“Shtohen kërkesat që CIA të publikojë raportin për vrasjen e Khashoggit”

“Shtohen kërkesat që CIA të publikojë raportin për vrasjen e Khashoggit”

Gazeta amerikane “The Washington Post” publikoi një kolumnë ku thuhet se kërkesat po bëhen gjithnjë e më intensive që Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) të publikojë raportin mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, raporton Anadolu Agency (AA).

Autori i kolumnës Josh Rogin thekson se individë nga grupi i përbërjes së re të Kongresit dhe OJQ-të gjithnjë e më shumë kërkojnë nga administrata e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, që të publikohet raporti i intelegjencës lidhur me vrasjen e cila pak më shumë se 100 ditë ndodhi në konsullatën saudite në Stamboll.

Teksti rikujton se Trump në nëntor të vitit të kaluar, ishte shprehur se nuk dëshiron të humbasë marrëveshjen midis SHBA-ve dhe Arabisë Saudite të tregtisë së armëve, edhe pse ekziston mundësia që princi saudit i kurorës, Muhammad bin Salman, të kishte informacione për vrasjen.

“Administrata e Trumpit mbron princin Bin Salman duke mohuar raportin e CIA-s, i cili thotë se pikërisht princi ishte urdhëruesi i vrasjes së Khashoggijt”, thuhet në tekstin e “Washington Post”.

Në vijim të tekstit theksohet edhe deklarata e mëparshme e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, i cili tha se konkludimi i CIA-s është i gabuar dhe se nuk kanë asnjë provë konkrete që princi Bin Salman ishte i përfshirë në vrasjen e Khashoggit.

“Gjithnjë e më shumë janë kërkesat që CIA të publikojë raportin dhe për të gjetur nëse ka prova për përfshirjen e Bin Salman në vrasjen dhe nëse sekretari i Pompeo tregon të vërtetën,” thuhet më tej.

Autori i kolumnës më poshtë thekson se organizata joqeveritare Open Society Justice Initative, duke iu referuar Ligjit për lirinë në qasjen e informacioneve, javën e kalaur në New York ka ngritur padi kundër CIA-s, Agjencisë për Siguri Kombëtare, Pentagonit dhe Drejtorisë për Çështje Kundërzbulimi.

Po ashtu edhe kjo organizatë fton CIA-n të publikojë raportin e vrasjes së gazetarit Khashoggi.

Javën e kaluar u mbajt një akademi përkujtimore për vrasjen e gazetarit Khashoggi në Kongresin amerikan, kurse kreu i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, Nancy Pelosi dhe kongresmeni Tom Malinowski thanë se do të vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e vrasjes dhe ndjekjen e përgjegjësve.

Autori i tekstit më tej thekson se është e qartë që kryediplomati amerikan, Pompeo, nuk pranon përfundimet e CIA-s dhe se pushteti ekzekutiv nuk ka ndërmend të punojë për zbardhjen e vrasjes. Ai shton se autoritetet ligjvënëse dhe gjyqësore janë të detyruara të marrin hapa në kërkim të drejtësisë.

Jamal Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i gazetës “The Washington Post”, u vra më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Zyra e prokurorisë turke gjeti se ai u mbyt brutalisht menjëherë pasi hyri në konsullatë dhe se trupi i tij u copëtua dhe u shkatërrua.

Autoritetet e Arabisë Saudite më vonë pranuan se Khashoggi u vra pa u larguar nga konsullata. Autoritetet në Arabinë Saudite kanë ngritur akuza kundër 11 të dyshuarve për këtë vrasje, kurse prokuroria saudite kërkon dënime me vdekje për pesë të akuzuarit e parë.