` . Shqiptarët kundër vetvetes - TV SHENJA

Shqiptarët kundër vetvetes

Edhe më tej vazhdojnë investimet e huaja të orientohen vetëm në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut, ku 32 kompani të huaja tanimë kanë bërë 23 mijë punësime, kurse në pjesë perëndimore vetëm një kompani e vetme, edhe ajo është e mesme. Disa nga këto kompani në lindje, madje, fuqishëm u subvencionuan me para të pakthyeshme nga shteti me qindra miliona euro.

Shkruan: Mersel BILALLI, Gostivar

Organizimin politik shqiptar në Ballkan, përgjithësisht e në vazhdimësi, e kanë përcjellë dhe akoma vazhdojnë ta përcjellin specifika të bazuara në nevojën prioritare absolute, individuale e grupore, për të pasur pushtet me çdo kusht, qoftë edhe me kushtin e humbjes së shtetit ose popullit në te. Ky organizim i ngjason një “turli-tave” ku, së paku gjer tani, është dëshmuar se në brendi ka gjithçka tjetër, pos asaj që duhet. Andaj për 30 vjet pluralizëm të përjetuar e praktikuar si anarki, kemi dëbuar afro 40 për qind të popullatës sonë (veçanërisht në Maqedoni të Veriut)! Si duket, shumëçka nga idealet, prioritetet e patriotizmat tonat na përfundojnë në epshet e sëmura të disave për pushtet, para e krim! Me këso kodi mental, humbja e popullit është dëmi më tragjik kolateral.

Elementi hapësinor, së paku gjer tani, shihet se ka vetëm dallim nuancash në veprime konkrete të politikëbërjes. Përjashtimet pozitive, me të drejtë, lidhen pas meritave të aleatëve tanë strategjik, pa të cilët në Ballkanin e sotëm as “Sh” nuk do mbetej nga shqiptarizmi ynë. Madje, pati raste edhe të ndikimit paternalist joparimor ndaj organizimit politik brendashqiptar, gjë ka lënë pasoja afatgjate në fatin ose fatkeqësinë e këtij populli. Mëkatin e parë dhe më të madh në këtë drejtim dikur e bëri Sali Berisha në cilësinë e pushtetarit absolut, duke i etiketuar si “tradhtarë e puthadorë” disa kuadro me peshë të partisë së parë shqiptare në Maqedoni – Partisë për Prosperitet Demokratik, me çka i hapi rrugën rrugaçërisë politike në këtë rajon, pasojat e së cilës akoma tragjikisht i ndjejmë. Ndërkaq tani “patriotizmit” të demaskuar të këtij udhëheqësi shqiptar dhe familjes së tij i ngarkohen kualifikime kontroverse të bazuara në veprime të rënda kriminale – plaçkitjet përmes kursimoreve piramidale, bombardimi i Jugut, tragjedia e Gërdecit për profite familjare të zeza, bashkëpunimi me Millosheviqin dhe shumë vrasje akoma enigmatike.

Ndeshje kishte edhe përbrenda një rajoni politik shqiptar, jo vetëm të karakterit ideologjik ose atij konceptual, të cilat shpesh ishin vetëm një paketim i cili në brendi i kishte interesat e ndryshme, shpesh të lyera me ngjyrën e ideve madhore, që në esencë kishin të bëjnë me më të keqen. Për shembull, fondet “Trepërqindëshi” dhe “Vendlindja thërret” kurrë nuk janë bërë publike se ku u harxhuan aq shumë mjetet, duke shmangur debatin publik rreth përgjegjësive për menaxhimin e jetës paralele institucionale në Kosovë dhe luftës për çlirimin e saj! Pa transparencë pasuan edhe shumë projekte të tjera shtetërore e popullore, të cilat bënë që në plan afatgjatë ndër ne të kultivohet kultura e hajnisë dhe kleptokracisë me përmasa të nivelit të rrezikimit serioz ekzistencial gjeografik e biologjik të popullatave vendase!

 

Komunikimi imperativ

Pa marrë parasysh plagët nga shigjetat e hedhura mes vete, udhëheqësit rajonalë shqiptarë imperativisht e kanë detyrim komunikimin e bashkëpunimin mes tyre. Ata së pari duhet t’i respektojnë rregullat elementare demokratike pluraliste, që komunikimi të marrë ngjyrën natyrore, pasi dihet se të zgjedhurit kanë dalë nga vullneti real elektoral i popullatave të rajoneve të ndryshme. Pas fitores së sërishme të socialistëve në Shqipëri, Albin Kurti megjithatë e kishte përuruar Ramën, duke potencuar se: “Kosova nuk mund të bëjë pa Shqipërinë dhe Shqipëria nuk mund të bëjë pa Kosovën, kështu që unë e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për rezultatet zgjedhore dhe dua që ne së bashku, si shqiptarë, të rrisim bashkëpunimin midis nesh në të gjithë sektorët dhe t’u afrohemi standardeve evropiane për sa i përket demokracisë dhe zhvillimit ekonomik”.

Fakt është se, përkundër dallimeve të thella konceptuale, Tirana ishte destinacioni i parë i Kurtit si kryeministër i Kosovës.  Në takimet brenda pesë orëve të qëndrimit në Tiranë, ai dha një mesazh se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë ka nevojë për një “shpejtësi të re”. Por, dallimet mes tyre mbetën evidente. Kryeministri i Shqipërisë, si një promovues i krijimit të Mini-Shengenit Ballkanik, potencoi se “në vazhdën e Procesit të Berlinit neve na u hapën rrugët e mbyllura për vite mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës, për të pasur një lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm të mallrave, të kapitaleve, e të shërbimeve, por edhe më shumë se kaq, që deri dje ishte si diçka e paimagjinueshme për shkak të rezistencës, jo vetëm të Serbisë”. Ai vuri në dukje se: “me këso integrimi rajonal, as Serbia e as ndonjë vend tjetër nuk do na thoshin dot se po e bëjmë Shqipërinë e madhe, nëse heqim kufirin”.

Përkundër tij, Kurti gjithë kohës potenconte njëfarë “Makro-Shengeni brendashqiptar”, por si duket tani ai ngadalë po i recepton sinjalet e partnerëve tanë relevantë dhe se tani ai sikur indirekt pajtohet me tregun e përbashkët të Ballkanit Perëndimor. Por, siç potencon ai, “sipas modelit të EFTA-s apo EEA-së (Zonës Ekonomike Evropiane)”. Megjithatë, kryeministri Rama vazhdon të këmbëngulë se “nuk ka Makro-Schengen shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik, pasi Makro-Shengeni shqiptar është i lidhur ngushtë për Shengenin rajonal”. Përkundër dallimeve evidente konceptuale, duket se nëse palët në parim kanë gatishmëri reciproke për “shpejtësinë e re” të bashkëpunimit, atëherë qasjet ndryshe kanë të bëjnë vetëm me formatin e veprimit.

Integrimi brendashqiptar duhet të intensifikohet edhe në sfera të makrotregut rajonal. Përndryshe do mbetet vetëm si poezi e lezetshme për veshin. Është për t’u përshëndetur ajo që tani operatorët e sistemit të transmetimit kosovar dhe shqiptar (KOSTT dhe OST), kanë të nënshkruar një marrëveshje për krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX). Kjo do të mundësojë që përmes bursës së re të aksioneve të mund të aplikojnë për statusin e Operatorit të Tregut të Organizuar të Energjisë Elektrike (NEMO) në Shqipëri e Kosovë. Njëherazi një marrëveshje e tillë hap rrugën për integrim efikas të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës në tregun pan-Evropian.

Një nga memorandumet, i nënshkruar nga ministritë e dy vendeve, ka të bëjë me trafikun hekurudhor. Ai i referohet njërës nga pikat e Marrëveshjes së Uashingtonit, që Kosova dhe Serbia e nënshkruan më 4 shtator vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë dhe ka të bëjë me realizimin e një studimi të fizibilitetit për lidhjen e infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, duke përfunduar në portet e Detin Adriatik. Përgjithësisht, inkuadrimi kompatibil infrastruktural rajonal në rrjetin evropian TEN-t, do ta bëjë bregdetin shqiptar një strumbullar kyç të disa korridoreve rajonale të Ballkanit Perëndimor. Kjo gjë jo vetëm që akoma më shumë do t’i integrojë shqiptarët në rajon, por aq më tepër do t’i shndërrojë ata në faktorë themelorë të Korridorit 8, kurse përmes “Transversales Jugore” dhe “Rrugës së Kombit”, do t’i lidhte me segmente të Korridoreve 10 e 11, me çka portet e Durrësit dhe Shëngjinit do të shndërroheshin në porte strategjike rajonale.

Shqipëria dhe Kosova, si shtete dhe si politika institucionale, duhet të koordinohen efektivisht drejt afrimit, integrimit dhe bashkimit, në radhë të parë në tre fusha kryesore – siguria energjetike, burimet natyrore dhe politika e jashtme, ndërsa kjo të jetë ndikuese për aq sa është e mundur edhe në Maqedoninë e Veriut. Natyrisht, për një bashkim edhe formal do të duhet të kalojë edhe shumë kohë, madje edhe pas marrëveshjes eventuale me Serbinë. Të kujtojmë se për një bashkim edhe formal, për momentin pengesë është edhe vet Kushtetuta e Kosovës, e cila që në nenin 1 e ndalon një gjë të tillë.

Këtu duhet potencuar se organizimi politik shqiptar në Maqedoni të Veriut vazhdon të jetë pa një koncept të qartë, kaotik dhe shpirtngushtësisht kalkulues partiak e personal. Pjesa shqiptare e pushtetit fokus kryesor i ka vetëm interesat grupore, kurse opozita vendase vazhdon të lundrojë pa ndonjë busull. Ajo sikur nuk ka kapacitet të bëjë atë që Kurti e bëri në Kosovë – fitimin e betejës psikologjike. Fitimi i luftës psikologjike, se do jeni fitimtarët e sigurt, është po aq i komplikuar sa edhe fizika atomike. Andaj rrezikojnë ta marrin epitetin e uzurpuesit të pozicionit të opozitës shpresëdhënse, që është favor spektakolar për partinë në pushtet.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar, si duket, gjatë kohë do jenë ideal dhe preokupim parësor i organizimit politik shqiptar në Maqedoni. Kur kësaj t’i shtohet edhe katastrofa kadrovike dhe dhunimi i sistemit të meritokracisë, si vlerë themelore zhvillimore, popullatës së mjerë të këtuhit s’i mbetet gjë tjetër, pos strajcës së krahut për një ekzistencë biologjike te ndonjë i huaj i panjohur, pasi i yti “s’çanë dot kokën për ty”. Ky establishment shqiptar as di e as do t’i dijë se si bëhet ekonomi e zhvillim, kurse opozita akoma edhe më pak! Për 10 vite në pjesën lindore të shtetit janë ndërtuar afro 220 km autostradë moderne ose eksprese (Shtip-Milladinovcë, Demir Kapi-Udovë, Shtip-Veles, Shtip-Strumicë), kurse në ndërtim intensiv tani janë edhe 44 km tjera (Prilep-Gradsko). Ndërkaq, në pjesën perëndimore të shtetit kemi tallje të inteligjencës me vetëm 16 km autostradë (Kërçovë-Ohër).

Nga ana tjetër, edhe më tej vazhdojnë investimet e huaja të orientohen vetëm në pjesën lindore të Maqedonisë së Veriut, ku 32 kompani të huaja tanimë kanë bërë 23 mijë punësime, kurse në pjesë perëndimore vetëm një kompani e vetme, edhe ajo është e mesme. Disa nga këto kompani në lindje, madje, fuqishëm u subvencionuan me para të pakthyeshme nga shteti me qindra miliona euro, në veçanti “Jonson Controls”, ”Jonson Mathey” etj. Dhe, më e fundit, qeveria aktuale (sipas zëvendëskryeministrit Bytyqi), ka ndarë 16 milionë euro subvencionim për kompaninë “Draxlmaier”, e cila në Kavadar tanimë ka të punësuar 5.500 njerëz, edhe pse atje që moti s’ka më njerëz pa punë. Lere që pushteti, me gjithë zëvendëskryeministrat e parë e të dytë, heshtë ndaj kësaj katastrofe (pasi edhe vet e kanë votuar atë), por as opozita s’flet gjë! Ajo merret me dëftesat e nxënësve dhe me formularët e dokumenteve të identifikimit!!!

Shqiptarëve do t’u duhet akoma kohë që t’i përfillin rregullat e brendshme elementare të demokracisë. Kjo është një çështje kulturologjike. Por, deri atëherë disa rajone do të mbeten pa shqiptarë. Shihni çka ndodhë me eksodin në rajonin e Strugës, Kërçovës, Kumanovës e Pollogut. Popullata atje është gati e përgjysmuar. Dhe, më së shumti ikin të rinjtë. Por, është fakt se duhet zhvilluar edhe demokracinë.

Megjithatë, së fundi zgjedhjet brendapartiake në PD-në e Shqipërisë treguan se akoma jemi larg saj. Ish presidenti Nishani do t’i trajtojë ato si një “maskaradë elektorale”, ku nuk u lejua të shprehet vullneti i mijëra anëtarëve. “Luli, e bëri në parti po atë që Rama e bëri në shtet” – do të komentojë ish kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Në fakt, nëse në parti nuk keni demokraci e profesionalizëm, aq më pak të njëjtat do t’i keni kur të vini në pushtet. “Gjithë kjo sërish çoi ujë në mullirin e Ramës” – konstaton ai.

 

Berishizmi i ndryshkur

 Shpallja non grata e Sali Berishës po komentohet si një ndihmesë bujare e hiperfuqisë aleate për ta mbyllur kapitullin e berishizmit si pengesë për zhvillimin e demokracisë dhe ekonomisë. Në fakt, ne shqiptarët e kemi vështirë ta luftojmë të keqen ndër ne as përmes votës e as përmes drejtësisë. Dikush mendon se Rama po kursehet! Jam i mendimit se rasti i Berishës është një paralajmërim serioz edhe për Ramëm dhe shumë të tjerë, pasi fakt është se është më e lehtë ta përdorni sunduesin aktual për ta goditur paraardhësit famëkeq, njëherazi duke paralajmëruar të tashmit dhe të ardhmit se çka mund t’i presë nëse e përkrahin pandëshkueshmërinë. Edi Rama e di mirë se, herët apo vonë, goditja mund të trokasë edhe te dera e tij.

Për fund po e sjell një citat të Mero Bazes: “Është gënjeshtër e madhe që po të duan shqiptarët bashkohen, se ata këtë e kanë dashur edhe në 1912, 1920 edhe 1944, por nuk i kanë lënë. Shqiptarët duhet të fitojnë betejën si Kosova me Perëndimin, Kosova u bë shtet i pavarur se bëri aleancën me Perëndimin. Kaq e thjeshtë është. Po ka armiq të vërtetë të bashkimit, janë mu këta që duan ta bashkojnë Kosovën në emër të nacionalizimit” – thotë Baze.

Është fakt se, pa ndihmën e miqve strategjikë, ne jo vetëm që mund ta humbim popullatën, por edhe shtetin.