` . Shtëpia... fole apo karantinë? - TV SHENJA

Shtëpia… fole apo karantinë?

Kthimi çdo herë lidhet me shtëpinë. Lidhja që krijojmë me vendin dhe sendet, lidhet në botën tonë të brendshme. Ne jetojmë me gjërat dhe ato jetojnë me ne. Tavolinat, perdet, dritaret, librat, pasqyrat, kolltukët, ora në mur ose një pikturë…

Shkruan: Flora HAJDARMATAJ, Tropojë

Ekziston një vend me të cilin kohëve të fundit jemi rinjoftuar dhe integruar në të. Ajo është shtëpia. Çka është shtëpia? Fole, strehë, privatësi… Shtëpia, në kuptimin e parë, është strehimore. Është ekuivalent i nevojës për strehim njerëzor. Nëse nuk ka strehim, jeta nuk vazhdon. Shtëpia e bën të vazhdueshme jetën. Ajo e mbron njeriun nga rreziqet, armiqtë dhe gjërat e padëshiruara. Shtëpia, njëkohësisht, është edhe privatësi, sepse nënkupton familjen. Shtëpia është vendi i sferës private dhe nuk është e hapur për të gjithë.

Kthim në shtëpi

Njeriu, i cili e ka brengë të vërtetën sublime, çdoherë synon njohjen e vetes dhe, nëpërmjet saj, synon ta arrijë të vërtetën. Pandemia ishte një pauzë e madhe ndaj jetës së jashtme dhe ajo mundësoi kthimin në vendbanimet tona. Kjo bëri që të orientohemi ndaj botës sonë të brendshme. Kështu, karantina nuk mundësoi vetëm që të kthehemi në shtëpitë tona, por edhe të jetojmë në to për një kohë më të gjatë. Ky ishte një kthim në kohë dhe hapësirë, në kujtimet kolektive, ndërgjegje… ndoshta për disa edhe një kthim në zemrat e tyre.

Kthimi çdo herë lidhet me shtëpinë. Lidhja që krijojmë me vendin dhe sendet, lidhet në botën tonë të brendshme. Ne jetojmë me gjërat dhe ato jetojnë me ne. Tavolinat, perdet, dritaret, librat, pasqyrat, kolltukët, ora në mur ose një pikturë… Çdo shtëpi e ka melodinë e saj të veçantë, që me kalimin e kohës ajo behët pjesë e jetës sonë. Çdo zhurmë e ujit, fryma që përplas dritaret ose edhe zhurma e akrepave të orës, bëhen ninullë për shpirtin tonë. Çdo rregullim në shtëpi, në fakt, është rregullim edhe në brendësinë e shpirtrave tanë. Shpesh kemi dëgjuar gratë tek thonë se “e pastrova shtëpinë, tani vet jam rehat”. Në fakt, çdo pastrim i shtëpisë është edhe pastrim i shpirtit. Çdo shtëpi frymon ndryshe, por sigurisht shpirtin dhe dashurinë ia japin njerëzit. Shtëpia vetëm me gjërat brenda thjesht mund të duket si një muze. Njerëzit e kompletojnë atë.

Në shtëpitë e vjetra, në muret e tyre, zakonisht mbanim ndonjë fotografi të gjyshit me shikim serioz ose të ndonjë gjysheje me shami të bardhë… Këto fotografi na ngjallnin kujtime dhe nëpërmjet tyre mundoheshim ta krijojmë një lidhje me të kaluarën. Me kalimin e kohës këto fotografi filluam t’i zëvendësojmë me piktura dhe objekte gjeometrike, dukë kërkuar një kombinim dhe reflektim të së bukurës. Me situatën e krijuar nga pandemia ne u detyruam të kalojmë më shumë kohë në shtëpitë tona dhe kështu vërejtëm se shtëpia jonë nuk dukej si e jona, por e ndonjë arkitekti ose artisti, duke reflektuar jo veten tonë, por një art të huaj. Prandaj, sikur modernizmi ka ndikuar që njeriu ta humb ndjenjën e shtëpisë.

Në shekullin XX, gjithmonë në përshkrimet e shkrimtarëve dhe poetëve të ndryshëm, shtëpia përshkruhej si fole me ambient të ngrohtë familjar, ku përziheshin zërat e fëmijëve me aromat e ushqimeve, ku dashuria dhe muhabeti mes pjesëtarëve të saj janë dekorimi më i bukur i saj. Ndërkaq, në shekullin tonë ato ngjajnë më shumë në një vendbanim sesa në shtëpi. Këto vendbanime më shumë paraqesin statusin tonë në shoqëri sesa që e paraqesin shtëpinë në kuptimin e plotë të fjalës. Për njeriun sot shtëpia përbëhet nga ambiente të hapura, transparente, me dhoma të mëdha që humbin në to, dollapë të mëdhenj, dekore gjeometrikë dhe përdorim të ngjyrave të orientuara nga një sistem mediatik. Për këtë arsye njeriu modern nuk ka arritur të krijojë shtëpi në kuptimin e plotë të fjalës, por një vendbanim të përkohshëm. Njëjtë siç gjen strehim në vende si hotele, qendra tregtare ose  aeroporte… Modernizmi e ka nxjerrë dhe shkëputur njeriun nga shtëpia, duke ia imponuar shpenzimin e kohës më shumë jashtë saj. Pasi që ai nuk gjen kohë të kalojë brenda shtëpisë për shkak të angazhimeve jashtë saj.

Kështjella e fundit e privatësisë

Privatësia nënkupton jetën private dhe, në përgjithësi, lidhet me shtëpinë dhe familjen. Sot, në aspektin ligjor, ajo përfshin zonën private të individit. Ndërkaq koncepti i privatësisë, nga këndvështrimi hyjnor, rrjedh nga arabishtja (h-r-m) haram, si diçka e ndaluar dhe e paprekshme, por në të njëjtën kohë nënkupton edhe të shenjtën.

Shtëpia, njëkohësisht, është edhe privatësi, sepse ajo e nënkupton familjen. Shtëpia është vendi i sferës private dhe nuk është e hapur për të gjithë. Por, sa janë sot shtëpitë, në të vërtetë, hapësira jonë private? Këtë e kemi kuptuar më së miri në ditët e karantinës, kur secili nga ne kemi shpërndare fotografi nga çdo kënd shtëpiak. Edhe vendet me private i kemi bërë publike për të tjerët.

Dikur shtëpitë tona ishin ambientet më të sigurta dhe ishull për privatësinë tonë. Në të kaluarën shtëpitë zakonisht nuk kishin ballkone, por oborre të rrethuara me mure. Ndërkaq, sot janë dizajnuar në bazë të ideologjisë së transparencës dhe kulturës mediatike. Sot, me dekorimin e secilës qoshe në bazë të kulturës dominuese, sikurse në “reklama”, shtëpitë nuk dallojnë shumë me ambientet argëtuese. Prandaj, duke u nisur nga format e shtëpive tona e deri tek postimet e hapura për të gjithë, ka bërë që kufijtë e hapësirës private të zbehen.

Po ashtu, shtëpia mund të ishte vendi që reflekton frymën e zemrës dhe ku shpirti gjen prehje. Siç edhe Zoti e ka cekur në suren “Nahl” (ajeti 80): “Zoti i ka bërë shtëpitë tuaja prehje e qetësi”. Prandaj, shtëpia nuk është vendi i katër mureve, por është vendi ku njeriu lind, rritet, formohet, zhvillon imagjinatën, thur ëndrra… vendi ku planifikohet e jashtmja. Ai është vendi ku bashkohemi, mblidhemi, ku ndahet dhimbja, gëzimi dhe përqafimet, ku ndajmë bukën e ujin. Shtëpia është vendi ku mbledhim kujtime nga fëmijëria deri në pleqëri. Jeta fillon në shtëpi dhe mbaron në shtëpi…