdekjes së Floyd pas arrestimit nga policia amerikane.

Protestuesit më pas marshuan nëpër Westminster, ku ndodhet parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar dhe mbërritën afër Downing Street, ku disa u përleshën me policinë.

“Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Rëndësi”, “Nuk do të heshtim” dhe “Nuk ka drejtësi, nuk ka paqe”, brohorisnin ndërsa marshonin nëpër rrugë.

Protesta të tjera priten ditët e ardhshme para parlamentit dhe ambasadës amerikane në Londër.

– Stokholm

Një protestë e ngjashme u organizua në Stokholm, kryeqytetin e Suedisë, të mërkurën në mbrëmje ndërsa turma të mëdha u mblodhën në Sergels Torg, një shesh i madh nga stacioni qendror i trenit.

Tensionet ishin të larta me policinë ndërsa turmat brohorisnin, “Jo racistë në rrugët tona”, dhe “Nuk mund të marr frymë”, për shkak të kufizimeve të koronavirusit dhe një ndalimi për tubime publike mbi 50 njerëz.

Zëdhënësi i policisë, Mats Eriksson tha se megjithëse protestat ishin përgjithësisht të qeta, dy persona ishin arrestuar për sjellje të dhunshme, siç raportoi faqja e internetit e lajmeve “Local”.

Protestuesit më vonë u ndanë në grupe më të vogla, duke marshuar nëpër pjesë të tjera të qytetit.

– Roterdam

Mijëra njerëz u mblodhën përgjatë Urës Erasmus në Roterdam, qyteti i dytë më i madh në Holandë, në shenjë proteste ndaj racizmit dhe dhunës së policisë.

Protestuesit mbanin simbole të anti-racizmit, kurse në disa banderola shkruhej “Racizmi është problemi i të gjithëve” dhe “Ndaloni terrorizmin policor”.

Për shkak të vështirësisë së ndjekjes së rregullave të distancës sociale për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, demonstrata përfundoi më herët sesa ishte planifikuar.

Dy protestues u arrestuan, raportojnë mediat lokale.

– Athinë

Në Athinë, kryeqytetin e Greqisë, rreth 3.000 njerëz u mblodhën në Sheshin Sintagma dhe marshuan nëpër qytet drejt Ambasadës së SHBA-ve, duke brohoritur parulla që dënojnë dhunën e policisë.

Marshuesit brohorisnin parullat e dëgjuara nëpër protesta të tjera në botë, “Nuk mund të marr frymë” dhe “Jeta e Njerëzve me Ngjyrë ka Rëndësi”.

Përleshjet mes policisë dhe demonstruesve shpëryen ndërsa arritën para ambasadës amerikane.

Një numër i protestuesve të maskuar sulmuan policinë me gurë dhe bomba me benzinë, kurse forcat e sigurisë u përgjigjen me gaz lotsjellës dhe granata zhurmuese.

Shtatë persona janë arrestuar në protestat e deritanishme.

– Paris

Mijëra persona u mblodhën në Paris të martën për të përkujtuar Adama Traore, i cili vdiq pas arrestimit nga policia në vitin 2016.

Protestuesit kanë krahasuar vdekjen e Traores me atë të George Floyd dhe janë përleshur me policinë, që iu përgjigjën me gaz lotsjellës.

Burimet e policisë vlerësojnë se rreth 20.000 njerëz morën pjesë në tubim.

– Berlin

Në Berlini, kryeqytetin e Gjermanisë, gjithashtu u mblodhën turma të mëdha para ambasadës amerikane gjatë fundjavës.

Demonstruesit kërkuan dhënien fund të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

George Floyd vdiq më 25 maj pasi që oficeri i policisë tashmë i shkarkuar dhe arrestuar në Minneapolis, Derek Chauvin, i vuri gjurin në qafë ndërsa ishte i shtrirë për toke për gati nëntë minuta, megjithë lutjet e përsëritura të Floyd se nuk mund të merrte frymë.

Autopsia e pavarur të hënën zbuloi se Floyd vdiq nga “asfiksimi nga presioni i vazhdueshëm”.

Vdekja e tij ka shkaktuar demonstrata masive kryesisht paqësore që kanë vazhduar në të gjithë SHBA-në, megjithëse disa prej tyre janë kthyer në dhunë dhe plaçkitje.

Chauvin u arrestua të premten e kaluar kur autoritetet paraqitën akuzat të cilat u plotësuan të mërkurën.