` . Shqiptarët viktima të përhershme të “aksidenteve historikë” - TV SHENJA

Shqiptarët viktima të përhershme të “aksidenteve historikë”

Bien shumë në sy fushatat e mbrapshta që po bëjnë këto ditët e fundit fanatikët e turkofobisë e të islamofobisë shqiptare që ta paraqesin si rrezik fuqinë rajonale më miqësore ndaj shqiptarëve, Turqinë.

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Temën e shkrimit për këtë numër të “Shenja” nuk mund ta përcaktoja përfundimisht pa dëgjuar intervistën që gazetari dhe miku im Robert Papa, me qëndrim në Nju Jork, i kishte marrë politikanit dhe diplomatit të mirënjohur amerikan Xhon Bolton. Intervista u transmetua në programin javor njëorësh “Focus” të Robertit, nëpërmjet kanalit televiziv “Fax News” në Tiranë në orën 21, të datës 25 korrik. Interesin dhe kërshërinë më të madhe i kisha të dëgjoja mendimet dhe shtjellimet e Boltonit rreth një ideje të ish-senatorit të ndjerë, Xhesi Helms, për të cilën bashkë me Robertin kishim folur në disa emisione televizive që ai i organizonte në Tiranë para disa vitesh. Isha paraprakisht në dijeni se Roberti do ta prekte këtë temë në intervistën që do të merrte. Dhe, vërtet një nga pyetjet ishte për pikëpamjen e shprehur qysh në vitin 1983 nga senatori amerikam Helms lidhur me rëndësinë që kishte për SHBA mbështetja e bashkimi i shqiptarëve në një shtet të përbashkët demokratik antikomunist në Ballkan. Roberti e kishte formuluar pyetjen “Zotëri Bolton a mendoni se ka gjasa që ndonjëherë pikëpamja e shprehur nga senatori Helms të gjejë vend edhe zyrtarisht në gjeopolitikën e SHBA?”.

Për fat të keq, pikëpamja dhe qëndrimi i Helmsit janë të panjohura deri tani për opinionin publik shqiptar. Me sa di unë, vetëm një shqiptar na ka shpëtuar nderin, duke i shprehur mirënjohje Helmsit për qëndrimin e mendimin e tij. Më 10 janar 1989 profesori i “Menfild University” në Pensilvani, Miftar Spaija Thaçi, ia kishte dërguar këtë letër mirënjohjeje Xhesi Helmsit. Për hir të vlerës që ka si fakt historik e politik dhe në shenjë nderimi dhe për Miftar Spahinë, po e përcjell këtu për botim në “Shenja”.

“I nderuar senator Helms,

Ekspozeja që keni paraqitur në Senatin e SHBA më 7 qershor 1983 “Ballkani sot: Jugo-Sllavia dhe perspektivat për ta çliruar kombin shqiptar” edhe sot janë aktuale.

Kam qenë e jam thellësisht i mrekulluar nga vlerësimi juaj realist e korrekt mbi situatën nëJugo-Sllavi.

Jugo-Sllavia (Sllavia e Jugut), një shtet artificial që u sajua padrejtësisht e pa dobi nën sundimin e Serbisë nga fundi i Luftës së Parë Botërore prej disa Fuqish Europiane, kryesisht nga Franca, po bëhet gjithnjë e më shumë një rrezik për paqen në Ballkan, rrjedhimisht në Europë. Prandaj, ashtu sikurse ju e keni theksuar me realizëm dhe korrektesë gjatë ekspozesë tuaj më 7 korrik 1983 duhet të bëhen përpjeke për të gjetur një rrugëdalje nga kjo gjendje që nuk mund të vazhdojë në këtë vend.

Unë po citoj nga deklarata juaj,

“Zotëri kryetar në vend që të lejojmë që zona e Ballkanit të shpërthejë si rezultat i manipulimeve sovjetike, Perëndimi duhet të merret më mirë me të dhe të përpiqet për një evolucion të natyrshëm në këtë hapësirë. Një evolucion i tillë duhet të mbështetet në parime të drejta, që do të garantonin integritetin dhe sovranitetin e kombeve të ndryshëm brenda kufijve të natyrshëm etnografikë. Një shembull i një evolucioni të tillë do të ishte të sigurohej riintegrimi i shqiptarëve të Kosovës me vendin e tyre vëlla, Shqipërinë. Por kjo mund të bëhet me një Shqipëri jo-komuniste e pro-perëndimore. Gjendja e tanishme është e padrejtë, sepse kjo mohon të drejtën për vetëvendosje.

Sapo ky rregullim të bëhet një konfederatë e re e kombeve të lira të Ballkanit mund të shfaqet. Ky evolucion i natyrshëm siguron stabilitet e progres në rajon dhe mund të përbëjë një bllok të fortë kombesh përballë kërcënimeve të ardhshme në zonë nga ana e Bashkimit Sovjetik”(fundi i citatit të Helmsit).

Çdo shtetas ose kombas shqiptar, me përjashtim të një grushti renegatësh komunistë, është thellësisht mirënjohës ndaj jush për deklaratën mbi të drejtat kombëtare të më shumë se tre milionë shqiptarëve në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Jugo-Sllavisë.

Unë me nderim besoj se koha ka ardhur sërish që ju edhe një herë të ngrini zërin tuaj për vuajtjet e më shumë se tre milionë shqiptarëve nën shtypjen e përgjakshme serbe. Këtyre shqiptarëve po u mohohet identiteti kombëtar e kulturor. Ata janë të shtypur politikisht dhe ekonomikisht deri atje sa nuk ka ku të vejë më.

Zëri juaj mund të sjellë në qendër të vëmendjes interesat reale e të qëndrueshme të Vendit për të shpëtuar nga fatkeqësia shqiptarët në Jugo-Sllavi, Shqiptarët, me përjashtim të komunistëve, janë aleatë të natyrshëm të Amerikës, jo tëSllavisë së Jugut ose të Lindjes.

Me nderime, sinqerisht i Juaji, Miftar Spahija Thaçi.”

 

(Për të njohur figurën e mendimet e autorit të këtij mesazhi lexuesi i interesuar mund t’i drejtohet librit shumë të vlefshëm të Hasan Hasanit “Miftar Spahija korifeu i Lumës”, botuar para dy dekadash në Kosovë).

Si mendimet e Xhesi Helmsit, ashtu edhe mesazhi i Miftarit, janë aktualë edhe sot pas shumë ndryshimesh me vlera të mëdha që kanë ndodhur në Shqipëri e në Kosovë, ndryshime të cilat sot janë përsëri para rreziqesh të mëdha, që duan ta ndalin këtë udhëtim të shqiptarëve.

Nuk mund të pritej që në intervistën e Robert Papës të dëgjonim nga Boltoni të gjitha ato mendime që duam ne. Por, edhe kjo intervistë duhet vlerësuar me kujdes, se në përgjigjet e Boltonit ka nuanca që përafrohen me mendimet e shqetësimet e Helmsit. Edhe Boltoni theksoi se ish-Jugosllavia ka qenë “krijesë e Versajës”. Thelbit të pyetjes së bërë nga Robert Papa ai i kaloi anash, por në njëfarë mënyre ai e pranoi gjëmën që u ka ndodhur shqiptarëve me arsyetimet e tij se “kufijtë në Ballkan janë vendosur për aksidente historike”. Pra, në një mënyrë, konfirmohet mendimi i Helmsit se këtu kufijtë janë vendosur në mënyrë të padrejtë dhe ende nuk është zbatuar parimi i vetëvendosjes.

Përgjigjjet që dha Boltoni për këtë pyetje të Robert Papës hapin një temë interesante për debat politik e diplomatik, debatin se çfarë qëndrimesh duhen mbajtur ndaj “aksidenteve historikë”, që vazhdojnë të dëmtojnë rëndë disa kombe e shtete në Ballkan e gjetkë. Boltoni vuri theksin në mënyrë të veçantë në rëndësinë që ka edhe për popujt e Ballkanit që në rrugën e tyre t’i përmbahen demokracisë e nacionalizmit dhe të ruhen sot nga intrigat e trysnia e Rusisë.

Pas kësaj interviste hapet një hapësirë e veçantë për të debatuar mbi temën “koncepti i aksidenteve historikë në Ballkan” dhe për të trajtuar se përse deri tani viktima të këtyre aksidenteve kanë qenë dhe mbeten kryesisht shqiptarët.

Zhvillimet më të fundit në hapësirat shqiptare dhe në botë dëshmojnë se shqiptarët nuk po shpëtojnë nga aksidentet e vjetra e të reja gjeopolitike. Madje, këtë e dëshmon dhe njëfarë vrulli që ditët e fundit kanë marrë individë e forca të ndryshme turkofobe dhe islamofobe në Shqipëri e në Kosovë. Armiqtë që rrethojnë gjeografikisht shqiptarët janë munduar gjithmonë t’i izolojnë shqiptarët politikisht, ekonomikisht dhe fetarisht nga miqtë e mirë që kanë në Ballkan, në Europë e në botë. Bien shumë në sy fushatat e mbrapshta që po bëjnë këto ditët e fundit fanatikët e turkofobisë e të islamofobisë shqiptare, që ta paraqesin si rrezik fuqinë rajonale më miqësore ndaj shqiptarëve, Turqinë. Janë vënë në veprim individë e mjete propagandistike për të bindur shqiptarët se edhe Turqia e sotme qenka njësoj e rrezikshme si armiqtë e tjerë për Shqipërinë në Ballkan. Për të ringjallur këtë psikozë të keqe sulmohet dhe besimi islam, që e ndjekin shumica e shqiptarëve, sa herë që në botë lind ndonjë fushatë antimyslimane. Për këto tema në mendimin politik shqiptar janë bërë debate të shumta gjatë 30 viteve. Por, duket se po mobilizohen përsëri forca fanatike antimyslimane, të vjetra e të reja, që të shpërthejnë fushata të tjera fyese e agresive antimyslimane. Kështu, rruga e shqiptarëve në histori mbetet mjaft e ngarkuar me pengesa që mund të çojnë në rrjedhoja të padëshirueshme, që pastaj mund të quhen “aksidente historike” e të mbyllen me ndonjë ngushëllim, por pa shtruar si duhet çështjen se edhe për “aksidentet historikë” duhet të ketë dhe ndëshkim të dikujt e dëmshpërblim nga dikush.