Shteti dhe kombi shqiptar lëngojnë nga komunistët

Shteti dhe kombi shqiptar lëngojnë nga komunistët

Moshapja e dosjeve duhet të ketë ndikuar edhe në zbehjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për krimet e diktaturës komuniste dhe është edhe një nga faktorët për ngecjen e konsolidimit të shtetit. Supozim-arsyetimet se hapja e dosjeve do të rihapte plagët e vjetra, të cilat do të provokonin hasmëri, e kaluara duhet lënë pas dhe të tjera si këto, janë vetëm shprehje e manifestimit të kulturës së manipulim-mashtrimit, si strategji e atyre që duan t’i mbajnë ato të mbyllura në interes jo vetëm të mos zbulimit të emrave të persekutorëve, të cilët mund të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me ata, por edhe të proceseve politike a të tjera në shërbim e interes të këtij klani.

Shkruan: Arben LABËNISHTI, Strugë

Ëndrra e mbushur përplot dashuri dhe vullnet për familje të lumtur (të shëndoshë), për shtet të fuqishëm dhe për lartësimin e kombit, me bindjen e qëndrueshme të individit se nga ky interes kolektiv i shoqërisë lind mirëqenia e tij, është burimi nga e nis jetësimin ideja për përparim. Por, për ta kthyer ëndrrën në realitet jete, kjo kërkon moral dhe mençuri, të paktën nga drejtuesit, nga elitat.

Pas vitit 1991, i cili shënon përmbysjen e diktaturës komuniste në Shqipëri, ëndrra e shqiptarëve ishte ose, besoj se duhej të ishte, Shqipëria normale, shteti i përparuar, Atdheu i të gjithëve, ku ata do të ishin të lumtur. Por, kjo ëndërr asnjëherë nuk u bë kauzë politike e sinqertë. Ajo u manipulua nga politika, nuk u artikulua qartë, nuk u mbrojt nga “elitat”, por as që e pati kujdesin dhe as u mbështet drejt nga populli. Ëndrra e njerëzve që e duan punën e ndershme për të qenë të dinjitetshëm dhe të lumtur u këput me kontributin e të gjitha hallkave të zinxhirit të shoqërisë shqiptare, e cila dëshmoi se i mungon mençuria për ide politike e socio-kulturore mbarëvajtëse dhe morali i qëndrueshëm në interes të shtetit dhe kombit.

Rrënjët e kësaj katrahure të shqiptarëve duhet kërkuar tek regjimi totalitar komunist, që i asgjësoi elitat e vërteta, e këputi vazhdimësinë e natyrshme të tyre dhe, ndërkohë, e kultivoi moralin marksist-leninist sipas mendësisë së Enver Hoxhës, me të cilin e deformoi dhe transformoi shoqërinë dhe individin shqiptar në njeriun ateist, pa edukatën tradicionale shqiptare, pa moralin e përcaktuar në shekuj dhe e varfëroi ekonomikisht në ekstremin e mizeries.

 

Fenomenet shkatërrimtare të diktaturës komuniste

Ëndrra e Shqipërisë, si shtet i përparuar, ku shqiptarët do të jetonin të lumtur, u këput që nga nëntori i vitit 1944 me instalimin të pushtetit komunist. Çmendurinë e këtij regjimi totalitar në Shqipëri, në dëm të qytetarëve të tij, të kombit dhe të shtetit, e dëshmojnë disa vepra të dhimbshme, të cilat e paralizuan intelektualisht dhe e sakatosën ekonomikisht popullin. Po i radhis më poshtë disa nga më të dëmshmet, s

Spastrim-eliminimi i elitës intelektuale, politike dhe biznesore. Janë gjysmë milioni kundërshtarë politikë të ekzekutuar, të burgosur, internuar dhe përndjekur, në mesin e të cilëve ishte elita e vërtetë intelektuale, politike dhe biznesore e shoqërisë shqiptare e ngelur brenda Shqipërisë, të cilët e kishin moralin dhe mençurinë e nevojshme se si i shërbehet atdheut dhe si dashurohet shteti dhe kombi. Ata ishin më të shquarit, intelektualë që u detyruan të largohen nga vendi në situatën e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët u vërsulën si lokuni që për pre i kishte ata dhe të gjithë të tjerët që mendonin ndryshe

Centralizimi i ekonomisë shqiptare. Shqipëria, në periudhën e Mbretërisë, në përputhje me zhvillimin shoqëror dhe intelektual të asaj periudhe, kishte ekonomi tregu me sistem kapitalist me baza të shëndosha për zhvillimin e suksesshëm të ekonomisë. Regjimi komunist, me ideologjinë marksiste-leniniste të sistemit socialist të ekonomisë së centralizuar, i shkatërroi ato. Vetë koha dëshmoi se ai sistem e futi vendin në krizë të thellë ekonomike dhe financiare.

Shpronësimi dhe tjetërsimi i tokës private të fshatarit (kolektivizimi). Shpronësimi dhe tjetërsimi i tokave private dhe çifligjeve me kolektivizimin e bujqësisë dhe blegtorisë (kooperativat dhe fermat), ku një numër i madh i fshatarëve u detyruan të punonin me pagë në pronën e tyre, e futi fshatarin në situatë të vështirë ushqimore, e dobësoi pozicionin ekonomik të tij dhe e rriti varësinë e tij nga shteti. Pos kësaj, me punën angari në kooperativa e ferma, ai e dëmtoi edhe kulturën e punës.

Ndalimi i besimit fetar… Fushata e përndjekjes, burgosjes dhe ekzekutimit të klerit të të gjitha feve filloi me instalimin e pushtetit komunist. Ajo u intensifikua nga shkurti i 1967-tës, i cili shënon fushatën më të egër kundër fesë. Në një letër nxitëse dhe porositëse të Komiteti Qendror të PPSH-së thuhej “Feja është opium. Ne duhet të bëjmë çmos që të gjithë ta kuptojnë këtë, madje edhe ata që janë helmuar (të cilët nuk janë të pakët në numër). Ne duhet t’i shërojmë ata. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as e pamundur.”. Kështu u mbyllën, u rrënuan dhe tjetërsuan më shumë se 2100 institucione fetare. Neni 37 i kushtetutës së Shqipërisë së shokut Enver deklaronte “Shteti nuk njeh asnjë fe dhe mbështet propagandë ateiste për të përfshirë njerëzit në botëkuptimin shkencor materialist”. Kjo përbënte kulmin e shkatërrimit të besimit, shpresës dhe moralit për të drejtën, të vërtetën, të mirën dhe harmoninë.

Ideoligjizimi marksist–leninist i shoqërisë shqiptare. Paralelisht me shkatërrimin e fesë, zhdukjen e elitave të natyrshme dhe ndalimin e një vargu veprash dhe një numri të madh autorësh, filloi edukimi marksist-leninist i shoqërisë shqiptare. Ai i përfshiu të gjitha institucionet dhe zuri vend edhe te familja. Të gjitha institucionet socializuese, në qendër të të cilave ishte shkolla, e kishin për detyrë themelore forcimin e gjithanshëm të këtij edukimi komunist. Ky formim panatyrshmërie, sipas botëkuptimit marksist-leninist, e shkatërroi procesin dhe nuk lejoi krijimin e institucioneve me fizionomi kombëtare. Për pasojë, individi dhe shoqëria shqiptare i humbi vlerat dhe kulturën e natyrshme tradicionale.

Izolimi i vendit. Ai përfshinte bllokimin e lëvizjes së njerëzve, për të dalë jashtë vendit dhe për t’u futur nga jashtë në Shqipëri, si dhe bllokimin e valëve televizive të huaja. Edhe ata pak njerëz, shqiptarë dhe të huaj, që u lejuan të vinin në Shqipëri për qëllime familjare, shkencore ose turistike dhe ata me të cilët do të takoheshin, mbaheshin në survejim dhe kontroll të plotë. Kështu pamundësohej që shqiptarët të mësonin të vërtetën e organizimit të jetës jashtë Shqipërisë dhe nën frymën e propagandës të besonin se jetojnë mirë dhe ishin të kërcënuar nga jashtë, ndërsa ata që arrinin ta kuptonin të vërtetën, t’i mbanin nën presionin e frikës dhe terrorit. Qëllimi ishte që edhe të huajt dhe shqiptarët që jetonin jashtë RSSH-së, jo vetëm të mos e njihnin realitetin shqiptar, por edhe të mos kishin mundësi veprimi në territorin shqiptar në dëm të regjimit diktatorial komunist.

Kështu, vendin me resurse natyrore dhe elita të natyrshme me vetëdije kombëtare, që i mundësonin zhvillim dhe mirëqenie të shkëlqyer shtetit dhe kombit, komunistët e zhytën vendin në varfëri ekstreme dhe intelektualitet të ideologjizuar qenësisht me botëkuptimin marksist-leninist. Gjithë kjo panatyrshmëri dhe çmenduri kishte për qëllim vendosjen e ruajtjen të pacenuar të pushtetit absolut të Enver Hoxhës dhe vazhdimësisë së sundimit të regjimit komunist.

 

Elita politike s’lejon zgjidhjen e detyrave

Ideologjia e terrorit, me strukturat e sigurimit të shtetit, nëpërmjet ekzekutimeve, burgosjeve, torturave, mbjelljes së frikës së spastrimit dhe propagandës sistematike për rreth 50 vjet kishte arritur ta deformonte dhe transformonte në masë të madhe shoqërinë dhe individin shqiptar. Si rezultat i kësaj, përmbysja e sistemit komunistë e gjeti shoqërinë shqiptare pa elita intelektuale dhe politike me moralin dhe mençurinë për zgjidhjen e detyrave që i kishte përpara, të cilat ishin të një rëndësie të veçantë për stabilitetin, fuqizimin dhe përparimin e shtetit dhe të mbarë kombit shqiptar.

Pas hapjes së rrugës së pluralizmit politik, jo vetëm PSSH-ja dhe PSD-ja, si trashëgimtare të PPSH-së, por në masë të madhe edhe partitë e tjera të themeluara pas rënies së diktaturës, të cilat e quanin veten antikomuniste dhe përkufizoheshin si të djathta, po ashtu edhe mediat, i themeluan dhe pasuruan strukturat e tyre me politikanë dhe gazetarë të gatuar në shkollat e partisë, fëmijë të komunistëve, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit dhe institucioneve të tjera represive dhe të privilegjuar në periudhën e diktaturës komuniste. Të burgosurit politikë antikomunist dhe pjesëtarët e familjeve të tyre, jo vetëm se ishin në numër të vogël në këto parti të reja dhe s’kishin hapësirë e mundësi për ta imponuar mendimin e tyre në vendimmarrje, por atyre u mungonte edhe përgatitja me njohuritë e nevojshme për t’u përballur me situatën dhe detyrat që i kërkonte aktualiteti politik dhe shoqëror post-diktaturë. Si rrjedhojë e përbërjes së kësaj elite politike, sigurisht edhe intelektuale nga kishin dalë këta politikanë, parlamenti, pushteti ekzekutiv, ai gjyqësor dhe institucione të tjera janë sunduar nga kategoritë e njerëzve të këtyre partive politike në shumicë ish-anëtarë të PPSH, në mesin e të cilëve sigurisht edhe drejtues dhe bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

Pas tre dekadash të përmbysjes së diktaturës, vetë koha dëshmoi se shoqëria shqiptare ishte (është) e paaftë për zgjidhjen e detyrave që i kishte përpara. Kjo nënkupton se ajo kishte (ka) boshllëk elitash politike dhe intelektuale të vërteta. “Elitat” të zhveshura nga morali e mençuria dhe të ngopura me kulturën e intrigës, abuzimit, korrupsionit, shpifjes, smirës, dhunës dhe tradhtisë për kapital, pushtet dhe famë, janë modeli antishtet që e ka asfiksuar shoqërinë shqiptare. Sigurisht, edhe populli nuk mund të shfajësohet, sepse ai e ka pjesën e vet të fajit, që ata kanë arritur të krijohen dhe imponohen si elita, të cilat tani më me marifetet e tyre janë fuqizuar dhe janë bërë protagonistë të veprimtarisë politike, shoqërore dhe ekonomike të vendit. Është e kuptueshme se e shkuara nuk mund të kthehet për ta përmirësuar, por kur ajo nuk gjykohet e kuptohet si mësim dhe reflektim për ta përmirësuar të sotmen, e cila do ta sjellë të nesërmen, të dhemb dhe të trishton, sepse ata me forcën e pushtetit dhe të parasë, të shfrytëzuara si instrumente dhune, e ndrydhin, transformojnë, devijojnë dhe blejnë lirinë, vullnetin, dijen, sakrificën, dinjitetin dhe ëndrrën e shumë qytetarëve. Kështu, në vend se të zhvillohet natyrshëm, tkurret dhe mbahet në kontroll potenciali që duhet t’i bëjë elitat.

E kemi të domosdoshme që sa më parë t’i zgjidhim këto probleme me peshë kritike dhe jetësore për hapjen e rrugës për stabilitet dhe mirëqenie të shtetit dhe kombit tonë, në veçanti, dekomunizimin e shoqërisë, në procesin e të cilit hapi i parë dhe më i rëndësishmi i të cilit duhet të ishte (është) hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Kjo nuk do të ishte vetëm përmbushje e një detyrimi moral për viktimat, por shumë më shumë se kaq – zbulim i përndjekësve, që nga drejtuesit deri te bashkëpunëtorët, në interes të së sotmes (atëhershmes) dhe të nesërmes, sepse do ta pamundësonte riciklimin e tyre në politikë dhe në institucione. Hapja e dosjeve do ta zhbënte mundësinë që politikanë dhe të tjerë t’i keqpërdornin ato si mjet shantazhues për qëllimet e tyre të mbrapshta. Moshapja e dosjeve duhet të ketë ndikuar edhe në zbehjen e ndërgjegjësimit të shoqërisë shqiptare për krimet e diktaturës komuniste dhe është edhe një nga faktorët për ngecjen e konsolidimit të shtetit. Supozim-arsyetimet se hapja e dosjeve do të rihapte plagët e vjetra, të cilat do të provokonin hasmëri, e kaluara duhet lënë pas dhe të tjera si këto, janë vetëm shprehje e manifestimit të kulturës së manipulim-mashtrimit, si strategji e atyre që duan t’i mbajnë ato të mbyllura në interes jo vetëm të mos zbulimit të emrave të persekutorëve, të cilët mund të kenë një lidhje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë me ata, por edhe të proceseve politike a të tjera në shërbim e interes të këtij klani. Familjet e të pushkatuarve, të burgosurit, të internuarit dhe pasardhësit e tyre, që duruan dhimbjet në masën sa s’ka më ku të vejë, e kanë dëshmuar fisnikërinë e tyre se nuk e njohin e nuk e duan hakmarrjen. Asnjëherë s’e kërkuan atë. Ata, për këto 30 vjet pas rënies së regjimit totalitar, nuk treguan as urrejtje për persekutorët, e jo më për fëmijët e tyre. Sigurisht, indinjata të cilën e kemi parë ta shprehin individë herë pas here është e natyrshme. Kjo fisnikëri është për t’u admiruar, por ajo do të merrte kuptim vetëm atëherë kur persekutorët nuk do të ishin aktivë, kur nuk do të lejonin të (keq)përdoreshin për qëllime politike dhe do të pendoheshin e kërkonin falje për bëmat e veta. Ndërkaq fëmijët e tyre duhet të distancohen nga veprat e këtyre prindërve dhe jo ta bëjnë të kundërtën – të përpiqen për t’i rehabilituar ata dhe të kaluarën komuniste. Hapja e dosjeve është një mision në radhë të parë i pastrimit të figurës së politikanit dhe pushtetarit, e cila në ditët e sotme do t’i zbulonte edhe ata drejtues të politikës së tre dekadave të pluralizmit politik, të cilët i mbështetën dhe i (keq)përdorën ata në procese politike dhe të tjera, ku punët për zgjidhjen e problemeve kanë shkuar dhe po shkojnë mbrapsht.

Detyrat nuk mbarojnë vetëm me hapjen e dosjeve.

Vendi e ka të domosdoshme zgjidhjen e padrejtësisë dhe dëmeve që i solli Ligji për tokën nr.7501/1991, me të cilin iu hoq e drejta e pronësisë pronarëve të ligjshëm dhe ajo iu dha të tjerëve.

Ndalimi i procesit për vendin e merituar për personalitetet politike dhe intelektuale nacionaliste, të cilët sakrifikuan gjithçka për kombin dhe atdheun.

Ndërprerja e veprimeve nxitëse dhe mbështetëse të institucioneve të shtetit për ta rishkruar historinë e veprimtarisë komuniste të Luftës së Dytë Botërore dhe të regjimit diktatorial komunist, në qendër të cilave ishte Enver Hoxha, sipas dëshirave dhe vullnetit të fëmijëve dhe të privilegjuarve të asaj periudhe.

Ndërprerja e injorimit të të burgosurve dhe të përndjekurve politikë antikomunistë.

Heqja dorë nga moshapja e rrugës së natyrshme për frymën politike të djathtë, konservatore, e cila do t’i lidhte fijet e këputura nga diktatura komuniste të elitave të vërteta dhe të moralit e traditave kombëtare, të cilat do ta ringrenë dhe rrisin vetëdijen kombëtare, e cila është e domosdoshme për fuqizimin e shtetit dhe lartësimin e kombit.

Vazhdimi i jetës politike dhe shoqërore me këtë mentalitet do ta rrisë përçarjen dhe do ta thellojë dëmin gjithnjë e më tepër. Vetëm zgjidhja e drejtë do të ishte një reflektim real që do ta ndihmojë forcimin e unitetit kombëtar, për lartësimin e tij, ashtu që shqiptari të jetojë me dinjitet!