Shqiptarët ende nën hijen e dosjeve të sigurimit të shtetit

Shqiptarët ende nën hijen e dosjeve të sigurimit të shtetit

Tema e hapjes së “dosjeve të Sigurimit të Shtetit” për mua është bërë me kohë më e mëzitshmja, sepse me këtë temë jam marrë gjerë e gjatë që në fillimet demokracisë, në parlament, në forumet e Partisë Demokratike, në publicistikë e në tubime publike. Këtë temë e kam trajtuar edhe në 22 shkrime të veçanta në intervalin kohor prej datës 5 mars 1992 (në “Republika” me shkrimin “Të hiqet sekreti për dosjet personale”) deri më 31 tetor 2006 (në “Rimëkëmbja” me shkrimin “Si u kalb demokracia”).

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Tema e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit në Shqipëri, me kohë, është bërë bajate. Megjithatë, kjo temë hyri sërish, si papritmas, në ligjërimin politik të ditës në funksion të luftës politike kaotike që po ndizet tani midis “kanibalëve të pushtetit” në prag të fushatës së tyre për zgjedhjet e pushtetit vendor vitin që vjen.

Kjo temë do të ndezë më tej atmosferën e luftës midis interesave të kundërta të njohura në shoqërinë shqiptare. Ajo do të shërbejë për të intensifikuar në terrenin shqiptar edhe kacafytjet midis politikave e agjenturave të huaja dhe veprimtaritë mafioze e krimin e organizuar nga jashtë. Shqipëria më shumë se kurrë po dëmtohet nga importimi i konflikteve që kanë ndërmjet tyre shtete të tjerë ose i ngatërresave të brendshme që kanë kampet politike rivale brenda një shteti tjetër. Janë gjithnjë të njëjtat forca që i trembin shqiptarët me lloj-lloj histori e skenarë. Ashtu si në fillim të viteve 1990-të, po rindizet lufta politike e rreme në emër të dekomunistizimit, luftë që duhej të kishte mbaruar me kohë e në kohë. Po i fryjnë përsëri luftës së dekriminalizimit të parlamentit, që nisi me shumë zhurmë para disa vitesh dhe nuk solli ndonjë rezultat të rëndësishëm. Ka dështuar tashmë vajtueshëm dhe “reforma në drejtësi”, që e morën në dorë SHBA-ja dhe BE-ja ta bënin për shqiptarët. E mbi të gjitha po lulëzon si kurrë më parë korrupsioni “i luftuar” me fjalë boshe e përbetime qesharake. Krijuesit e kësaj gjendjeje po përdorin edhe një herë gogolin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, që realisht e mban të mbërthyer për gryke kombin shqiptar prej 30 vitesh të paskomunizmit. Këtë e vërteton më së miri rikthimi tek tema e hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Cilido qoftë rezultati konkret i zhurmës së re për hapjen e dosjeve për Shqipërinë nuk do të ketë ndonjë ndikim të shpejtë, sepse nuk ekzistojnë më alternativa politike për përmbysje të shpejta. Kurse midis klaneve grabitqare të bandokracisë mund të sjellin ndeshje tragjike.

 

* * *

 

Tema e hapjes së “dosjeve të Sigurimit të Shtetit” për mua është bërë me kohë më e mëzitshmja, sepse me këtë temë jam marrë gjerë e gjatë që në fillimet demokracisë, në parlament, në forumet e Partisë Demokratike, në publicistikë e në tubime publike. Këtë temë e kam trajtuar edhe në 22 shkrime të veçanta në intervalin kohor prej datës 5 mars 1992 (në “Republika” me shkrimin “Të hiqet sekreti për dosjet personale”) deri më 31 tetor 2006 (në “Rimëkëmbja” me shkrimin “Si u kalb demokracia”). Nga vëzhgimet e deritanishme jam i bindur se në Shqipëri demokracia, nisi shpejt me shmangie të rënda, nga të cilat dy kanë rezultuar më rrënueset:

Miratimi në korrik të vitit 1991 i Ligjit 7501 “Për tokën bujqësore”, që ka krijuar gjithë katrahurën pronësore dhe ekonomike, ku vazhdojnë të majmen bandokracia shqiptare dhe peshkaqenët e huaj në Shqipëri;

Moshapja e menjëhershme e pa kufizim e “dosjeve të Sigurimit të Shtetit”, që gjatë tri dekadash i kanë përdorur për shantazhe politike ata që kanë ushtruar pushtetin deri sot në Shqipëri dhe agjenturat e huaja, që këtu bëjnë ligjin më shumë se sunduesit e vendit.

Fajtore për të keqen që ka sjellë Ligji 7501 vazhdoj të quaj dy partitë e mëdha, Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike, rivale të përhershme në luftën për pushtet, por që bënë shumë lehtë aleancën e fëlliqur që ta impononin bashkërisht këtë ligj.

Për moshapjen në kohë e plotësisht të “dosjeve të Sigurimit të Shtetit” vazhdoj të quaj fajtore kryesore Partinë Demokratike dhe më posaçërisht Sali Berishën e Aleksandër Meksin, përkatësisht president e kryeministër pas zgjedhjeve të 22 marsit 1992, që çështjen e hapjes së dosjeve të Sigurimit e trajtuan vetëm në funksion të mbajtjes së pushtetit të vet, duke e deformuar për të goditur kundërshtarët e tyre madje më shumë ata midis radhëve të demokratëve. Këta të dy janë fajtorët kryesorë të krijimit të mekanizmit politiko-juridik që ka vepruar papushim deri sot për të tilla qëllime. Ata bënë Ligjin e parë famëkeq “të verifikimit të pastërtisë së figurave politike”, që nuk do lejoheshin më të kandidonin për deputet në Kuvendin Popullor ose në poste politike me rëndësi. Ata sajuan njëfarë “Komisioni Mezini”, si bisht të Shërbimit Sekret, që të skualifikonin cilindo që bëhej i padëshirueshëm për Berishën e Meksin. Ata e rregulluan këtë sistem në atë mënyrë që agjenturave të huaja të mos u prekej një fije floku. Në gjurmët e tyre eci dhe pushteti revanshist socialist i vendosur me luftë të armatosur në vitin 1997, që bëri vetëm ca retushime në atë ligj sa për të rehabilituar njerëzit e goditur të kampit të vet. Revanshistët socialistë krijuan “Komisionin Bezhani”, për të vazhduar punën e “Komisionit Mezini” duke i përdorur edhe ata dosjet si mjet shantazhi mbi kundërshtarët. Kjo gjendje mbeti e pandryshuar edhe kur erdhi përsëri në pushtet Berisha në vitin 2005. Për këto kam shkruar: “Secila palë e ka të lehtë t’u bjerë sipas qejfit të vet daulleve, tani pas 16 vjet (tani që bëj këtë shkrim janë bërë 32 vjet) manipulimesh të këtyre dosjeve dhe të keqpërdorimit të tyre për shantazhe politike ndaj kundërshtarit, apo brenda të njëjtit kamp. Akuzat dhe kundërkuzat e përditshme asgjë nuk lëvizin nga vendi, nuk qartësojnë asgjë dhe nuk kanë për të vënë para përgjegjësisë politike, morale apo ligjore ata që duhen vënë. Ky është dëmi më i madh që i ka bërë Sali Berisha demokracisë në Shqipëri me refuzimin e tij kokëfortë për të hapur dosjet… Ky është dëmi më i madh që i ka bërë demokracisë ish-kryeministri Aleksandër Meksi që monopolizoi spekulimin me dosjet për shantazh politik më shumë brenda PD-së se jashtë saj.” (“Rimëkëmbja”, 31 tetor 2006).

Kanë kaluar tri dekada dhe gjendja është përkeqësuar, edhe pse ka vite që punon një “komision” i tretë, i quajtur zyrtarisht Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i ngritur pas ardhjes në pushtet për herë të dytë të Partisë Socialiste. Tani ky “Komision” po u thotë shqiptarëve se e ndjen veten të pafuqishëm të bëjë atë që duhet, sepse ia ka lidhur duart një dispozitë e vendosur që nuk i lejon të rishqyrtojnë dosjet e atyre politikanëve që kanë pas marrë “dëshminë e pastërtisë së figurës politike” nga dy komisionet e mëparshme. Me këtë zbulim ky “komision i tretë” po u thotë shqiptarëve se duhet dyshuar që “të pastruarit” nga komisionet e mëparshme mund të mos kenë figurë politike të pastër. Pra, vetë “komisioni i tretë” ka hedhur dyshime se deri tani janë bërë pazare e makinacione shantazhuese e favorizuese me certifikatat e pastërtisë së figurave të politikës shqiptare.

Strumbullar i këtij debati u bë rasti i Ilir Metës sapo la kolltukun e Presidentit dhe dolën shenja dyshimi se pastërtinë mund ta ketë pas marrë duke qenë bashkëpunëtor i Sigurimit, prandaj dhe nguli këmbë që dosja e tij të mos rihapej. Para rastit të Metës në shtyp ka qenë raportuar një rast edhe më flagrant, për të cilin nuk e ka ngritur njeri zërin. Për të pudrosur portretin e “pastër politik” të Aleksandër Meksit (kryeinkuizitorit të njerëzve që u cilësuan jo të pastër nga “Komisioni Mezini” vetëm me akuzën se u ishte gjetur emri në ndonjë regjistër apo copë letre të Sigurimit të Shtetit, por edhe pa e sqaruar nëse emri ishte shënuar si përndjekës apo i përndjekur) gazetari Ben Andoni ka pas botuar në revistën “MAPO” më 12 qershor 2011 shkrimin “Si përgjohej kryeministri”. Për ta bërë më bindës shkrimin gazetari e shoqëronte atë me tekstin e plotë të një raporti të dy specialistëve të teknikës përgjuese të Sigurimit që kishin vendosur aparaturat në apartamentin e Meksit për të përgjuar fqinjët, apo vizitorët. Ndër të tjera ata i raportonin eprorit se gjatë punës u kishte ndodhur një incident. I zoti i shtëpisë, pra Aleksandër Meksi, i kishte gjetur duke punuar, por ky incident ishte zgjidhur lehtë se Meksi kishte treguar mirëkuptim për punën që ata po bënin. Ja prova që edhe Meksi e kishte emrin në dokumentet e Sigurimit, për më tepër ai e dinte se apartamenti i tij do të përdorej nga Sigurimi si vend për përgjime të paligjshme.

Zhurma e deritanishme duket e pakuptimtë, sepse do të prodhojë vetëm tym zi, por jo flakë ndriçuese ose përvëluese se çfarë ka ndodhur në të vërtetë me dosjet e Sigurimit. Por kjo nuk do të thotë që nuk e vlen që çështja të shtrohet edhe një herë, sikurse përpiqen të argumentojnë mbështetësit e Metës, me Berishën në krye (Meksi nuk është shprehur). Të dyshuarve se kanë faje për të rrëfyer e për t’u përballur me to u duhet përmendur përgjegjësia se edhe në rastin e daljes së provës më të vogël nuk duhet të fshehin më të vërtetën, sidomos kur “certifikatën e pastërtisë të figurës politike” mund ta kenë marrë nga komisionet e mëparshme nëpërmjet ushtrimit të presionit ose thjesht ndikimit që u mundësonte posti i lartë pushtetor ose bashkëpunimi klanor. Kjo duhet thënë me zë sa më të lartë që të çlirohet shoqëria nga hijet e dosjeve të Sigurimit. Teza se po të hapen dosjet do të ringjallen mëri të panevojshme nuk duhet të bëhet pengesë për këtë. Ndryshe i bëhet lëshim të keqes duke dëmtuar të vërtetën, zbulimi i së cilës duhet të jetë motivi më i lartë moral në raste të tilla. Teza të hedhim të kaluarën prapa krahëve është indulgjencë e tepruar për autorët e së keqes dhe e vendos në pozitë të diskriminuar të drejtën në shkallaren e vlerave më të çmuara njerëzore, politike e juridike. Me të tilla teza lufta për çrrënjosjen e të këqijave që krijoi e la komunizmi nuk bëhet si duhet. Ka mendime se pengesat për hapjen e dosjeve po vijnë ende nga një klikë pinjollësh pasardhësish të komunizmit. Pikërisht për të frenuar një prirje të tillë, që ngre krye herë pas here, dosjet duhen hapur plotësisht, edhe pse është bërë shumë vonë. Një paradoks më vete është se kundër hapjes së dosjeve po shprehen edhe njerëz që erdhën në pushtet, që duan të mbeten në politikë, madje të rivijnë në pushtet me parullat e tejkonsumuara të antikomunizmit, njësoj si para tri dekadash.

Pyetjes a duhet mbështetur nisma e re e pushtetarëve që janë sot në Tiranë për të hapur më shumë dosjet e Sigurimit nuk kam vështirësi fare t’i përgjigjem: po, duhet mbështetur. Për mua nuk lind fije dyshimi se ç’duhet bërë kur fjala është për të zbuluar sa më qartë të vërtetat. Këtë vijë arsyetimi e kam ndjekur me kohë dhe në çdo rast. Për ilustrim po shënoj se para 22 vitesh ish-oficeri i UBD-së, Nafi Çegrani nga Gostivari, më kërkoi, nëpërmjet telefonit, t’i jepja mendim nëse ai duhej të botonte kujtimet nga puna e tij në UDB, ku mund të prekeshin dhe njerëz të caktuar. I thashë duhej t’i botonte në rast se përmbajnë të vërteta që njerëzit kanë të drejtë t’i dinë. Pas kësaj përgjigjeje më pyeti nëse pranoja të shkruaja një parathënie për librin e tij “Ballë për ballë me vdekjen”. Pranova dhe e shkrova parathënien që është vënë në libër. Në fund të kësaj parathënieje kam pas theksuar: “As autori, as unë që shkruaj parathënien, as lexuesi i vëmendshëm nuk mund të mënjanojë mundësinë që nga leximi i këtij libri të lindin shumë pyetje. Duhet të ketë me siguri edhe pyetje therëse: Ç’është ky libër? Pse botohet ky libër? Ç’bën autori: kryen detyrë qytetare, kënaq kapriçiot, apo vazhdon një kombinacion të shërbimit sekret?” Pra, nuk mund të mos ekzistonte tek unë edhe dyshimi se mos po bija në një kombinacion shërbimi sekret. Por mund të përfitonte e vërteta dhe më duket se diçka ka përfituar, ndonëse rezervat e autorit nuk duket se shteruan. Këtë arsyetim u kundërvë dhe atyre që sot nisen nga rasti i Ilir Metës në Shqipëri për të kundërshtuar hapjen e dosjeve me arsyetimin se kështu po përfiton Edi Rama për të goditur një kundërshtar. Këtu nuk ka vend për standarde të ndryshme. Dosjet le të hapen, të dëmtohet ai që e ka hak, paçka se mund të përfitojë dhe një tjetër pa shkak.

Një intervistë e imja është botuar me titullin “Do të kisha dëshirë të bëja një fotografi në pirgun e dosjeve të mia”. Kam përshtypjen se duhet të jenë disa, brenda e jashtë Shqipërisë, për punët e lëvizjet që kam bërë. Ka dhe disa dosje që i kanë sajuar “vrasës me pagesë në publicistikë” në Shqipëri e Kosovë, tërësisht të falsifikuara që edhe unë i kam demaskuar publikisht, në librin “Kundërshpifografi” Tiranë 2005, në shkrimin e gjatë “Hamitërit e Prishtinës në lukuninë e hamt… ërve të Tiranës” 2001, e në shumë shkrime të tjera.

Kam një rast paradoksal nga historia ime familjare. Në një libër shpifografik kundër meje në vitin 2001, që i duhej Sali Berishës për luftë politike, babai im, Hasan Baleta, portretizohej si njeriu kryesor për futjen e forcimin e ndikimit të komunizmit në Mat, madje përmendej si partizan nga Shqipëria, që në vitet e Luftës së Dytë Botërore kishte marrë pjesë në rrethimin e shkatërrimin e njësisë së Shaban Polluzhës në Kosovë. Disa vite më vonë në një dosje në Arkivat e Sigurimit u gjet një “denoncim me shkrim dore” nga një gjeneral i njohur i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare prej Gjirokastre, ku thuhej se Hasan Baleta, babi im, pas lufte kishte qenë një nga kundërshtarët aktivë kundër pushtetit popullor, kishte mbështetur bandat e armatosura që vepronin në male dhe grumbullonte ndihma për një grup deputetësh të Kuvendit Popullor, që u pushkatuan si armiq të pushtetit komunist. Babai kishte ndërruar jetë para se të dilnin në dritë këto shkrime. Babai im kurrë nuk ishte marrë me gjëra të tilla as nuk e ka pas hedhur një herë të vetme këmbën jashtë kufijve të Shqipërisë së vitit 1913. Kam shprehur vlerësimin tim publik se “vrasësi me pagesë në publicistikë” i kohës së demokracisë me shpifjet e tij ishte për mua një figurë më e pështirë se ai gjenerali që vepronte në diktaturë. Por, sa enigma të tilla mund të ketë të fjetura në ato dosjet e Sigurimit?!

Prandaj jam plotësisht i bindur se edhe tani, që është bërë shumë vonë, hapja e dosjeve më shumë do të shërojë se do të malcojë plagët e vjetra e sidomos të rejat, që janë shkaktuar nga praktikat që u futën me ligjin famëkeq që miratuan në vitin 1996 për “pastërtinë e figurës së politikanit” nga Sali Berisha e Aleksandër Meksi. Edhe këtë e kam më të lehtë ta ilustroj për lexuesin duke u mbështetur në përvojën time personale. Unë jam njëri nga ata që në vitin 1996 u cilësova bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe nuk mund të rivendosja kandidaturën për deputet. Kam qenë e jam i bindur se Sali Berisha dhe Aleksandër Meksi atë fjalinë që të ngarkonte me mëkat dhe po të kishe emrin në një copë letër të Sigurimit e duheshe shpallur bashkëpunëtor e kanë pas vënë enkas për rastin tim dhe kishin nisur ta përpunonin në kokën e tyre të paktën që nga vitit 1993, sepse nuk i duronin dot qëndrimet e mia politike në PD dhe mbi të gjitha ishin nën trysninë e madhe të Greqisë, ku unë kisha ngjallur zemërim të madh me kundërshtimet ndaj projekteve greke për të vënë Shqipërinë plotësisht nën diktatin e Greqisë. Berisha filloi që në vitin 1993 të përpunonte veprimtarë të PD-së me akuzën se Abdi Baleta ishte njeriu i Sigurimit, prandaj duhej të distancoheshin prej tij. Kjo më detyroi që më 5 shtator 1993, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të grupit të deputetëve të PD-së, diskutimin tim ta mbyllja me këto fjalë: “Një drejtues i PD-së ka thënë që Abdi Baleta është bashkëpunëtor i Sigurimit. Po të ketë prova e po të jetë burrë, t’i nxjerrë ato sot këtu. Ndryshe unë do të dyshoj për vetë atë”. Berisha nuk guxoi ta shtynte më tej këtë diskutim.

Në dhjetor 1993 unë deklarova largimin nga grupi parlamentar i PD-së. Më 20 janar 1994 në “RD” (organ zyrtar i PD-së), doli shkrimi me titull “Nuk ka vend për Baletat në politikë”. Nënshkruesi anonim bënte shantazh politik ndaj meje nëpërmjet aluzionesh për një informacion që kisha bërë unë në qershor të vitit 1964 (32 vjet më herët) mbi qëndrimin në Shqipëri për disa muaj të studentit Pol Kabongo nga Kongo, i cili vinte nga Moska. Më 26 janar 1994, në seancën plenare të Kuvendit, kërkova që të bëhej publike dosja e Pol Kabongos dhe relacioni im me të cilin PD-ja dhe gazeta e saj “RD” po spekulonin për shantazh politik.

Studenti nga Kongo, Pol Kabongo (pseudonim) kishte ardhur në Shqipëri nga Moska në janar të vitit 1964. Atij, paraprakisht, i ishte premtuar nga ambasada shqiptare në Varshavë, ku mori vizën, se do t’i organizohej program individual përgatitjeje që të kthehej sa më shpejt në vendin e tij, ku bëhej luftë kundër kolonializmit belg. Rektorati i Universitetit dhe Dekanati i Fakultetit të Drejtësisë më ngarkuan, si frëngjishtfolës, të banoja në një dhomë me Kabongon, që të ndiqja shqetësimet e kërkesat e tij. Në Tiranë, Kabongo nuk bëri asnjë orë mësim apo stërvitje tjetër. Pasi brodhi me mua rrugëve të Tiranës për 6 muaj, atij iu komunikua se ishte e pamundur t’i organizohej “program individual special për përgatitje” dhe iu kërkua të largohej. Pas largimit nga Shqipëria nuk mësova më gjë për të deri kur ai që arriti të bëhej president i Kongos, me emrin real Rolan Kabila dhe u vra në vitin 1997 në një atentat. Për kohën e qëndrimit të tij në Shqipëri kam qenë njeriu më i afërt i tij. Kam pas bërë dhe një relacion me porosi të Seksionit të Jashtëm të Universitetit, që kuptohet ka përfunduar dhe në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Këtë relacion e keqpërdorën Berisha e Meksi për të sajuar atë “ndalesën ligjore” për rikandidimin tim si deputet, por nuk guxuan ta thoshin publikisht se ky relacion ishte pikënisja e intrigës së tyre. Unë kërkova dy herë që të hapej “çështja Kabongo” dhe dosja e relacioni të bëheshin publike: një herë në seancën parlamentare të 26 janarit 1994 dhe herën e dytë në kërkesë-padinë pranë Gjykatës së Lartë kundër raportit të “Komisionit Mezini”, disa ditë para zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996. Kërkesa nuk u plotësua në asnjërin rast, sepse intrigantët e politikës kishin frikë nga njohja e plotë e së vërtetës. Si në parlament, ashtu edhe në Gjykatën e Lartë, kur kam parashtruar këtë çështje kam theksuar “E kam thënë dhe e them se kam vepruar drejt kur kam bërë relacionin për Pol Kabongon me kërkesë të operativit të Sigurimit mbasi bëja një veprim që i shërbente vendit tim dhe nuk i bëhej padrejtësi e dëm askujt. E kam thënë dhe them dhe tani se cilido që nuk bën një relacion të tillë për veprimtarinë e një të huaji në Shqipëri do ta quaj jo vetëm të pandershëm por dhe antiatdhetar. Shtatëshja e SHIK-ut (“Komisioni Mezini”) të mos harrojë se mund të jenë ata sot dhe jo unë atëherë që bëjnë lojën e Sigurimit të Shtetit?” Besoj se kështu ka ndodhur.

Episodi i qëndrimit tim me Kabongon në vitin 1964 mund të vlente vetëm për ta mbajtur shënim unë, si një “aksident nga jeta ime studentore”. Por, jeta të bëka gjithfarë surprizash. Këtë “aksident jetësor studentor” presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë, në periudhën e demokracisë, pas 32 vitesh, e shndërruan në një “incident e aksion për atentat politik” kundër një deputeti të parlamentit, që nuk e dëshironin në politikë dhe largimin e të cilit nga parlamenti ua kërkonte me këmbëngulje edhe diplomacia e Greqisë. Prandaj, e theksoj, është shumë mirë të hapen dosjet e Sigurimit me të vërtetat dhe të pavërtetat që ato përmbajnë. Sado të jenë përpjekur pushtetarët e këtyre 32 viteve demokraci t’i manipulojnë dosjet, do të dalë diçka, qoftë edhe e vogël në dukje, që të vërtetojë se si janë keqpërdorur ato për shatanzh e luftë politike.