Shqipja do të përdoret aty ku ka 20 për qind shqiptarë (Video)

Shqipja do të përdoret aty ku ka 20 për qind shqiptarë (Video)

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve që tashmë ka hyrë në fuqi ka qëllim avancimin dhe përdorimin më të gjërë zyrtar të gjuhës shqipe, si gjuhë e dytë zyrtare në vend. Në nenin 1 të këtij ligji thuhet se gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e shtetit është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik, ndërkaq gjuhë tjetër zyrtare është gjuha që e flasin më së paku 20 përqind e qytetarëve, respektivisht gjuha shqipe.

Neni 1
(1) Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në raportet e saja ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik.
(2) Gjuhë tjetër që e flasin më së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe shkrimi i saj në pajtim me këtë ligj.

Gjuha shqipe, përveç gjuhës maqedonase do të përdoret në të gjitha organet e pushtetit shtetërorë në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, organizata dhe ente, komisione, persona juridik që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucione tjera. Gjuha shqipe poashtu do të jetë gjuhë e dytë zyrtare edhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërkaq për përdorimin e gjuhëve dhe alfabetit që e përdorin më pak se 20 përqind në njësitë e vetëqeverisjes lokale, vendosin organet e njësive.

 “(2) Markat postare, fletëpagesat, raportet fiskale që dalin nga institucionet e nenin 1 paragrafi (3) dhe neni 2 paragrafi (3) të këtij ligji, banderolat, shkruhen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve dhe shkrimin e saj.
(3) Uniformat e policisë; zjarrfikësve; shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase janë të shkruara në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe alfabetin e saj.”

Emrat e rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastrukturore në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale te të cilat 20% e qytetarëve flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase dhe në Shkup shkruhet në gjuhë maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik si dhe në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve dhe alfabetin e saj si dhe në gjuhë të cilat janë gjithëpërfshirëse nga bashkësia ndërkombëtare. Poashtu në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë si dhe aeroportet në rajonet ku 20% e qytetarëve flasin gjuhë të ndryshme nga gjuha maqedonase, titujt e institucioneve mbishkrimet tjera dhe udhërrëfyesit shkruhen në gjuhë maqedonase dhe në gjuhën që e flasin së paku 20% e qytetarëve. Më tej gjuha shqipe, si gjuhë që e flasin më së paku 20 përqind e qytetarëve do të përdoret në procedurat gjyqësore, administrative, përmbaruese, procedurat për ekzekutimin e sanksioneve, para hetimore dhe hetimore, procedurat penale dhe për kundërvajtje, procedurat kontestimore dhe jashtëkontestimore si dhe procedurat tjera para gjyqeve, prokurorive publike si dhe të gjitha organeve tjera, trupave dhe institucioneve.

Për të realizuar qëllimet e këtij ligji, promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e njëtrajtshëm të gjuhës zyrtare që e flasin 20% të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetin e saj, themelohet Agjenci për zbatim të gjuhës të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Për monitorim të zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhës, formohet Inspektorat për përdorim të gjuhëve, në përbërje të Ministrisë së Drejtësisë me cilësi të personit juridik. Për mosrespektim të dispozitave të këtij ligji të gjitha organeve dhe institucionevetë theksuara në ligj do t’ju shqiptohen gjoba prej 4000 deri në 5000 euro, në kundërvlerë të denarit. Gjoba nga 30% e gjobës së matur do t’i shqiptohet zyrtarit apo personit përgjegjës në organet e paragrafit 1 të këtij neni.

Në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, të gjitha institucionet kompetente janë të obliguara që të sjellin aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji. Ndërkaq në afat prej gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucionet janë të obliguara që t’i zbatojnë detyrimet e theksuara në nenin 7 të këtij ligji. Ajnur Bafqari /SHENJA/