Shtëpia fole e shpirtit

Shtëpia fole e shpirtit

Dhomat e miqve, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të shtëpive tona, kanë qenë gjithmonë një mërzi për mua. Ato të jepnin përshtypjen e një vendi të largët. Dhoma e miqve është ndryshimi midis jetës që jetojmë dhe jetës që duam të paraqesim jashtë, është produkt i kontradiktës së thellë.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Njeriu lidhet me hapësirën në dy mënyra: duke u ngjitur vertikalisht (ecje) ose horizontalisht në një sipërfaqe të caktuar, duke u përqëndruar në një farë mënyre (ulur). Njëri shpreh aktivizmin e një personi, tjetri gjendjen e tij të të menduarit. Ecja është imagjinatë, të ulesh është realitet. Shtëpia ndërthur këtë formë të dyfishtë marrëdhëniesh me hapësirën, me sinqeritetin dhe thjeshtësinë. Ajo heq dualitetin në mes vertikales dhe horizontales. Shtëpia është një vend ku njerëzit ndjejnë gjërat që shumë u mungojnë, pra është ballë për ballë me sigurinë, lirinë, të gjitha nevojat bazë, si bukuria, e vërteta, mirësia, privatësia dhe përkatësia, në realitet shtëpia është e gatshme t’i mirëpresë të gjitha këta vlera. Për këtë arsye, shtëpia është dëshmitarja e fshehtë dhe e heshtur e të gjitha përvojave njerëzore. Kjo dëshmi është gjithashtu një tregues i vdekshmërisë së njeriut.

Shtëpia duhet të jetë e thjeshtë sepse ajo është gjendja më e thjeshtë e konceptit të ekzistencës dhe adhurimit të një personi. Ashtu si njeriu, që me kohë mund ta dijë se nuk ka pije më të mirë se uji, ushqim më të mirë se supa e shtëpisë, ashtu me kohë e kupton se nuk mund të ketë strukturë më të bukur se një shtëpi e thjeshtë dhe modeste. Çdo gjë që është e qartë, e thjeshtë dhe e pastër i përshtatet ekzistencës së njeriut. Kjo thjeshtësi i mbron njerëzit nga gabimet; e bën atë të sigurt dhe paqësor. Bachelard thotë: “Shtëpia siguron mbrojtjen e gjërave që janë fituar në jetën e njeriut, i bën gjërat të përhershme. Po të mos kishte shtëpi, njerëzit do të shpërndaheshin dhe do të largoheshin. Shtëpia e mbron njeriun nga stuhitë e jetës, ashtu si e mbron edhe nga stuhitë që zbresin nga qielli. Është trup dhe shpirt në të njëjtën kohë. Është universi i parë i ekzistencës njerëzore.”

Shtëpia duhet të lidhet me ekzistencën dhe të bëhet me një rregull, harmoni, dhembshuri dhe përulësi. Dhomat që përbëjnë shtëpinë, dyert, dritaret, shkallët, pullazi dhe bodrumi janë pasqyrimi i imagjinatës dhe brendësisë sonë në lidhje me jetën. Ne nuk mund të reflektojmë në një shtëpi asgjë më tepër se pasurinë ose varfërinë që kemi brenda nesh.

Analiza e Bachelard-it tregon se një godinë që është ndërtuar pa asnjë vlerë dhe përgjegjësi, ndërtesat shumëkatëshe, e eliminojnë mundësinë e ëndrrës: “Sikur të ishim arkitekti i shtëpisë tonë të ëndrrave, ne do të ndaleshim me numërimin e kateve midis katit të tretë dhe të katër. Më e thjeshta për sa i përket lartësisë bazë, shtëpia trekatëshe ka një bodrum, një përdhesë dhe një pullaz. Nëse është një shtëpi katërkatëshe, ka një kat tjetër midis katit përdhesë dhe pullazit. Një kat tjetër, një kat i dytë; dhe ëndrrat fillojnë të përzihen.” Prandaj, humbet mundësia që njerëzit duke u nisur nga shtëpia  të mund të krijojnë marrëdhënie me njerëz dhe vende të tjera.

Dhomat e miqve, të cilat përbëjnë pjesën më të rëndësishme të shtëpive tona, kanë qenë gjithmonë një mërzi për mua. Ato të jepnin përshtypjen e një vendi të largët. Dhoma e miqve është ndryshimi midis jetës që jetojmë dhe jetës që duam të paraqesim jashtë, është produkt i kontradiktës së thellë. E di që kjo do të kundërshtohet. Për shumë prej nesh, ky vend është një dëshmi se ne e vlerësojmë mysafirin. Mund të parashtrohen edhe arsye të tjera të justifikuara. Megjithatë, jeta duhet të jetë një në një mënyrë që të mos lërë vend për dyzime, pazare dhe negociata. Dhoma e miqve është një zonë e jashtëzakonshme që nxirret jashtë shtëpisë. Është një zonë e ndaluar për familjet dhe veçanërisht për fëmijët. Duke qenë se është jashtë rrjedhës së përgjithshme të jetës, i mungon sinqeriteti. Kur hyn i ftuari, e ndjen menjëherë këtë gjendje jo të sinqertë. Këtë e kupton nga përshëndetja me hipokrizi e orendive në dhomë. Është si një i huaj mes gjërave të mbushura. Komplete divanesh spektakolare dhe elegante, tavolina kafeje, tavolina të vendosura për ngrënie të ngulfatura mes filxhanëve, gotave të llojllojshme. Nga kjo turmë e dhomës, mysafiri nuk mund të ndiejë se i përket atij vendi.

Shtëpia, veçanërisht dhoma e miqve, duhet të pastrohet nga gërmadha e gjësendeve të panevojshme dhe të paraqesë hapësirë e cila thjeshtë do të mundësojë që njerëzit me dashuri të llafosin me njëri-tjetrin. Në rastet kur do të shtohen miqtë, atëherë pjesa më e madhe e tavolinave dhe karrigeve do të nxirren jashtë dhe njerëzit do të ulen në dysheme për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për ta parë në sy. Në të kaluarën, kur shtoheshin miqtë në dhomë, silleshin edhe qilima nga dhomat tjera dhe shtroheshin për t’u ulur njerëzit dhe të rinjtë e shtëpisë shërbenin kafe ose çaj. Ndërkaq tash sa më shumë u larguam nga “rrëmuja” në shtëpitë tona, aq më shumë e shtuam rrëmujën dhe ngulfatjen e shpirtit nga vetmia negative dhe izolimi egoist.

Tashmë të gjitha katet e apartamenteve ose struktura të ngjashme në të cilat jetojmë janë hapësira të syefaqesisë dhe reklamit të njerëzve. Borgjezia e re, e cila po pasurohet dhe po rritet, më parë e ka ekspozuar luksin vetëm në një dhomë, ndërsa tash reklama dhe demonstrimi shtrihet në një strukturë të tërë. Duhet ta pranojmë se tani më as koncepti i bukurisë, as hapësira e jetës, as koncepti i shtëpisë si një vizion kozmik nuk e ekzistojmë në jetën tonë. Si pasojë, shtëpitë janë shndëruar në kuti që janë pastruar nga të gjithë këta elementë dhe janë vendosur keq njëra mbi tjetrën. Kur i shikojmë këto struktura, e shohim lakminë e njerëzve që vrapojnë pas pakënaqësive komplekse dhe tundimin epshor të tyre. Për këtë arsye, qytetet dhe shtëpitë në kohë të fundit duken njësoj. Kjo ndodh kështu edhe pse shpeshherë ne kemi dëshirë t’i vizitojmë shtëpitë e vjetra në qytetet e të kaluarës. Ato na pëlqejnë, i pëlqejnë shpirtit tonë, por nuk arrijnë dot ta mundin lakminë e mendjes së shfrenuar dhe teknologjisë imperialiste.

Në fakt, shtëpia është një çështje, një vizion i jetës dhe një sulm ndaj mendjeve tona për të krijuar  një mundësi. Nëse mund të flasim për ndërtimin e një shtëpie, ndërtimin e një qyteti dhe, më pas, ndërtimin e një bote të re, të paktën mund të fillojmë të flasim për mundësitë e reja. Ndërtimi i një shtëpie si duhet është një shpresë për ndryshim…

Çdo shtëpi e ka historinë e saj, një histori që nuk mbaron kurrë..`