` . Shqiptarët të flasin me gjuhë të arsyes - TV SHENJA

Shqiptarët të flasin me gjuhë të arsyes

Mund të pranohet se vetëm pak mund të na shqetësojë Greqia në Adriatik, por do të vijë koha kur sllavët e Ballkanit do të marrin nga Greqia atë çfarë ata duan. Është e vështirë të besohet se Greqia do të mund t’i luftonte ata për copëra të Bregdetit Shqiptar ose që ajo do të ketë një shans për ta kryer këtë me sukses. Herët apo vonë, jugosllavët do ta kenë përsëri Rusinë pas tyre. (Morton F. Eden, analist australian, Albania and her neighbours, London, 1921)

Intervistoi: Ismail SINANI

 Intervista me arkeologun, studiuesin dhe politikanin shqiptar, Neritan Ceka, para lexuesit të revistës SHENJA, nxjerr në dritë shumë fenomene politike, që ndërlidhen në kontekstin shqiptar, por edhe gjeopolitik. Duke qenë kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, më pas nënkryetar i kësaj partie, pastaj kryetar Aleancës Demokratike, ministër i Brendshëm, kryetar i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare dhe nënkryetar i Kuvendit te Shqipërisë, Ceka – me bagazhin e tij politik – në këtë intervistë e analizon thellë fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje!, çështjen e dialogut me Serbinë, por edhe mënyrën e organizimit të “politikave shqiptare” në rajon.

 SHENJA: Pas dy dekadash rrugëtimi, Lëvizja Vetëvendosje! me në krye Albin Kurtin, arriti të përmbysë shumë koncepte të deritanishme politike. Ai ka arritur të ngjitet në majat e suksesit të vet politik, duke u bërë kështu halë në sy për shumë oponentë të tij politikë në Kosovë, por pse jo edhe jashtë kufijve… Sipas jush, çfarë do të thotë fitorja plebishitare e Kurtit?

CEKA: Në fakt është më tepër një sfidë politike sesa një fitore. Si e tillë, përkon me taktika të njohura elektorale, kur për shkak të manipulimeve politike kundër një fitoreje të parë, ashtu si në një ndeshje boksi, sfidanti kalon nga nokdaun në nokaut. Personalizimi i fitores me emrin e Albin Kurtit do të më dukej i ekzagjeruar, sepse nuk kemi të bëjmë me një karrierë politike të organizuar, ku protagonisti arrin shkallë-shkallë suksesin përfundimtar, por me një lëvizje morale-etike, e cila u kthye në mënyrë aksidentale në parti politike. Ne kemi në Shqipëri shembullin e ngjashëm të lëvizjes “Mjaft!”, e cila u zhvillua me shumë mbështetje të opinionit publik në luftën e saj kundër korrupsionit dhe arbitraritetit të qeverisë socialiste të Nanos, por u shkri si bora në periudhën kur u kthye në një parti politike, për të mos thënë se u bë pjesë e po asaj lukuinie, të cilën e pat luftuar. Me këtë dua të them, se Albin Kurti është materializimi i një opinioni publik të pakënaqur e të lodhur nga klasa politike e Kosovës, që arriti të plakej në një periudhë relativisht të shkurtër për jetën politike. Është vetë alternativa migjeniane: Sokrat i vuejtun, apo Derr i kënaqun? Suksesi i një alternative populiste mund të jetë vetë fillimi i një dështimi, siç ka ndodhur me “Syriza” në Greqi apo “Cinque Stelle” në Itali. Përkundrazi, angazhimi në një program që synon një reformë të thellë të shtetit dhe shoqërisë kosovare, do të ishte ajo që presin votuesit e kësaj fitoreje. Dhe, kjo nuk mund të arrihet nga një vullnet i vetëm, qoftë i një personi, apo i një partie politike.

SHENJA: Sipas Vetëvendosjes!, këto zgjedhje ishin një referendum. Nga këndvështrimi juaj, a është kjo vetëm një metaforë politike apo vërtetë duhet perceptuar si të tillë?

CEKA: Patjetër që ishin një referendum në rritjen e suksesit në fitoren e dytë. Kjo duhet kuptuar se elektorati votoi për ndryshim, por jo vetëm për ardhjen e një stafi të ri drejtues të establishmentit ekzistues politik. Referendumi ka të bëjë me ndryshimin e një sistemi që e kultivoi krimin dhe korrupsionin dhe, si i tillë, i kalon kufijtë e Kosovës. Kërkesat e këtij referendumi janë shtrirë në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe janë manifestuar në zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi. Ato po shtrohen në formë programesh të forcave opozitare edhe në Shqipëri e Serbi. Për të rikujtuar vargjet e njohura të Shilerit: “E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë; një jetë e re po lulëzon gërmadhash”. Kjo është arsyeja që Albin Kurti fitoi me vota në Kosovë, por fitoi në mënyrë virtuale edhe në Shqipëri.

SHENJA: Prej disa vitesh, Kosova, por edhe Serbia, gjenden në një ngërç të theksuar politik në raportet midis tyre. Ndonëse në kohën e ish Presidentit Hashim Thaçi u krijua përshtypja se ai dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë afër marrëveshjes përfundimtare, situata në terren doli të jetë krejt ndryshe. Ndërkohë, Kurti tani po thotë se “bisedimet me Serbinë” gjenden në pozitën numër gjashtë ose shtatë në listën e prioriteteve. Çfarë nënkupton kjo për këto dy shtete e çfarë për rajonin në përgjithësi?

CEKA: Ky është nga rastet e rralla, ndoshta unike në histori, që një vend që ka humbur luftën, si Serbia, përcakton kushtet në tryezën e bisedimeve. Në fakt, lufta NATO-Serbi ka qenë një luftë e rregullt, e zhvilluar sipas të gjitha normave ndërkombëtare, ku një vend që ushtronte gjenocid dhe shkaktoi një katastrofë humane, u godit me forca ushtarake, që pushtuan një pjesë të territorit të tij. Pra, ishte lufta e Serbisë, që kapitulloi dhe kërkoi armëpushim. Populli i Kosovës dhe UÇK-ja, që e përfaqësonte atë, ishte pjesë e asaj fitoreje, prandaj është arbitrare që një qeveri e tij, e zgjedhur demokratikisht, të detyrohet të ulet në bisedime me një qeveri që përfaqëson një shtet humbës. Nëse ka parime të rëndësishme, që kanë mbetur për t’u biseduar në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, ato duhet të vazhdojnë të diskutohen midis fitimtarëve dhe humbësve, pra midis Komisionit të BE-së dhe Qeverisë së Beogradit, para se të dërgohen përfundimisht në OKB. Për mua është krejt absurde që Kosova ta bisedojë çështjen e pavarësisë së saj me Beogradin. Kjo është si të merret vesh delja me ujkun kur kjo është detyrë e bariut. Në këtë plan Albin Kurti ka plotësisht të drejtë, sepse çështjet kryesore, për të cilat është votuar ai dhe forcat që do ta mbështesin në qeverisje, janë forcimi i shtetit, rritja ekonomike, ulja e papunësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit etj, etj., dhe marrëveshja imagjinare për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi do të ishte e privilegjuar nëse do të vendosej realisht në vendin e gjashtë. Kjo nuk e përjashton domosdoshmërinë e uljes në tryezë. Unë do të thosha në nivel kryesisht teknik, për të diskutuar zbatimin e disa dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara kosovare-serbe dhe për të normalizuar marrëdhëniet midis dy vendeve fqinjë, sovranë dhe aspirantë për anëtarësimin në BE. Çdo ëndërr për ndryshime kufijsh, marrje e dhënie territoresh, qoftë edhe me çmimin e blerjes së një Shqipërie të Madhe, jo vetëm na kthen në korridoret e Kongresit të Berlinit të 1878, Konferencës së Londrës së 1913 ose të Konferencës së Versajës së 1919-1920, ku Shqipëria doli gjithmonë e humbur në favor të sllavofilisë europiane, por është rasti i Don Kishotëve që duan të mbërthejnë lëvizjen e botës me heshtat e tyre të ndryshkura.

SHENJA: S’do mend se sponsorët kryesorë të “dialogut” janë amerikanët. Ish Presidenti Trump pati pretenduar se “e ka zgjidhur kontestin”. Ndërkohë edhe administrata e re amerikane nuk është se dallon fort nga e mëparshmja kur bëhet fjalë për këtë temë. A gjendet Kosova përballë shkëmbimit të territorit apo përballë “Zajedincës”?

CEKA: Për fat të keq, Don Kishotë të tillë i gjeje edhe në stafin, për fat të mirë të larguar, të presidentit amerikan Trump, me sa dukej nën ndikimin e miliarderit amerikan Soros, i biri i të cilit u shfaq disa herë në Tiranë. Nuk dua ta komentoj këtë skenar naiv dhe njëkohësisht të rrezikshëm, për ta kthyer përsëri Ballkanin në një fuçi baruti. Zhdukja e konfliktualitetit etnik përmes uljes së kufijve dhe zbatimit të të drejtave dhe lirive të pakicave kombëtare nuk është më një aspiratë, por një realitet në vendet e BE-së. Vetëm naivët, arkaikët dhe përfituesit e konfliktualitetit mund të vazhdojnë akoma në këtë linjë. Unë nuk e besoj që një president si Baiden, që ka në CV-në e tij edhe përvojën dhe kontributin në Kosovë, mund të vazhdojë rrugën kuturu të çiftit Bolton-Grenell, që të çon jo më larg se në Kremlin. Kam bindjen se e ardhmja e Kosovës, që është njëkohësisht edhe çështja e stabilitetit dhe integrimit të Ballkanit perëndimor në BE, do të zgjidhet kryesisht në Bruksel, natyrisht në harmoni me administratën e re të Uashingtonit dhe të dy palët do të kenë shumë kujdes për zgjidhje dritëshkurtra, si shkëmbimi i territoreve ose legalizimi i Zajednicave, të eksperimentuara si mina ruse në Republika Srpska të Bosnjës.

SHENJA: Krahas problemit me Serbinë, që tani ndjehet se raportet mes Tiranës dhe Prishtinës do të përballen me tensione, ndoshta të heshtura. Kush është fajtori: qasja paternaliste e Edi Ramës apo “padëgjueshmëria” e Albin Kurtit?

CEKA: Natyrisht, faji i takon përherë më të madhit të vëllezërve, në këtë rast Tiranës. Për fat të keq, në mikrokozmosin ballkanik, të formuar nga shtete që u ngjajnë katundeve, paternalizmi, arroganca dhe arbitrariteti, janë metoda të qeverisjes së brendshme, po aq sa dhe të politikës së jashtme. Zotëria i Tiranës nuk futet dot në lëkurën e një kryeministri që administron vetëm 2 milionë shqiptarë nga 4 që ka të regjistruar në regjistrin civil dhe që, nga ata që kanë mbetur, gjysma kanë bërë gati valixhet për të ikur. Një kryeministër i një shteti që qëndron gjithmonë në vendet e para për statistikat botërore të së keqes dhe në vendet e fundit për statistikat e së mirës. Një kryeministër i një vendi, i cili kur i hip avionit për të pajtuar Greqinë me Turqinë, bën sikur nuk e di që ka një buxhet vjetor prej 4 miliardë eurosh, aq sa e kanë nja 20 qytete turke e greke, 200 qytete europiane dhe 2000 qytete botërore (ndoshta edhe ca fshatra kineze, që presin statusin e qytetit). Në këtë optikë çdo shqiptar normal në Tiranë, Shkup ose Prishtinë mund të pyesë: ndoshta në konfliktin Rama-Kurti e ka fajin Albini! Po me Ramushin dhe Vjosën, gjithmonë i pafajshmi është Rama? Konkluzioni është se shqiptarët kanë nevojë që të flasin me një gjuhë të vetme të arsyes dhe të bëjnë një politikë konsensuale pozitë/opozitë, si dhe në Tiranë/Prishtinë/Shkup/Podgoricë, sa herë diskutohet dhe merren vendime që lidhen me çështjen kombëtare. Marrëveshje të fshehta në këtë fushë bëjnë vetëm naivët, të korruptuarit, për të mos thënë fjalën e madhe, tradhtarët.

SHENJA: Kur jemi te Rama, ai para do kohe ishte në vizitë në Ankara, duke shpallur “partneritet strategjik” me Turqinë, që – në një mënyrë – u interpretua si largim nga rruga e euro-integrimit. Cili është mendimi juaj përkitazi me këtë vizitë, por edhe në temën e partneriteteve strategjike e të integrimit të Shqipëri e të shqiptarëve në BE?CEKA: Vizita në Ankara është pjesë integrale e politikës së jashtme shqiptare dhe duhet ta pranojmë se Turqia mbetet një partner strategjik i Shqipërisë. Kjo, së pari, sepse kemi qenë pjesë e Perandorisë Osmane, pavarësisht nga lufta plot sakrifica kundër saj, por për arsye se kemi qenë bashkësundues për shekuj në atë perandori. Së dyti, sepse janë disa milionë qytetarë të Turqisë së sotme me prejardhje të brezit të dytë e të tretë nga trojet shqiptare dhe që e ruajnë me krenari traditën historike shqiptare. Së treti, “last, but not least”, Turqia do të jetë përherë një lloj antidoti ndaj antishqiptarizmit megaloidheas. Çdo përpjekje, qoftë në formën e aluzionit, se ky partneritet mund të zëvendësojë prioritetet euro-atlantike të politikës sonë të jashtme, është po aq qesharake, sa edhe e rrezikshme. Por, le t’i marrim si shaka të “qytetarit dymilionë” disa sfida të këtij lloji që janë bërë edhe në lidhje me furnizimin e Shqipërisë me vaksina ani-covid. Natyrisht, shaka pa kripë për partnerët dhe të rrezikshme për pasojat e tyre për popullin, jo për oligarkët.

SHENJA: Nëse perspektiva evropiane zbehet dhe rruga e integrimit europian të Shqipërisë vazhdon të ngushtohet me faktin që nuk po jepet një datë për fillim të negociatave me BE-në, cila mund të jetë alternativa e zhvillimit dhe pozicionimit gjeopolitik të Shqipërisë?

CEKA: Për të gjithë është e kuptueshme që në strukturën dhe mënyrën e sotme të qeverisjes BE-ja është një organizëm, ku shpesh njëri i bie gozhdës dhe tjetri patkoit, siç thotë populli. Në këtë kakofoni zërat e së ardhmes janë ato të Gjermanisë dhe Francës, që kërkojnë mbajtjen e portave të hapura për kandidatët e rinj të BE, por mbi bazën e plotësimit të standardeve dhe kushteve. Zëra të tjerë, që vijnë nga anëtarë me më pak peshë, por që kanë gjithashtu votën e vetos, kërkojnë mbylljen e dyerve për të gjithë, përderisa të stabilizohet gjendja e brendshme e BE-së. Si rrjedhim, kur Shqipëria nuk lëviz nga vendi për të plotësuar kushtet, e kanë fajin mbyllësit e dyerve dhe jo qeveria shqiptare që do të futet bashkë me thasët e problemeve të brendshme e të jashtme, që zvarrit pas vetes! Sidoqoftë, projekte që synojnë lëvizjen e lirë dhe zhvillimin harmonik të trevave të Ballkanit perëndimor janë të mirëpritura, por prej tyre nuk mund të përjashtohet askush si conditio sine qua non, pra as Kosova dhe as Bosnjë-Hercegovina.

SHENJA: Kosova, por edhe Shqipëria, gjenden përballë një sfide të re gjeopolitike. Në Kosovë, struktura e re politike, edhe pse jo të gjithë, pa ndonjë ngurrim të theksuar po flasin edhe për bashkim me Shqipërinë. Nga ana tjetër, dy krahët kryesorë të politikës shqiptare, Rama-Basha (PS dhe PD), nuk është se kanë ndonjë pozicionim të qartë lidhur me këtë temë. Po kështu, përjashtuar liderët politikë të Luginës së Preshevës, të cilët thuajse njëzëri janë shprehur se nëse vjen deri te ndryshimi i kufijve, atëherë ata medoemos duhet t’i bashkëngjitën Kosovës, të tjerët, ata që veprojnë në Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, nuk kanë parapëlqyer të dalin me qëndrime të prera mbi këtë temë. Si e shihni ju këtë çështje?

CEKA: Mungesa e një diskutimi të hapur dhe konstruktiv dëshmon se tema po largohet nga aktualiteti, në të cilin vendin kryesor në këtë drejtim e ka integrimi euro-atlantik. Pra, Kosova duhet ta ketë prioritet të politikës së jashtme anëtarësimin në NATO dhe më pas në BE, ndërsa Shqipëria duhet ta ulë bashkë opozitën dhe pozitën për të bashkuar përpjekjet për anëtarësimin në BE. Pas kësaj vizionet janë të ndara. Ata që shohin drejt të ardhmes, në optikën europiane, i gjejnë të zgjidhura çështjet kombëtare brenda kuadrit të BE-së. Të tjerët do të vazhdojnë të shohin drejt historisë dhe do të vazhdojnë të diskutojnë mbi formën e bashkimit, që sigurisht është më i lehtë brenda BE. Në këtë zgjidhje askush nuk mund t’i imponohet tjetrit, edhe sikur në një referendum të kishte shumica që i kalojnë 50 %. Duhet të jemi realistë, për të pranuar, se çdo lëvizje konkrete drejt bashkimit, në statuset aktuale të anëtarit të NATO-s, që është Shqipëria dhe protektoratit të NATO që është realisht Kosova, nuk mund te bëhet si shprehje e parimit të vetëvendosjes. Së dyti, duhet të jemi po aq realistë, për të kuptuar, se ajo që ishte thuajse 100% e përkrahur më 1999, kur Kosova nuk kishte ende statusin e një shteti të pavarur, nuk kishte as qeveri, as banka, as biznese të pavarura, do të jetë në të njëjtën shkallë dhe entuziazëm edhe tani pas 20 vjetësh, kur në Prishtinë ka plot forca dhe interesa që nuk duan të urdhërohen nga Tirana. Veçanërisht nga një Tiranë që nuk e duan as gjysma e vetë qytetarëve të saj.

SHENJA: Krahas kësaj, cila do të duhej të ishte sinergjia politike mes Prishtinës dhe Tiranës në raport me proceset e tjera gjeopolitike në rajon, por edhe perspektiva e përgjithshme e Ballkanit dhe, veçmas, e shqiptarëve, në vitet që vijnë, gjithmonë duke e pasur parasysh rolin e vobektë të Bashkimit Europian karshi fuqizimit të shpejtë të Rusisë dhe Kinës, por edhe ndryshimin e madh që ndodhi në SHBA pas largimit të administratës së ish Presidentit Trump?

CEKA: Mesazhet që vijnë nga Europa dhe nga SHBA-ja në këtë drejtim janë mjaft inkurajuese, por kërkojnë një përgjigje referendare, si ajo e Prishtinës edhe në Tiranë. SHBA-ja ka qenë inisjatorja e reformës në drejtësi, si mekanizmi i krijimit të një shoqërie demokratike në Shqipëri. Ambasadori i BE-së në Tiranë dhe ambasadat më të rëndësishme kanë bërë vërejtje të rëndësishme ndaj mënyrës së qeverisjes dhe mungesës së reagimit efikas të saj ndaj fenomenit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Pra, është e qartë se kërkohet ndryshimi në establishmentin politik dhe zbatimi i një reforme të gjithanshme, që do të sigurojë funksionimin e institucioneve demokratike, shëndetin e qeverisjes, mirëqenien e popullit, stabilitetin në rajon, etj. Përgjigja e opozitës ka qenë hartimi i një programi të tipit gjermanik, pra që përmes reformave ekonomike siguron krijimin e një klase të mesme, si bazë e shtetit demokratik dhe antidoti i qeverisjes së sotme “të majtë”, që mbështetet tek oligarkët dhe krimi i organizuar. Si një nga kontribuuesit e hershëm në formimin e shtetit demokratik në Shqipëri, mendoj se kjo është rruga më e drejtë dhe më e sigurt për të pasur një Shqipëri dhe një Kosovë demokratike dhe njëkohësisht europiane. Kjo është edhe garancia për t’u qëndruar politikave ruse dhe kineze në rajon, që kanë përzgjedhur Serbinë, si pikën më të dobët për të futur pykat në përçarjen e Ballkanit dhe dobësimin e NATO dhe BE. Serbia është një shtet që ka qenë krijuar për të pasur këtë rol dhe nuk ka hequr dorë edhe me derdhjen e lumenjve të gjakut ose me humbjen e dy të tretave të territoreve të fituara në tryezat e dredhive diplomatike. Do të dëshiroja që ta kem pasur gabim, kur jam shprehur në një konferencë në Paris në vitin 1999, se Serbia është një Frankenshtajn, që nuk do ta ndryshojë natyrën e saj asnjëherë dhe çdo orientim i politikave, për ta afruar atë në Europë dhe për ta larguar nga Lindja ortodokse, është humbje kohe dhe perspektive. Në këtë perspektivë Prishtina është mirë ta mbajë Serbinë si pikën nr.6 apo 7 në agjendën politike të saj dhe Tirana sa herë shkon në Serbi, të kalojë nga Prishtina. Kjo, natyrisht, nuk pengon që turistët serbë të jenë të mirëpritur në Adriatik, duke kaluar nëpër një autostradë Beograd- Prishtinë-Durrës.

 

SHENJA: Në prill të këtij viti, Shqipërinë e pret një sfidë e rëndësishme elektorale, pra zgjedhjet parlamentare. Si e shihni këtë garë politike dhe cili mendoni se mund të jetë epilogu i kësaj sfide?

CEKA: Ashtu si në Prishtinë, zgjedhjet e reja nuk janë vetëm një sfidë qeverisjeje ndërmjet partive politike, por një referendum. Vetëm se në atë vendimmarrje ka ende një ndryshim të madh midis elektoratit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, të dyja palët shqiptarë patriotë. Kryesorja është që në Kosovë nuk manipulohen zgjedhjet dhe nuk shitet vota, të paktën në formën e evidentuar, por edhe të bekuar nga OSBE-ja në Shqipërinë “nanë”. Këta votëshitës mund të llogariten deri në 5% e votuesve, ndërkohë që rreth 5 % të tjerë, votëpërdhunues (neologjizma tipike tiranase!), janë ish operativët e Sigurimit të Shtetit, gardianët e burgjeve dhe kampeve të përqendrimit të komunizmit, shefat e kuadrove dhe spiunët e ndërmarrjeve socialiste dhe mbeturina të tjera nga hiri i sistemit të përmbysur të diktaturës, por që bëhen feniksi votues i Partisë Socialiste ne diell e shi, borë e akull. Pra, imagjino që Albin Kurti ta fillonte sfidën me 10 % kundër në referendumin e 14 shkurtit! Megjithatë, është shpresa që qytetari genuin shqiptar, që ka votuar gjithmonë “kundra” dhe “historikisht”, të votojë më 25 prill mbi bazën e programeve, sipas të cilave mund të verifikojë edhe rezultatet e qeverisjes, bashkë me plotësimin e premtimeve. Shpresoj që vendin e “timonit”, “tepsisë”, “kazanit” dhe “filxhanit”, për të cilat gjysma e elektoratit votoi qorrazi katër vjet më parë, do ta zërë “taksa e sheshtë”. “të ardhurat për frymë”, “rritja e pagave dhe pensioneve”, “prodhimi i brendshëm bruto”, “indeksi i inflacionit”, “shkalla e papunësisë”, “sanimi i sistemit arsimor e shëndetësor”, “efikasiteti i sistemit të drejtësisë”, “hapja e bisedimeve me BE” etj. Pra, të bëhemi realisht një vend europian, para se të pretendojmë të jemi një vend anëtar i BE-së.

Epilogu? Të bëhemi vetvetja, pra të jemi europianët që kemi qenë që prej 2500 vjet më parë, kur kishim qytete me zgjedhje periodike, teatro, stadiume, artistë, në kohën kur në Bruksel kishte vetëm kasolle me kashtë.

Këtë jua them me siguri si arkeolog!