Shqiptarët, leksion nga hapja e negociatave BE-Maqedoni e Veriut!

Shqiptarët, leksion nga hapja e negociatave BE-Maqedoni e Veriut!

Shumë pikëpyetje janë vënë mbi vënien në një paketë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të hapjes së negociatave me BE, ndërkohë enigmat e shumta janë shtuar pas akuzave ndaj Sofjes, nga injoranti më i madh politik në Europë, që shqiptarët e kanë për taksirat ta kenë dhe Kryeministër, Edi Rama! Pikërisht në këtë pikë duhet të jenë të vëmendshëm shqiptarët. Pse?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u hapën, por asgjë nuk ishte rastësi, as bashkimi i këtyre dy shteteve para portës së BE-së, e as reagimi i Sofjes dhe ai i Fuqive të Mëdha!

Këtë nuk e kishte të qartë vetëm Kryeministri Edi Rama, i cili, si i paedukuar dhe paarsimuar që është, dhe ato pak rreshta që i di nga historia e kombit shqiptar, i ka dëgjuar nga babai që firmosi varje për poet, e filloi betejën kundër zhvlerësimit të identitetit të një kombi, që ishte sipas tij, plangprishës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Gjithsesi, gjithë ky proces ishte një leksion i madh për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve zyrtarë të Shqipërisë se si duhet të sillen ata në të ardhmen kur integrimi europian vijon dhe realizimi i synimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ka shkelur rëndë në shekullin e dytë!

 

Përçmimi i dytë i Rusisë në Krime

 

Në momentin kur më 2014 Krimea u aneksua nga Rusia, të vetmit që ngelën amorf në këtë botë ishin shqiptarët dhe tashmë është e qartë se fajtor ekskluziv është Kryeministri Edi Rama, i cili përveç se i paarsimuar vuri nën thundër institucionet edukativo-arsimore deri tek Akademia e Shkencave përmes drejtuesve që e kanë për turp qenien kombëtare shqiptare.

Por, për dallim nga Shqipëria që nuk mendonte për fatin e saj, Fuqitë e Mëdha nuk mund të qëndronin indiferente ndaj Rusisë, që në një ditë të bukur e shkeli Marrëveshjen, u fut në një shtet sovran dhe thotë se Krimea është ruse.

Marrëveshja e Parisit, që u firmos më 30 mars 1856 dhe e largoi Rusinë nga Krimea, edhe pse ishte një përçmim i madh para botës për një perandori të madhe, siç ishte Rusia, ajo kurrë nuk iu tund para syve kësaj superfuqie, e cila ia lejoi vetes të përçmohet edhe për herë të dytë nga këto fuqi botërore, po në Krime.

Dhe, pikërisht derisa po ndodhë ky proces i përçmimit të dytë të Rusisë në Krime, nga ana tjetër Fuqitë e Mëdha mundohen t’i sistemojnë sferat e interesit ashtu siç vepruan në rastin e përçmimit të parë, duke mos u lënë mundësi rusëve të futen as në Ballkan, aty ku BE-ja i kishte sjell para portës Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Por ajo portë nuk po hapej, ndërkohë që Beogradi kishte arritur të realizojë një nismë antieuropiane, që e pagëzoi “Ballkani i Hapur”, për të cilën shefi i diplomacisë ruse, Sergei Laurov, tha se Moska ishte konsultuar për një projekt të këtij lloji.

Ndërkohë shqiptarët, me tragjedinë e tyre “Kryeministër Edi Rama”, filluan ta akuzojnë Sofjen zyrtare pse pengon hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut vetëm për shkak të identitetit, ndërsa filluan t’ia bëjnë të qartë Brukselit se Shqipëria do të shkëputet nga ky vend dhe do ta vazhdojë vetë rrugën integruese.

Me njohuritë minimale, Edi Rama do ta kishte të qartë se Maqedonia e Veriut me Shqipërinë nuk ishte përfshirë rastësisht bashkë, ashtu siç nuk ishte rastësisht që ishin bashkë edhe kur u përcaktuan nën një sferë të interesit të Austro-Hungarisë. Pse Rusia cariste e gëlltiti përçmimin në Krime dhe pse perandori rus, Aleksandri II, vendosi të ulet me perandorin austriak, Franc Jozef, në korrikun e vitit 1876, janë arsyetime që duhet t’i dinte mirë ky “perandor shqiptar”, që krekoset se di gjithçka për opozitën shqiptare dhe liderin e saj, para se ta akuzonte Sofjen, por si studiuesi bullgar Georgi P. Genov, në veprën e tij “Iztočniat vopros (Političeska i diplomatičeska istorija) čast II. Ot Pariskii kongres (1856) di Nioiski dogovor (1919), Sofje, 1926, 293 fq., ashtu dhe ai maqedon, Mihaillo Minoski, në veprën “Makedonija kako interesno podračje na Habzburškata mónarhija vo planovite i dogovorite za podelba na Atomanskata imperija (1686-1898), Buletini i Institutit për Historinë Nacionale, Shkup, viti XVIII, 1974, nr.2, 66 fq.. e qartësojnë panoramën kur Shqipëria dhe Maqedonia u futën në një sferë interesi të Austro-Hungarisë dhe Bullgaria ishte e izoluar prej saj duke u futur nën patronazhin rus, ndonëse kishte kohë që tregtarët bullgarë po punonin për t’i shtrirë interesat e tyre në territoret maqedone dhe ato të Luginës së Preshevës e Shqipërisë aktuale.

Dhe jo vetëm kaq!

Në Kongresin e Berlinit jo vetëm që nuk figuroi si pikë në vete, por fuqitë e mëdha e mohuan ekzistencën e kombit shqiptar, duke e konsideruar, si Shqipërinë ashtu dhe Maqedoninë, shprehje gjeografike, ndërsa viset e banuara me shqiptar e maqedonë si territore osmane.

Dhe, ishte Lidhja e Prizrenit ajo që e nxori në dritë për herë të parë çështjen shqiptare në arenën e politikës ndërkombëtare, duke u mbështetur në të drejtën e popullit shqiptar për ekzistencën kombëtare dhe përparimin e tij.

 

Mbrojtja e identitetit

 

Kur Sofja zyrtare e mbron identitetin bullgar sot, kjo është habi për Edi Ramën, i cili thotë se BE-ja është edhe bukë edhe gjellë, por asnjëra nga shtetet anëtare nuk lejon nëpërkëmbjen e identitetit të saj, siç bënë ky dishepull i Enver Hoxhës!

Ndoshta nuk do ta bënte as ky sikur të kishte lexuar ca rresta për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare ose edhe me atë me të cilën u tall, “Rilindjen Kombëtare”, veprimtari këto që bëjnë të ndjehemi krenarë dhe të relaksuar kur shtrohet çështja e kombit dhe identitetit kombëtar. Ai tallet edhe kur ardhjen e tij në pushtet, për rrënimin e kombit shqiptar, e pagëzoi “Rilindje”, pa njohur vlerat dhe aktivitetin e ideologëve të Rilindjes Kombëtare Shqiptare deri më 1912. Madje, studiuesi i njohur, Ali Hadri, konstaton se revolucioni kombëtar shqiptar dallon nga revolucionet kombëtare të Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë, të cilat kishin pjesë përbërëse edhe revolucionin agrar, ndërsa në rastin shqiptar ai mbeti vetëm revolucion politik.

“Në formimin dhe zhvillimin e kombit shqiptar dhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare ndikoi bukur shumë edhe tradita patriotike shqiptare, duke përfshirë këtu dhe traditën e lëvizjes çlirimtare të epokës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe luftërat shqiptare kundër Perandorisë Osmane deri në vitet e ’30-ta të shekullit XIX.” (Ali Hadri, Lidhja e Prizrenit 1878-1881).

Sot Edi Rama e ka të lehtë të krekoset para Komisionarit për Zgjerim ose homologut bullgar, kur nuk mund t’i flasë njeri për identitetin shqiptar, sepse për atë identitet kanë luftuar me kohë ata që e deshën kombin shqiptar dhe e njohën mirë atë të shkaut, pa ju vajtur mendja të Hapin ndonjë Ballkan. Por, Rama dhe soji i tij, duhet ta dinë se përveç Kararnamesë dhe Talimatit, që historianët e Enver Hoxhës i mësuan se u miratuan në Lidhjen e Prizrenit, aty, pra më 10 qershor 1878, u miratua edhe Rezoluta e Komitetit të Stambollit, që u ruajt si sekret për shkak të Portës, ndërsa historianët e Ramës mund e “harrojnë” edhe sot me qëllim të denigrimit. Por, për këtë u kujdes Ali Hadri, i cili e publikoi këtë Rezolutë në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit. Është kjo rezoluta që iu dha konsullit nga një përfaqësues i Shkodrës dhe Malësisë së saj më 7 korrik 1878, menjëherë sapo u kthye nga Prizreni:

“Lidhja është absolutisht e pavarur  nga Qeveria (Porta); Lidhja është formuar për të siguruar kombësinë dhe integritetin e vendit; armët, nozullimet e Qeverisë meqë janë pronë kombëtare, tanimë i përkasin vetë Lidhjes, e cila do t’i disponojë për qëllimin e caktuar; të gjithë duhet të marrin pjesë me armë e me të holla në veprën atdhetare; për këto qëllime përfaqësuesit do të shkojnë në vise të ndryshme për të mbledhur të holla dhe për të bërë rekrutimet; shtatë përfaqësues, që përbëjnë Komitetin për shpëtimin publik, do të mbeten në Prizren.”

Po ta krahasojmë këtë Rezolutë me kararnamenë dhe talimatin, që në vete kishin edhe ngjyrë panislame, proturke dhe ekspansioniste e që u hartuan nën ndikimin e pushtetit osman, profesor Hadri konstaton se të gjitha pikat e këtij programi janë në përputhje të plotë me frymën dhe qëllimet e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në epokën e Lidhjes së Prizrenit.

Më vonë Komiteti i Stambollit hartoi një program të ri, të cilin Sami Frashëri e botoi më 27 shtator 1878 në gazetën e përditshme të Stambollit “Terxhumani shark”, kurse arriti në këto anë në muajin tetor për t’u miratuar nga Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit më 27 nëntor 1878.

Ky program pasqyronte në mënyrë të plotë dy synimet kryesore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në epokën e Lidhjes së Prizrenit: ruajtjen e tërësisë territoriale dhe autonominë në shkallë kombëtare. Janë këto çështje për të cilat Edi Rama as sot nuk e di se ekzistojnë, e mos të flasim për pikën e tretë të këtij programi: Përhapja e arsimit dhe vendosja në bazë të tij e gjuhës shqipe!

Kjo u pa si në rastin e Ballkanit e Hapur kur u shpreh hapur se nuk i intereson as Kosova as shqiptarët nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi dhe Sanxhaku që nuk u përfshinë në këtë projekt vetëm për t’i bërë qejfin Serbisë dhe presidentit të saj Aleksandar Vuçiq, ashtu dhe kur u hapën negociatat në Bruksel, ku ndonëse e parashikon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Kryeministri Edi Rama nuk foli në gjuhën shqipe, por në gjuhë të huaj!

 

Maqedonët dhe shqiptarët

 

Dhe, derisa Edi Rama i ndërsehej Kryeministrit, Presidentit dhe popullit bullgar pse i kishin vënë veton Maqedonisë së Veriut, përkatësisht maqedonëve, në Shkup u zhvillua një betejë e përçudnuar ndër politikanët maqedonë, që është dhe thelbi i gjithë kësaj gurguleje që prodhoi burokracia europiane dhe e drejta e një anëtari të BE-së për veto.

Në protesta për mbrojtjen e identitetit maqedon, anëtarët e partisë që deri dje mburreshin se i takojnë një partie probullgare, VMRO-DPMNE, brohoritnin parulla antishqiptare! Dhe, mbrojtësi i identitetit maqedonë, Edi Rama, heshti ndaj kësaj dukurie, por vazhdoi t’i çirrej Sofjes, aty ku lindi dhe u strehua pikërisht VMRO-DPMNE.

Gjithsesi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, Bullgaria pranoi hapjen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, duke e bërë të qartë se çështja e gjuhës duhet të zgjidhet.

E Edi Rama, përderisa kaloi pragun, nuk i intereson më kjo gjë, sepse e di që në një të afërme të largët, kur ai do të jetë jashtë kësaj politike, edhe mund të përmbyllen kapitujt e negocimit.

A do të ketë probleme në të ardhmen Maqedonia e Veriut?! Patjetër që do të ketë dhe ky është një leksion i mirë për shqiptarët që mendojnë se janë komod meqë identiteti i tyre kombëtar është i pastër si loti.

Natyrisht, kjo nuk mjafton! Patjetër që i ndihmon shqiptarët kudo që janë, që falë Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të mos shpërfytyrohen, por duhet të jenë të gatshëm që aty ku janë nisur, pra, në BE, mund të përballen me kushte të çuditshme, siç ishte kushti ekstrem i Maqedonisë me ndryshimin e emrit të shtetit. Dhe, ata duhet ta kenë të qartë se jo gjithmonë integrimi në strukturat euro-atlantike zgjidhet me përçmimin e Rusisë!  Kujdes! Në çdo moment duhet kalkuluar interesin e Fuqive të Mëdha, nëse ai është në gjatësi të njëjtë vale me atë kombëtar shqiptar! Por, kurrë në këtë kalkulim nuk duhet përfshirë ekzistimin e përçmimit të Rusisë, madje, në këto kondita, më mirë është të llogaritet një perandor rus i cili më shumë e do Rusinë se Krimenë. Pra, jo në krye të shtetit rus një maniak si Vladimir Putini dhe as një maniak në krye të shtetit serb, si Aleksandar Vuçiqi! Dhe, në fund, duke përjashtuar edhe mundësinë nga përvoja e historisë shqiptare ose, ashtu siç është shprehur për politikën Zonja e Hekurt, Margaret Thatcher: “Arti i luftimit është art i shkatërrimit të njerëzve, ndërsa politika është art i mashtrimit!”.