` . Shqipëria shqiptarëve! - TV-SHENJA

Shqipëria shqiptarëve!

Në grahmat e fundit të Perandorisë Osmane, me dëshirën e madhe të mëvetësimit, shqiptarët e filluan shekullin XX me një program shpresëdhënës për zgjidhjen e çështjes kombëtare “Shqipëria shqiptarëve”. Sot, kur e lamë një shekull pas këtij fillimi të mbarë, sërish kumbon kjo thirrje! Shqipëria nuk u bë, ku janë shqiptarët?!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

Vitet e fundit të shekullit XX edhe sot kujtohen me mburrje nga shqiptarët, se si u organizuan nën sundimin serb, si funksiononte arsimi dhe shëndetësia paralele, si u bashkua kombi rreth një kauze të vetme dhe si e gjitha kulmoi me çlirimin e Kosovës.

Por, nuk ishte e paparë! Ishte një përsëritje e zhvillimit të ngjarjeve të një kombi që dështoi me ose pa Perandorinë Osmane, me ose pa komunistë jugosllavë dhe, së fundi, me ose pa Serbi sepse nuk u vetëkorrigjua.

Që të kuptohet kumbimi i përsëritur sot “Shqipëria shqiptarëve”, analiza e rrugëtimit kombëtare na çon tek burimi i problemit, aty ku filloi zgjimi, aty ku qarqet përparimtare parashtruan programin politik, baza e të cilit ishte: Shqipëria shqiptarëve! Dhe, nuk u realizua. Pse?!

Nën Perandorinë Osmane

Nga mesi i viteve ’90-të isha në një tryezë në Sofje, ku rastësia bëri që pranë të kisha një prift ortodoks bullgar, i cili ishte i shtyrë në moshë. Duke jetuar nën sundimin dhe propagandën serbe me predikimet e Kishës Ortodokse Serbe, pavarësisht bagazhit historik, fjalët e këtij prifti më habitën ndërsa po diskutonim për periudhën e Perandorisë Osmane. Atë ditë në kulisat e tryezës, dhe takimi i këndshëm i një ditë më pas, më la t’i kuptoj arsyet e vërteta të “lirisë bullgare” nën Perandorinë Osmane. Prifti për asnjë moment nuk përmendi fjalën keqtrajtim turk dhe kur unë e pyeta se si u shpëtuan “kthetrave osmane”, përgjigja e tij ishte shumë filozofike: “Fituam, aq sa kërkuam!” Biseda jonë vazhdoi për metodat e kërkuara, luftën për të drejtat e fituara, por gjithsesi thelbi ngeli aty, që u fitua aq sa u kërkua!

Për t’iu kthyer rrugëtimit tonë kombëtar që nga vitet ’70 të shekullit XIX kur Perandoria Osmane ishte në situatë të rëndë ekonomike dhe politike dhe për “të sëmurin e Bosforit” të gjithë po hartonin planet e tyre, Austro-Hungaria dhe Rusia, madhore, ndërsa të tjerët në përzgjedhjen e këtyre dy drejtimeve, ku bënin pjesë edhe shqiptarët.

Mllefi i akumuluar ndër shqiptarët shpërtheu në Shkodër në vitin 1871 dhe si i tillë u shua me dhunë, ndërsa në Mirditë Porta arriti t’i përçajë liderët. Tre vjet më vonë në Dukagjin, Porta u gjunjëzua, ndonëse sot allahistorianët e “arsyetojnë” me terrenin e thyer malor, duke harruar luftërat e tjera që u zhvilluan përgjatë historisë së kombit shqiptar. Kryengritjet u zgjeruan në Kosovë dhe Maqedoni, por fuqitë e mëdha e ndryshuan hartën e krizës dhe zgjidhjen e saj. Kur Serbia i shpalli luftë Perandorisë në vitin 1876 e, më vonë, Mali i Zi, situata u komplikua për shqiptarët, sepse mungonte organizimi. Serbia, nga njëra anë, dhe Porta, nga ana tjetër, ishin të interesuara për pushkë dhe jo për zgjidhjen e çështjes shqiptare, për të cilën ekzistonte një palë, që sot akuzohet se kaluan në muhamedanë për interesa të ngushta, shtresat e larta qytetare që dominonin me pasuri ndër shqiptarë. Shqiptarët, në masë, refuzonin të luftonin për Perandorinë Osmane dhe kishte revolta të qarta. Sipas raporteve të diplomatëve rusë e austriakë, në kërkesa ishin shtresat qytetare, që kërkonin tregun kombëtar, gjuhën dhe shkollat amtare, të drejtat e barabarta dhe të mos lejohet copëtimi i tokave amtare. Ndikim i kësaj shtrese, ku bëhej fjalë kryesisht për tregtarët në zë, do të dominojë deri me ardhjen e komunistëve pas Luftës së Dytë Botërore, që e goditën dhe u munduan ta shuajnë pikërisht këtë shtresë të rëndësishme kombëtare, si me propagandë, ashtu dhe likuidim.

Pazaret e korrikut të vitit 1876 në Raihshtat ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Rusisë dhe ato në Konferencën e Stambollit në dhjetor, bënë që në pranverën e vitit 1877 në Janinë të mblidhet paria me shqiptarët më të njohur në Stamboll, që Beogradi zyrtar i identifikoi si “Arbanaška liga” (lexo shqip: Liga shqiptare) dhe të hartojnë një memorandum të shqiptarëve. Formimi i një vilajeti shqiptar, formimi i një administrate me nëpunës shqiptarë dhe shërbimi i ushtarëve shqiptarë në tokat e Shqipërisë, ishin kërkesat e këtij memorandumi për zhvillimin e ngjarjeve që do të pasojnë, me një rëndësie të veçantë.

Shpallja e luftës që Rusia i bëri Perandorisë Osmane më 24 prill 1877 dhe Traktati i Paqes së Shën Stefanit në marsin e vitit 1878 normalisht që do të bëjë zgjimin kombëtar, me çka filloi dhe organizimi deri në një Komitetin për Mbrojtjen e të Drejtave të Shqiptarëve, sepse tashmë Toplica, Vranja e Leskovci u spastruan etnikisht.

Gjithçka që ndodhi në Lidhjen e Prizrenit e, për pasojë, edhe në Kongresin e Berlinit, ndonëse u minimizua me kalimin e kohës, si dhe u hiperbolizua pa kriter, asgjë nga ajo që përmbante Kararnameja nuk u përfill as në kohën e Perandorisë Osmane, kur kishte pak hapësirë, as edhe pas shpalljes së mëvetësisë, kur shumë gjëra ndryshuan si me Portën, ashtu dhe kombin shqiptar.

Kongresi i Berlini i copëtoi tokat shqiptare, Porta e përçau Lidhjen dhe arriti ta shuajë atë, përkundër gjithë atij investimi kombëtar, por zhvillimet e mëvonshme treguan se ishte sërish elita shqiptare ajo që e rizgjoi kombin shqiptar. Jo xhonturqit, siç e deformon historia, sepse ata kishin punët dhe mashtrimet e tyre për pushtet, por elita shqiptare arriti ta aktualizojë dhe ta hartojë një program politik me një ide të qartë: Shqipëria shqiptarëve!

Shqipëria shqiptarëve!

Gjuha shqipe, njohja e kombësisë dhe qeverisja në Shqipëri në bazë të decentralizimit, liria e tubimit, mbledhja dhe bisedimi, liria e shtypit dhe mësimi në gjuhën shqipe, ishin kërkesat bazë të programit politik shqiptar në fillim të shekullit XX,që nuk u pranuan nga Komiteti “Bashkim dhe Përparim” në Selanik, ndonëse gjatë revolucionit të korrikut ky komitet ka pasur përkrahjen e madhe shqiptare. Por, kjo nuk i sprapsi patriotët shqiptarë në realizimin e qëllimeve të veta, fenomene këto të përsëritura pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe, jo vetëm kaq!

Siç dihet, pas revolucionit Perandoria Osmane e shpalli Kushtetutën, ndërsa nga ana tjetër filloi formimi i klubeve kombëtare shqiptare, që ishin edhe iniciatorët e hapjes së shkollave shqipe, që mbaheshin me kontribute vullnetare nga patriotët shqiptarë, fenomene këto të përsëritura nga fundi i viteve të ’90-ta në Kosovë.

Kur u forcuan në pushtet, xhonturqit i harruan premtimet e dhëna, por qëndrimi i elitave shqiptare në parlamentin e dala nga zgjedhjet e 17 dhjetorit 1908, ku shqiptarët përfaqësoheshin nga koka elitare shqiptare, si Hasan Beg Vuçitërna (Hasan Prishtina) ose Nexhip Beg Draga, e ku gjithsejtë ishin 25 deputetë, bëri që shqiptarët të mos lejojnë të jenë të nënshtruar. Konflikti shpërtheu në Mitrovicë dhe Shkup, kur Kajmekami mendoi se mund t’i çarmatos shqiptarët e Isa Boletinit, por nga ana tjetër revolucioni shoqërohej me zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqiptar nga Lëvizja.

Çfarë nuk u realizua nga shqiptarët me kërkesën për autonominë e kërkuar nga Perandoria Osmane dhe pas shpalljes së mëvetësisë më 1912, u përsërit edhe me Luftën e Parë dhe atë të Dytë nga Mitrovica në Prevezë. Elitat shqiptare investuan, madje shumë edhe për Lidhjen e Dytë të Prizrenit dhe pësuan me ardhjen e komunizmit, sërish nga Mitrovica në Prevezë. Për të ardhur sot, kur shqiptarët kanë dy shtete dhe jetojnë në gjashtë shtete të Ballkanit dhe detyrohen ta përsëritin kumtin: Shqipëria shqiptarëve!

Sot kur në Luginën e Preshevës vazhdon lufta për gjuhën shqipe, kur në Maqedoni quhet arritje të folurit shqip, kur në Mal të Zi flamuri kombëtar shqiptar edhe kur lejohet me ligj, është i dënueshëm, kur në Greqi mund të jesh shqiptar, por jo çam, kur 1/3 e Kosovës së çliruar sërish u bë Toplicë, dhe kur Shqipëria po braktiset nga shqiptarët, a ka kuptim ky kumt i vitit 1908, kur vërtet ishte kuptimplotë?!

Sot, kur shqiptarët janë me një këmbë në BE dhe gërthasin “Shqipëria shqiptarëve” nuk kanë pse përsëriten më, aq më shumë të ankohen, sepse morën vetëm “aq sa kërkuan”, siç thoshte prifti bullgar. Nëse e duan zgjidhjen, e kanë të shkruar në të kaluarën e tyre, e nëse helbete u duhet shumë edhe fajtori, mund ta gjejnë në pasqyre.

Por, për të ardhmen e kombit tonë, që shtë dhe e vetmja gjë emergjente dhe e rëndësishme, shumë kohë më parë e ka thonë ish presidenti amerikan, John Fitzgerald Kennedy: “Mos të kërkojmë përgjigje republikane ose përgjigje demokrate. Mos ta kërkojmë fajtorin për të kaluarën. Ta pranojmë përgjegjësinë tonë për të ardhmen tonë.”