` . Shteti dhe Ideologjia! - TV-SHENJA

Shteti dhe Ideologjia!

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, janë drejt një formimi të koalicionit qeverisës. Skeptikët e fitores së Albin Kurtit, ndonëse dështuan, vazhduan me skepticizmin tashmë të një qeverie të re të dy partive me ideologji të ndryshme, duke arritur të ngjizin dyshime deri aty sa e vendosën ideologjinë kundër shtetit. A mund të qeverisin Vetëvendosje e Internacionales Socialiste dhe LDK e Partive Popullore, pa u shqetësuar shteti për ideologjitë e tyre?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Pasoja më e thjeshtë e ndryshimeve që përjetojnë shtetet është kalimi nga puna në anarki, në mënyrë që sërish në këto shtete të vendoset rendi. Këtë e ka thënë shumë kohë më parë, Niccolò Machiavelli, para se Kosova të bëhet shtet, PDK-ja opozitë dhe Ramush Haradinaj Kryeministër.

Meqë pas anarkisë që krijoi PDK-ja me AAK-në i erdhi radha vendosjes së rendit, merita më e madhe pse fitoi opozita, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ishte pikërisht mënyra e qeverisjes së këtij koalicioni.

Dhe, ndonëse Vetëvendosje erdhi për herë të parë dhe natyrshëm në pushtet pas një beteje opozitare kundër të gjithëve, Serbisë, UNMIK-ut, Planit të Ahtisaarit, EULEX-it dhe qeverive kriminale që e vodhën, plaçkitën dhe shkatërruan shtetin e Kosovës, kjo Lëvizje edhe pse socialdemokrate, vendosi për një koalicion qeverisës me LDK-në e djathtë, jo vetëm për të mirën e shtetit, por duke u bazuar edhe në praktikat e politikës moderne.

Sot, dyshimet që i adresohen këtij koalicioni të ri qeverisës, përveç se të pabaza, tregojnë se klasa politike në Kosovës dhe sejmenët e tyre politikë e mediatikë, përveçse nuk e kanë kuptuar shtetin dhe qeverisjen e tij, nuk e kanë të qartë se si drejtohet shteti, cili është roli i elementit kombëtar këtu dhe cili ai ideologjik.

Shembulli i Merkelit, jo vetëm qeverisje…

Politika moderne dhe shembulli gjerman na mësojnë se CDU/CSU arriti të qeverisë me Gjermaninë që nga viti 2013 dhe aty ideologjia e konservatorëve dhe ajo e liberalëve e më pas socialdemokratëve nuk ishin pengesë që të qeveriset me sukses me shtetin më të fuqishëm në Evropë. Por, kjo politikë e CDU-së dhe Merkelit nuk prodhoi vetëm qeverisje!

Analistët e hollë të politikës së Angela Merkelit dhe partisë që ajo drejtoi gjatë qeverisjes, sot konstatojnë se CDU, si e djathtë, është spostuar nga qendra, ashtu si edhe socialdemokratët. Politikat sociale janë bërë gjithnjë e më të dashura dhe më të artikuluara nga Angela Merkel dhe e kundërta për SDP-në, që dikur u konsiderua për politikë që e respekton aleatin qeverisës, më pas u konstatua si një përqafim i politikave që e forcojnë shtetin dhe ekonominë gjermane.

Analisti i njohur i urrejtjeve etnike dhe ndryshimeve politike në Evropën e lindjes, Paul Lendvai, shprehet se gjithnjë dhe sërish po bindem se elementi kombëtar ka forcë më të madhe se ai ideologjik, kur këto dyja konfliktohen.

Këtë Kosova e ka konfirmuar në praktikë më shumë se një herë, më shumë se sa një qeverisje e një koalicioni, por sot Albin Kurtit i duhet, përveçse një qeverisje e shtetit pa u penguar nga ideologjia, edhe një rezultat i kësaj qeverisje, që shtetin do ta bëjë shumë më të ngjashëm se Gjermania dhe shumë larg atij shteti që 24 orë i humbë për urrejtje dhe kusure ose dhe dashuri ndaj Kosovës, Serbia!

Sa e ka të rëndë Albin Kurti të qeverisë si Angela Merkel?! Kosova, vërtet, është një shtet i rrënuar dhe i vjedhur nga të gjithë ata që e qeverisën dhe Merkeli e trashëgoi një shtet ndryshe, por e kaluara politike e Albinit e privilegjon më shumë se Angelën gjermanolindore për të qeverisur me një vend.

Albin Kurtit mund t’i mungojë një Helmut Kohl për ta këshilluar, por asgjë nuk e pengon Albinin të bëhet vetë Kohli. Rrethanat politike dhe ato gjeostrategjike mund të jenë kokëçarje për çdo kryeministër i cilitdo shteti qoftë në botë, por shumë pak prej tyre e kanë fatin të kenë partneritet me SHBA-të, ashtu si edhe Kryeministri i Kosovës. Dhe, lidhur me këtë, edhe zhvillimi i Kosovës!

Albin Kurti mund të kompleksohet paksa që qeverisë me një parti të djathtë, por duke pasur dozën e së djathtës që ka LDK-ja, kjo nuk paraqet shqetësim, si për shtetin ashtu dhe për ideologjinë, që mund të bartet në drejtimin e shtetit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Dhe, aktualisht, LDK-ja, si pjesë e Partive Popullore, vendimmarrëse dhe qeverisëse e strukturave evropiane, është dhe një ndihmë e madhe jo vetëm për qeverisjen e Kryeministrit Albin Kurti, por dhe për eurointegrimet.

Në fund, Kosova me një kryeministër ndryshe si Albin Kurti do ta ketë shumë më të lehtë dhe do të jetë i papenguar nga LDK-ja për shumë arsye ndaj qëndrimeve destruktive të Serbisë; Fati i të zhdukurve nuk është kërkesë e Albin Kurtit si kryeministër, por edhe një kërkesë e artikuluar nga aktivisti i Vetëvendosjes, kryetari i partisë, deputeti, kandidati për kryeministër e deri te fitorja e 6 tetorit; qëndrimi ndaj dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel nuk është qëndrim i Albin Kurtit kryeministër, por i deputetit deri te kandidati për Kryeministër që fitoi në zgjedhjet e 6 tetorit; dhe, qëndrimi ndaj kufijve të Kosovës nuk është qëndrim i Albin Kurtit si kryeministër, por një qëndrim i artikuluar që në kohën kur kufijtë ishin nën menaxhimin e administratës së OKB-së dhe kontrolloheshin nga Serbia!

Larg Serbisë!

Derisa e ka modelin e suksesit, koalicioni VV-LDK dhe kryeministri Albin Kurti e ka edhe një model, të cilin duhet ta anashkalojë me çdo kusht dhe ta bëjë shtetin e Kosovës gjithçka, por vetëm Serbi JO!

“Vendi i cili pa ndërprerë urren ose e dashuron një vend tjetër deri diku është rob i urrejtjes dhe dashurisë së vet, pavarësisht se kjo e largon nga detyrimet dhe interesat e veta,” thotë George Washington dhe kjo nuk i thotë njeriu në Kosovë “mos e urrej Serbinë!”. Për shumë arsye, jo vetëm Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje mund të kenë urrejtje ndaj Serbisë, por për një Kosovë ndryshe, kryeministri Albin Kurti nuk duhet të lejojë që Kosova, shtet i pavarur dhe sovran, të bëhet rob i urrejtjes ndaj Serbisë. Dhe, jo vetëm kaq!

Sot, Aleksandar Vuçiqi, vëllai i Edi Ramës, për shumë arsye mund të quhet një njeri i fuqishëm në Serbi, por mënyra se si është bërë i tillë, është modeli se si nuk duhet të veprojë kryeministri Albin Kurti. Përveç trajtimit të pakicave, trajtimi që Vuçiqi u ka bërë dhe u bën rivalëve politik, është modeli më i keq që një politikan mund të veprojë kur të ulet në fron.

Është e vërtetë që kryeministri Albin Kurti vjen si një politikan i pakorruptuar, por kjo nuk i jep të drejtën atij të keqtrajtojë të gjithë ata që nuk janë të ngjashëm si ai, qofshin ata të korruptuar edhe nga Serbia, sepse për kriminelë dhe të korruptuar është ligji! Dhe, këtu kryeministri Albin Kurti e ka të lehtë sepse mungon vetëm zbatimi i ligjit, ndërsa për korrupsion, sistemi fiskal në Kosovë është një ndihmë e madhe jo për Albinin, por për çdo drejtues që e ka ndarë mendjen ta luftojë korrupsionin.

Pandëshkueshmëria është një fenomen të cilin Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti e kanë premtuar se do ta çrrënjosin. Ky fenomen, në masë të madhe, është prezent në veri të Kosovës, që sot është parajsë e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe shkakton një irritim të madh në pjesën tjetër të vendit. Por, kjo nuk do të thotë që përqendrimi i luftimit të pandëshkueshmërisë në këtë pjesë të Kosovës do t’ua zgjasë jetën kriminelëve dhe politikanëve në Prishtinë dhe gjetiu, që ia kanë zënë frymën Kosovës.

Në fund, normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë duhet të bëhet paralelisht me normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë, kjo për shkak të situatës së nderë me Tiranën zyrtare, sa herë që ajo drejtohet nga qeveri socialiste. Normalisht, detyrë e kryeministrit Albin Kurti nuk është ta përcaktoj politikën e Tiranës zyrtare, por detyrë e padiskutueshme e tij është që të mos lejojë që ajo të sillet si në një koloni të Shqipërisë.

“Jo Negociata, por Vetëvendosje” ishte zotimi dhe duhet të jetë qëllimi final i kësaj Lëvizjeje, pavarësisht nëse është apo jo në pushtet. Se pse sot kjo ide është përqafuar si në Kosovë, ashtu dhe Shqipëri, kjo nuk ka të bëjë me politikën ndaj Serbisë, por me politikën kombëtare që Lëvizja Vetëvendosje dhe Albini e kishin ndaj shtetit shqiptar me ideologjitë e ndryshme që mbretërojnë në politikën shqiptare.