Shteti në varfëri, qeveritarët barkngopur

Shteti në varfëri, qeveritarët barkngopur

Nëse kanë pak mëshirë, ministrat dhe drejtorët le të mos i ndezin makinat e tyre për ngrohje ose, verës për ftohje, gjysmë ore para se të hipin në to. Të mos flasim që makinat zyrtare nuk duhet të përdoren për qëllime private ose partiake. Njëra ndër kritikat më të mëdha, mbase kryesorja për qeverinë e kaluar të Nikolla Gruevskit, ishte mosndarja e qartë e shtetit nga partia.

Shkruan: Sefer TAHIRI, Shkup

“Kur të mëdhenjtë i hanë kumbullat, të vegjëlve u mpihen dhëmbët!” Kjo është thënie e dëgjuar shpesh, por nëse kontekstualizohet në realitetin aktual global dhe rajonal, ka domethënien se kur fuqitë e mëdha luftojnë, popujt e vegjël varfërohen edhe më shumë!

Lufta ruso-ukrainase ka ndikim të madh ndaj ekonomisë së vendit. Si gjithkund, çmimet rriten, ndërsa nga janari i vitit të ri pritet “shok ekonomik”, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.

Qeveria deshi t’i japë krizës zgjidhje solomone, në stilin “edhe ujku i ngopur, edhe delet në numër”. Ajo propozoi një zgjidhje, e cila është më shumë se socialiste, e që shkurt e shqip do të thotë “merr njërit dhe jep tjetrit”. Por, pas reagimeve të ashpra nga sindikatat dhe qytetarët, qeveria u zmbraps dhe njoftoi se shkurtime të pagave në sektorin publik nuk do të ketë! Me këtë vendim fitoi në planin e marrëdhënieve me publikun, meqë tashmë askush nuk flet për rritjen e pagave, siç ndodh në shumë shtete tjera europiane.

 

Agjencitë dhe bordet – “streha” e të fortëve të partive!

Ndodh ndoshta vetëm në Maqedoninë e Veriut, se në shtet tjetër europian nuk ka shanse, që disa institucione, si agjenci shtetërore, ndërmarrje publike dhe organe ose trupa rregullatore kanë paga mesatare shumë më të mëdha se kryeministri, presidenti, kryetari i Kuvendit ose se një deputet i zgjedhur nga populli! Këto paga, për drejtuesit e tyre, siç mund të hetohet, janë shumë më të mëdha se sa të “parisë” së shtetit. Është e kuptueshme që në pozita të këtilla janë instaluar njerëz të fuqishëm të partive politike, që e kanë mbajtur pushtetin në tri dekadat e fundit. Andaj, qeveria, nëse e ka me gjithë mend se dëshiron t’i ndihmojë kategori të caktuara gjatë krizës, le të bëjë analizë të saktë se kush sa paguhet në këtë shtet! Kosova tashmë e ka bërë nivelimin e pagave, që nga ajo e presidentit e më poshtë, andaj këtë nivelim duhet ta bëjë edhe Maqedonia e Veriut. Edhe pse ky ka qenë një ndër premtimet kryesore të qeverisjes aktuale, që në vitin 2017, deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje më e vogël në këtë drejtim. Në anën tjetër, ka shumë institucione, të cilat punojnë me humbje, ndërsa disa të tjera janë themeluar si për ta ngarkuar edhe më shumë sistemin administrativ, meqë realisht janë të panevojshme. Një shteti si Maqedonia e Veriut nuk ka shpjegim shumë racional se çfarë i duhet Agjencia Kombëtare e Teknologjive Bërthamore!

 

Hanë ushqime deti e na thonë “ushqehemi me qebapë”!

Diku në vitin 1996, në gazetën e përditshme “Veçer” lexoja një intervistë të gjatë, në dy faqe, në të cilën – midis tjerash – kryeministri i atëhershëm, Branko Cërvenkovski, deklaronte se për shkak të detyrimeve të shumta politike dhe angazhimeve shtetërore në pozitën që e mbante, shpesh ushqehej me një hamburger, por i përgatitur mirë, i cili i mjaftonte! Ishin vitet e ‘90-ta dhe si duket “piarxhinjtë” e atëhershëm, që ishin komunistë të reformuar në socialdemokratë, e kishin menduar këtë “përrallë”, për ta bindur popullin se edhe kryeministri është i ngjashëm gati si populli, pasi nuk ushqehet “shtrenjtë”, por me një burger, i cili nuk kushton shumë.

Branko Cërvenkosvki nuk është më në politikë, por hija e tij politike sikur vazhdon të mos jetë e zbehur. Këto ditë, në stilin “brankovist”, kryeministri i vendit, në rrjetin social Facebook do të shfaqet me një imazh nga Gostivari me një “pesëshe” në duar, e përgatitur nga një restorant me traditë 35-vjeçare (në Ballkan, pesëshja ka kuptimin e numrit të qofteve ose, siç njihen në Maqedoninë e Veriut, qebapëve). Madje, ai do të shkruajë, i entuziazmuar nga shija e qofteve, se kur do ta vizitojë Gostivarin, tashmë e di se ku do të drekojë! Një truk “piarist” në kohë krize, por që nuk kalon më tek populli, i cili nuk ka para për të ngrënë qebapë, por as bar nuk ha! Natyrisht, se as Cërvenkovski nuk është ushqyer me burgerë e as Kovaçevski me qebapë Gostivari!

Ka ndodhur pa ndërprerë në tridhjetë vitet e fundit, por mediat, viteve të fundit, nuk kanë reshtur të raportojnë dhe hulumtojnë zyrtarët që kanë bërë e bëjnë shpenzime të majme, në emër të “reprezentacioneve”, përkatësisht mjeteve që dedikohen për dreka ose takime zyrtare! Mbi këtë “privilegj”, i destinuar për zyrtarët e shumtë shtetërorë e qeveritarë, buxheti i vendit shpenzon miliona euro! Një shtet i varfër, jo vetëm statistikisht, por edhe realisht, nuk mund t’i lejojë vetes shpenzime marramendëse për zyrtarët. Nëse zyrtarët vërtet thonë se e kanë hallin e popullit, le të nisin nga vetja!

Kështu edhe zyrtarët, qofshin europianë ose amerikanë, le t’i shërbejnë në tavolina me ujë, duke ua bërë me dije në mënyrë simbolike se kohë krize është dhe në krizë s’ka vend për luks.

Zyrtarët, që në xhepat e tyre kanë kartela “shtetërore”, për një çast le të ndalen dhe të mendojnë se po vjen dimri dhe fëmijët e shumë familjeve mund të mbeten pa ngrohje. Andaj, në vend se të shpenzojnë në restorante, le të kufizohen pak, sepse mund të jetojnë edhe nëse nuk hanë biftekë e mish bizoni, asparagus, ushqime deti, lajthi, fëstëk e bajame ose nëse nuk pinë pije të shtrenjta alkoolike dhe joalkoolike! Ka pasur edhe ministra që kanë dëshmuar se mund të ketë shpenzime 0 për tërë muajin!

 

Të ndahet shteti nga partia!

Nëse kanë pak mëshirë, ministrat dhe drejtorët le të mos i ndezin makinat e tyre për ngrohje ose, verës për ftohje, gjysmë ore para se të hipin në to. Të mos flasim që makinat zyrtare nuk duhet të përdoren për qëllime private ose partiake. Njëra ndër kritikat më të mëdha, mbase kryesorja për qeverinë e kaluar të Nikolla Gruevskit, ishte mosndarja e qartë e shtetit nga partia.

Kjo nuk ka sens njerëzor. Keqpërdorimet e këtilla dëshmojnë se politika këtu te ne shihet si një profesion që ka shumë “çallëm”. Prandaj, na duken si lajme joreale ose nga një “botë tjetër” raportimet se kryeministra ose kryetarë shtetesh lëvizin me biçikleta në vendet e tyre. Gjithashtu na vijnë si lajme fantastiko-shkencore ato për dorëheqjet e kryeministrave ose ministrave vetëm pse janë “kapur” nëse kanë paguar edhe një shumë simbolike me kartelat qeveritare. Pushtetarët tanë, kur shkojnë në udhëtime zyrtare, le të tregohen modestë e le të flenë në hotele me çmime të lira. Kështu veprojnë vendet e pasura, e lëre më të varfrat si ne!

Në kohë krize duhet të ndërpriten furnizimet publike ose tenderët e “famshëm” për pajisje kompjuterike ose për “rinovimin” e institucioneve të shtetit me mobile të reja. Kur populli po vuan për bukën e gojës, është arrogancë, prepotencë, fodullëk dhe megalomani të mendosh se kolltukët e zyrave të shtetit, cilatdo qofshin ato, duhet zëvendësuar me të reja ose se duhet blerë kompjuterë të rinj.